Editorial
Bedri Tahiri: Plagët e Gjeneralit - Dëshmi të Luftrave Çlirimtare
E diele, 11.07.2021, 06:59 PM
PLAGËT E GJENERALIT-
DËSHMI TË LUFTËRAVE ÇLIRIMTARE
(Kuvendime
e rikujtime me gjeneral Mensur Kasumin, më 16 mars 2021, në restorantin
“Kristal”, buzë Ibrit në Mitrovicë, ku ishte i pranishëm edhe ish nxënësi im,
Ramadan Bozhlani)
Nga
Bedri TAHIRI
Fillimi
Djaloshi sypishë i
Çukasit (ish Skoqnës), Mensur Kasumi (1966), pasi mbaroi mësimet e
fillores dhe Akademinë e Rendit Publik dhe Vetëmbrojtjes Shoqërore në Vushtrri,
ia mësyu Akademisë Ushtarake në Sarajevë, për ta përvetësuar mirë e mirë artin
luftarak, sepse e dinte se vendi i tij kishte nevojë për zanat të tillë për tu
liruar njëherë e përgjithmonë nga prangat e robërisë shekullore.
Dhe, paskëtaj
ndoqi Yllin e tij jetësor, duke zbatuar në praktikë ato që i kishte mësuar në
teoritë e doktrinave luftarake. Mori pjesë kudo që kërciste pushka çlirimtare,
si një misionar i shenjtë, duke marr pjesë nëpër luftërat e Sllovenisë,
Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës e për të kulmuar në atdheun e tij të gjymtuar,
në Kosovën dardane. Si shenjë kujtime e dëshmi kohe, në shtat mban katër plagë
të rënda e me pasoja shëndetësore...
Me një fjalë,
çështjes kombëtare e atdheut i dha shumë, edhe pjesë të trupit, e nga Ai nuk
mori asgjë! Rast i rrallë, mbase unikat e i papërsëritshëm! Vullnetar që nuk
kërkon shpërblime, kënaqet me Lirinë e shumëpritur për popullin e vet të
përvuajtur! Edhe për të folur, është i kursyer, flet pak. Sidomos për vete nuk
flet fare! Modest i pashoq. Rrahagjoksinë sikur ua ka lënë të tjerëve. Shpirti
i tij human është i brumosur me atdhedashuri, me sinqeritet, me urtësi, me
dinjitet, me dituri prej eruditi e me një mbamendje brilante të
jashtëzakonshme.
Meqë, ka kohë që nëpër duar e kam monografinë kushtuar heronjve Fehmi e Xhevë Lladrofci (“TË PANDARË EDHE NË PËRJETËSI”), një ditë (më 16 mars 2021) pata kënaqësinë që nga ky mendjendritur të shënoj momente e dromca jetësore nga veprimtaria e tij luftarake, me theks të veçantë për bashkëluftëtarin e tij, të madhin e të pavdekshmin Fehmi Lladrovci...
Në Kroaci...
Nisja e
shpërbërjes së ish Jugosllavisë, që nisi në krye të saj, në Slloveni (aty lufta
zgjati fare pak, vetëm 18 ditë), trokiti në zemrat e të gjithëve, veçan tek ata
që ndjeheshin të robëruar nga serbosllavia. Konkretisht, në zemrat e
shqiptarëve! Kjo u ndje më shumë tek oficerët shqiptarë që shërbenin në APJ.
Ata dezertuan dhe u degdisën gjithandej ku mund të depërtonin e të gjenin
strehim. Kështu i ngjau edhe oficerit të ri, Mensur Kasumit, fill pas gjysmë
viti që kishte dalë në detyrë...
...Po, ashtu është
vërtet,- pohon ai, për të vazhduar. Ishte fundviti 1990. Shpërbërja e Federatës
Jugosllave veç po niste. Ne e pamë se si po rridhte puna dhe dezertuam. Unë,
meqë edhe e kisha pasaportën kroate, kalova në Zvicër. Diku gjashtë muaj punova
në një agjension udhëtimesh...
Aso kohe, në Zvicër, nisën të mbahen disa
tubime me pjesëtarët e disa organizatave politike që vepronin atje. Në to u tha se dikush nga oficerët shqiptarë
duhet të shkojë në Kroaci dhe t'i tubojë shqiptarët që kishin arritur të
dezertonin nga ish-APJ-ja dhe t'i tubojë në një kazermë. Duke e kuptuar
rëndësinë e atij misioni, unë u paraqita vullnetar dhe vetëm disa ditë pasi që
e mora mbi vete këtë obligim, arrita në Zagreb ku ia fillova punës menjëherë.
Tashmë Fehmi Lladrovci ishte liruar nga burgu dhe shtëpia e tij dykatëshe (me qira) në rrugën “Radiqev” nr. 11, u shndërrua në Shtab! Ai, qysh në burg, bashkë me Adem Demaçin dhe veprimtarë të tjerë shqiptarë, kishin planifikuar formimin e një ushtrie shqiptare. Kështu, pa humbur kohë, u organizuam rreth tij dhe vepruam hiç pa u ndalur. Krah të fortë e kishte bashkëshorten e bashkëveprimtaren, Xhevë Krasniqin-Lladrovcin. Pos tjerash, nga duart e saj jemi ushqyer të gjithë ne që vepronim atypari!
Në
marrëveshje me përgjegjësit e Ushtrisë Kroate, ne e bëmë kazermën tonë në
qytetin e Gospiqit, bashkë me shumë kolegë të mi të tjerë, ndër të cilët do t'i
përmendja: Naim Malokun, Fadil Demirin, Fehmi Lladrovcin, Xhafer Jasharin,
Nevxhet Hazirin dhe eprorë të tjerë. Kështu, shumë shpejt arritëm të krijojmë
një ushtri të njëmendtë shqiptare prej treqind pjesëtarësh vullnetarë, të cilët
merrnin pjesë aktive në luftë (ata që nuk donin të rrinin, pas stërvitjeve, ua
rregullonim pasaportat kroate dilnin në Perëndim).
Komandant i të gjitha forcave shqiptare në Kroaci ishte Gjeneral Tomë Berisha, kurse komandant i Brigadës sonë, që ndryshe quhej “Garda Kombëtare”, gjegjësisht “Brigada Shqiptare” ishte kolonel Tomor Buza. Fehmi Lladrovci ishte komisar i Brigadës.
Në fakt,
fillimisht u krijua Njësia e Veçantë për Ndërhyrje të Shpejtë, e cila
kishte nevojë urgjente që tu nënshtrohej përgatitjeve fizike e taktike dhe për
ketë arsye u vendos që të qëndrojmë në Akademinë Policore të Zagrebit, me seli
në Dubravë. Drejtuesit dhe përgjegjësitë e kësaj Njësie, ishin Naim Maloku,
Fehmi Lladrofci, Xhafer Jashari, Fadil Demiri, në mesin e të cilëve pata fatin
të jem dhe Unë.
Gjatë stërvitjeve
disa javore, pata nderin dhe privilegjin t’i njohë shumë figura fisnike të
popullit tim, të cilët disa vite me vonë, do të jenë edhe bashkëluftëtarët e
mi, në vendit tim. Mirëpo, një moment i veçantë për të gjithë ne ishte, se në
mesin tonë u paraqit një djalosh i cili erdhi për të mbajtur ligjërata dhe
stërvitje ushtarake. Që në ditët e para të leksioneve të tij u zbulua talenti
dhe zhdërvjelltësia e një strateg, pa e ditur se ky djalosh do ta krijoj gjatë
viteve në vijim, një histori të paharrueshme në të dy vende dhe për dy popujt.
Ky ishte Bekim Berisha, të cilit, si me shaka ia vura nofkën ABEJA,
e cila e përcolli deri në rënien e tij heroike. Bekimi, si një çun i përgatitur
profesionalisht tej mase, bëri që me aftësitë e tija prej Legjionari, ta
stërvit dhe aftësojë njësitin tonë si, të ishim vërtet "specijalca".
-Roli i Abesë, fillimisht në luftën e Kroacisë, ishte dhe do mbetet në analet e historisë si i pa përsëritshëm. Nga njohuritë e mia si ushtarak, mendoj se nuk njeh doktrina ushtarake dhe as që është mësuar ndokund ajo strategji e përdorur në luftë, e cila është aplikuar nga Bekim Berisha. Ai ishte Ajnshtajni i strategjisë luftarake. Ai ishte Gjeniu luftarak i këtij shekulli. Strategjia luftarake e përdorur nga ana e Bekimit, ka bërë që të ndryshoj doktrina ushtarake e Akademive të shumta në regjion. E them me përgjegjësinë më të madhe morale se Abeja ishte dhe mbetet luftëtari më trim e më i spikatur kundër falangave serbo-çetnike në historinë e këtyre Luftërave Ballkanike.
Pas betejave në Kroaci, Bekim
Berishën e takova edhe tri herë: Më 1995 e pata mysafir një javë në shtëpinë
time në Jabllanicë, mes Konjicës e Mostarit, më 1998 në Shqipëri (priste të
futej për së dyti në Kosovë me shumë luftëtarë) dhe së fundi, po atë vit, në
ZOSH, në betejën e Bellaqefcit e Hadës (prania e të cilit zmbrapsi armikun). Më
nuk e takova për të gjallë...Pata privilegjin ta
kem mik, shok dhe bashkëluftëtar në tri luftëra: në Kroaci, në Bosnjë dhe në
Kosovë!
* * *
Me të përfunduar
stërvitjet në Dubravë, me urdhër të Shtabit Qendror, në krye me Gjeneralin Tomë
Berisha, ne morëm rrugën me autobusë (15 autobusë) për në Gospiq, në Regjionin
e Likës, me ç’rast numri i Njësisë sonë numëronte mbi 400 pjesëtarë, tani më
stërvitur mirë.
Pra,
siç po shihet, ne, qysh në vitin 1991, me vetëdije, ishim ushtarë të Qeverisë së
Republikës së Kosovës. Mirëpo, fatkeqësisht, pas tetë muajsh ndodhi më e keqja
kur erdhi urdhri që Brigada jonë të shpërndahej. Kjo
ndodhi për shkak të asaj se, kur disa politikanë në Kosovë, dëgjuan se në
Kroaci po përgatitej një brigadë ushtarake, e cila do ta hapte luftën edhe në
Kosovë, menjëherë u dërguan disa aktivistë, të cilët shkuan me qëllim që ta
shpërndajnë Brigadën shqiptare në Kroaci.
-Kjo ishte e
çuditshme, thotë Mensur Kasumi, ngase për tetë muaj rresht, Garda Shqiptare
ka zhvilluar beteja në rrethinën e Kninit. Ne kemi qenë të përqendruar në
Gospiq, që do të thotë se kemi operuar në këto zona të Likës dhe të Dalmacisë.
Betejat më të ashpra i kemi zhvilluar në vendin e quajtur Ornica, në Liçki
Osijek, në Petrovac, si dhe lokalitetet tjera jo larg Kninit.
Një aksion të
rreptë luftarak e kemi zhvilluar në betejën e Liçki Osijkut, ku edhe e kemi
arritur ta marrim këtë lokalitet nga serbët. Me atë rast i kemi vrarë
shumë çetnikë dhe e kemi shkatërruar
fabrikën e granatahedhësve 82 mm. Aty edhe Brigada jonë pati humbje: nëntë të
plagosur dhe dy të vrarë: ushtarët Samet Bogujevci dhe Fadil Salihu nga Gjilani
(janë varrosur në Zagreb, në Varrezat e Dëshmorëve, e më vonë janë rivarrosur
në Kosovë).
Në Bosnjë dhe Hercegovinë...
Pas shpartallimit të Brigadës, ne që mbetëm
brenda, jemi sistemuar nëpër njësitë tjera të Ushtrisë Kroate. Unë personalisht
jam sistemuar në një njësi speciale për punë të veçanta. Njësia quhej
"Mbreti Tomisllav" dhe me të ka komanduar gjenerali me emër të luftës:
Nijaz Batlak ndërsa emrin e vërtetë e kishte Mate Sharllija. Kjo
njësi elite selinë e kishte në Vaskopole dhe ka vepruar që nga Dubrovniku e
deri në Osijek. Këtu kam qëndruar deri
në vitin 1992.
Edhe shqiptarët
tjerë janë sistemuar nëpër njësite të caktuara. Në Sisak dhe në Komarevë kanë
qenë Bekim Berisha-Abeja, Ramë Cervadiku, Afrim Shyreci- Leopardi...
Pra, disa kanë qenë në Sisak, disa në Karllovc, disa në Gospiq, disa në Osjek.
Thjesht, që nga Dubrovniku, kudo, në çdo pikë të frontit në Kroaci, i cili
ishte i gjatë 1200 kilometra, nuk ka pasur njësi që nuk kishte edhe shqiptarë...
Kur erdhëm në Bosnjë, njësiti të cilit i prija
unë vazhdonte të ishte nën komandën e gjeneral Mate Sharllias. Njësia jonë
speciale, e cila ishte njësi super elitare, ka vepruar që nga Gorazhda e deri
në Mostar, nëpër Sarajevë, Igman, Bjellashnicë, Zenicë, Konjicë, Jabllanicë
etj. Fillimisht isha i vetmi shqiptar. Me ata 1000 luftëtarë, më 1 prill 1992
hymë në Bosnjë, pesë ditë para se të kriste pushka e parë çlirimtare (pushka e parë ka krisur më
6 prill 1992).
Mirëpo, zhvillimi
i Ushtrisë së Bosnjë Hercegovinës, ka ecur pak më ngadalë, se sa ai i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës...
Tek gati pas dy
vjetësh, janë krijuar do grupime taktike, divizionet, korpuset. Unë në divizion
kam qenë ndihmës i komandantit për sigurim ushtarak, ndërsa në Korpusin 4 kam
qenë kryeshef i sigurimit ushtarak për korpus. Zëvendës ishte Ismet Aliu, që më
pas u bë atashe ushtarak i Bosnjë Hercegovinës në Turqi. Edhe unë, në vitin
1996 kam qenë i propozuar me detyrë të atasheut ushtarak të B e H-së në
Shqipëri, mirëpo që atëherë e kisha të qartë se situata në Kosovë nuk është e
mirë dhe se lufta ishte e pashmangshme, kështu që nuk e pranova emërimin dhe me
padurim e kam pritur ditën kur populli ynë do t'ia kthejë pushkën shkaut dhe të
çlirohet njëherë e përgjithmonë nga prangat e robërisë...
Lufta e Bosnjës
dhe Hercegovinës ka qenë e tmerrshme. Aty luftohej në shumë fronte: ishte luftë
ndërshtetërore, ndërfetare, ndëretnike! Ajo ka zgjatur nga 5 prilli 1992 deri
më 28 shkurt 1996. Veç Sarajeva ka
qëndruar 1423 ditë e rrethuar dhe e bllokuar. Nga granatimet dhe snajperistët
serbë janë vrarë rreth 20.000 veta. Qytetin e ka mbrojtur me mish e shpirt
Korpusi I, ndër ta luftëtarë nga krahina e Sanxhakut, prej të cilëve kanë rënë
në fushën e nderit (duke e mbrojtur Sarajevën) rreth 5000 ushtarë.
Në Kosovë...
Erdhi edhe viti
1996. Isha në Jabllanicë, bri Neretvës dhe po e merrja veten nga gjithë ato
beteja e luftime. Një ditë bie zilja e telefonit. Ishte Fehmi Lladrovci:
-A i kemi fjalët e
’91-it për me shkue në Kosovë?
-Po, po, i gatshëm
jam!
- Atëherë,
grumbullo armatim kah të mundesh e si të mundesh!
-U tha, u bë!
Unë isha
përgjegjës për oficerët shqiptarë që ishin në Bosnjë. Në Sarajevë erdhi edhe
Fadil Demiri po për të njëjtën detyrë, t’i mblidhte oficerët shqiptarë dhe të
grumbullonte armatim. Ashtu vepronin edhe Xhemail Fetahu, Asllan Peci, etj.
Ndërkaq nga Kroacia ishte Nevxhet
Haziri, Xhafer Jashari dhe aktivistë nga
Tetova e Gostivari. Armët veç kishin zënë të lëviznin në relacionin
Split-Durrës-Tiranë, pastaj edhe me autobus e me kamionë në vijën
tokësore...Katër vite më herët (në fillim të 1992), asaj rruge ishte nisur edhe
mitralozi im, Sharci M-53, i cili, për fat të mirë, arriti aty ku duhej,
në dorën e Adem Jasharit si dhe automatiku AK-47 për Zahir Pajazitin!
Pas pak, ia mësymë
edhe vetë kthimit në Kosovë. Shkuam në linjën ajrore Sarajevë-Stamboll-Tiranë.
Në Tiranë nuk qëndruam shumë, sepse ne donim të luftonim e jo të shëtisnim
rrugëve të saj, larg vijave të frontit. Kur u zhvillua Beteja e Jasharëve, ne
kemi qenë në Tiranë. Aty jemi munduar që t'i
bashkojmë të gjitha grupimet politike të kosovarëve dhe t'i shkrijmë në UÇK,
gjë që në fillim ka ecur me një vështirësi bukur të madhe.
Pas rënies së
komandantit Adem Jashari, nuk na rrihej më, nuk na zihej vendi-vend. Kështu,
një grup oficerësh: Naim Maloku dhe Afrim Basha, dy muaj më herët u futën në
territorin e Kosovës, e pastaj: Bislim Zyrapi, Kadri Kastrati, Hysni Ahmeti,
Binak Gashi, Agim Çela, Mahir Hasani, Nysret Krasniqi-Hansi unë (Mensur Kasumi)
etj., ia mësymë kufirit të mallkuar shqiptaro- shqiptar. Ishim të parët që
futeshim në Kosovë. Me ne erdhën edhe 77 luftëtarë të tjerë (në mesin e tyre
edhe Tahir Sinani e Indrit Cara- tashmë dëshmorë si dhe vetë udhëheqësit e
grupit Hashim Thaçi e Kadri Veseli). Ishte majii i vitit 1998...
Kur u nisëm për
çlirimin e Kosovës bashkëluftëtarëve u thashë: “Në këtë rrugë të shenjtë që
jemi nisur të nxitur nga historia e lavdishme e popullit tonë, do t’i
tregojmë gjithë botës se ç’mund të bëhet
me vetëm një grusht njerëzish që luftojnë me të drejtë. Ndërsa, të gjithë ata
që s’na kanë besuar në suksesin tonë, do të turpërohen kur të shohin shtetin
tonë të ri.
Diellin do ta kemi flamur, e qiellin mburojë! Toka do të dridhet dhe qielli
do te kumbojë nga suksesi jonë!
Të mbështetur në armët tona, do të
ngremë ushtri të paparë ndonjëherë!
Do të jemi mbrojtës të
drejtësisë e mëshirës ndaj të tjerëve dhe garantues të unitetit kombëtarë!
Me armët në dorë dhe me
përpjekjet e pandalshme, do të korrim fitore dhe të ngremë lart emrin e lavdishëm
të kombit tonë!
Zoti na ndihmoftë ta çlirojmë Kosovën
tonë!
...Kaluam në
Rogovë të Hasit, afër Rahovecit në Drenoc dhe pas pesë ditësh arritëm në Drenicë. Në Shtabin e Përgjithshëm të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Likofc, morëm detyrat dhe u shpërndamë nëpër
zona...Mua më caktuan në Zonën Operative të Shalës...
Fillimisht u
emërova si Zëvendës komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Shalës, ndërsa nga
mesi i shkurtit i vitit 1999 kalova në Shtabin e Përgjithshëm.
Në qershor të
vitit 1998 mbërrita në Zhilivodë.
Po atë natë erdhi
Fehmi Lladrovci dhe u takuam pas shumë vitesh. Takimet me të i kemi pasur të
përhershme deri në rënien e tij heroike në Altarin e Lirisë!
Betimi...
Rënien e komandant
Fehmi Lladrovcit bashkë me heroinën Xhevë dhe bashkëluftëtarë të tjerë, në
shtatorin e përgjakshëm të vitit 1998, gjeneral Mensuri e kishte përjetuar
rëndë.
“Komandant
Mensuri, i cili e kishte pasur bashkëluftëtar Fehmiun në luftën e Kroacisë, u
betua në emër të Luftëtarëve të Lirisë se do të marrin hak për të gjithë të
rënët dhe se deri në shqiptarin e fundit do të vazhdojnë rrugën e Fehmiut!”-
shkruan në Ditarin e tij, gazetari i luftës, Haqif Mulliqi, që ishte
bashkëpjesëmarrës në ngushëllime në familjen e komandant Fehmi Lladrovcit.
Mirëpo, sot, vetë
Gjenerali, shprehet se përkundër praktikave të luftërave te popujve tjerë gjatë
historisë, në luftën e lavdishme të UÇK-së ngjau një fenomen i veçantë: Çdo
rënie e komandantëve në vijën e parë të frontit, shënoi ngritje të moralit
luftarak, mobilizim e masivizim të luftës sonë çlirimtare, shënoi përtëritje!
I tillë ishte edhe bashkëluftëtari im i
hershëm, komandant Fehmi Lladrovci, emri dhe heroizmi i të cilit na frymëzuan
dhe na prinë drejt fitoreve të reja, drejt LIRISË!
Vlerësime:
Haqif Mulliqi: Mensur Kasumi është një prej figurave më të dashura, për mua, që kam
njohur tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës...
Elifa Krijestorac (ish-luftëtare
boshnjake): Mensur Kasumi, Luani
nga Vushtrria!
Ne, boshnjakët e kujtojmë Mensur
Kasumin si kapiten, i cili menjëherë pas zhbërjes së ish-Jugosllavisë, me
fillimin e agresionit të parë serb në ish republikat jugosllave, e braktisi
Zvicrën, e pastaj merr pjesë pothuajse në të gjitha betejat kundër agresorit
serb, duke filluar nga Sllovenia, Kroacia deri në Bosnje dhe Hercegovinë ku si
Zëvendës Komandant i Njësisë Speciale për Qëllime të Posaçme
(NjSQP) të Shtabit të Komandës Supreme, e më vonë edhe i Korpusit të IV të
Ushtrisë së B e H, qëndroi deri në vitin 1996.
Tani, Shqiptarët e Kosovës e kanë shtetin e tyre dhe territorin në të cilin
pa frikë dhe pa dhimbje do t’i ngritin gjeneratat e reja. Gjeneral, Mensur
Kasumi edhe në luftën e tij të fundit, nga Ushtria e Republikës së Kosovës doli
me gradën Gjeneral, por i mbeti besnik vetes dhe modestisë së tij të lindur. As
këtë herë nuk kërkoi qe t’i kthehet asgjë, ani pse pas shumë luftërave të
udhëhequra për lirinë e Kosovës së tij , në fund u sëmur dhe mbeti invalid.
Ne boshnjakët e Bosnjës dhe të
Sanxhakut, Gjeneral, Mensur Kasumit, i cili bashkë me ne mori pjesë në
mbrojtjen e Bosnjës e Hercegovinës dhe popullit të saj- i jemi falënderues. Ne
e kemi edhe obligim që gjeneratave boshnjake, të cilat vijnë, tua përcjellim që
ta kujtojnë dhe të mos e harrojnë. Ne gëzohemi njëkohësisht qe vëllezërit tanë
shqiptarë-më në fund e realizuan lirinë e vet, por ne do t’i kujtojmë ata në të
ardhmen vetëm aq sa ata ta kujtojnë dhe nderojnë Gjeneralin tonë dhe të tyre-
Mensur Kasumin.
Prof. dr. Islam Qerimi:
Gjeneral Mensur Kasumi, një person ushtarak, i cili kishte mbaruar akademinë
ushtarake dhe i graduar në ish armatën e rregullt jugosllave në kapiten i
klasit të parë. Gjeneral kishte luftuar në tri luftërat e zhvilluara për lirinë
e popujve nga hegjemonizmi dhe bolshevizmi serbosllav. Gjatë këtyre betejave
luftarake, ai ishte plagosur disa herë dhe kishte marrë 5 plumba në trupin e
tij, si pasojë e tyre ai dhe sot ka probleme të rënda me shëndetin e tij, njëra
veshkë iu ka dëmtuar në tërësi.
Dhe, Gjeneral
Mensur Kasumi meriton edhe më shumë!