Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Shqiptari i Kosovës që vuajti 15 vjet burg në ferrin e regjimit terrorist të Enver Hoxhës
E enjte, 08.07.2021, 06:44 PM
Shqiptari i Kosovës që vuajti 15 vjet, 1 muaj, 10 ditë burg në ferrin e regjimit terrorist të Enver Hoxhës
Nga
Kastriot Dervishi
Nazmi
Ahmet Berisha, lindur më 20.12.1938 në Batllavë të Llapit në Kosovë, erdhi në
Shqipëri në vitin 1960 nëpërmjet lumi Buna, kur ishte vetëm 22 vjeç, për t’i
shpëtuar gjenocidit serb, si dhe i ndikuar nga propaganda komuniste që thoshte
se në Shqipëri ishin arritur standarde të larta jetese. Pas dy muajsh në Shijak
te shtëpia “e kosovarëve” (ku bëhej dajaku i parë ndaj tyre), e çuan në Çermë
të Lushnjës (ku bëhej një diskriminim tjetër i specializuar ndaj shqiptarëve të
Kosovës).
Nazmiu
vuajti dy dënime për arsye politike, në vitet 1962-1972: 10 vjet, 1 muaj, 10
ditë dhe 1975-1980: 5 vjet, 0 muaj, 0 ditë, në repartet nr.321 Burrel, nr.307
Rubik dhe nr.309 Ballsh. Për fat të mirë la kujtimet e tij. Midis të tjerash e
tregon kështu ferrin hoxhist, të cilin edhe e ka ilustruar me një skicë:
“Më
lidhnin me hekura në karrige dhe kjo e ngujuar në beton. Më rrihnin me grushte.
Më binin me tehun e shuplakës së fyt. Dhe kur lodheshin vetë thërrisnin të
tjerë që të vazhdonin goditjet kundër meje. Më linin pa gjumë me net të tëra.
Më linin pa ujë, pa ushqim, më dërgonin në birucë ku s’mund të lëvizja sepse
vinte roja e më rrihte me një teknikë allaturka, më dërgonte prapë në banjën e
çimentos ku më lidhte me hekura gjermani”.
(Pjesë
e historive të shqiptarëve të Kosovës të cilët vuajtën burgime të gjata nga
regjimi i E.H).
__________
Një
përmendore në Prishtinë
Prishtina
duhet të ngrejë një përmendore kushtuar shqiptarëve martirë të Kosovës që u
vranë, keqatrajtuan, burgosën dhe internuan në Shqipëri nga regjimi
antikombëtar i Enver Hoxhës. Kjo do t’i shërbente jo vetëm kujtesës historike
por edhe luftimit të antikosovarizmit që regjimi enverist mbolli në Shqipëri.
Janë
regjistruar shifra të frikshme për individë që kanë vuajtur deri në 36 vite burg.
Në një të ardhme duhen skalitur edhe emrat e atyre që u ra për rrisk ta vuanin
një trajtim të tillë sa të padrejtë aq edhe të poshtër.