Mendime
Xhemal Ahmeti: Testamenti i Milladinit
E shtune, 12.06.2021, 02:49 PM
Testamenti i Milladinit
Nga
Xhemal Ahmeti
Rama
tha se Kosova nuk ka gjasa ta padis Serbinë për gjenocid. Shqipëria dhe
aleatët, pra partnerët perëndimorë, tha ai qenkan kundër. Cilët partnerë
konkretisht? Dhe nga qenka kaq i sigurt Rama për këtë punë, kur padia ende nuk
është materializuar?
U
puqën, përqafuan dhe u shkrinë së qeshuri. Në ndarje e sipër Edi e shtrëngoi
Albinin aq përmallshëm për qafe saqë Zoran Zaevi pas tyre linte përshtypjen
sikur donte t’i japë ndihmën e shpejtë fqinjit kosovar, njëkohësisht duke lutur
Ramën: «Liroje pak se i more frymën të shkretit». E ai, basketbollisti
peshëmadh sa King Kongu në filmin e Merian C. Cooper-it, duke ia kthyer: «Ky
është djaloshi xhait, e rregullojmë, bëhet, bëhet xhanëm».
Këto
ishin skenat publike që Prishtina mediale i festoi si bashkim ujdimadh të dy
shteteve shqiptare. Çka mirëpo ndodhi në të vërtetë gjatë samitit në Tiranë?
Pamjet
tjera, të transmetuara nga brenda tubimit sollën dy fytyra të tendosura, të
fryra, skuqura: Ana Brnabiç hundëzajshëm e Albin Kurti i bërë tym. Samiti u
mbyll pa një deklaratë të përbashkët!
Pas
mbledhjes Ana Brnabiç tha se samiti dështoi për shkak se disave nuk u intereson
zhvillimi i rajonit, por duan të poshtërojnë Serbinë. Albin Kurti nuk kishte
nënshkruar ngase shteti i tij ishte trajtuar si një atopos, një gropësirë
gjeografike pa status e subjektivitet.
I.
Rëndom
primatët e samiteve të llojit duken si adeptë të një zone politike amorfe.
Konfliktet që i shoqërojnë manifestojnë faktin se nuk përfaqësojnë asgjë
kongruente me vlerat perëndimore. Duke aktruar një pacifizëm (internacionalist)
të kamufluar të tipit të devotio postmoderna -s (Life after God) ndoshta
besojnë se do bindin më në fund BE-në të jenë aorta fisnike e kontinentit.
Natyrisht e njëkohësisht duke kërkuar nga Brukseli mirëkuptim se pse nuk braktisin
dot hamamet turke dhe se pse qenka aq zor të nxjerrin turinjtë nga tenxheret me
kaviar të Putinit. Magmë vitalistësh zhvatës. Shqipëria, Maqedonia dhe tjerët
nuk duan të kuptojnë se s’mund të jetë atraktor i mirëqenies së tjetrit
asnjëherë ai subjekt afin edhe për krimet më të rënda në mbrojtje të legjendave
dhe kotecit të tij, siç bën shteti i zonjës Brnabiç. Ose mundet nëse ai shtet
ka të bëjë me vende, të cilat shquhen për nga vulgariteti invaziv i një
utilitarizmi ku dominon skamnori sapiental, parimet etike të të cilit
determinohen nga fuqia e valutës investuese dhe asgjë tjetër. Ose gjitha këto
shtete jo veten, por kosovarët i konsiderojnë si brotoi të Ballkanit. Si sferë
ku jetojnë njerëz që në vend të kodeve morale jetojnë sipas asaj «Etikës e padinjitetshmërisë» të Luhmanit.
Ndoshta
nisur nga kjo perspektivë mbi kosovarët, organizatorët e samiteve të llojit, mos-hidhërimin e Serbisë
e kanë kuptuar si nevojë për mohim, delegjitimim të Kosovës. Dhe kur qeveria e
këtij shteti reagon ndaj kësaj sjelljeje, sllovenët me kroatët çojnë shpatullat
përpjetë dhe si të pashpresë thonë se Serbia duhet ta njohë më në fund
realitetin. Primatët e këtyre vendeve, në deklarim e sipër nuk japin përgjigje
për tema që nuk ishin agjendë e samitit. Me përjashtim të njërit.
II.
Edi
Rama bën ndryshe. Ky më i mençur dhe më me kompetencë për të folur për Kosovën
se tjerët. Çështje biofijesh? Në një intervistë për «Euronews Serbia», ky
ligjëroi se palët në konflikt duhet t’i harrojnë armiqësitë dhe të kujdesen për
zhvillimin e rajonit dhe të ardhmen e tyre evropiane. Jashtëzakonisht romantike
kjo dashuri internacionaliste. Megjithatë nuk përbën thagmë ky deklarim. Pastaj
tha edhe diçka që nuk ishte temë e samitit: shpjegoi se Kosovën nuk e përkrah
Shqipëria në aksionin e saj për të paditur Serbinë për gjenocid. Kështu ngase
Kosova qenka e pavarur dhe vendos vetë. A mundet të vendos ajo vetë edhe për
mënyrën se si do vendos për të ardhmen e saj politike dhe për mënyrën se kur
dhe si do t’i falë ekzekutorët e njerëzve dhe djegësit e shkatërruesit e vendit
të saj? A është ajo aq e pavarur se për të bërë padi pa ndihmën e Shqipërisë, e
cila përcakton kualitetin e padisë apriori si të kotë? Kaq thellë nuk hyri
kryeministri i Republikës pak më në moshë shqiptare, por në emër të gjitha
aleancave i deklarua kundër padisë. Donë të thotë se Tirana zyrtare paska bërë
një aksion diplomatik me shtetet e perëndimit duke i pyetur apo manifestuar
qëndrimin e saj kundër padisë? Cilës padi, kur ajo ende nuk është publikuar?
Është kjo arsyeja që shtyn Ramën të besojë versionin serb se në Kosovë nuk ka
pasur gjenocid? Po të ishte ndryshe, po të besonte se atje kanë ndodhur krime,
ai nuk do ta diskutonte këtë gjë. Jo ngase si primati i parë politik i një
shteti që nuk u shkoqet dot vetingjeve e kupton rolin dhe peshën e drejtësisë.
Jo vetëm për qytetarët e tij e kupton ferrin e viktimave dhe pjesëtareve të
tyre, por edhe të tjerëve, atyre andej gardhit. Mirëpo puna qenka pra ndryshe:
në kujtesën e primatit të Tiranës gjenocidi nuk paska ndodhur, si rrjedhojë
ashtu ai edhe e reprezenton atë, jo vetëm mentalisht, por edhe me sjellje
(Reprezentimi mental është një entitet fryme me veti semantike).
Është
kjo mënyra se si Rama donë ta bind Vulinin të mos jetë „shiftar“?
III.
Paralelisht
me samitin në Tiranë, në Beograd u mblodhën ish gjeneralët me «inteligjencien»
dhe shtetin për të konstatuar se NATO i humbi 36 aeroplanë në luftën me ata; se
Serbia fitoi de facto luftën pasi siguroi rezolutën e OKB, e cila nuk lejoi që
Serbisë t’i hiqet Kosova nga territori. Shumica prej tyre ishin
drejtpërsëdrejti të involvuar në krimet e bëra në Kosovë. . Edhe organizatorët
e samiteve si ky i Tiranës operojnë me këtë mendësi të gjeneralëve beogradas. E
qartë: nuk gjenden në Hagë, por në Beograd dhe mbajnë tubime. Si shtetet tjera
ballkanike, të cilat gjykimin e shqiptarëve deklarueshëm e konsiderojnë
padrejtësi, por është Kosova ajo që ngushtohet prej këtyre mos ta prish
zhvillimin e rajonit e jo Serbia. Hipokrizi? Injorancë? Pale çka. Secili shtet
ka interesat e veta. Ashtu siç bëjnë serbët në Bosnjë dhe në Kosovë. Shqipëria
bën ndryshe. Asnjëherë nuk ka vepruar në ndonjë formë më spektakolare se kjo.
Kështu ka vepruar ndaj vetes dhe Kosovës përherë – pavarësisht dramës.
Utensiliat parapolitike të Tiranës në fushën e diplomacisë përherë kanë
rezultuar bumerang për interesat rajonale të etnosferës shqiptare.
Fatkeqësisht.
IV.
Padia
kosovare për gjenocid bëhet jo si kërkesë politike për t’ia bllokuar me naze e
poza të të fortit dikujt autostradat minishengenike nga duhet të kalojnë
vëllezërit serb, pasardhësit e Milladinit, për në det. Ajo është kërkese e
qindra familjeve dhe mijëra njerëzve, të cilëve iu zhdukën njerëzit, iu dogjën
shtëpitë, tokat, kafshët dhe gjithçka çka kishin. Ata humbën gjithçka nga një
shtet, i cili ushtroi etnocid ndaj tyre rreth 120 vjet. Rama dhe primatët tjerë
ballkanik duhet të kuptojnë se për
ç’arsye pa u vënë drejtësi në këtë drejtim nuk do ketë paqe në «rajonin e tij
proevropian». Ata e dinë edhe fjetshëm se kush e pengon këtë drejtësi, por problemi
eshtë diku tjetër e jo tek mosdija:
konsiderojnë autostradat, aeroportet, mallrat si bazën e çdo morali
paqeje e koekzistence. Gjitha tjerat duan që të mbeten të pagjetura – si
kufomat e kosovarëve gropave serbe.
Padia
– u pranua apo jo (e si kur edhe Shqipëria qenka kundër) ajo parasëgjithash
është një luftë e drejtë e të dëmtuarve për drejtësi. Është edhe manifestimi i
një gjendje të paprecedentë historike, në të cilën viktimat gjykohen e vrasësit
mbajnë tubime që arsyetojnë festueshëm po të njëjtat krime. Paqja ndër kombe
nuk ndërtohet me hekurudha dhe aeroporte por me empati për të drejtën,
drejtësinë dhe me respektin ndaj lirisë dhe dinjitetit të tjetrit – qoftë ai i
së njëjtës kombësi, fqinj apo tejoqeanik.
Marrë nga
https://www.gazetaexpress.com/