Editorial
Prend Buzhala: Fasada e jashtme dhe brendia e shëmtuar e gjërave
E enjte, 29.04.2021, 10:14 PM
FASADA E JASHTME DHE BRENDIA E SHËMTUAR E GJËRAVE
(Replikë
me realitetin)
Nga
Prend BUZHALA
Në
gjuhën shqipe, fjala FASADË ka dy kuptime. I pari: "Faqja e përparme e një
ndërtese, ana e jashtme e faqes kryesore të një ndërtese, parëse, ballinë.
Fasada e ndërtesës (e shtëpisë, e pallatit)". Natyrisht, edhe skuadrat a
firmat e punëtorëve të fasadës (suvatuesve) që fitojnë nga kjo veprimtari me
djersën e ballit e me mundin e tyre prej mjeshtri, në Kosovë (dhe gjetiu) janë
të shumta; firma a kompani të specializuara me këto zanate private në muraturë
dhe punime të tjera ndërtimore, për fat të mitë, kanë krijuar edhe jo pak
mundësi punësimi. Një ndërtesë e punuar bukur nga punëtorët e fasadave si
mjeshtër ndërtimi, me rinovimet e ndryshme ndërtimore, natyrisht, përveç
efektit të jashtëm, estetik, e kanë edhe efektin tjetër funksional, atë të
mbrojtjes nga kushtet e ndryshme të motit dhe të vjetërsisë së objektit. Na
pëlqejnë fasadat tradicionale të mureve shqiptare, dhe se si bëhet kjo punë
(edhe me mure mozaikë etj.) ka të bëjë edhe në fushën e etnokulturës së një
populli. Dhe nuk është e rastit përse jo pak objekte restorantesh apo objekte
tjera për shërbime të ngjashme, kanë mure të veshura me dru, me gur, me
mozaikë, me mermer, me pllaka alumini, me materiale plastike apo edhe me mure
të mbuluara me dru, gur (sidomos me mermer), pllaka alumini, nga materiale
plastike ose edhe nga pllaka qeramike. Puna kolektive e përbashkët bëhet nga
punëtorë fasadash, nga keramistët, suvatuesit, nga punëtorë të profesioneve të
ngjashme, madje edhe nga piktorë mozaikësh. Ka një art të tërë figurativ,
skulpturor etj. që është zhvilluar mbi bazën e këtyre veprimtarive, sidomos
nëpër metropolet evropiane.
Këta
punëtorë, pra, nuk janë analfabetë, por mjeshtër e punëtorë të vërtetë, me
arsimin e nevojshëm e me përvojat e fituara në kryerjen e profesionit. Se a ka
ndër ne degë të posaçme që arsimojnë punëtorë të tillë, apo i lihen
përvetësimit të zanatit nga vetë kompanitë, në mënyrë stihike, është tjetër
punë. Se a ka ndër ne rregullore a dokumente që përshkruajnë vendin e tillë të
punës, për fasadë në ndërtesa banimi, ndërtesa publike, në objekte industriale,
tregtare apo stadiume futbolli, objekte kulture, rrugë etj., po ashtu edhe kjo
është tjetër punë. Nëpër rrugët a hapësirat publike, private etj., do t'u kenë
rënë në sy këta punëtorë me makina në dorë, me makina suvatimi, me mikserë apo
mjete të tjera të ndryshme, me helmeta a kaska prej metali në kokë.
1. Triumfi i lustrës
Porse
jeta e përditshme nga fjala FASADË e ka krijuar edhe kuptimin e dytë figurativ,
siç e shënon Fjalori: "Pamje e jashtme e mirë a e bukur, që fsheh diçka të
keqe a të shëmtuar, pamje që të gënjen." Në fjalorët frëng, prej nga vjen
kjo fjalë (pamja e jashtme, balli i një ndërtese), për të thuhet po ashtu:
"Pamja që i jepet diçkaje, sjellja e ndikuar nga dikush në mënyrë që të
fshehin gjendjen e tyre reale. Besimi i tyre është një fasadë; në fakt, ai
është i shqetësuar." Kur francezët shqiptojnë shprehjen "Shkatërroni
fasadën e dikujt" e thonë në kuptimin: "goditeni fort në
fytyrë", d.m.th. demaskojeni mashtrimin.
Pas
një fasade të tillë, ku pamja e jashtme fsheh thelbin e keq, brendinë e
shëmtuar etj., fshihet gjithmonë një aktor në pusi, që vepron në fshehtësi, një
aktor a figurë me rëndësi publike a shtetërore.
Aktorët
(njerëzit që kanë një profil të tillë publik), kanë gjithmonë diçka për të
fshehur:
-
pas një vepre bamirësie të rreme, ai fsheh thesarin e tij, të përvetësuar me
mashtrime,
-
pas një veprimtarie publike prestigjioze, ai fsheh pasurinë e tij,
-
pas një miqësie (si e mirë publike a shtetërore) me një shtet a firmë të
jashtme, ai fsheh paratë e tij, interesat e tij fitimprurëse,
-
pas një lustrimi të jashtëm të ndërtesave, ai fsheh thelbin e mjerimit social
të qytetarëve, papunësinë, varfërinë dhe ekzilin social,
-
pas kujdesit të rremë për mirëqenie, për përparim e për zhvillim, ai fsheh
dëbimin e të rinjve jashtë, shpopullimin e rajoneve të tëra, arat e lëna
bjerrë, shtëpitë e pabanuara e pa njerëz, apo shtëpi me pleq të vetmuar për të
cilët nuk kujdeset askush,
-
pas fjalorit optimist për ligjin, reformat, arsimin, shëndetësinë etj., ai
fsheh gjendjen e sëmurë, krizat gërryese, konfliktet e hapura e latente, krizat
social-familjare që çojnë në vrasje e vetëvrasje,
-
pas fasadës së bukur të drejtësisë, pas dënimeve me burg të njerëzve të
thjeshtë të zënë në kurthin e gjymtimit e të imoralitetit social-politik, ai
fsheh ndërtesën e rrënuar të shpirtit njerëzor e të vetë drejtësisë,
-
pas një debati të hapur publik, interviste, opinioni etj. etj., fshehin të
çarat etike, psikosociale, plasjet e ndërgjegjes apo ato të shthurjeve nga më
të ndryshmet që gërryejnë së brendshmi një shtëpi, një shoqëri, një komb a një
shtet,
-
përbetimet për integrime në Bashkimin evropian, janë fasadë e bukur për ta
mbrojtur thelbin e stërkequr e të trashëguar oriental të regresit historik që
na ka shkaktuar vetëm shprishje të identitetit nacional dhe përçarje të
brendshme (religjioze, krahinore apo edhe ideologjike e partiake) etj. etj.
Një
shkrimtar i ri francez, te vepra e tij "L'antilegende"
(Antilegjenda), Fabien Clavel, do të thoshte: "A nuk iu ngjanë ndërtesat
vetë burrave? Koha kalon dhe fasadat e tyre pëlcasin, rrënojat shfaqen nën
suva. Dhe ne nuk jemi asgjë më shumë se rrënoja tekanjoze e të
paqëndrueshme." Kurse Viktor Hygoi i përshkruan anglezët e kohës së tij se
si pamjen e jashtme e kanë të zbukuruar, me shkallë të jashtme të hyrjes, me
dritare të pastra, me perde të qëndisura, por përbrenda kanë çarçafë të ndotur.
Situatat
fiktive na paraqiten si situata të qëndrueshme reale, nën fasadën e
profesionalizmit mediatik apo institucional.
Sa
fiktive na janë edhe konkurset që shpallen, me kriteret e pranimit e parimet që
gjoja zbatohen, dhe kur pas kësaj besueshmërie të konkurrimit, profesionalizmit
etj., fshihet krejtësisht diçka tjetër: antivlera, antiparimi,
antiprofesinonalizmi, korrupsioni, familajrizmi, përkatësia partiake. Me një
fjalë, “rezulton se një lloj kaosi i frikshëm mund të fshihet menjëherë pas një
fasade të rendit - dhe megjithatë, thellë brenda kaosit fshihet një lloj rendi
edhe më i frikshëm” (Douglas Hofstadter). Egjiptianët e lashtë kanë thënë:
"Fasada është mermeri (guri i çmuar), kurse pjesa e brendshme është
blozë."
Lustra
triumfon, kurse vlerat shemben për tokë.
2. Ismail Kadare: dekori
i jashtëm e dekori i brendshëm te novela “Komisioni i festës”
Ismail
Kadare është mjeshtër i ballafaqimit të dy dekoreve të tilla: dekorit të
jashtëm (fasadës) dhe dekorit të brendshëm (krimit, të shëmtuarës). Te novela
“Komisioni i festës” si lëndë trajtimi, novela shfrytëzon ngjarjen e njohur të
vitit 1830 që njihet me emrin "Masakra e Manastirit" (në një vilajet
të dikurshëm shqiptar e në Maqedoninë e sotme). Është koha kur shtypen
pashallëqet shqiptare, kur në Shqipëri mbretëronte anarkia, kur grupe feudalësh
shqiptarë hidheshin në sulm me armë kundër garnizoneve ushtarake turke. Për të
vendosur autoritetin e vet në Shqipëri, Porta e lartë nisi në krye të një
ushtrie moderne turke drejt Shqipërisë një pasha turk, Mehmet Reshit Pashën.
Mehmet Pasha kishte organizuar për të ftuarit një pritje madhështore... Dhe kjo
është pamja e jashtme, e bukur, madhështore, fasada e pajtimit, dukja. Brenda
pak minutash u shfarosën me tradhti rreth 500 derebedej e feudalë shqiptarë,
kokat e të cilëve u dërguan në Stamboll. Kështu thotë historia. Por këtë
ngjarje të tmerrshme të masakrës së madhe e shënoi edhe kënga popullore:
Veziri
thirri gostinë
po
u kthyen batarenë.
Edhe
historia, edhe kënga popullore, edhe novela sikur flasin me një gojë: kështu e
kanë armiqtë; ata fshihen prapa një gostie, prapa mbledhjeve e frazave për
paqe, prapa spektakleve. Për të qenë sa më e bindshme ngjarja e paraqitur,
shkrimtari fut aso strukturash tekstore-ligjërimore që përafrohen me realizmin
dokumentar, siç janë teksti i fermanit, ftesat, projekt-deklaratat, fjalimet e
përgatitura etj. Që në fillim të novelës i sugjerohet lexuesit se ka të bëjë me
një ngjarje të madhe: ajo ngjarje është paqja dhe dora e shtrirë e sulltanit
për pajtim me shqiptarët kryengritës. Dhe për këtë ngjarje bëhen përgatitje të
ethshme e të shumëllojshme, që ajo të ketë pamjen e një spektakli të vërtetë.
Dërgohen ftesa me shenja e vula perandorake në të katër anët e shtetit. Në
përgatitjen e ngjarjes së madhe marrin pjesë zyrat e protokollit perandorak,
Ministria e Jashtme e instanca të tjera të shtetit. Mbahen mbledhje me fjalime
të rëndësishme. Vendi i zgjedhur, ku do të mbahet kuvendi i madh, është një
qytet I PAPËRCAKTUAR me emrin N. në të cilin njerëzit ishin të nënshtruar e të
bindur ndaj rregullave të shtetit e të fesë; një qytet pa ngjarje të zymta apo
të përgjakshme. Organizohen lojëra të mëdha. Bëhen llogari, fatura e
procesverbale, përgatiten karroca për mysafirë të lartë, e, mbi të gjitha,
përgatitet bash-bakllava. Përgatiten hotele, salla, hane. Çdo gjë bëhet për të
mos u krijuar keqkuptime për statusin e Shqipërisë si pjesë përbërëse e
Perandorisë:
Përgatiten
fjalime, projekt-deklarata e dokumentacione në dy gjuhë, turqisht e latinisht,
për të krijuar idenë e dyanshmërisë në bisedime.
Historia,
miti, kënga dhe letërsia në veprën e Kadaresë gjejnë një ndërkomunikim të
habitshëm tejkohor e universal. Kjo sintezë komunikimi në mes historisë, këngës
dhe artit në strukturën formative të krijimit letrar, e thur dekorin e
mbrendshëm dhe dekorin e jashtëm. Estetikën dhe Poetikën.
Ky
është dekori i jashtëm, të cilit autori i kushton jo pak rëndësi.
Pra,
në krye të kësaj hierarkie që përgatit masakrën, është vetë sulltani. Sipas
këtij fermani rregullohet edhe dekori i jashtëm. Sulltani paraqitet si instanca
më e lartë e shtetit (sulltan, kalif, perandor); paraqitet si
"paqedashës": "Unë e zgjat dorën time të paqes Shqipërisë";
paraqitet si dashamir i Shqipërisë: "Shqipërinë e kam gaz..." Edhe më
vonë janë shfaqur sovranë e "miq të popullit shqiptar"; janë shfaqur
me formula të ngjashme dhe që prapa solemnitetit të tillë të frazave, kanë
fshehur urrejtjen dhe thikën.
A
mund të falte Sulltani?
Jo,
sepse ai mbahej në fron me krime e mashtrime, me masakra e tërbim. Ai që
propozoi mbledhje të madhe pajtimi me armiqtë e Perandorisë, ai që premtoi paqe
e ditë të lumtura, ai që tha "Shqipëria të kthehet në xhenet në breg të
detit"; po ai ka edhe një ferman të fshehur, katil-fermanin që e përgatit
dekorin e brendshëm: masakrën e përgjakshme.
Të
tjera janë urdhrat e haptë, legalë, për dekorin e jashtëm.
E,
krejtësisht të kundërta janë urdhrat e fshehtë, ilegalë, për dekorin e
brendshëm novelistik, të fshehtë, ilegal.
Tani,
me të dalë në sipërfaqe ky urdhër, Sulltani "do të ndërrojë gjuhë".
Sulltani
tani do të thotë se shqiptarët s'e deshën dorën e miqësisë, sepse shqiptarët
"janë stërnipër djajsh", prandaj "Shqipëria do të zhbëhet."
Pas
prishjes së dekorit të festës, pra, pas masakrës së kryer, prapë kalojnë ushtri
e batalione drejt Shqipërisë: "Prapë drejt Shqipërisë? Po Shqipëria sikur
u zhbë, apo jo?" Po kush do t'i udhëheq tani shqiptarët. Prijësit e tyre
sikur janë vrarë që të gjithë. "Kanë dalë të tjerë prijës, vëlla. Akoma më
të tmerrshëm se të parët (fq 118).
E
pra, lufta vazhdon.
Kujtimet
e masakrës nuk harrohen, nuk mund të mbulohen me kurrfarë spektaklesh.
Novela
nënvizon idenë kryesore në strukturën e saj, se me armikun nuk mund të ketë
besë, pajtim apo festë pajtimi. Ai që e harron këtë, ja si e pëson nga dora
armike!
Dekori
i brendshëm tashmë i kundërqëndron atij të jashtmit, me metodën e çmaskimit
letrar. Dekorin e jashtëm që e përmban të fshehtën, apo thënë më mirë Kalin e
Drunjtë brenda barkut të stolisur e ku fshihen krimi e urdhrat e fshehtë të
monarkëve, Kadare na e ka dhënë në një varg krijimesh, qofshin ato romane,
novela, tregime apo krijime poetike.
Është
drama tragjike, shpeshherë e luajtur në skenën tragjike të historisë sonë: me
iluzionin tragjik se mbas shumë luftërave të gjata, paqja mund të vinte edhe
nga armiku shumëshekullor. Mashtrime, gabime, iluzione, mendësi e veçori të
ngjashme karakterologjike, ka pasur dje e ka edhe sot. Kadare ati i zhdrivillon
me mjeshtri. Aktet e kësaj tragjedie janë luajtur dje e luhen edhe sot.
Ndërrohen kohët, ndërrohet vetëm skena. Dekori mbetet i njëjtë.
3. Bashkëpunimi i
shtetit me krimin
Në
botën e krimit ekonomik (të brendshëm e të jashtëm), ekzistojnë edhe të ashtuquajturat
organizata të fasadës (Organisation de façade), e që është "një grup
frontal, një organizatë përgjithësisht e fshehtë dhe shpesh e paligjshme
krijuar në mënyrë që personi i ngarkuar me një operacion, ose një bandë e
organizuar të mos shfaqet, ose për të dhënë përshtypjen se operacioni po kryhet
nga një subjekt tjetër që dikush padrejtësisht dëshiron ta përcaktojë si
'fajtor' ose përgjegjës." organizimet e tilla shfaqen legjitime, por në
brendi fshehin objektivat e vërteta. Nuk është e habitshme përse shfaqen aq
shumë sekrete bankare, sekrete tregtare, dëshmi të rreme, prodhim të
dokumenteve të rreme, trafikim mallrash e njerëzish, rrjete të ndryshme
bashkëpunimi etj. etj. nën firmën e OJQ-ve a të Organizatave bamirëse. Ua shto
këtyre veprimtarive rekrutimet e njerëzve, rekrutimet ideologjike, partiake
(për shërbimet e krimit, për pasuri brenda një nate) etj. etj. me një fjalë, në
veprim vihet makineria e përbindshme mafioze-shtetërore e krimit.
Nuk
është e hatashme përse veprimtaritë kriminale ekonomike mbështillen me velin
politik, si krim transnacional; dhe, sa e sa organizata "anti-terror"
a "anti-drogë" vihen në veprim si Interpol, konventa ndërkombëtare
etj., e ku direkt ky veprim kriminal i punëson edhe institucionet tjera që na i
paskan duart "plot punë"! Krimi e shteti bashkëpunojnë, me dy fytyra:
me fasadën e jashtme, legjitime e me dekorin kriminal veprues, të brendshëm.
Po
ashtu, nuk është aspak e habitshme përse njerëzit detyrohen për mbijetesë “të
përshtaten” me fasadën a pamjet e jashtme të këtij realiteti makabër; të
përshtaten ideologjikisht, partiakisht, apo edhe nga ndonjë aspekt tjetër,
vetëm për të mbijetuar! Gjithsesi, edhe me ëndrrat për t’u pasuruar brenda një
nate (krimi).
4. Ç’po ndodh me fasadën
e dialogut me Serbinë?
Nuk
janë të pakta makinacionet e sotme të dekoreve të tilla jo vetëm brenda
shoqërisë shqiptare, por edhe në raportet me Evropën, me botën e sidomos me të
ashtuquajturin dialog me Serbinë e që meriton një trajtim të posaçëm.