Editorial
Ilir Çumani: Përse Edi Rama nuk e meriton një mandat të tretë!
E enjte, 22.04.2021, 09:03 PM
RAMA SI TAHIR BAÇOVA I CIRKUT!
(Kujtesë
për të gjithë votuesit shqiptarë për një reflektim serioz në ditën e zgjedhjeve të 25 Prillit. Përse Edi Rama
nuk e meriton një mandat të tretë…?!)
NGA
ILIR ÇUMANI
Fushatës
së zgjedhjeve të 25 prillit tashmë i erdhi fundi. Të dielën, qytetarët
shqiptarë do ti drejtohen kutiave të votimit për të zgjedhur se cila forcë
politike do të qeverisë vendin në 4 vitet e ardhshme. Përveç militantëve të
deklaruar, simpatizantëve dhe idhujtarëve të liderëve tanë politikë, ka edhe
shumë votues nga ata që konsiderohen si pjesë neutrale e zonës gri, që ende
janë të pavendosur, të frustuar, të
presionuar dhe të shantazhuar, pse jo edhe me largim nga vendi i punës nëse nuk
mbështesin dhe votojnë për kandidatët e “Rilindjes” në pushtet. Por, mes tyre
ka edhe të shitur e të blerë, nga gjithë farëlloj sekserë e matrapazë votash që
gëlojnë gjirizave të partive e partiçkave, nga i gjithë rrjeti infrastrukturor
i nëndheshëm i patronazhistëve spiunë, e ku ta di unë se çfarë…!!! Forcat
politike konkuruese tradicionale, por, edhe ato më të reja, pjesëmarrëse në
këtë garë fushate, me tam - tame e premtime pafund manifestuan para sovranit
plotë hijeshi e nur dominancën e tyre, shfaqën me sa mundën dhe si mundën të
gjitha hiret, sharmin dhe koloritin e tyre në këtë “festë” elektorale. Partitë
dhe partiçkat e shumta në numër, premtuan dhe ç’farë nuk premtuan para
mbështetësve dhe simpatizantëve të tyre, njëlloj sikur ti kishin përballë vetes
për herë të parë këta votues, (a thua se elektorati nuk i njeh…!). E mbi të
gjitha, partitë u zotuan në këtë fushatë se kësaj radhe e kanë prej vërteti, se
të gjitha premtimet e pambajtura dhe ato punë që nuk i kanë bërë të gjitha
qeveritë e marra së bashku në këto 30 vjet, kësaj here e kanë marrë seriozisht
dhe se patjetër, çdo gjë pas 25 prillit do të bëhet realitet, nëse votuesit do
ti besojnë X apo Y force politike! Me
një butafori e pompozitet të ethshëm elektoral në këtë kohë flame e pandemie,
pamë e çfarë nuk pamë përmes pjesëmarrjeve masive të militantëve e
simpatizantëve, të rreshtuar dhe të vendosur me dekore e skenografi spektaklesh
televizive nga liderë që në diskursin dhe retorikën e tyre politike nuk e patën
seriozitetin e duhur dhe nuk mundën të prezantonin asnjë program konkret dhe të
qartë para elektoratit, si një sinjal shprese se diçka do të nis të lëviz dhe
të ndryshoj në këtë vend. Në gjithë këtë festival shfaqjesh e butaforie mes
aktorësh politikë të vendit, mes zhurmës së madhe propagandistike e mediatike,
si rrallëkush mes të ngjashmëve spikati edhe ai, i madhi i të mëdhenjve,
gjigandi i aktrimit, karizmatiku më joshës, më agresivi dhe më imponuesi,
Kryeministri ynë kokëfortë e inatçor, Edi Rama. Duke qenë se Kryeministri me profesion
nga e shkuara e tij i përket botës së artit, ai e njeh mirë magjinë dhe fuqinë
që ka kjo fushë, efektet që arti shkakton përmes fuqisë interpretuese të fjalës
në publik, sidomos kur ndërvepron e ndërthuret bukur me politikën. Dhe këtu,
për hir të së vërtetës dhe pa i hyrë në hak, ndryshe nga liderët e tjerë që e
kanë qeverisur vendin në këto 30 vjet, por edhe prej homologëve ballkanik,
duhet thënë se Edi Rama ka qenë dhe është më i suksesshmi dhe më fatlumi. Sepse
askush si ai nuk di të magjeps aq tundueshëm turmat me pamjen dhe artin e
gojëtarisë, askush si ai përmes propagandës gëlbesiane nuk di të shkëpusë aq
natyrshëm dhe aq magjishëm njerëzit, pa e kuptuar, ai i largon prej realitetit
ku jetojnë duke të çuar në një botë “ideale” dhe ireale edhe përmes
tekonologjisë së fundit 3D..!!!
Rama,
duke mos qenë mirëfilli një politikan sojliu, që të njoh të gjitha skutat e
dukshme dhe të padukshme të politikës, si, edhe duke patur vështirësi në
zotërimin e artit të diplomacisë, ka ditur ti kompensoj këto mangësi përmes
reflekseve të sqisës së gjashtë dhe artit që ai zotëron dhe që di ta bëj
shkëlqyeshëm sipas mënyrës së tij. Sepse, ai është piktor, aktor, këngëtar,
rrëfenjës ezopian, prezantues spektaklesh, humorist, klloun cirku, akrobat,
balerin, pantomimist, skenarist, regjisor, skenograf, producent,
prestidigjitator, (këtë të fundit e zotëron në perfeksion të shkallës më
të epërme). Me një fjalë, ai është një
fenomen i vërtetë, që të magjeps dhe të sugjestionon në sy të të gjithëve, ai
mbetet një showmen i admirueshëm për publikun politik, por jo atë artitik. E
theksoj: për publikun politik që janë militantët, idhujtarët, servilat,
hipokritët, spiunët dhe lëpirësit që e rrethojnë ngado dhe kudo, të cilët me
aradhën e panumërt të krijesës së tij politike që e pagëzoi me emrin
“Rilindje”, qysh ditën kur morri frenat
e drejtimit në krye të Partisë Socialiste, përbëjnë aureolën e
“shkëlqimit” të tij në politikën e mjeruar shqiptare. Kryeministri Rama, në 23
vitet e karrierës së tij politike, ka dëshmuar se është lideri dhe politikani
më infantil dhe më i dështuar i tranzicionit shqiptar. Me modelin e një lideri të mllefosur e
intaçor, autokrat dhe arrogant, askush
si ai nuk e kriminalizoi kaq shumë Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk dua të marrë
përsipër që të rendis në këto radhë rekordet e pafund të zullumeve, bëmave dhe
gjëmave që Edi Rama me të tijët, me veprimet dhe mosveprimet e tij dhe në
abuzim të plotë me pushtetin i ka shkaktuar kaq shumë dëme dhe vuajtje vendit
dhe popullit shqiptar. Ato, tashmë janë publike dhe dihen botërisht. I dinë të
gjithë shqiptarët. I di çdo plak dhe i ri, i di edhe foshnja e palindur në
barkun e nënës. Por, do të ndalem në disa episiode të fundit që prekin
drejtëpërsëdrejti jetën e çdo qytetari.
Nën keqeqeverisjen e Edi Ramës, hendeku i varfërisë së tejskajshme është
thelluar edhe më shumë, ky hendek ka arritur kuota të larta për frymë. Njerëzit
ankohen se të ardhurat që disponojnë nuk u dalin as për bukën e gojës dhe se 60 % e popullsisë tashmë jeton nën
nivelin e varfërisë. Njerëzit janë të dëshpëruar e të pashpresë, flasin me vete
dhe janë të përfshirë në një depresion kolektiv dhe kronik duke vuajtur
sëmundje të ndryshme të shëndetit mendor. Turizmi është lënë në mëshirën e
fatit dhe rënia ekonomike e shqiptarëve nuk jep asnjë shpresë për tu
vitalizuar, ndaj dita ditës shqiptarët i drejtohen emigracionit sipas proverbit
biblik: “Nga sytë, këmbët”. Vetëm në këto 8 vjet të qeverisjes së Rilindjes
vendi është shpopulluar frikshëm, është boshatisur nga plotë 500.000 shqiptarë
të ikur nëpër botë të cilët nuk kanë më dëshirë të rikthehen dhe të ndëtojnë
jetën dhe të ardhmen e familjeve në vendin e tyre. Edhe më i frikshëm është
pohimi e OKB – së, që ka deklaruar se deri në vitin 2100 Shqipëria do të ketë
vetëm 930.000 banorë. Kjo është një
tendencë dhe një fenomen që në fakt ka vite që ka nisur, si një proces pa kthim
shpopullimi në vendin tonë. Padyshim, ky proces shpopullimi është shfaqur edhe
më dukshëm në këto 8 vjetët e qeverisjes kakistokrate e të korruptuar të Edi
Ramës, me një strategji fare të qartë dhe të pastër politike nga ana e tij,
duke përfshirë së pari largimin e opozitarëve dhe kundërshtarëve të rregjimit
të tij, me synimin e vetëm për ta patur edhe më të lehtë betejën elektorale,
për rrjedhojë, edhe sundimin e tij sa më gjatë në pushtet! Deklaratat e
Kryeministrit Rama kohët e fundit se, mirëpret në vend të qytetarëve dhe të
rijnve shqiptarë çdo shtetas nga Bangladeshi, Siria dhe Afganistani, për ti
zëvendësuar këta të rinj shqiptarë që ai me pushtetin e tij ua ka shuar të
gjitha shpresat që të jetojnë në vendin e tyre me dinjitet, është një kambanë
alarmi për gjithë shoqërinë, por edhe për atë pjesë të përgjegjshme të klasës
politike, dhe, pikësëpari edhe për institucionet e rëndësishme të sigurisë tonë
kombëtare. Diversioni politik i Edi Ramës, shantazhimi që ai u bën të rijnve
shqiptarë si Kryeministër i vendit, se,
përmes politikave që do të aplikojë, do të mund të zëvendësoj bijtë dhe bijat e
këtij trualli, (Shqipërisë) duke importuar me shumicë krahë të lira pune nga
vëndet e botës së tretë për të vetmen arsye se, ndryshe nga shqiptarët që
kërkojnë një pagë më të mirë dhe një jetë më të dinjitetshme në vendin e tyre,
ata nuk kanë pretendime për pagë dhe nuk do të mund të ngrenë zërin që ti
kërkojnë llogari despotit tonë autokrat
për të drejtat e tyre në punë, për faktin se nuk dinë të flasin shqip,
tregon se çfarë rreziku potencial përfaqëson në vetvete një individ si ai, që
përmes pushtetit absolut mban peng një popull të tërë dhe të ardhmen e një
vendi ...! Është i freskët dhe është bërë viral në rrjetet sociale
videoskandali i bërë publik nga gazetari investigativ Artan Hoxha, që bën fjalë
për 100.000 mijë aplikime të qytetarëve shqiptarë për legalizimin e banesave të
tyre. Me zë të pastër e të qartë kreu i ALUIZNIT Artan Lame pohon se është
udhëzuar dhe është dakortësuar me
Kryeministrin Edi Rama se ato shtëpi do të mbahen pezull deri pas
zgjedhjeve, dhe se ato nuk do të
legalizohen kurrë, por në ardhmen do ti nënshtrohen procesit të prishjes. Një
marrëzi dhe cinizëm malinj me kaq shumë urrejtje patologjike që buron nga një
mëndje djallëzore, sa dinake, aq edhe e ligë e tinëzare, nuk mund ta gjesh në
asnjë mëndje të sëmurë të cilitdo politikani autokrat e sundimtar që gjendet në
çdo cep të rruzullit tokësor! Ky është rreziku më i madh që i vjen një shoqërie
si kjo e jona. Është tepër e frikshme kur mendon se kush na ka qeverisur në
këto 8 vjet dhe se ç’farë përfaqëson një individ që ka administruar dhe
administron jetët tona, të fëmijëve tanë, fatet e vendit, dhe që tashmë pa iu
dridhur qerpiku kërkon edhe një mandat të tretë për të qeverisur! Askush si Edi
Rama, nuk u dëshmua kaq dukshëm si politikani që shquhet për mungesën e
empatisë në aspektin njerëzor, si njeri dinak,
pa shtyllë kurrizore, i pa ndjeshëm dhe i padhembshur, duke aplikuar
politika të ashpra dhe mjaft represive ndaj shtresave të dobëta dhe më të
pambrojtura të shoqërisë, me synimin e vetëm pasurimin dhe fuqizimin ekonomik
të një pakice dhe grushti njerëzish e
oligarkësh pranë tij. Konfuci, një nga filozofët dhe humanistët më të shquar të
qytetërimit kinez dhe i mbarë njerëzimit, thotë: “…I vetmi test për një sundues
të mirë është ai i suksesit në rritjen e mirëqënies së njerëzve të zakonshëm…
Tjetër test nuk ka! Por, a mundet një njeri i poshtër të shërbejë në qeverisje?
Jo. Ai shqetësohet për marrjen e një diçkaje dhe menjëherë pasi është vënë në
zotërimin e saj, ai shqetësohet për mundësinë e humbjes. Për sa kohë ai
shqetësohet për humbjen e saj, nuk do të
ndodh asgjë për t’u treguar. Atëherë, çfarë mund të bëjë ai?” Dhe le të
kthehemi në atmosferën e zgjedhjeve. Fushata mbaroi. Edi Rama, përveç mungesës
së llogardhënies dhe mungesës së një programi konkret politik dhe ekonomik për
të ardhmen dhe zhvillimin e vendit, si një detyrim moral dhe politik për tua
paraqitur shqiptarëve se kush do të jetë e ardhmja dhe zhvillimi i vendit në 4
vitet e ardhshme, preferoi me arrogancë e mospërfillje të refuzoj hapur ftesën e bërë publike disa herë
radhazi nga kreu i opozitës Lulzim Basha për një ballafaqim para të gjithë
shqiptarëve, si një mënyrë komunikimi, transparence e llogaridhënie se çfarë ka
bërë ai si Kryeministër i vendit gjatë 8 viteve të qeverisjes së tij. Gjatë
gjithë turit të tij elektoral, ai u përballë ku mundi dhe si mundi me dhjetra e
dhjetra panele gazetarësh, jo për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre që zbulonin
hapur skandalet e pafund dhe aferat korruptive të qeverisë së tij, por për të
bërë monologje dhe aktrim prej snobi kauboj, duke i marrë disa herë me radhë të
gjitha studio televizive si një showmen e gaztor mediatik që gajas jo vetëm
gazetarët në panel, por të gjithë shqiptarët të cilët sy e vesh në këto kohë
qameti pas tërmetit dhe pandemisë i kanë nga Kryeministri i tyre. Tha e çfarë
nuk tha përmes monologjeve pafund, duke fyer dhe bullizuar edhe ata gazetarë që
i drejtonin pyetje të cilat nuk i pëlqenin midesë së Kryeministrit. Përmes të gjitha ekraneve televizive, (shumë
prej tyre të blera dhe në dispozicion të propagandës së qeverisë dhe të
Kryeministrit Rama), nga mëngjesi e deri në darkë u servireshin shqiptarëve si
opium dhe shpëlarje truri me spektakle butaforike të Rilindjes, me një dekor
dhe një prapavijë rekuizite të mahnitshme, plot ndriçim dhe me shumë efekte
kinematografike, nga ato që edhe regjisorja e famshme gjermane Leni Riefenstahl do ti kishte zili,
kur gjatë kohës së nazizimit ajo realizonte kreveprën e saj kinematografike,
dokumentarin e saj të mirënjohur “Triumf
i Vullnetit”, një dokumentar i cili vendosi standarde të reja në botën e filmit
si një vepër tipike, qëllimi i të cilit ishte të tregonte madhështinë e Rajhut
të Tretë të Partisë Nacionaliste dhe liderit
të saj Adolf Hitler. Estetika e atij filmi ka të bëjë me një nivel tejet
të lartë të shprehjeve artistike, e padyshim edhe në aspektin vizual. “Triumfi
i Vullnetit”, përmes qasjes dokumentareske i
bën një përmbledhje të paradës së Nyrenbergut në vitin 1934, me rastin e
“Ditës së Partisë”. Përveç paradës, nëpërmjet fragmenteve, filmi ndjek
Kongresin e Partisë Punëtore Nacionalsocialiste gjermane, të mbajtur për një
javë rresht. I xhiruar në 12 skena, kjo vepër dy orëshe e Riefenstahl,
koncentrohet në përcelljen e atmosferës gjatë ngjarjeve disa ditore, me qëllim
që të përcjellë emocione të fuqishme në popull për përkatësinë kombëtare, të
përcjellë krenarinë dhe guximin për triumf. Përmes një sërë fotografish
dinamike ku insistohet të imponohet ndjenja e identifikimit me idenë, kombin,
gjë që ka të bëjë me fazën inicuese të krijimit të një mase popullore, e cila
pa mëdyshje do ta ndiqte hap pas hapi liderin dhe do të kontribuonte në
zbatimin e politikës shfarrosëse të Hitlerit mbi rracat njerëzore. Propaganda
ishte një nga mjetet efikase me të cilat njeriu më i urryer i të gjitha
kohërave Hadolf Hitler mbajti në këmbë
pushtetin e tij tiranik, duke i sjell një vuajtje dhe dëm të madh jo vetëm
Gjermanisë, por mbarë njerëzimit. Për këtë arsye, edhe regjisorja e famshme
Leni Riefenstahl, pas pushimit të Luftës së Dytë Botërore u arrestua si personi
që jo vetëm e adhuroi Hitlerin, por se me artin e saj brilant frymëzoi,
glorifikoi dhe ngriti një piedestal kultin e një individi gjakatar dhe një nga regjimet më monstruoze në historinë e
njerëzimit. Ajo, gjatë gjithë jetës së saj, u përbuz nga të gjithë, u abandonua, u izoliua dhe u la plotësisht
në harresë nga shteti, nga bota e artit dhe nga e gjithë shoqëria gjermane, si
një shpagim, duke bërë një jetë të zbrazur e vetmitare derisa vdiq në të 90 –
tat e saj. Mirëpo, ngjarje të tilla në vëndet me demokraci të brishta ku
ngrejnë krye rregjimet autokratike të shoqëruara nga korrupsion politik, kanë
gjasa të përsëriten nëse kombet dhe popujt harrojnë historinë dhe të shkuarën e
tyre, nëse bien në gjumë dhe viktimizohen nga tirani dhe tiranë të kohëve
moderne. Padyshim, edhe në kohët e
sotme, tendencat që shfaqin regjimet autokratike dhe diktatoriale janë të tilla
kur ato shfaqen dukshëm nga lidera autokratë, duke u kamufluar përmes mjeteve
të sofistikuara propagandistike, ato janë një rrezik evident për të cilin të
gjithë duhet të shqetësohemi dhe të tregohemi vigjilent. Kryeministri Rama,
përmes ngritjes së makinerisë së frikshme propagandistike në funksion të
ruajtjes së pushtetit të tij autokratik dhe të korruptuar, nuk bën gjë tjetër, veçse ushqen dhe mban gjallë grykësinë,
sundimin dhe narcizimin e tij patologjik. Ai, padyshim, kurrsesi nuk mund të
bëhet një Riefenstahl dhe as një Hitler, jo dhe jo! Thjesht, Rama ka qenë dhe
mbetet një aksident në politikën shqiptare, një politikan i dështuar, kokëfortë
dhe arrogant, një lider i korruptuar dhe i papërgjegjshëm, që të gjitha
zullumet dhe mëkatet e tij përmes keqpërdorimit të pushtetit politik i mbulon
me propagandë e spektakle kllounatash, kudo dhe ngado shkon e shkel këmba e
tij, nëpër sheshe e bulevarde, në stadiume dhe ekrane televizive, nga mëngjesi
dhe deri në mbrëmje. Ashtu si dikur, zbutësi i famshëm i kafshëve Tahir Baçova
argëtonte fëmijët në çadrën e Cirkut të Tiranës, edhe Edi Rama sot, me
spektaklet e tij propagandistike, i
rrethuar nga patronazhistë e sahanlëpirës të pushtetit të tij, zhvillon anë e
mbanë vendit show të pafundëm si një gaztor dhe
klloun i politikës. Ai vetëm gajas të gjithë shqiptarët e lodhur e të
abuzuar nga pushteti i tij i kapur dhe korruptuar duke i bishtënuar të gjitha
përgjegjësive e llogardhënieve gjatë kësaj fushate elektorale. 25 prilli, ashtu
siç theskoi edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim,
është një shans i madh për të sjell një ndryshim, është Dita e Madhe
reflektimit dhe e ndëshkueshmërisë më shembullore që sovrani duhet ti bëjë
pushtetit autokratik dhe korruptiv të një despoti sundimtar!