Editorial
Jusuf Buxhovi: Rugova midis mitit dhe mohimit
E premte, 05.02.2021, 08:59 PM
RUGOVA MIDIS MITIT DHE MOHIMIT...
(Mos)kuptimi
i misionit historik të LDK-së në procesin e shtetndërtimit si dhe i rolit të
Ibrahim Rugovës në të, siç po shfaqet në fushatën zgjedhore nga ai i ikonës
partiake në anë të ndryshme e deri te mohimi i tij kuturu nëpër studio
televizive nga disa opinionistë ikonoklastë, dëmton pikërisht kauzën mbi të
cilën është ndërtuar Lëvizja kombëtare misioni i së cilës historikisht ka
përfunduar më 12 qershor 1999.
Nga
Jusuf Buxhovi*
Ditëve
të fundit, fushata zgjedhore, tematizoi Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe
dr. Ibrahim Rugovën në të mbi premisat e (mos)kuptimit ose të (keq)kuptimit tek
mitizimi i tij, apo mohimi antihistorik i rolit të tij në themelimin e kësaj
partie dhe të shtetit të Kosovës, ku ai ka vend meritor.
Ky
tematizim bëhet në njërën anë duke u ngatërruar marrja e drejtimit të partisë
nga ana e Rugovës në Kuvendin Themelues, që me të shpejtë do të kthehet në
Lëvizje kombëtare - tek atributet e “themeluesit të vetëm” të partisë, që
shfaqet si slogan në çfarëdo promovimi partiak vend e pa vend (veçmas këto ditë
nga liderë të saj militantë), gjë që gjithë projektin politik të disa brezave
dhe veçmas të atyre që koha ua ngarkoi përgjegjësinë të merreshin me të - të
tillë ishin thuajse e gjithë shtresa intelektuale e Kosovës e të gjitha
niveleve që u kyçën në të - e zhvlerëson nga meritat historike të tyre për ta
bartur te kulti i individit. Me këtë
rast nocioni “Rugovizëm”, të shumtën me gjuhën e eseve letrare dhe apologjizma,
ngrihet jashtë ndonjë doktrinariteti të mbështetur në vepra, që atë do ta kthenin
në ideologji, siç ndodhë me marksizmin - me veprat e Marksit, stalinizmin me
veprat e Stalinit, enverizmin me veprat e Enverit, titizmin me veprat e Titos e
të tjera. Meqë Rugova nuk ishte politolog dhe asnjë shkrim në këtë fushë, ishte
programi i LDK-së mbi të cilin u ndërtua Lëvizja Kombëtare, që ai e pranoi pa
ia shtuar as një pikë e presë, ku ai mbeti dhe nuk lëvizi fare deri në fund. Ky
program, pra është platformë dogmatike, që mbështetet mbi ideologjinë kombëtare
analoge me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që filloi me kërkesën për
barazi (autonomi në një vilajet të
përbashkët) brenda përbrenda Perandorisë Osmane, për të përfunduar, në Shkup,
në gusht të vitit 1912, me 14 pikëshin e Hasan Prishtinës, që si Shqipëri
Osmane do ta vërë në binarë historik pavarësinë e Shqipërisë të shpallur më 28
nëntor 1912.
Pra
nëse mund të flasim për ndonjë "dogmë rugoviste", atëherë kjo duhet
të lidhet me Programin e LDK-së dhe konceptin e ndërtimit të shtetit mbi
platformën e tij. Të tjerat janë pjesë e apologjisë politike për konsume
partiake, që nuk i shkojnë rrethanave të kohës, e aq më shumë i shërbejnë
ndryshimit për të mirë të gjendjes që pritet nga këto rrethana të kthesave të
domosdoshme shoqërore dhe politike në kuadër të një ndryshimi demokratik, ku
LDK-ja duhet të ketë rol aktiv me programe për ardhmërinë e shtetit dhe të
mirëqenies së tij dhe assesi të "mësuesit të historisë"!
Tematizimi
në tjetrën anë i figurës së Rugovës dhe rolit të tij në këtë proces tashmë të
kryer historik që e prodhoi shtetin me qëllim të minimizimit ose mohimin e tij,
me fjalë boshe dhe fyerje të natyrës ikonoklaste nëpër studio televizive nga
opinionistë gjoja të pavarur por në në
vërtetë militantë të maskuar të drejtuar nga partitë politike, lidhet me atë të
liderit ndër më të sukseshmit në skenën politike shqiptare të këtij shekulli që promovoi kulturën
intelektuale, vizionin politik si dhe patriotizmin shtetëror. Ishin këto
premisa mbi të cilat ai u ngrit dhe për
tetë vite drejtoi lëvizjen institucionale me shtetin paralel në rrethanat e
okupimit policor dhe ushtarak serb. Ai këtë rol e ushtroi si president i parë historik, i zgjedhur me
votën e qytetarëve në vitin 1992, në vitin 1998 dhe i rizgjedhur edhe në vitin
2001 dhe 2004. Natyrisht se mohuesit e Rugovës e me të edhe të historisë së
shtetit të Kosovës, në konotacion negayiv, përdorin nocionet “rezistencë
paqësore”, “gandizëm”, “nënshtrim në shërbim të pushtimit” e të tjera, ku nuk
mungon edhe atributi “i tradhtarit” dhe i “tradhtisë”, që prodhoi pasoja të
njohura tragjike të cilat edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të jenë përçarëse.
Natyrisht
se diskursi i parë - mitizimi për nevoja politike dhe, i dyti - mohimi kuturu i
një procesi historik dhe i rolit të partisë së parë plurale shqiptare (LDK-së)
në rrethanat pas rënies së Murit të Berlinit dhe fillimeve të rënies së
bipolaritetit blokist, dhe të dr Ibrahim Rugovës në të, ka të bëjë me prirjen
që koncepti “i çlirimit” si doktrinë
ideologjike-revolucionare të fitojë primatin historik ndaj konceptit të
rezistencës institucionale-paqësore gjoja “joefikase” madje “kapitulluese”
institucionale e me të edhe të marrjes së pushtetit me dhunë, ose të segmenteve
të tij kryesore, siç ndodhi gjatë protektoratit ndërkombëtar, që i hapën rrugë
edhe kapjes së shtetit nga grupet kriminale të etabluara edhe në skenën
politike, që sollën gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sot shteti i Kosovës.
Këtij
përcaktimi, si po shihet, për të fituar pushtet dhe hapësirë mediale deri në
nivel të propagandës së hapur, i ka ndihmuar mosnjohja e rrethanave kurciale
nëpër të cilat kaloi LDK-ja si dhe lëvizja që e drejtoi ajo nga vetë liderët e
tanishëm të kësaj partie, ku ajo e kauzës fillestare të programit të kësaj
partie e ngritur mbi konceptin e kërkesave për liri, demokraci dhe barazi, e aprovuar
në Kuvendin e saj Themelues më 23 dhjetor 1989 shfaqet e turbullt dhe me
deficite elementare të njohjes! Natyrisht kjo ka bërë që të krijohet njëfarë mjegullimi rreth procesit të
evolucionit të shpejtë politik në përputhje me zhvillimet siç ishin ato të
shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e me këtë edhe të fillimit të shpërbërjes së
ish Jugosllavisë pas agresionit të Armatës Jugosllave në Slloveni në maj të
vitit 1991. Konferenca e Hagës e gushtit të atij viti, ku edhe u mor vendimi
për shpërbërjen e federatës jugosllave mbi bazat e të drejtës së vetëvendosje
së njësive federative, ishte referenca kryesore e ndryshimit konceptual ndaj
çështjes që u përcoll me veprimet e duhura politike mbi të cilat u vendos
procesi i pavarësisë, që si i tillë, si atu juridik dhe politik, do t'i
shetbejë edhe GJND-së së Hagës për ta shpallur pavarësinë e Kosovës në
përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kjo bëri që edhe LDK-ja, në marrëveshje
me subjektet tjera pluralë në hapësirat e ish Jugosllavisë, kërkesën e deriatëhershme
për BARAZI në federatën jugosllave, ta riformulojë në kërkesën për PAVARËSI.
Ndryshimi
i kërkesës së mirëfilltë nga jo për BARAZI (krahas atyre për liri dhe
demokraci, pra për sistem plural me të cilin rrënohej monopoli i partisë
komuniste në pushtet dhe i komunizmit si sistem), siç theksohej në programin e
aprovuar ditën e themelimit të partisë, pra më 23 dhjetor 1989, në PAVARËSI, që
do të aprovohet në Kuvendin e Parë të rregullt LDK-së më 5 maj 1991, ishte në
përputhje me ndryshimet radikale të kohës, të cilave duhej përshtatur me të
shpejtë me vendime dhe veprime konkrete politike dhe diplomatike, siç ishte
edhe kërkesa Komisionit të Badinterit në vitin 1992, që Kosovës t'i njihej e
drejta e njohjes ngaqë në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 kishte shpallë
pavarësinë si njësi e pavarur federative.
Parja
e Programit të LDK-së nga Kuvendi themelues pa këto ndryshime qenësore dhe
vendimet dhe dokumentet me të cilat ato u legjitimuan, është veprim i njëanshëm dhe jashtë kontekstit të misionit historik,
gjë që i shkëputur edhe mund të manipulohet me të madhe siç ndodhi duke iu
amputuar shumë të pavërteta dhe se siç po ndodh kur duhet t'i ndajmbathën edhe
"mëkate" të tjera!
Por,
për t’u kuptuar sa më mirë ky ndryshim, pra kthimi i kërkesës së mirëfilltë
BARAZI (ku kritikuesit e saj të sotëm joparimore po mundohen ta lidhin me
“jugosllavizmin” e të ngjashme në rrethanat kur ai po binte), të kërkesa për
PAVARËSI, mbi të cilën do të mbështetet i gjithë procesi i lëvizjes
institucionale-paqësore me shtetin paralel nga viti 1992 e deri më 12 qershor
1999, është e domosdoshme njohja e atyre që quhen parakushte të këtij ndryshimi
historik. E këto janë:
-
Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990;
-
Kuvendi i Kaçanikut i 7 shtatorit 1990
kur Kosova u shpall Republikë e pavarur në kuadër të federatës Jugosllave si
dhe
-
Referendumi për Pavarësi të 26 shtatorit 1991.
Këto
tri ngjarje që rrumbullakuan infrastrukturën e legjitimitetit demokratik, kanë
pasë për bazë vendimin e Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi (dhjetë
sosh natyrisht të prira nga LDK-ja si strumbullar i tyre), nga gushti i vitit
1990 rreth tri opsioneve.
I
pari opsion kishte të bënte me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, po
qe se ajo do ta ruante karakterin e njëjtë që kishte.
Opsioni
i Dytë kishte të bënte me formimin e një republike shqiptare në Jugosllavi, ku
do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët e shpërndarë në tri republika, po qe
se do të ndryshonte karakteri i saj i brendshëm (federal-konfederal)
Dhe
opsioni i tretë – lidhej me vendimin se po të shpërbëhej federata jugosllave,
atëherë shqiptarët vendosnin pavarësisht për fatin e tyre duke mos u
përjashtuar bashkimi me Shqipërinë.
Këto
(mos)kuptime sado triviale që shfaqen sot - sa nga mosnjohja e vetë liderëve të
tanishëm të LDK-së dhe sa nga (keq)kuptimet e kursit të LDK-së dhe rolit të saj
historik nga mohuesit e saj nga kundërshtarët e saj ideologjik, nuk mund
ta rrënojnë pamjen historike të lëvizjes institucionale, me shtetin paralel, që
u ndërtua mbi obligimet kushtetues nga
Kuvendi i Kaçanikut, mbi të cilat u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe
presidenciale në vitin 1992 dhe ato të vitit 1998, në rrethanat e luftës.
Por,
edhe përkundër kësaj të vërtete, po shihet se disa nga liderët e sotëm të
LDK-së, nuk e njohin mirë këtë pjesë të historisë së partisë e as të lëvizjes
shtetndërtuese, ose dëshirojnë që atë ta përdorin pjesërisht për qëllime të
caktuara, ku duhet të shihet vetëm roli mitizues i Rugovës në të, me ç’rast
përjashtohen faktorët tjerë të gjithëmbarshëm që e kanë bërë lëvizjen dhe e
kanë bartur atë deri të qëllimi historik, veçmas faktori ndërkombëtar si dhe
mbikëqyrja prej tij në të gjitha fazat - të “politikës pa luftë”, pra të shtetit
paralel dhe të “luftës pa politikë”, pra të rezistencës së armatosur.
Në
këtë diskurs moskuptues të historisë së partisë "mëmë" nga disa
liderë të saj, prej nga ata prej vitesh përfitojnë si shumë pa qenë në gjendje
t'ia mbrojnë themelet, por edhe mohues nga zhvlerësues të saj me “argumente” të
interesave grupore për pushtet ose aso ideologjike, shpatat më së shumti thyhen
tek çështja e rezistencës së armatosur si dhe zanafilla e saj nga organizimi
vendor i këshillave të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes e pasqyruar me aranzhmanet e para që ka filluar LDK nga
mesi i vitit 1990 të dërgimit të disa grupeve vullnetare për stërvitje në
Shqipëri në përputhje me marrëveshjen midis Rugovës dhe Ramiz Alisë në atë një
vit më vonë me presidentin Berisha, e deri te obligimi kushtetues, në kuadër të
Qeverisë së Përkohshme të themeluar në fillim të vitit1992, kur ajo krahas
ministrive të tjera kishte edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit
(pra të policisë).
I
gjithë ky aktivitet, pra ka qenë fillimisht në kuadër të strukturave të LDK-së
dhe më vonë të Qeverisë së Kosovës, paçka se është përcjellë me vështirësi,
gabime dhe lëshime të shumta madje edhe me pasoja.
Ka
rëndësi me këtë rast të thuhet se veprimtaria e dy ministrive të Qeverisë së
Kosovës (asaj të mbrojtjes në formën e organizimit të mbrojtjes territoriale në
krye me gjeneralin Hajzeri), kanë vepruar deri në fund të vitit 1993, kur edhe
do të burgosen nga regjimi jugosllav, por që kjo veprimtari, bashkë me atë të
grupeve guerile (Drenicë dhe Dukagjin), është dashtë të ndërpritet në janar të
vitit 1993, pas Kërcënimit të Kërshëndellave të 24 dhjetorit të Presidentit
amerikan Xhorxh Bush, dërguar Millosheviqit , që njihet si “vijë e kuqe” që të
mos përdor luftën në Kosovë. Ky kërcënim u është drejtuar edhe shqiptarëve që
të mos përdorin kurrfarë aktiviteti luftarak.
Pra,
LDK dhe Qeveria e Kosovës kanë qenë të detyruara t’u rrinë larg grupeve guerile
dhe të “ngrijnë” punën e dy ministrive (të Mbrojtjes dhe të Policisë). Meqë
SHBA-të dhe NATO kanë qenë ata që kanë kërkuar “politikë pa luftë”, së cilës dr
Rugova i është përmbajtur me përpikëri, siç kanë kërkuar që edhe të mbahen
zgjedhjet në qershor të vitit 1998, me ç’rast kjo kërkesë i është drejtuar
personalisht dr Rugovës në Uashington nga Klintoni dhe në Gjermani, gjatë
pritjes që ia ka bërë kancelari Kol. Mbajtja e këtyre zgjedhjeve është kërkuar
nga SHBA-ja dhe vendet e NATO-s për mbajtjen e hapur të dy linjave
(institucionale dhe të rezistencës së armatosur gjithnjë të mbikëqyrur nga
jashtë), për qëllime të caktuara, që si do të shihet më vonë, do t'i shërbejnë
ndërhyrjes së armatosur qoftë me pretekste humanitare, meqë Beogradi, ndaj
sjelljes institucionale dhe demokratike
të shqiptarëve kundërpërgjigjej me dhunë shtetërore, që ishte e natyrshme që në
rrethana të caktuara të prodhojë edhe rezistencën e armatosur.
Ato
që kanë ndodhur në Tiranë dhe në relacionet Kosovë-Shqipëri nga viti 1997 kur
do të dalë në skenë UÇK-ja, si dhe rikthimi i Ministrisë së Mbrojtës nga
Qeveria e Kosovës në pranverën e viti 1998 me në krye ministrin e FARK-ut Ahmet
Krasniqin, pastaj marrëveshjen e Oslos për luftë të përbashkët, ku FARK-u
subordinohet në UÇK, nuk mund të kuptohen drejt pa rolin e faktorit
ndërkombëtat në to dhe veçmas përcaktimet që rezistenca e armatosur të mbahet e
mbikëqyrur (në nivelin e grupeve të shkëputura) dhe jashtë drejtimi
intitucional. Pra, ato që do të ndodhin brenda limiteve ndërkombëtare të
vendosura nga SHBA-të dhe NATO-ja rreth mbikëqyrjes së rezistencës së armatosur
në të githa fazat, qoftë edhe kur cilësohej "si terroriste", nga
brenda paraqesin kapitullin tragjik të
një gare për drejtimin e asaj që lejohej
midis Qeverisë së Kosovës dhe LPK-së. Kjo e dyta, kur në vitin 1993, do
të largohet nga Lëvizja Kombëtare që drejtonte LDK-ja, ku ishte futur me
kërkesën e saj si anëtare kolektive, do të plotësojë vakumin që la pas
pasivizimi i Ministrisë së Mbrojtjes nën diktatin amerikan dhe ndërkombëtarë
por edhe disa mosmarrëveshjeve të brendshme rreth kësaj çështje. LPK-ja me
ideologji majtistë, e drejtuar nga dy grupe jashtë (Gjermania dhe Zvicra), e
lidhur me qeverinë socialiste të Tiranës dhe me koncepte të njohura ideologjike, me këto veprime, duke u sjellë
në hapësirën e rezistencës vendore dhe të resurseve të saj patriotike,
megjithatë mbajti "të ndezur" fitilin e rezistencës së armatosur, që
do të vihet në veprim pas marrëveshjeve të Dejtonit, me çka u ndihmua që lufta
diplomatike të kthehet në diplomaci të luftës, siç ndodhi pas Rambujesë.
Ky
digresion i shkurtër nëpër histori, që trajtohet dhe argumentohet në veprën
“Kthesa historike” 1 si dhe “Kosova”V, VI dhe VII, pa pretenduar se çështjes i
është vënë pika, meqë shkenca nuk pranon kornizat dogmatike e aq më pak
përvetësimet nga pozicioni i “fitimtarit” dhe “të fortit”, ka për qëllim që të
tërheq vërejtjen nga keqpërdorimet personave historik, siç është i Dr. Ibrahim
Rugovës me këtë rast për qëllime zgjedhore deri te shkalla e manipulimeve të
paskrupullta mbi bazat e "pronësisë partiake", që i tejkalon ato edhe
për vetë faktin se ai ishte drejtues i një lëvizjeje kombëtare gjithëpopullore
në të cilën morën pjesë të gjitha rrymat dhe shtresat shoqërore dhe politike që
kërkonin çlirim nga Serbia dhe liri, demokraci dhe pavarësi.
Pra,
përdoruesit si dhe shpërdoruesit e historisë, duhet ta kenë të qartë se
vlerësimet dhe rivlerësimet historike të ngjarjeve si dhe personaliteteve në
to, nuk kalojnë nëpër filtrat politikë, siç janë të tanishmit ku partitë
pretendojnë monopole edhe ndaj figurave historike që i tejkalojnë kornizat e
tyre, por kalojnë nëpër ato shkencor, ku distanca kohore dhe dokumentet kanë
fjalën kryesore.
Në
këtë aspekt, nderimi i dr Ibrahim Rugova, nga kundërshtarët e tij të
deridjeshëm, ia konfirmon meritat e tij historike, por rikthen edhe nderimin
institucionit shtetëror që ai e përfaqësoi me legjitimitet të plotë.
Presidentin historik të Kosovës, megjithatë, nuk e nderojnë as ikonofilia e as ikonoklastia për qëllime të fushatave
politike, meqë janë pjesë e
nekrofilisë...
(*Autori është historian, koordinues i grupit nismëtar për
themelimin e LDK-së, autor i Programit të LDK-së si dhe dokumenteve të
aprovuara në Kuvendin Themelues më 23 dhjetor 1989. Ishte sekretar i parë
gjeneral i partisë nga themelimi e deri më 5 maj 1991. Ndërsa Anëtar i
Këshillit Qendror të LDK-së nga 1991-1993).