Speciale
Jusuf Buxhovi: Viktor Majeri, Gazmend Zajmi dhe Fehmi Agani
E marte, 22.12.2020, 12:03 PM
VIKTOR MAJERI, GAZMEND ZAJMI DHE FEHMI AGANI...
Në
vigjilje të 31 vjetorit të themelimit të LDK-së
Nga
Jusuf Buxhovi
Rruga
e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës
si dhe dokumentet partiake (nga idetë e deri te formulimet) pa mëdyshje
se lidhen edhe me rolin e disa personaliteteve të kohës, ndër të cilët
gjithsesi duhet përmendur publicistin e njohur gjerman Viktor Majer, asokohe
korrespodent i gazetës së njohur gjermane “Frankfuter Allgemeine”, akademik
Gazmend Zajmin dhe profesor Fehmi Aganin.
Kjo
treshe intelektuale, me Viktor Majerin – i cili inkurajoi drejtpërdrejt
“grupin” e gazetarëve të “Rilindjes” që
t’i hynin punës dhe këtë e bëri me shkrime në gazetën FAZ ose me kontakte të
drejtpërdrejta me disa prej tyre; me akademik Gazmend Zajmin, që ishte
referencë e çfarëdo formulimi të kërkesave kushtetuese, paçka se ai nuk
dëshironte që kjo të bëhej publike; si dhe profesor Fehmi Aganin - i cili
shfaqej si fuqi e madhe kohezive politike e këtij projekti, që ishte në gjendje
të pajtonte të gjitha rrymimet shoqërore pa marrë parasysh kahun e tyre, pra
kjo treshe ndërtonte trekëndëshin më të rëndësishëm të themeleve mbi të cilin
do të ndërtohet ngrehina politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si një
faktor që do të marrë përsipër lëvizjen kombëtare, që do të vejë në binarët e
pandalshëm historik dy procese njëherësh: atë të rrënimit të strukturave të
Lidhjes Komuniste e me këtë edhe të komunizmit si dhe të shkëputjes nga Serbia.
Viktor
Majeri prej vitesh do të bëjë të njohur gjendjen e shqiptarëve në ish
Jugosllavi si dhe planet e Beogradit që nëpërmes rrënimit të autonomisë së
Kosovës të vitit 1974, të marrë përsipër timonin e një Jugosllavie unitariste,
që pas vdekjes së Titos, hap pas hapi, vendin do ta kthente në taborin
sovjetik. Me shkrimet e tij analitike nga viti 1981 e këndej, veçmas me ato nga
23 marsi i vitit 1989, kur Beogradi rrënoi me dhunë autonominë e Kosovës,
Viktor Majer, duke e çuajtur veprimin e
Millosheviqit puç kundër Jugosllavisë evropiane, drejtpërdrejt do të alarmojë
opinionin botëror me rrezikun që po i kërcënohej. Madje, ai ishe nder ata që
ngulmonin se demonstratat e vitit 1981, sado që ishin të drejta nga ana e
shqiptarëve dhe se edhe ata kishin arsye që të shpallnin opsionin e tyre për
barazi në federatë, vlerësonte se në
forma të ndryshme, u dirigjuan nga forcat serbe dhe ato ruse që kërkonin shkas për ndezjen e fitilit Jugosllavisë së Titos,
pikërisht nga shkaku pse Kosova si njësi e barabartë federative ruante
balancimet që ajo të mbetej kah perëndimi, pra të parandalonte rikthimin
sovjetik të humbur nga viti 1949. Po
ashtu, me anën e lidhjeve me disa intelektualë të Kosovës (kryesisht gazetarë
të “Rilindjes”), Majer do të angazhohet që si kundërpërgjigje Beogradit që ia
kishte arritur të rrënonte autonominë e Kosovës sipas planit të saj perfid nga
viti 1981, të dilet me themelimin e një partie politike, që do të formulonte
kërkesat fillimisht për Republikën e Kosovës, ndërsa pas Deklaratës së 2
korrikut 1990, Kuvendit të Kaçanikut dhe veçmas pas konferencës së Hagës të
gushtit të vitit 1992 kur Komisioni i Badinterit shpalli federatën jugosllave
në shpërbërje, kërkoi që Kosova të luftojë për statusin e njësisë së pavarur,
pra të shtetit që ka të drejtë të vendos për fatin e vet si njësitë tjera
federative. Me të njëjtin përkushtim Viktor Majeri vazhdoi ta këshillojë dhe
ndihmojë dr. Rugovën dhe intelektualët tjerë në rrethanat para dhe pas
Dejtonit, si dhe ato gjatë dhe pas Rambujesë, duke kërkuar që si pozicion të
mbrohet Kushtetua e Kaçanikut si shprehje e vullnetit demokratik të shqiptarëve. Në dy librat e tij “Si u
shpërbë Jugosllavia” 1992 dhe “Trashëgimia e Jugosllavisë”, 2020, Majeri e
ritheksoi të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur që buron nga kushtetua e
vitit 1947 kur ishte pjesë e tetëshes federative, pa marrë parasysh statusin
dual. Po në këtë gazetë, në gusht të vitit 1989 paralajmëroi formimin e partisë
nga intelektualët shqiptarë që do ta marrin përgjegjësinë politike për vendin.
Një javë pa u themelua LDK-ja, në FAZ “zbuloi” edhe emrin e partisë si dhe
kryetarin e mundshëm (Rugovën) si të përzgjedhur amerikan.
Akademik
Gazmend Zajmi, po ashtu ishte ndër intelektualët e merituar, që jo vetëm
themelimit të LDK-së, por në përgjithësi procesit të shtetndërtimit
(infrastrukturës demokratike siç ishte Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990
dhe Kushtetua e Kaçanikut), i dha impulse të fuqishme profesionale, paçka se
përherë deshi të mos i përmendej emri. Kjo e bën edhe më të fuqishëm rolin e
tij në gjithë procesin.
“Kosova
duhet të ketë statusin e subjektit të barabartë në federatën e
Jugosllavisë”,tha kur iu drejtova për konceptin e programit, ku çështja e
statusit duhej të ishte më e rëndësishmja. Në hamendjen time se mos duhej
përmendur “Republikën” ose ndonjë formulim tjetër, qetas tha se “formula e
avancimit në federatë i përfshinte që të gjitha, qoftë që të mbetej gjendja e
tanishme e rregullimit federativ, qoftë
të vijë te ndonjë lidhje konfederative. E rëndësishme që përjashtohet
çfarëdo lidhjeje me Serbinë...”
Kur
i thashë se edhe amerikanët përjashtojnë çfarëdo lidhjeje me Serbinë ma ktheu:
“Epo,
mendojmë njëjtë. Kjo është inkurajuese, meqë pa amerikanët nuk bëhet gjë”. Me
këtë rast tha se Dr. Rugova duhet ta marrë postin e kryetarit të partisë, por
pasi që të marrë garanci nga amerikanët.
”Kjo
ka rëndësi të madhe”.
Profesor
Fehmi Agani, nuk ishte i druajtur si
akademik Gazmend Zajmi, që kërkonte të mbetje përherë i pavërejtur.
Përkundrazi, “profesori” siç e thërrisnin të gjithë, gëzonte një autorit
thuajse në të gjitha qarqet intelektuale dhe shkencore. Afërsia e tij që të
bashkëbisedojë me të gjithë, prirja që të dëgjojë me vëmendje dhe të këshillojë
me mençuri, ia kishin krijuar oreolin e një autoriteti, që ishte i
pakapërcyeshëm në rrethanat kur nga sjellja intelektuale dhe mençuria varej ajo
me qenë ose mos me qenë. Andaj, ishte e natyrshme që edhe themelimi i partisë
së re ta përfshinte. Profesori dëgjoi me vëmendje ato rreth partisë, që jo
vetëm i miratoi, por tregoi gatishmëri që të kyçej në të nga nënshkrimi në
listën e themeluesve e deri ku duhej. Madje, kur u njoftua për ndihmesën që
kishte dhënë akademik Gazmend Zajmi rreth çështjeve juridike, u trimërua edhe
më shumë, jo vetëm nga respekti i madh që kishte për Gazmendin, me të cilin
kishin punuar bashkë prej vitesh në Universitetin e Prishtinës në programet
arsimore dhe shkencore drejt forcimit të nivelit akademik të këtij institucioni
dhe të tjerave, që do t'i sherbenin edhe
emancipimit politik dhe shoqëror në të gjitha nivelet, por edhe për atë se Zajmi ishte ndër autorët
e kushtetutës së vitit 1974, autoritet juridik në gjithë vendin. Si Rektor i
Universitetit të Prishtinës në vitin 1981, me arsyetimin se universiteti kudo
shfaqej si bartës i ndryshimeve pozitive,
që shoqëritë duhet t’i dëgjojnë me vëmendje, pra si forcë elitare, ishte
tërhequr sapo ishte kërkuar gjykimi i tyre dhe diferencimi.
Tha
se Gazmendi ishte i saktë dhe formulimet e tij duhej ndjekur. Në kërkesën rreth një formulimi
për sistemit politik, i cili duhej të
mbështetej mbi pluralizmin politik, u zotua se do të formulojë një tekst, që e
solli pas dy ditësh.
“Do
të përpiqem të jam më koprrac se Gazmendi”, tha si me mahi.
Duket
se edhe emri “Lidhja Demokratike e Kosovës”, i kishte tingëlluar paka i madh.
Pyeti se a mund të rrudhej në “Parti Demokratike”.
Kur
ia bëra me dije se rreth emrit kisha biseduar me gjermanët dhe amerikanët
(përfaqësuesit e ambasadave në Beograd që ato ditë përherë i kishim pranë) dhe
se ata ishin pajtua, madje (amerikani) e kishte vlerësuar si tejet të qëlluar
këtë meqë i asocionte me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ku ishte kërkuar
autonomia shqiptare përbrenda Perandorisë
Osmane, kërkesë kjo që, si tha, kishte prodhuar “Shqipërinë osmane”, gjëqë nuk
përjashtohej mundësia edhe e shfaqjes se një Kosove perëndimore, profesori u
pajtua.
“Nëse
kështu mendojnë amerikanët, atëherë pse jo". Por, shtoi se "koha po
na ngarkon me një përgjegjësi të madhe që duhet marrë me përkushtim...”
Ora,
profesor Agani, kishte marrë me përkushtim punën më themelimin e “Lidhjes
Demokratike të Kosovës”, por edhe transformimin e saj nga një parti në Lëvizje
Kombëtare, çfarë në të vërtetë do të bëhet pas dy-tre muajve kur në të do të
anëtarësohen mbi 700 mijë anëtarë. Me mençurinë
që t’u qaset problemeve edhe më të rënda, me aftësinë politike që t’i bashkojë të gjithë,
madje edhe kundërshtarët e deridjeshëm, me durimin që të majtën ekstreme ta
inkorporojë në lëvizje si dhe këshillat “rebeluesve” që kërkonin me çdo kusht
luftë për t’iu kundërvënë represionit serb, profesor Agani jo vetëm që u bë
dorë e djathtë e presidentit Rugova, por mund të thuhet se mori përsipër
çështjet kyçe politike dhe diplomatike, nga shteti paralel e deri te misionet
diplomatike çarë ishin bisedimet për arsimin me Beogradin dhe të tjerat që
dolën në pah pas Dejtonit dhe daljes në skenë të UÇK-së në vitin 1987, kur
rezistenca e armatosur duhej të kthehej në mjet të politikës , siç ndodhi në
Rambuje.
Natyrisht
se profesor Agani, nuk ia doli të përjetojë çlirimin e Kosovës. U vra nga
forcat serbe gjatë kohës së fushatës së bombardimeve. Me siguri se me profesor
Aganin rrjedha e shumë ngjarjeve politike gjatë protektoratit dhe veçmas
procesi i shpalljes së shtetit të pavarur do të ishte edhe më i kompletuar.
Por, puna dhe vepra e tij, mbesin në oltarin e historisë së LDK-së, po edhe të
shtetformimit në përgjithësi si vlera të përhershme.
(Shkëputur
nga libri “Kthesa historike 1 – Vitet e
Gjermanisë dhe Epoka e LDK-së”, 2008, e përpunuar dhe e plotësuar me dokumente
nga Kuvendi Themelues. Gjendet gratis në
faqen: jusufbuxhovi.com).