Mendime
Enver Bytyçi: Shqipëria dhe Kosova nuk bëhen me pazare politike e korruptive
E shtune, 28.11.2020, 09:29 PM
Shqipëria dhe Kosova nuk bëhen me pazare politike e korruptive
Nga
Enver Bytyçi
Presidenti
i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Haradinaj u ngritën në mesnatë e
shkuan te deputeti Haxhi Shala për t'i kërkuar votën për qeverinë Hoti. Nuk
dihet se çfarë pazari tjetër bënë ata midis tyre. Nuk dihet çfarë kërkoi
deputeti Shala dhe çfarë i dhanë Thaçi e Haradinaj?! Por në publik doli se ata
i kishin premtuar Gashit t'ia emërojnë djalin në detyrën e konsullit të
Përgjithshëm të Kosovës në Pragë! Krijuan një vend pune jashtë çdo logjike të
qeverisjes normale, me qëllim që të joshnin një deputet për ta votuar qeverinë
Hoti! A ka njeri në botë ta justifikojë në organikë një post të tillë, kur
numri i shqiptarëve nga Kosova në Çeki është shumë i kufizuar?! Sigurisht që
jo. Por u duhej një premtim i tillë në këmbim të votës së deputetit Shala. Pra
presidenti i Kosovës bëri një pazar korruptiv për qëllime politike. Kjo çeshtje
duhet hetuar nga prokuroria e shtetit dhe personat përgjegjës, Shala, Thaçi e
Haradinaj të shkojnë para gjyqit për shpërdorim të detyrave shtetërore. Ndërkaq
zoti Hoti do të duhej të jepte dorëheqjen, sepse pa votën e komprementuar të
Shalës nuk do të mund të bëhej kryeministër. Ai është kryeministër pa
legjitimitet, pa votën e lirë të deputetëve. Eshtë kryeministër me vota
pazaresh korruptive!
Ndërsa
kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka praktikë të përditshme qeverisjen
përmes modelit korruptiv të pazareve politike e financiare. Ai përmes kësaj
metode realizoi vendimmarrjen e tij në parlement, duke garantuar kësisoj votën
e deputetëve të emruar prej tij. Me këtë lloj forme korruptive ndryshoi kushtetutën e vendit, një dokument i shenjtë
ky, për të cilin kanë votuar qytetarët
me referendum. Por jo vetëm kaq.
Gjithçka që ndodh në Shqipëri ose zgjidhet përmes dhunës dhe presionit deri për
vendin e punës, ose përmes pazareve dhe akteve korruptive, të cilat i krijon,
menaxhon dhe urdhëron vetë kryeministri Rama. Kjo ndodh rëndom në rastet e
protestave të grupeve vunerabël të popullsisë, si ajo e studentëve,
naftëtarëve, minatorëve etj.
Pazaret
politike janë mjeti kryesor përmes të cilave qeveriset Shqipëria dhe Kosova.
Madje kjo metodë efektive për të "legjitimuar" pushtetin arrogant e
autoritar të dy personave shkon përtej kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës.
Pazari politik me Beogradin dhe premtimet e përfitimet reciproke të udhëheqësve
e liderëve autoritaristë në Tiranë e Prishtinë me këtë lloj pazari kanë rrezikuar
deri edhe territorin e Kosovës.
Kjo
do të thotë se qeverisjet në të dy vendet tona nuk bazohen në vullnetin e
sovranit, por në marrëveshjet politike të dy, maksimumi tre liderëve politikë,
si koncension ndaj njëri-tjetrit. Kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet elektorale,
kur pavarësisht votës së sovranit, postet dhe fitorja e subjektit politik janë
përcaktuar nga marrëveshja korruptive e më të mëdhenjve dhe më të fuqishmëve,
si dhe nga tregu i votës. Ndërkohë që një praktikë e tillë jodemokratike ka krijuar
fiksionin, sipas të cilit, njerëzit të mbështesin më të fuqishmin, por jo më të
drejtin dhe më të mirin!
Pazaraet
politike nuk kanë favorizuar asnjëherë demokracinë dhe lirinë, përkundrazi kanë
shtuar numrin e zvarranikëve e për pasojë dhe pasigurinë dhe destabilitetin.
Siguria, paqja dhe stabiliteti kanë si kusht themelor legjitimitetin. Pazari
politik nuk është mjet legjitim për qeverisjen. Përkundrazi është mjet
jodemokratik dhe si i tillë është i dëmshëm për lirinë dhe demokracinë
qytetare. Por pavarësisht kësaj, liderët tanë arrogantë imponohen gjithnjë
përmes pazareve politike.
Në
tregun e allishverishit politik është tashmë vota e qytetarëve. Si e tillë ajo
është shndërruar në mall, i cili blihet e shitet sipas kërkesës dhe ofertës. I
vetmi mall ku respektohet parimi i ekonomisë së tregut, sidomos në Shqipëri,
është vota e qytetarëve. Sepse për mallrat e tjerë nuk vlejnë kërkesa dhe
oferta. Çmimet vendosen nga oligarkët, pavarësisht nga mundësitë e kapacitetet
e tregut të brendshëm.
Logjika
e pazareve e shkatërron shtetësinë në të dy vendet tona, por Kosova do ta vuajë
institucionalisht dhe praktikisht dy fish këtë sëmundje të përhershme e të
rilindur në dimensione të reja dekadën e fundit. Pazaret e paralizojnë shtetin
ligjir të së drejtës, krijojnë kushtet për lindjen dhe forcimin e rolit të një
individi në sistemin e qeverisjes e në shoqëri. Ato shkojnë gjithnjë në
interesin personal të politikanit ose liderit përkatës, por kurrë jo në
interesin nacional të shtetit. Sepse shteti kthehet thjesht në një godinë, ku
vepron pushteti i pazareve të arrogancës qeverisëse dhe nuk respektohet
vullneti i qytetarëve. Pazaret
korruptive më tej shtrihen deri në marrëdhëniet midis qeverisë dhe medies,
midis liderit të mazhorancës dhe oligarkëve financiarë, midis partnerëve
politikë lokalë, rajonalë e madje herë-herë edhe ndërkombëtarë.
Zgjidhja
është vetëm një. Të realizohen zgjedhje të lira e të ndershme dhe të harrohet
marrja ose ndryshimi i rrotacionit të pushtetit përmes kompromiseve. Sa kohë do
të praktikohet modeli i kompromiseve politike në rrotacionin e pushtetit, aq
kohë Shqipëria dhe Kosova do ta vuajnë metodikën e pazareve politike në
vendimmarrje. Kompromisi politik nuk mund të zevendësojë zgjedhjet e lira.
Sepse liria fillon që me zgjedhjen që bën secili. Sovrani duhet të kuptojë se
jeta civile e shqiptarëve nuk është pazar i një, dy ose tre liderëve politikë
si në Shqipëri edhe në Kosovë. Kjo do të
thotë që secili të paguajë për shkeljet ligjore dhe cënimin e të drejtës së
qytetarëve, që në vend të arbirtraritetit dhe arrogancës të kemi një shtet
ligjor të së drejtës dhe që pushtetet të balancohen dhe ekuilibrohen sipas
rregullave të demokracisë liberale. Kur parimi i demokracisë zevendësohet me
lojën e pazareve politike, atëherë merr fund jo vetëm demokracia, por humb
kuptimin edhe liria qytetare.