Speciale
Sinan Gashi: Kur dhe si nisi Pajtimi i Gjaqeve
E shtune, 14.11.2020, 12:15 PM
Në 100 vjetorin e lindjes së Prof. Anton Çettës
KUR DHE SI NISI MARSHUTA
E PAJTIMIT TË GJAQEVE
Nga
Sinan GASHI
Profesor Anton Çetta (3 janar 1920 – 2 nëntor 1995) ishte
një personalitet me merita të mëdha intelektuale e njerëzore. Ai kishte dëshmuar
gjatë gjithë jetës një butësi njerëzore
komunikative, një pozitivitet në çdo rast e mes, por edhe përkushtimi i
tij profesional kishte lënë gjurmë të përhershme te brezat.
Pra, ishte profesor fakulteti, mbledhës në terren si dhe
studiues i folklorit, pastaj ishte ndër shkrimtarët e parë për fëmijë dhe së
fundi edhe udhëheqësi për disa vite i Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve dhe Ngatërresave.
Këto vlera nuk mund të përkufizohen as edhe më një vepër
të tërë, por kësaj radhe do ta ndriçojmë nismën e Aksioni të Pajtimit të Gjaqeve.
1.
Në fillet e saja Lidhja Demokratike e Kosovës kishte synime
që, veç tjerash, të gjendej sa më afër njeriut të nëpërkëmbur, të varfër
ekonomikisht dhe të ndrydhur politikisht. Nisur nga kjo, degët e saj që në të vërtetë
ishin në shtrirje komunale, vepronin sipas mundësive me disa specifika në komunat
e ndryshme.
Edhe dega e LDK-së së Drenasit (Gllogovcit) aso kohe zhvilloi
një aktivitet të paparë, sa për disa muaj gjithë banorët e saj ia kthyen shpinën
pushtetit zyrtar, duke e pranuar si pushtet moral e në disa segmente edhe real,
LDK-në dhe udhëheqësit e saj. Nisur nga kjo gjendje, kryesia e kësaj dege nxori
edhe një plan aktivitetesh, me të cilin mendonte se do ishte më afër kërkesave të
popullit, por edhe të afronte sa më shumë njerëzit mes vete, duke kryer punë
vullnetare tepër të rëndësishme.
Me këtë angazhim kishin filluar dhe ishin ndërtuar disa
lokale për shkolla fillore në Tërdevc, në
lagjen Bytyq të Arllatit, në lagjen Gjergjaj të Arllatit, në Godanc, një shtesë
objekti në Llapushnik, ishin ndërtuar dy kroje publike, katër ura fshati si dhe
ishin rregulluar varrezat në shumicën e fshatrave, madje edhe duke u thurur me
rrjetë teli e shtylla betoni, e tjerë.
Në një mbledhje të kësaj dege u përmend mundësia që të bëhej
diçka edhe për pajtimin e njerëzve me hasmëri, qoftë për ngatërresa qoftë edhe
për pajtimin e gjaqeve, kjo e keqe që kishte pllakosur popullin tonë ndër vite
dhe, çka është më e keqja, i shkonte përshtati pushtetit pushtues serb.
E gjithë kryesia e aprovoi këtë nismë dhe u nis në
aksion. Ishte muaji shkurt i vitit 1990 kur u bë një punë e madhe për këtë
aksion, pra për pajtimin e dy familjeve: Shala nga Kroikova dhe Krasniqi nga
Carralluka e Malishevës, një vrasje e rëndë që ishte bërë në oborrin e
Ferronikelit. Pasi u arrit marrëveshja për falje, u hartua edhe një program që
bënte thirrje që kjo nismë të përhapej në gjithë Kosovën, për t’ia lehtësuar
sado pak barrën shpirtërore shqiptarit të robëruar.
Kryesia vendosi që këtë program modest ta lexonte Mehdi
Bradhi, kryetar i LDK-ë. Në atë mbledhje
u dha një propozim nga sekretari i degës së LDK-së, Sinan Gashi që, për ta bërë
sa më madhështor tubimin, të ftohet edhe ndonjë personalitet autoritativ dhe me
peshë i Kosovës. Kështu, sekretari e dha propozimin që të ftohet prof. Anton Çetta, i cili ishte shumë i
respektuar nga drenicakët, ngase me vite kishte bredhur odë më odë për të
mbledhur folklor, që ishte kurorëzuar ekspedita me botimin e dy vëllimeve, me
titullin “Tregime popullore nga Drenica”. Ngase nuk dinim se me çka ta sillnim
dhe se ku e kishte adresën, propozuan të marrin Islam Gashin, mësues veteran nga
Arllati, i cili edhe kishte miqësi por edhe e kishte shoqëruar profesorin në ekspeditat
e tij në terren, dhe Gani Elshani, tash dëshmor i Kosovës, e kreu shërbimin me
veturën personale, duke e sjell profesorin nga Prishtina.
2.
Ishte data 23
shkurt 1990, kur u realizua nisma e bardhë që nga fshati Kroikovë e
Drenasit dhe u përhap gradualisht në tërë Kosovën, duke iu bashkangjitur pas e
gjithë rinia shkollore, fshatarësia si
dhe intelektualët e sakrificës, e cila siç dihet, rezultoi me qindra pajtime.
Në një odë të fshatit Kroikovë ishin tubuar shumë njerëz
nga anë e anës, si nga Drenasi prirë nga udhëheqësit e LDK-së, pastaj ata të
kryesisë së degës së LDK-së nga Malisheva, nga Klina, Skënderaj e Fushë Kosova
dhe dhjetëra studentë të Universitetit të Kosovës dhe të Fakultetit të
Xehetari-Metalurgjisë së Mitrovicës.
Profesori u ngazëllye, në veçanti kur e pa numrin e
lakmueshëm të vajzave studente, të cilat ishin në ballë të odës tradicionale.
“Këtu qenkan bërë shumë Shote Galica!”, qe shprehur ai.
Manifestimi dhe akti i faljes së gjaqeve u bë në një
fushë mes fshatit, aty ku nisnin edhe varrezat e tyre.
Pas leximit të një programi të aksionit, fjala ju dha
profesorit gojëmbël, i cili radhiti të mirat që po bëheshin atë ditë dhe të
këqijat që sillnin këto ngatërresa, qoftë për familjarët e gjithsesi edhe për
shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ai shpjegoi gjerë e gjatë se ku e kishte
burimin kjo e keqe, kjo plagë shoqërore si dhe kush e ujiste, që të lulëzonte
sa më shumë.
Pas këtyre fjalëve emocionuese, të cilat u përjetuan thellë
emocionalisht edhe nga të pranishmit, ngase askush deri atëherë nuk kishte
qëndruar mes tyre, duke shpjeguar realisht ashtu, nisi ceremonia e marrjen në
gryk, kur hasmëria asgjësohej dhe me lot në sy, njëri nga dhimbja e tjetri nga
gëzimi, përqafoheshin fort e ngrohtësisht. Pas kësaj ata e ndjenin veten më të
lehtësuar shpirtërisht, sepse gjithçka aty bëhej duke iu falënderuar të gjithë
atyre që kishin rënë për atdhe dhe të ardhmes së ndritshme të rinisë së Kosovës.
U pajtuan familja Shala e Kroikovës dhe Krasniqi e Carrllukës
së Malishevës. Po ashtu, me këtë rast, dora e pajtimit u shtri në mes familjes
Podrimçaku të Kroikovës e Thaqi të Llapushnikut. (shih artikullin “Në BL të Krajkovës
së Gllogovcit u shtri dora e pajtimit” e autorit Z.(eqir) B.(Bekolli), “Rilindja”,
Prishtinë, 23 shkurt 1990, f. 18).
Për këtë nismë ka shkruar edhe aktivisti i mëvonshëm i
Aksionit, dr. Muhate Pirraku: “Në këtë tubim popullor të Akcionit për Faljen e
Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave, në Kraikovë të Drenicës do të ftohen për
t’i vënë në ballë: Islam Gashi, mësues veteran nga Arllati i Drenicës, prof.
Anton Çetta, mbledhës i prozës popullore të Drenicës dhe dr. Muhamet Pirraku,
ish i përndjekur politikisht...;”, i cili nuk mori pjesë. (shih Dr. Muhamet
Pirraku: “Lëvizja gjithëpopullore shqiptare për faljen e gjaqeve, 1990 – 1992”,
Prishtinë 1998, f. 41)
P.S.
Pra, nisma e pajtimit të gjaqeve kishte fillin historik të
datës 23 shkurt 1990, kur u realizua
nisma e bardhë që nga fshati Kroikovë e Drenasit, në mënyrë të organizuar me
pjesëmarrjen rreth 1000 qytetarëve e studentëve si dhe udhëheqësve politikë të katër
komunave të Kosovës.