Speciale
Halim Purellku: Struktura kombëtare e popullsisë së Rekës së Epërme
E marte, 10.11.2020, 09:13 PM
VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIK MBI STRUKTURËN KOMBËTARE
TË POPULLSISË SË REKËS
SË EPËRME
Nga
Prof. Dr. Halim PURELLKU
Reka
e Epërme shtrihet përsëgjati rrjedhës së sipërme të lumit Radika. Ajo kap
hapësirën gjeografike ndërmjet shpateve më jugore të malit Sharr-qafëmalit
Vllajnicë-mali Bistra-zonës Reka e Poshtme dhe maleve Kërçin e Korab. Ndër
shekuj, numri i vendbanimeve në këtë zonë oscilon (lëviz), varësisht nga
kushtet konkrete historike nëpër të cilat po kalonte ajo. Nga gjithsej 15
vendbanime të banuara dhe 3 të shpopulluara, sa kishte zona e Rekës së Epërme
nga fundi i shek. XV, për të arritur në gjithsej 22 fshatra, në vitet
tetëdhjeta të shek. XIX dhe në kapërcyell të shek. XIX/XX. Ndërkaq, periudhën,
nga dekada e parë të shek. XX e deri në fund të këtij shekulli, e karakterizon
rënia e numrit të fshatrave dhe e numrit të banorëve në Rekën e Epërme, për
shkaqe politike. Sipas Josif Bagerit, në dekadën e parë të shek. XX kjo zonë
numëronte gjithsej 18 fshatra, kurse,
sipas Milivoje M. Saviq, në vitin 1914, këtu kishte gjithsej 20 fshatra.
Ndërkaq. Numri i fshatrave në këtë zonë, në fund të viteve njëzeta të shekulli
XX, ra në 17 fshatra të banuara dhe 5 fshatra të shpopullzuara. Fshatrat e
shpopullzuara u rrënuan nga pushtuesi serb në vitet 1912-1913, kurë popullata e
Rekës së Epërme, iu kundërvu me arnë në dorë ushtrisë pushtuese serbe, si dhe
nga ajo bullgare në luftën e Parë Botërore, kurë popullata e kësaj zone
mbështeti Lëvizjen çlirimtare kundër bullgare. Fshatrat e shpopulluar asokohe
ishin Strezimiri, Reçi, Shtirovica,
Tërrnica dhe Dëbova, disa nga të cilët u shlyen nga faqja e dheut, si Reçi,
Strezimiri, Dëbova etj. Ndërkaq, në fund të shek. XX në Rekë të Epërme
ekzistonin gjithsej 15 fshatra (pa Dufin), dhe në 13 prej tyre ende banonte një
numër i vogël i popullsisë kurse në 2 të tjerët nuk banonte më kush.
Ndërkaq,
të dhënat antroponomike, patronomike, etnonimike dhe toponimike nga Defteri
kadastral Nr. 508 i vitit 1467, dëshmojnë qartë se edhe në mesjetë, shqiptarët
ishin faktori dominues në strukturën e përgjithshme demografike, në zonën e
Rekës së Epërme. Në një përfundim të këtillë, arrijnë edhe studiuesit
Aleksandar Stojanovski dhe Gallaba Palikrusheva, në një punim studimor të tyre,
kur po i referohen këtij defteri kadastral, veç tjerash ata pohojnë: “në
fshatin Bogde të Rekës së Epërme, si dhe në fshatrat e afërta për rreth tij,
elementi etnik shqiptar ishte shumicë absolute”. Një strukturë e këtillë etnike
e popullsisë në Rekën e Epërme, u ruajt edhe në kohën e re dhe atë më të re. Në
një dorëshkrim anonim, të viteve tetëdhjeta të shek XIX, thuhet se gjuha
kryesore e folur në Rekë të Epërme ishte gjuha shqipe, (“arnautski apo
shkiptarski” si që thuhet teksualisht), atë e flasin si myslimanët ashtu edhe
të krishterët. Po ashtu, edhe Gjorgje Popoviq, konsull serb, në një raport të
tij për ministrin serb të arsimit dhe fesë, datë 13.o1.1889, veç tjerash thotë:
13 fshatrat e Rekës së Epërme “janë shqiptarë, por ortodoks, nuk flasin
serbisht”. Ndërkaq, sipas Kënçovit, po në fund të shek. XIX, Reka e Epërme
kishte gjithsej 6959 banorë, që të gjithë shqiptarë, nga të cilët 3221 ishin të
konfesionit ortodoks dhe 3738 banorë ishin të konfesionit mysliman. Kështu,
Reka e Epërme, në kapërcyell të shekujve XIX/XX, ashtu si dhe më parë, ishte
zona e vetme në Trevatë Lindore shqiptare (trevat në lindje të: maleve:
Sharr-Korab-Deshat-Jablanicë) me popullsi një nacionale shqiptare.
Në
burimet dhe literaturën historike e etnografike të shek. XX, hasim më shumë të
dhëna fragmentare mbi përkatësinë etnike e gjuhësore të popullsisë së Rekës së
Epërme, por dhe të dhëna statistikore jo zyrtare dhe zyrtare. Kështu, p.sh. M:
V: Veselinoviq, zëvendëskonsull i përgjithshëm serb, në një raport të tij ,
datë 17 qershor të vitit 1903, e karakterizon për “shqiptar i krishterë” një
person me emrin Damjan nga Kiçinica. Po ashtu, edhe Jovan Cvijiqi, në një punim
të tij, popullsinë e Rekës së Epërme e karakterizon etnikisht për shqiptare
ortodokse; “pravoslavnim Arbanasima”. Gjithashtu, edhe studiues dhe publicist
të tjerë të proveniencës serbe apo jugosllave, si ç’janë: Rista T. Nikoliq, dr.
Dushan Nedellkoviq, Toma Smiljaniq (Bradina), Millorad Markoviq, Edo Markoviq,
Milivoje M. Saviq, Aleksije Jevtoviq etj., në punimet e tyre të publikuara
qoftë gjatë periudhës midis dy luftërave botërore apo edhe pas saj, jo vetëm që
e pranojnë por dhe dëshmojnë, se si popullata e konfesionit mysliman ashtu edhe
ajo e atij ortodoks e Rekës së Epërme, fliste vetëm shqip në shtëpi dhe jashtë
saj kurse “serbisht” (sllavisht/shqenisht) dinin pak apo nuk dinin fare,
veçanërisht, pohojnë ata, gratë e kësaj zone fare nuk e dinin “serbishten”
(sllavishten/shqenishten).
Mirëpo,
në shek. XX fati historik i Rekës së Epërme ishte sa dramatik aq edhe tragjik,
si rezultat i propagandave dhe i pushtimit serb dhe i politikës kundërshqiptare
serbe, që rezultoi me ndryshime të mëdha në strukturën demografike e etnike të
popullsisë. Në Rekën e Epërme, që në gjysmën e dytë të shek. XIX (pas viteve
1860-1870) filloji të shtrihet propaganda e organizuar bullgare, kurse që në
vitet tetëdhjeta të këtij shekulli (pasi qe formuar Shoqëria serbe “Sveti
Sava”, në gusht të vitit 1886) filloji të reflektoj në këtë zonë edhe
propaganda e organizuar serbe. Synimet e këtyre propagandave ishin
shkombëtarizimi, përkatësisht bullgarizimi dhe serbizimi i popullsisë shqiptare
të konfesionit ortodoks të kësaj zone. Mirëpo, këtyre synimeve shkombëtarizuese
e kundërshqiptare të propagandave të huaja, me sukses u rezistoi, dhe besoj se
ende iu reziston, popullsia e Rekës së Epërme, fal qëndrueshmërisë së traditës
dhe kulturës kombëtare të kalitur ndër shekuj nga bijtë e kësaj zone. Nga fshatrat
që u dalluan në këtë drejtim ishin: Reçi, Strezimiri dhe Tërrnica, por më së
shumti ishte shquar Shtirovica, saqë Dushan Nedellkoviq konstatonte se “ në
Shtirovicë filluan të formojnë veçanërisht qendër për çështjen kombëtare
shqiptare”. Ruajtjes së traditës dhe të qenies kombëtare shqiptare, por dhe të
lartësimit të vetëdijes dhe të shpirtit revolucionar ndër popullatën e kësaj
treve, gjithmonë i kontribuuan mendjet e ndritura dhe veprimtaria e bijve të
njohur të kësaj zone, nga të cilët u shquan
patriotët e njohur, jo vetëm në nivel lokal, por dhe në nivel kombëtar,
si: Josif Bageri, nga Nistrova, Anastas Albanski, Lazër (Llazar) Siliani, Haxhi
Vildani, nga Rimnica, Maliq Tanushi, nga Tanushaj, Vahid Abdullahu e Thoma
Serexhi, nga Shtirovica etj. Falë veprimtarisë së tyre patriotike dhe
sakrificave të plejadave të veprimtarëve të këtillë, populli i Rekës së Epërme,
përkundër terrorit të organizuar institucional dhe joinstitucional serb dhe
bullgar, me sakrifica shumë të mëdha, i sfidonte qëllimet e propagandave serbe
e bullgare për asimilim të kësaj popullate. Në radhë të parë, për shkak të
politikës së brendshme serbe/jugosllave të dealbanizimit mekanik të tokave
shqiptare të pushtuara, në shekullin e XX popullsia e Rekës së Epërme u pakësua
shumë.
Përderisa
në fillim të shek. XX, sipas Kënçovit, Reka e Epërme kishte një popullsi prej
gjithsej 6.959 banorë, në fund të këtij shekulli popullsia e saj, sipas
regjistrimit zyrtar të vitit 1994, numëronte gjithsej 774 banorë. Kështu, sipas
regjistrimit zyrtar të popullsisë, më 31 janar 1921, në Rekën e Epërme jetonin
gjithsej 2.181 banorë, shumica e të cilëve i takonin konfesionit ortodoks, apo
1271 banorë, kurse 907 banorë të tjerë i takonin konfesionit mysliman. Sa i
përkiste përkatësisë kombëtare/etnike, përkatësisht asaj gjuhësore (sepse nuk
ekzistonte grafë e veçantë për deklarimin e përkatësisë etnike por vetëm të
asaj gjuhësore) nga numri i përgjithshëm i banorëve të kësaj zone, 2.102 prej
tyre deklaruan për gjuhë amtare të vet gjuhën shqipe kurse vetëm 78 të tjerë
gjuhën serbe. Ndërkaq, në vitin 1925, Reka e Epërme numëronte gjithsej 2569 banorë, do të thotë 476 banorë më shumë
se në vitin 1921. Kurse në vitin 1931, sipas Dushan Nedellkoviq, në Rekë të
Epërme jetonin gjithsej 545 familje, nga të cilat 266 ishin të konfesionit
ortodoks dhe 267 familje ishin të konfesionit mysliman, apo po ta shumëzojmë
numrin 545 me mesatare 5 anëtarë për çdo familje, siç veprohet zakonisht në
analizat demografike për kohën në fjalë, atëherë fitojmë numërimin e përgjithshëm
të popullsisë së kësaj zone prej rreth 2725 banorë, përafërsisht aq sa kishte
në vitin 1925. Por, atë që nuk e arriti pushtuesi deri në Luftën e Dytë
Botërore, e arriti pas sajë. Në këtë kuadër, veçanërisht, nga regjistrimi
zyrtarë i popullsisë, të vitit 1953, në këtë zonë na paraqitet një numër i
popullsisë nën etnonimin “maqedon”, të oktrouar nga Beogradi pas Luftës së Dytë
Botërore. Sipas rezultateve zyrtare nga ky regjistrim (i vitit 1953), për herë të parë në histori shqiptarët në
këtë zonë numerikisht u shpallën pakicë. Megjithatë, ndonëse numri i popullsisë
së kësaj zone ka shënuar rënie drastike permanente në gjysmën e dytë të shek.
XX, për më shumë shkaqe, dealbanizimi i plotë i saj nuk u arrit. Sipas
regjistrimit zyrtar të vitit 1994, kjo zonë kishte gjithsej 774 banorë dhe atë
462 shqiptarë dhe 312 “maqedonë”.