Editorial
Aurel Dasareti: Terrori fetar është më barbar
E hene, 26.10.2020, 09:24 PM
Terrori fetar është më barbar
Nga
Aurel Dasareti, USA, ekspert i
shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)
Feja, marrëdhënia e njerëzve me diçka
jashtë realitetit, të cilën ata e konsiderojnë të shenjtë. Askush nuk bën një vepër të keqe në një mënyrë aq
dashaligëse, të përkryer, patëmetë, me entuziazëm dhe me një buzëqeshje
fillzezë, si kur bëhet nga bindja fetare. Kur feja vret dhe shtyp, ajo nuk
duhet të lihet pa përgjigje. Duhet të kundërshtohet, bashkarish, që ligësia të
largohet përgjithmonë.
***
A mundet dikush të
fyejë Zotin?
Liria e shprehjes është një e drejtë
njerëzore dhe parakusht për demokracinë. Është gjithashtu parakushti për lirinë
fetare.
Zoti përcaktohet si i plotfuqishëm
dhe i gjithëdijshëm. A është atëherë e mundur ta "fyesh" Atë? A nuk
është blasfemia një kontradiktë në terma? Blasfemia më e madhe është ndoshta
kthimi i një Zoti të gjithëfuqishëm dhe të gjithëdijshëm në një zot "të
ofenduar", i cili ka nevojë për ndihmë njerëzore që t`i hakmerret dikujt.
Kjo është e ngjashme me atë sikur një elefant i madh të ketë nevojë për ndihmën
e një krimbi të cofët për të kaluar një lumë të cekët.
Në
botën islamike, blasfemia mund të ketë dënimin me vdekje. Por a nuk duhet që
një Zot i plotfuqishëm dhe i gjithëdijshëm të jetë në gjendje të dozojë më mirë
vetë dënimin, nëse ndihet i ofenduar, pa ndihmën e
priftërinjve-hoxhallarëve dhe klauzolat
e ligjit penal? A nuk kundërshton kjo besimin fetar se në “jetën tjetër” do të
japim llogari për pisllëqet tona, secili veçmas? Atëherë të gjallët dhe të
vdekurit duhet të marrin gjykimin e tyre. A nuk mund të kishin durim
priftërinjtë dhe hoxhallarët deri atëherë? Atëherë ata që kanë kryer blasfemi
do të marrin atë që meritojnë: Tortura në ferr - përgjithmonë për ta, dhe më
shumë se 72 virgjëresha të lira për besimtarët. Është një kohë mjaft e gjatë në
ferr, për të thënë butësisht. Disa shkrimtarë mediokër shqiptarë kanë
mbështetur pikëpamje të çuditshme mbi lirinë e shprehjes: “Mos ofendoni
askënd, respektoni të gjithë njëlloj pa marrë parasysh kush është ai dhe si
sillet, mos provokoni”. Përkundër faktit se provokimi nuk ka asnjë lidhje
me lirinë e fjalës. Kjo është tradhti intelektuale ndaj atyre që me kalimin e
epokave kanë sakrifikuar jetën e tyre për lirinë e fjalës (shprehjes). Gjurmët
e gjakut dëshmojnë se sundimtarët fetarë dhe laikë janë ndjerë të provokuar.
Një
"liri e shprehjes" (brenda kornizave civilizuese) që nuk fyen,
lëndon ose provokon nuk është liri e shprehjes. Propozimet e “intelektualëve” (njërës
që nuk kanë asnjë dituri në psikologjinë e sjelljes) për pengimin e lirisë
së shprehjes, thënë më mirë, cezura e vetë-imponuar, u konvenon ekstremistëve
fetarë dhe diktaturave (qofshin ato edhe komuniste), pikërisht ky është lloji i
censurës që ata duan. Ekstremistët islamik e terroristët, dëshirojnë censurim
që ia imponojnë vetvetes “idiotët e dobishëm” të cilët “logjikojnë” me
ndjenja të pakuptimta e jo me arsye, prandaj edhe përpiqen ta arrijnë qëllimin
me frikësim. Frika është një
ndjenjë negative e fortë dhe e pakëndshme që një person përjeton kur sheh ose
pret rrezik, qoftë i vërtetë apo joreal.
Për frikën që
rëndojnë më shumë njeriun modern: Një nga
më të mëdhatë është frika nga terrorizmi islamik, i cili shtyp tmerrësisht
njeriun e sotëm. Menjëherë pas terrorizmit islamik qëndron frika nga armët
atomike, dhe ky është ndoshta kërcënimi më i madh për civilizimin.
***
Liria e shprehjes
është shtylla demokratike e shoqërisë perëndimore. Vlen për të gjithë.
Ekstremistët luftohen më mirë në mes
të ditës. Jo të mbyllim sytë dhe zëmë veshët për të mos parë dhe dëgjuar
ligësitë e tyre. Liria e shprehjes është një arsye pse shumë myslimanë
ikën këtu në Perëndim nga shtypja në atdheun e tyre. Shikoni shoqërinë tonë
(amerikane, australiane por edhe kanadeze, BE-së) dhe krahasoni. Liria e
shprehjes jep liri të plotë fetare në Perëndim. Myslimanët e ardhur nga Azia
dhe Afrika kanë të drejtat e njëjta si të krishterët vendas. Ata marrin
mbështetje financiare nga shteti në të njëjtën bazë me krishterimin, pa asnjë
diskriminim.
Sa
vende myslimane mund të tregojnë një respekt të tillë? Kurani mund të blihet
ose porositet në çdo librari Perëndimore. Është në dispozicion në bibliotekat
tona. Në sa vende myslimane mund të thuhet e njëjta gjë për Biblën? Në Arabinë
Saudite, Biblat konfiskohen në kufi. E përjetoni këtë këtu? Kushdo që beson se
ka gjetur të Vërtetën e vetme është shumë i rrezikshëm. Prandaj, priftërinjtë
dhe hoxhallarët janë të rrezikshëm kur janë fundamentalistë.
Fundamentalistët nuk dyshojnë, ata nuk janë relativistë, dhe për këtë arsye
"dialogët" kanë një vlerë mjaft të kufizuar.
Besimi dhe dyshimi nuk përputhen, plotësojnë
njëri-tjetrin. Po qe se nuk dyshon as nuk mund të besosh siç duhet.
Emigrantëve
të fesë myslimane, dua t'u them: A doni një liri të tillë të fjalës në Perëndim
si në vendin dhe kontinentin nga ku ikët apo doni pushtet fetar? A e duan gratë
myslimane në Perëndim pamjen e grave (mbulesat e detyruara) që
mbizotëron në vendet e tyre? Nëse po, pse keni ardhur këtu atëherë?! Pse nuk
shkoni në shtëpi?
***
Shpërdorimi i besimit: Në publikun tonë
ekziston një rreth jo aq i vogël intelektualësh, profesorë, shkrimtarë,
gazetarë, eseistë, sociologë të fesë që janë shumë të zellshëm në
mbrojtjen e parimit të ndarjes së kishës nga shteti. Ata janë si në një roje të
vdekur dhe nuk dështojnë të deklarohen në shenjën më të vogël të ndërhyrjes (negative)
të komuniteteve fetare dhe fesë në jetën politike.
Për
besimtarët normal, që nuk keqinterpretojnë apo shpërdorin fenë, Zoti është një.
Baza e vlerave dhe etikës sonë është të ndërtojmë të ardhmen së bashku. Duhet
të theksojmë qartazi se ekstremizmi dhe terrorizmi janë rreziqe që duhen
luftuar ashpër, dhe se thelbi i tyre është në një individ apo një grup, si dhe
trajtim i përciptë (anashkalim) në besim, dhe shumë shpesh në një mjedis të
padrejtësisë dhe mosrespektimit të dinjitetit njerëzor. Pasuesit e Islamit,
Krishterimit dhe Judaizmit duhet të jenë në të njëjtën krah.
***
Sulmi
terrorist islamik në 11 Shtator 2001 ishte sulmi më i gjerë terrorist në tokën
Amerikane, në të cilin u vranë pothuajse 3,000 njerëz (civil). Ky sulm terrorist ka një ndikim të
madh në mënyrën se si Perëndimi, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, shikojnë dhe
sillen ndaj këtij lloj terrorizmi.
Shërbimi i inteligjencës Perëndimore
beson se "Al-Qaida ka kushte të mira rritjeje globalisht dhe tani ka
një anëtarësim më të madh se kurrë më parë". Kjo është situata pas
gati dy dekadash luftë kundër rrjetit terrorist. Si përfunduam këtu? Si lindi
al-Qaida në të vërtetë? Dhe çfarë është al-Qaida sot? Al-Qaida është një rrjet
ndërkombëtar terrorist, themeluar nga Osama bin Laden në Peshawar në 1988.
***
Hoxhallarët
ekstremistë shqipfolës, ata që me vite, të papenguar nga qeveritë e korruptuara
mafioze-kriminale antikombëtare, pa ferra në këmbë apo prapanicë, i kanë hy
këtij biznesi të lezetshëm për ta por vdekjeprurës për kombin dhe vendin, sepse
rekrutuan ISIS dhe propagandojnë fenë sipas ligjit të shkretëtirës e jo sipas
kodit tonë gjenetik, duhet menjëherë ta ndryshojnë kursin, me vullnetin apo pa
vullnetin e tyre. Mos u mërzitni për çështjen e turqve, arabëve, pakistanezëve,
somalezëve. Janë ato vende të mëdha me popullsi të panumërt, ne jemi vetëm një
komb dhe vend i vogël autokton i kontinentit evropian, por mjerisht i copëtuar
dhe përpara greminës. Mos
harroni, ishin bombardimet e NATO-s së krishterë ndaj Serbisë gjithashtu të
“krishterë” (zgjatën nga 24 marsi deri më 1 qershor 1999) që i dhanë fund masakrave dhe
vuajtjes së shqiptarëve mysliman të Kosovës. Mos provokoni...
***
Gjyshi im beson se nuk ka asgjë të
keqe në fe, është shpërdorimi i feve që
është negativi. Dhe, se fesë, duhet t`i japim vetë një interpretim të veçantë
për ne si komb dhe kohën tonë, kulturën, gjuhën, traditat tona. Porse atëherë
mund të bëhet e rëndësishme për ne.
Cili është shpërdorimi me një
fe? Kjo është një çështje e përcaktimit, dhe përgjigja varet nga këndvështrimi
i të anketuarit. Në vende, popuj, fe dhe kontinente të ndryshme - përgjigje të
ndryshme.
Nëse më pyetni mua për këtë, unë
vetëm mund të them se fetë bazohen në dogma, pretendime të pandryshueshme që
dikush ka shpikur dhe të cilave masat (popullsia) duhet t'u nënshtrohen. Dogmat
shpesh janë të bashkuara në një grup dogmash, një sistem gjithëpërfshirës, një "fe".
Këtu nuk duhet menduar, këtu duhet respektuar. Bërja e pyetjeve themelore ka
një aluzion (fshehtësi) të blasfemisë në të.
Po të kishin mendime të tilla fetare
vetëm për gjëra thjesht teorike (për shembull, sa engjëj mund të ulen në majë
të një gjilpëre qepëse) nuk do të ishte aq e rrezikshme. Por fetë shpesh
diktojnë në detaje se si njerëzit duhet të jetojnë, si të bashkëveprojnë me
qeniet e tyre njerëzore, si të lidhen me komunitetin në të cilin jeni pjesë. Në
këtë kontekst, bindja nuk është një virtyt, përkundrazi: bindja pa fuqinë
korrigjuese të mendimit kritik është shumë e rrezikshme dhe mund të çojë në
fanatizëm të verbër, në terror.
Në Shqipëri (ndryshe nga Kosova,
FYROM-i dhe Kosova Lindore) feja është zhvendosur në periferi (shpresoj
unë). Për fat të mirë! Aty ku nuk ka fe, nuk ka as pretendime për
“abuzim" të fesë.
***
“Jam i bindur që të krishterët dhe myslimanët mund të
punojnë së bashku në bazë të kontributeve shoqërore të bëra nga të dy fetë”,- tha Papa (në vitin 2009)
pasi ai u kishte kërkuar konfesioneve fetare të punojnë së bashku, për të mbajtur
të ndarë politikën dhe fenë.
Duhet
pa mëdyshje të dënohet çdo formë e shtypjes së femrave, që shtypësit e
“arsyetojnë” në botëkuptimin e tyre të fesë.
Ekstremizmi
është kuptimi ekstrem i realitet apo veprimi ekstrem, ku dhuna
(terrori) konsiderohet si një mjet i pranueshëm për të detyruar përmes
ndryshimeve dramatike shoqërore, dhe të arrijnë qëllimet politike, fetare ose
ideologjike.
«Besoj se feja bazohet kryesisht në frikë”- Bertrand Russell