Mendime
Jusuf Buxhovi: Çështjet historiografike nuk zgjidhen me fushata dhe sondazhe televizive!
E merkure, 07.10.2020, 08:09 PM
ÇËSHTJET HISTORIOGRFAIKE NUK ZGJIDHEN ME FUSHATA DHE SONDAZHE TELEVIZIVE!
Nga
Jusuf Buxhovi, historian
Debatet
e ditëve të fundit rreth “Projektit të historisë së përbashkët” të publikuara
nga CDRSEE e Selanikut, me mbështetje financiare edhe nga BE-ja,e ku janë të
përfshirë autorë nga Kosova dhe Shqipëria, nxorën në pah atë që tashmë dihet,
se çështjet e ndjeshme siç janë ato të historiografisë, veçmas rivlerësimit dhe
rishkrimit të saj për të cilën ka aq shumë nevojë, nuk zgjidhen me fushata
denigruese e as me sondazhe televizive. Si të tilla, ato i takojnë shkencës,
shkencëtarëve dhe institucioneve shkencore.
Por,
pse ato dolën në pah në këtë formë dhe me këtë frymë, gishtin duhet drejtuar pikërisht te institucionet shkencore
dhe akademike, të cilat edhe më tutje ruajnë logjikën e koncepteve ideologjike
të shkrimit kolektiv të historisë, me të cilat jemi mësuar në të kaluarën dhe
dihet se kujt i kanë shërbyer, siç ruajnë edhe druajtjen nga rivlerësimet e
shtyllave kryesore të historiografisë sonë
(antikitetit, mesjetës dhe kohës së re), ku me qëllim apo pa qëllim,
sidomos te mesjeta, ruhen kornizat e historiografisë serbe të shekullit të
kaluar dhe konceptet e saj hegjemoniste mbi të ashtuquajturin shtet mesjetar
serb, kishë autoqefale serbe në Kosovë, që kanë prodhuar edhe pasoja të rënda
politike, ku edhe deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, atë e nxjerr
“shtet me histori të mohuar”!
Nëse
këtij pozicionimi antishkencor i shtohen interesat e klaneve politike që të
ndikohen institucionet shkencore-akademike me dërgimin e militantëve në to për
rikthimin e historiografisë në apologji dhe çështje të tjera të ngjashme,
atëherë është fare e pritshme, që mungesa e qasjes shkencore për projekte
fundamentale të rishqyrtimeve të çështjeve historiografike, të zëvendësohet me pranimin e diktateve politike
nga jashtë, siç janë ato evropiane dhe disave nga Turiqa, të cilat, në emër të
“pajtimit të popujve dhe të bashkëjetesës”, përpiqen që të imponojnë projekte
“alternative” historiografike, siç ishte ai i CDRSEE-së në Selanik, ku qasja
politike zëvendëson atë shkencore.
Por,
meqë jemi aty ku jemi, që të dilet nga gjendja në të cilën ndodhemi, është e
domosdoshme që institucionet tona shkencore, që nga ASHAK, Instituti i
Historisë, Katedra e Historisë pranë Universitetit “Hasan Prishtina” duhet të
formojnë një trupë shkencore, e cila do të ofrojë një pamje tjetër, jo atë
malinjitetin sllav, i cili ka gjetur përkrahje të heshtur nga bartësi i këtij
projekti, të ofrojnë argumente dhe dokumente, të cilat janë më shumicë, të
cilat do ta japin një pamje reale të politikave gjenocidale serbomëdha. E pakta
që mund të behët nga këto institucione është që të dalin me kërkesën për
tërheqjen e këtij botimi nga qarkullimi sepse, lëre më që nuk ka ndonjë vlerë
shkencore, por përkrah stereotipet e historiografisë serbe në veprimin politik
dhe në shkencë. Bartësit të projektit t’i bëhet me dije se këtë metodologji të
punës kuazishkencore e kemi të njohur shumë dekada më parë përmes “bërthamave
të përbashkëta” të njohura si mekanizëm diskriminues për shqiptarët. Po qe se
nuk hasin në mirëkuptim atëherë të ndërpresin çdo bashkëpunim më këtë qendër, e
cila mbase ka pasur qëllime të mira, por që duke u bërë skllave e stereotipeve
historiografike sllave vetëm sa e ka
rritë konfuzitetin.
Është
e kuptueshme, se ky veprim ka për parakusht edhe distancimin publik të atyreve
që kanë marrë pjesë në këtë projekt.