Mendime
Gjekë Gjonaj: Familja e hershme dhe e sotme trieshjane
E marte, 06.10.2020, 07:49 PM
Familja e hershme dhe e sotme trieshjane
Nga
Gjekë Gjonaj
Familja
trieshjane historikisht, dikur ishte
tradicionale , patriarkale dhe
mbështetej në një bashkim të njerëzve që jetojnë në një kulm, e
formuar në bazë të bashkimit martesor.
Karakteristikë e familjes trieshjane është se ajo gjithmonë ka jetuar me mendimin e zgjerimit të familjes dhe
rritjes së familjes. Martesa bëhej për
të lindur sa më shumë fëmijë e
për t’i shtuar shtëpisë një njeri në punë. Çifti i ri lumturohej me lindjen e fëmjëve. Në të kaluarën, familjet patriarkale kërkonim
me domosdo djem, për pasurim të
familjes, për mbarësi e përparim. Prindërit u gëzoheshin djemve,
ndërsa vajzave shumë pak. Në
kujtesën historike të trieshjanëve të vjetër
ka mbetur mendimi se ata shikonin të zgjidhnin për martesë djem e vajza të familjeve me
shumë meshkuj, duke menduar se nusja e
djalit do të lind djem. Gruaja që lindte djem
ishte më e privilegjuar në familje. Një nga karakteristikat e familjes
trieshjane tradicionale është se ka qenë
e bashkuar, dhe secila prej tyre pothuaj
ka pasur kontakt të mirë me anëtarët e tjerë.
Me
rëndësi është të thuhet se kjo familje
ka pasur të zotin dhe zonjën e shtëpisë. Ata
kanë qenë përgjegjësit të cilët
kanë caktuar rregullat se kujt çka i takon.
I Zoti i shtëpisë ishte njeriu më me autoritet i familjes, më punëtori
dhe shtrihej mbi çdo aspekt të jetës.
Ai vetë punonte shumë për t’i
bërë edhe të tjerët të punojnë. Detyra e
tij ishte t’i mbrojë sa më mirë interesat e përgjithshme të familjes. I mësonte dhe i këshillonte gjindtë ( njerëzit) e shtëpisë se si duhet të sillen dhe të veprojnë. Në
shtëpi ai përpiqej që të jetë i paanshëm, dhe i drejtë. Të mos tregojë zemërim
ndaj asnjërit dhe t’i caktojë secilit, qoftë edhe burrë e grua, një detyrë çdo ditë. Pa lejen e
zotit të shtëpisë asnjëri prej
anëtarëve të familjes nuk guxonte të largohej nga puna, nuk mund të shkonte në punë diku tjetër apo
të kërkonte ndihmë mjekësore. Pa pëlqimin, respektivisht dëshirën e
zotit të shtëpisë asnjë djalë ose vajzë
nuk mund të fejohej e të martohej me dëshirën e tyre, të shkojë në
shkollë e të kryejnë detyra të tjera,
përveç se ato që ai ua kishte ngarkuar
jo vetëm atyre , por edhe burrave e grave të tjera të familjes. Përveç këtyre i zoti i shtëpisë ishte personi i vetëm që kishte kontrollin e plotë mbi takulinën ( qesen) e familjes. Çdo para ( të
holla për shpenzime) e fituar me djersë
ose dhuratë e familjes duhej dhënë
zotit të shtëpisë, i cili shpenzonte për të mirën e familjes sipas një
rregulli të caktuar. Për blerjen dhe
shitjen e pasurisë dhe prodhimeve që i
zotëronte bashkërisht gjithë familja ai
mund të këshillohej me burrat e tyre, por jo me gratë. Meqë mbante qesen e familjes( financat), i zoti i
shtëpisë, në përgjithësi shkonte vetë në treg ( pazar), ku i shiste
prodhimet e veta dhe me të ardhurat blinte sende që ai i vlerësonte të
nevojshme për familje, veshmbathje, kafe, sheqer, e cigare për të ruajtur
dinjitetin ( nderin) e familjes në sy të
miqve. Në rast se i zoti i shtëpisë
bëhej i paaftë fizikisht, sa nuk mund të merrte rrugën e gjatë dhe të
vështirë nëpër male për të shkuar në
pazar, caktonte një nga anëtarët tjerë
të familjes. I zoti i i shtëpisë sipas
traditës brenda në shtëpi rrinte në
vendin e nderit në të djathtë të oxhakut. Kur hynte në dhomë i zoti i shtëpisë, të gjithë ngriheshin
në këmbë dhe qëndronin ashtu deri sa të ulej,
Në rast se ai mbante armën,
dikush prej familjarëve i merrte pushkën
apo armët e brezit dhe i varte te
dera ose në mur. Në prani të tij të
rinjtë nuk mund të pinin as raki , as duhan.
Në rast se ai kishte dëshirë për
bisedë ( muhabet) të tjerët e ndiqnin, ndërsa kur ai preferonte të
heshtte, të tjerët nuk flisnin. Fëmijëve në praninë e tij u lejohej të
qëndrojnë në dhomë, por jo të flasin me zë. Kur shtrohej dreka apo darka ,
asnjë anëtarë tjetër familjes nuk duhej
të fuste lugën në çini- sahan ( pjatë)
) para tij, ndërsa kur dilte nga dhoma
ai kryesonte.
Rol
të rëndësishëm në familjet e hershme ( tradicionale) trieshjane e organizuar përmes së drejtës
zakonore, e cila e ka cunguar sidomos femrën dhe ia ka humbur imazhin, luante edhe e zonja e shtëpisë, e cila caktohej ( emërohej) nga i
zoti i shtëpisë. Ky i fundit nëpërmjet
saj ( zojës së shtëpisë) sundonte gratë
e familjes. Edhe ajo sikur i zoti i
shtëpisë duhej të punonte me drejtësi,
me mend, me urtësi dhe me paanësi. Ajo
u jepte detyra, urdhëronte dhe mbikëqyrte punën që bënin gratë brenda shtëpisë, oborrit dhe kopshtit. Pozita e femrës ( gruas) në shoqërisë
tradicionale trieshjane jo vetëm që
ishte e rëndë e shkaktuar nga prapambeturia e patriarkalizmi, por edhe nga
ndikimi i normave zakonore, të mbështetura te Kanuni i Lekë Dukagjinit. Të drejtën kryesore ky kanun ia jep
mashkullit, i cili përveç privilegjeve të ndryshme që gëzonte, kishte edhe të
drejtën e sundimit të femrës.
Autoriteti
i zotit dhe zonjës së shtëpisë ishte i
padiskutueshëm në familjet
tradicionale trieshjane. Ata vëmendje të
posaçme i jepnin edukimit të
fëmijëve. Brenda familjes
tradicionale kryhej edhe funksioni edukativo-arsimor, krijohej
personaliteti i fëmijës, mësohej edukata morale dhe edukata seksuale, krijohej ndjenja e respektit, mikpritjes,
ndjenja e vlerës, e mbrojtjes dhe e ndjeshmërisë. Kështu, brenda kësaj familje
e cila dikur ishte e shenjtë, fëmijët
përgatiteshin për jetë, për profesionin
e tyre, mësonin për mënyrën e arritjes
së qëllimeve në jetë, për mënyrën e menaxhimit të ekonomisë shtëpiake, për
përkrahjen e shëndetit fizik dhe mental të anëtarëve të familjes, për arritjen
e standardit jetësor etj. qëndrueshme. Si
element i rëndësishëm që ia vlen të përmendet është se familja
trieshjane ka qenë gjithmonë bujare dhe
kjo mund të vërehet të shembulli për pritjen e mysafireve ku gjithmonë kanë
qenë të mirëpritur mysafiret në çdo familje në Triesh dhe janë ende po ashtu.
Goditja
e parë që mori famlja trieshjane ishte emigrimi masiv. Trieshjanët të mësuar me qindra vjet me një
jetë të bazuar mbi norma kanunore, emigrimi masiv i viteve 1970 të shekullit të
kaluar, ishte hapi i parë drejt thyerjes së
këtyre rregullave familjare
që kishin trashëguar ndër breza. Natyrisht që ky fenomen i ri ( emigracioni) që hyri në jetën e trieshjanëve pati pasojat e veta. Largimi i familjeve të tëra bashkë me fëmijët e tyre të drejt emigrimit në SHBA dhe vende
tjera në Evropë, u krijoj atyre kushtet
për të bërë një jetë të pavarur. Kjo krijoj edhe përplasjen e parë midis
brezave, e cila jo vetëm se nuk është
tejkaluar ende , por duket se është thelluar edhe më shumë. Hyrja dhe depërtimi i një
mentaliteti te ri në shoqërinë trieshjane
e ka tundur, lëkundur dhe
rrotulluar fort familjen trieshjane.
Ndryshimet dhe zhvillimet sociale që po ndodhin
anembanë botës, me ardhjen e demokracisë, pa dyshim se kanë prekur edhe
strukturën e familjes tradicionale
shqiptare. Ajo sikurse edhe familja
shqiptare dhe familja në Perëndim po
kalon një periudhë tranzicioni dhe një krizë institucionale, e cila do të duhej
të tërhiqte vëmendjen e sociologëve dhe antropologëve. Kjo krizë e ka
ndryshuar fytyrën e familjes trieshjane në veçanti dhe familjen shqiptare në
përgjithësi. Tashmë është e kaluar
familja e madhe me tridhjetë e më shumë frymë, me gjysh, me gjyshe, kushërinj, e kushërira.
Në kohën e sotme familjet trieshjane
përbëhen vetëm nga prindërit dhe fëmijët. Modeli i ri i familjes trieshjane
( shqiptare) ka bërë që autoriteti i
prindërit është i diskutueshëm, e roli (
ndikimi) i femrës më i madh. Thënë
shkurt e troç tashmë familja e sotme ( moderne) trieshjane, sikurse edhe
familja shqiptare, ka humbur dy gjëra ( elemente) madhore të cilat tek shqiptarët njihen si të “
shenjta” e ato janë: solidariteti social dhe struktura e familjes së qëndrueshme.
Magjia e familjes tradicionale
trieshjane ka pësuar dhe vazhdon të pësojë ndryshme.