Mendime
Florim Zeqa: Ta marrim të mirën, ta hudhim të keqen!
E merkure, 02.09.2020, 07:25 PM
Ta marrim të mirën, ta hudhim të keqen!
Shkruan:
Florim Zeqa
"Kemi
përjetuar tortura të rënda në stacionin policor në Klinë (23 shkurt 1993), na
kanë goditur me tyta pushkësh dhe mjete tjera të forta në të gjitha pjesët e
trupit, por të gjitha i kemi përjetuar më lehtë sesa sharjet dhe fyerjet në
baza kombëtare, dhe prapë duronim në pamundësi për të bërë gjë. Në atë moment
jam betuar, se edhe nëse më ndodhë ndonjëherë në jetë që të më shajë ose
ofendojë ndonjë shqiptar, nuk do të më shkojë mendja për t’a bërë edhe më të
voglin reagim, por vetëm do t'i them, të qoftë për nder". (Halil Zeqa)
E
fillova shkrimin me mesazhin e prindit tim të ndjerë, për të treguar
rezistencën e qendrestarëve të viteve të '90-ta ndaj dhunës fizike dhe
psikologjike të pushtuesve serb si dhe tolerancën brenda qenjes tonë kombëtare.
Gjuha e ashpër dhe
ofenduese, shkaktar i përçarjes
Kontaminimi
i skenës politike dhe debatet stereotipe të politikanëve në studiot televizive
janë transferuar në debate të ashpra mes qytetarëve të zakonshëm, përkatësisht
mes simpatizantëve të partive politike apo grupacioneve të caktuara brenda të
njëjtit soj politik.
Inatet
personale dhe urrejtja mes liderëve partiak ka filluar të merrë permasat e një
përçarje të thellë kolektive shkaku i shprehjes së bindjeve politike në mënyrë
primitive, e cila po kulmon me konflikte verbale dhe fizike mes qytetarëve të
ndershëm të këtij vendi.
Sikur
bindjet politike të shpreheshin në mënyre civilizuese nga liderët partiak, nuk
do të vinte deri tek kjo, mirëpo, për fatin e keq të qytetarëve, kur inatet
personale të liderëve partiak e shtetërorë manifestohen në mënyrën më vullgare
dhe me një fjalorë rrugaçërie, reflektojnë negativitet dhe përçarje të gjërë
kolektive.
Gjuha
e ashpër dhe fyese mes liderëve partiak, po përçohet negativisht tek
elektoratet partiake, duke i kthyer inatet personale në një urrejtje kolektive
mes kundërshtarësh politik, vetëm pse tjetri mendon ndryshe apo i takon një
partie apo grupacioni tjetër politik.
Fyrjet
e rënda mes liderëve partiak, me ose pa fakte, me ose pa arsye kanë ndikuar në
polarizimin e skajshëm të shoqërisë sonë, të cilat jo rrallë
kulmojnë
me eskalim të situatave, me manifestim të dhunës fizike ndaj njëri-tjetrit.
Manifestimi
i gjuhës fyese dhe ofenduese mes grupeve të interesit, mund edhe të arsyetohet
shkaku i lidhjeve që kanë me partitë e kriminalizuara dhe kusarët politikë, siq
ishte rasti i dy të rinjëve kosovarë, kur njëri i thotë tjetrit; "Mos ma
shaj liderin tim, unë i kam të lidhura ngusht interesat personale me
"X" liderin"!
Por,
në asnjë rethanë nuk mund të arsyetohet gjuha e ashpër, fyese dhe denigruese
mes mërgimtarëve, të cilët nuk kanë asgjë të përbaashkët me këto parti të
kriminalizuara dhe me këta liderë të korruptuar partiak.
Politikanët pa etikë,
rrënuan bërthamën e shtetit-familjen
Politizimi
i shoqërisë i ardhur si produkt i polarizimeve partiake, ku si pasojë e kemi
ndarjen dhe përçarjen e tmerrshme të popullatës në baza partiake dhe klanore
brenda partiake, ku secili e lufton secilin jo me idetë e veta, por sipas ideve
dhe sugjerimeve të liderit partiak.
Shkaktar
të këtij politizimi dhe përqarje të popullatës shqiptare nuk është Serbia, por
janë akterët kryesor të skenës politike kosovare, të cilët kanë arritur ta
shkatërrojnë bërthamën e shtetit-familjen.
Si
pasojë e kësaj, sot në brendinë e së njëjtës familje janë futur të gjitha
partitë politike, duke i ndarë anëtarët e së njëjtës familje në disa parti
politike.
Kësaj
ndarje nuk i thuhet vlerë demokratike, por përçarje dhe katandisje deri në
shkatërrim të familjes dhe raporteve ndërvëllazërore.
Pra,
bandat partiake kanë arritur aq thellë, saqë popullatës shqiptare, përveq
ndarjeve vëllazërore, i shkaktuan edhe ndarje familjare, duke ia humbur kështu
kuptimin edhe vetë jetës në Kosovë.
Kësisoji,
politikanët pa etikë, pa integritet moral dhe njerëzor, e kanë rrënuar në
themel shtetin, gjegjësisht bërthamën e
shtetit-familjen.
Ta respektojmë mendimin
ndryshe si vlerë të demokracisë
Për
ta shpëtuar shtetin nga katandisja e mëtutjeshme dhe evitimin e luftës
vëllavrasëse kërkohet një vetëdijësim i lartë qytetarë. Për t'u distancuar nga
gjuha e urrjetjes e liderëve partiak kërkohet tolerancë dhe dashuri
vëllazërore.
Për
ta arritur këtë më lehtë e më shpejtë kërkohet ndihma e intelektualëve të
pavarur nga politika, për shkak se jo të gjithë qytetarët e përceptojnë
realitetin në mënyrë të njejtë, varësisht prej pozicionit dhe kapaciteteve intelektuale.
Duhet
bërë çmos që arsyeja e shëndoshë ta mund urrejtjen e shkaktuar nga liderët
partiak. Mendimin e kundërt të tjetrit mos ta kuptojmë ndryshe por vetëm si
vlerë të demokracisë.
Secili
ka të drejtë të thotë atë që e mendon pa e cenuar mendimin e tjetrit, duke i
ruajtur gjithnjë raportet shoqërore, ndërfqinjësore dhe ndërvëllazërore.
Partitë shkojnë e vijnë e ne duhet të mbetemi aty ku ishim para se t'na vinin
këto parti të mallkuara dhe këta liderë partiak që ndanë e përçanë popullin.
Duhet
të bëhemi shoqëri e civilizuar dhe bërthamë e shëndoshë kombëtare, me dashuri
dhe respekt të ndërsjellë, duke kultivuar traditat e bukura kulturore dhe
zakonore të kombit tonë.
Të padurueshëm me njëri-tjetrin,
tolerant me armikun
Në
përfundim të këtij shkrimi, po ua sjelli një ngjarje të vërtetë që ka ndodhur
në njërin nga burgjet famëkeqe të ish Jugosllavisë titiste.
Një
djal i ri nga Kosova i dënuar me 20 vjet burg të rëndë për vrasje të kushëririt
të vetë për vetëm për një fjalë ofenduese; "I ndjeri kusheriri im në odë
të miqëve, para burrave, më rëndoi më fjalë, më fyeu, prandaj unë e vrava se
nuk mund ta duroj dot zhburrnimin që ma bëri para burrave".
Mirëpo,
vetëm pas disa ditësh të qëndrimit në burg, derisa të burgosurit ishin të
rreshtuar në oborrin e burgut, ku ishin afro 2000 të burgosur, djali i ri, ende
pa përvojë, bisedoi me njërin në rresht, dhe kjo paraqiste "shkelje e
rëndë" e rendit të shtëpisë (burgut). Në atë çast, gardiani që
"mbante rendin e qetësinë" e pau dhe si i tërbuar e thirri djalin e
ri nga Kosova. Ai doli para rreshti, vrapoi dhe si qiri u palua para gardianit.
Gardiani i tërbuar, nuk priti as të vendosej djaloshi para tij, filloi ta shaj
me fjalët më të rënda, më të vrazhda e më ç'njerëzore duke i sharë edhe nënën
shqiptare.
Njëri
nga të burgosurit e vjetër i drejtohet trimit; "hakmarrës"; "ku
je ore trim? Çka je palu si nuse? Kusheririn e vrave se të ka fyer e të ka
rënduar me një fjalë në odë të miqve, para ndoshta 20 burrave, kurse këtij qeni
tash i rri si qiri, kur ky nuk të la gjë pa të sharë në tokë e në qiellë, para
hiq më pak se 2000 vetave! Pse ore trim nuk ja jepë së paku një shuplakë
gardianit? Në këtë moment djaloshi nga Kosova me sy të përlotur e kishte
kuptuar gabimin e rëndë që kishte bërë me vrasjen e kusheririt për një fjalë!
Pas
këtij rrëfimi trishtues, secili prej nesh duhet t'i parashtroj pyetjen vetes;
Pse ne shqiptarët jemi kaq "trima" kundër njëri-tjetrit!? Pse jemi
kaq gjaknxehtë me njëri-tjetrin!? Pse nuk i durojmë njëri-tjetrit edhe fyerjen
më të vogël!? Pse e ofendojmë dhe kërcënojmë kaq lehtësisht njëri-tjetrin!? Pse
e vrasim njëri-tjetrin pa i menduar fare pasojat tragjike!?
Ndërkaq,
kur është në pyetje armiku, bëhemi "më të arsyeshëm", "më të
kuptueshëm", "më tolerant", "më të durueshëm" dhe
"më zemërgjërë"!!!
Nëse
e marrim të mirën (tolerancën ndaj njëri-tjetrit) dhe e hudhim të keqën
(urrejtjen vëllazërore), shumë shpejtë do të unifikohemi për largimin e kusarëve dhe matrapazëve politik që përçanë
popullatën, shkatërruan në themel bërthamën e shtetit (familjen) dhe rrënuan
traditat tona shekullore.
Urrejtjen
ta mundim me dashuri, përçarjen me tolerancë, hakmarrjen me falje!