E enjte, 01.10.2020, 09:48 AM (GMT+1)

Personalitete

Bedri Tahiri: Jetullah Rifat Gashi - Komandant Drenica

E diele, 16.08.2020, 07:20 PM


Përvjetor

JETULLAH  RIFAT GASHI- KOMANDANT “DRENICA”

Origjinaliteti nuk përbëhet nga ajo që të thuash diçka që nuk  e ka thënë askush, por që të thuash saktësisht atë që mendon. (Xhems Stefan)

Nga Bedri TAHIRI

Gjatë luftës sonë të fundit çlirimtare, që e zhvilluan trimat e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pati ngjarje dhe data, të cilat janë ngulitur thellë në kujtesën tonë historike. Një e tillë, e skalitur me shkronja gjaku, mbetën edhe betejat e panumërta në Rrasë të Kosharës, ku u shqua për heroizëm e strategji trimi drenicas Jetullah Rifat Gashi (1974-2007), i njohur me nofkën Komandant DRENICA, gjegjësisht Komandant JETA!

Jetullah Gashi u  lind në Kryshefc të Skënderjat më 10 janar 1974. Ishte sugari i bashkëshortëve, Rifatit (veterinar i njohur në komunën e Skënderajt) e Zojës (bijë e Ramajve të Klinës së Ultë), të cilët rritën dhe edukuan mirë e mbarë fëmijët: Musën, Zelën, Sherën,

Isanë, Arifen, Sefën dhe Jetullahun.

Pra, sugari tyre, Jetullahu ishte më i veçanti e më dalluari. Mbase edhe pse e donin më së shumti, ngase trashëgonte një emër të nderuar familjar, emrin e gjyshit, i cili kishte bërë emër në Drenicë e më gjerë. Jetullah Gashi i vjetër kishte qenë njeri me autoritet, që shquhej për bujari, burrëri, pasuri e mbi të gjitha për mençuri. Shtatë fëmijët: Zejnullahun (u vra në Srem), Habibin, Rifatin, Enverin, Hamiden, Havën dhe Hatën), i rriti dhe i edukoi mirë e mbarë. Kulla e tij qe shndërruar në odë kuvendesh. Aty, para se dilte hapur kundër sllavokomunistëve serbë, kishte qenë edhe vetë Shaban Polluzha dhe sikur e kishte marrë edhe bekimin e të zotit të saj për formimin e Brigadës së Drenicës...

“Ditën e dytë të Bajramit (nuk i kujtohet data), disa burra u gjenden në kullën e Jetullahut. Pos tjerash aty u hap biseda edhe për formimin e Brigadës së Drenicës. Aty pat qëlluar edhe hoxha, Mulla Brahimi, i cili ta  se 8 burrat e caktuar te Kryshefcit, të nesërmen, në orën 14 duhet të dalin të “Lisat e Polacit”, se aty vjen  Shaban Polluzha për t’ju thënë diçka rreth formimit të Brigadës...Kështu, vetëm nga Kryshefci kësaj Brigade iu bashkëngjitën jo më pak se 54 veta...”.

Prandaj, jo rastësisht, ky burrë me nam, qe në shënjestër të barbarisë serbe dhe bashkë me mulla Brahim e Polacit, Osman Kryshefcin etj., u goditën të parët nga pushteti antipopullor, duke u burgosur  e konfiskuar gjithë pasuria.

Trung i lashtë atdhetar

Djaloshi kureshtar me emrin Jetullah, mësimet e para, me sukses të shkëlqyeshëm,  i mori në Polac, ndërkaq ato të mesmet, në drejtimin e teknologjisë, në Skënderaj. Ishte i urtë, i sjellshëm, kureshtar e lexues i pasionuar i veprave me peshë kombëtare, sidomos ato të ndaluara. Mirëpo, para tyre, kishte marrë një edukatë të shëndoshë familjare, duke u brumosur me atdhedashuri e ndjenjën e zjarrtë të patriotizmit. Nga derë e tyre kishin dalë edhe pishtarët e parë të dijës e shkencës: mësimdhënësit Ali Gashi, Habib Gashi, pastaj dr. Ramadan Gashi etj.

Në formimin e këtij personaliteti ndikim të veçantë kishin pasur edhe dajallarët e tij atdhetarë nga Klina e Ultë. Veprimtaria e suksesshme e Rrahim e Sadik Ramës në ilegalitet, qe e bujshme. Rrahimi, i angazhuar në organizatat e ndryshme çlirimtare, pastaj në Partinë e Luftës, la gjurmë të pashlyera tek nipat sypatrembur Isa e Jetullah Gashi, të cilët edhe e ndoqën me veprime konkrete atë rrugë...

Mirëpo, gjendja dhe rrethanat politike veçse po keqësoheshin në Kosovë. Çdo ditë dhunë e reprezalje. Çdo ditë edhe aksione e kundërshtime. Rinia shqiptare ishte vënë në lëvizje, me parulla, me pamflete e me demonstrata. E në ballë të tyre, përherë edhe Jetullahu sypatrembur.

Mirëpo, hienat tinëzare po i ndiqnin me qiri e me pishë veprimtarët e çështjes kombëtare. Dhe, një ditë prilli 1991, edhe Jetullahu u detyrua t’i lëshoi trojet stërgjyshore. Vajti në Gjermani, në rrethinën e Hamburgut. Por, as atje, shpirti i tij luftarak nuk gjente qetësi. Fill u angazhua në grupet, që natë e ditë mendjen e kishin në Kosovë. Qysh gjatë viteve 1993-94 arriti të grumbullonte para për vajzën e vetme të kryetrimit Azem Galica, për Azeminën, e cila atëbotë jetonte te dajallarët e tij, në Klinë të Skënderajt.

Edhe më vonë ai u bë shtylla kryesore në organizimet e mërgatës, sidomos në Vendlindja thërret. Ishte edhe sportist i dalluar dhe kishte trup atleti. Mirëpo, lufta në Kosovë po merrte përmasa tragjike dhe zemra e djaloshit nuk kënaqej me ndihmën materiale që po bënte. Kur u dha kushtrimi nga SHP, ai i la të gjitha mënjanë dhe me një grup shokësh të idealit u nis drejt zjarrit të luftës për liri a vdekje!

Nënë, nuk dua të të shohë të mërrolur. Ti vetë duhet të më thuash shko në Kosovë. Jo nuk jam mërrolur, veç edhe këtu po kontribuon mjaft. Jo, jo, pa shkue atje në vijat e frontit zemra ime nuk shëndoshet!- i kishte thënë së ëmës, Zojë Gashit, para se të nisej për në Kosovë.

Rrahim Rama, daja i tij, një veprimtar i shuqar i atdhetarizmit, duke folur për Jetullahun, pos tjerash thotë: “Jeta posa erdhi në perëndim u kyq në lëvizjet atdhetare që vepronin në mërgatë, konkretisht në rrithin ku ai u vendos. Mirëpo, e veçanta e tij ishte se ai më shumë i donte veprimet konkrete, ishte njeri i aksioneve dhe, si mahitar që ishte, me atë buzëqeshjene tij karakteristike thoshte: Ka përfunduar koha e llafeve, ne duhet t’i kapim armët!

Isa Gashi, i vëllai i dëshmorit, shprehet: “Ishte djali më i vogël i familjes me u nis për në rrugën e fronteve, por vendimi i tij ishte i prerë. Kur i përcollëm, dolëm gra, burra e fëmijë dhe të gjitha ata të rinj ndjeheshin krenarë që po e merrnin atë rrugë të nderit. Më të mërzitur e me emocione ndjeheshin ne që i përcillnim”.

Nga mërgimi në zjarrin e luftës çlirimtare

Ky grup vullnetarësh, posa zbret në tokën shqiptare, regjistrohen në qendrën e mobilizimit, në hotel DRENICA të Durrësit, pronë e vëllezërve Kapiti dhe nisen për në kufi.

Para ngrehinës “Drenica” tashmë ishin krijuar radhë pritësish, por mbahej rend, pikërisht sipas normave që quheshin disipilnë ushtarake. Identifikimi, prezantimi dhe regjistrimi nuk vononte, meqë formularët qenë përgatitur me kohë.

-Jam Jetullah Gashi nga Krysheci i Skënderajt. Vij nga Gjermania, ku jam me punë të përkohshme...

-Të faleminderit, po ti nuk  und të rekrutohesh. Ti je me letra të rregulluara pune dhe ke paguar të gjitha detyrimet e kontributet e nevojshme,- i tha zyrtari.

Jetës padashur i shkuan sytë tek emblema e tjetrit “UÇK” në krahun e majtë të xhaketës pastaj foli mundimshëm, por vendosmërisht.

-Dëgjo,- i tha atij, detyrimet dhe kontributet  e mia materiale nuk ndërpriten as këtej e tutje. Atje janë vëëlezërit e mi që punojnë. Këtu jam unë. Është hsija ime dhe nuk ka bir nëne që më ndalon.

Zyrtari i rekrutimet e mobilizimit nuk ia mori për keq. E pa se fytyra e përskuqur e Jetës rrezatonte vendosmëri. Reagime të tilla ai kishte provuar shpesh kohëve të fundit.

-Dakord!,- i tha shkurt, v[re këtu nënshkrimin!”.

Pak ditë ushtrohen në Kalimash, kalojnë nëpër Babinë dhe fill për në Padesh. Gjatë stërvitjeve ushtarake ishte përzgjedhur si grupi më i përgatitur për fronte, andaj, me bekimin e ushtarakut shqiptar, Azem Parllaku, e në përcjellje të Avni Imerit nga Vushtrria shkojnë deri në pikën strategjike, prej së cilës varej fati i gjithë Koshares, pra në Rrasë të Koshares.

Duke folur për Jetullah Gashin, ushtaraku Parllaku thotë: “Jo rastësisht dhe pa qëllim ai dëshmoi tek eprorët dhe bashkëluftëtarët e tij, karakteristikat e lartpërmendura dhe pikërisht për këtë iu ngarkua atij detyra e rëndësishme e Komandantit të Kompanisë, me bindjen që “Komandant Drenica” e meritoi dhe kreu me nder këtë detyrë, duke nderuar jo vetëm vëllezërit dhe familjen e Tij, por dhe të gjithë neve që e njohëm dhe bashkëpunuam me të, pikërisht për këtë Jetullah Gashit i jemi mirënjohës. Kur Jetulla Gashi u nis për në front mbaj mend se u betua që, do të ishte shpirti dhe shembulli frymëzues për vartësit e tij, ndërkohë që unë dhe bashkëpunëtorët e mi e kishim krijuar këtë bindje. Kur Gjenerali i Luftës Kudusi Lama, ose “Babushi” siç e thërrisnin ndryshe bashkëluftëtarët e Jetullah Gashit erdhi një ditë të inspektonte kampin tonë të stërvitjes, teksa po përshëndetej me të gjithë ndër të tjera u tha luftëtarëve “Populli i Kosovës, u ka besuar Ju si dritës së diellit, e si ajrit pa të cilët nuk mund të ketë jetë”.

Komandant i drejtpërdrejtë i tyre në vijën e zjarrit ishte vetë Jetullah Gashi, tashmë i njohur si Komandant DRENICA, gjegjësisht Komandant JETA! Ai me të drejtë, nga bashkëluftëtarët dhe nga eprorët, është konsideruar Jeta e Koshares! Ashtu, edhe ishte, sepse që nga vendosja e tyre në atë pikë të vdekjes, më 14 prill 1999 e deri më 20 qershor 1999, për asnjë minutë nuk ka munguar nga arenat luftuese.

Mund të më vrisni a me u kthye jo!

Ky nëntitull është thënë nga vetë Jeta në restorant DRENICA të Durrësi, gjatë regjistrimit dhe mobilizimit, kur i kërkuan të kthehej sërish në mërgatë (e tregoi Selaman Kajtazi)

Strategjinë  luftarake dhe trimërinë e pashoqe të Komandant DRNICËS më së mirë e shpërfaqin ata që ishin me të:

Selman Kajtazi nga Smrekonica e Vushtrrisë, i njohur me nofkën Komandant LIKA, i cili, bashkë me të vëllain, Sakipin u kthyen nga Gjermania, pos tjerash thotë: "Sot, edhe 20 vjet mbrapa, nuk është e vështirë ta kujtojmë luftën që e kemi bërë me komandant Jetën. Komandant Jeta ka qenë një strateg, një luftëtar i cili nuk diti kurrë të ndahet prej shokëve, ishte gjithmonë në vijën e parë të frontit i cili luftonte krahas me neve sikur me ushtarë, sikur me komandantë gjithë kohën ka qenë me neve...Aty, jo që u luftua çdo ditë, por nga dy-tri herë brenda ditës, kështu që betejat janë të panumërta. Mjafton të përkujtohet ajo e datës 11 maj 1999, kur në pozicionet tona depërtoi edhe një tank M-84. Ne me Jetën ishin në pikë, e në anën tjetër ata të Abaz Thaçit, të cilit vajta për t’i ndihmuar. Sakaq më thërret Daja (Xhevdet Ahmeti) që kishte parë  këmbësorinë serbe që po na afroheshin. U ktheva me vrap dhe filluam luftën, e cila zgjati mbi një orë e gjysmë. Aty ishte edhe komandant Fadil Hadërgjonaj. Kërkuam ndihmë nga DELTA dhe i zmbrapsëm serbët. Tanku shkoi në anën tjetër dhe kaloi mbi bunkerin e Abaz Thaçit. Andej vrapoi si era trimi Jetullah Gashi, duke qëlluar tankun, por kot. Na kanë ndihmuar shumë edhe Naim Loshi me Shkëlzen Shehun, duke sulmuar pandërprerë me minahedhës...Jetullahu ishte komandant që thoshte ejani pas meje dhe vetë futej i pari në front.

Bashkëluftëtari tjetër, Xhevdet Ahmeti-DAJA (nga Rosinovci), për trimin e paepur

Komandant JETËN shton: “S’ka fjalë që mund ta përshkruaj heroizmin e Jetës! Me të kemi qenë të pandashëm që nga kthimi prej Gjermanisë. Ama qëndrimi për javë të tëra në Rrasë të Koshares na bëri më shumë së vëllezër. Aty, edhe të ftohtit e patëm armik të përbetuar! Por, komandanti ynë, DRENICA, e mbajti gjallë frymën e luftës. Kemi pasur aksione të përditshme. Unë po e përkujtoj ditën e 27 prillit 1999, kur i sulmuam bunkerët e ushtrisë serbe. U ndamë në dy  grupe: Jeta, Jashar Dobra, Selman Kajtazi dhe unë, Xhevdeti, në njërën anë, e në anën tjetër Milazim Mavraj- ÇEÇENI. Gjatë një orë e gjysmë luftimesh, u vranë shumë serbë dhe u siguruan shumë armë. Mjerisht, atë ditë ra dëshmor edhe Milazim Mavraj-ÇEÇENI...”.

Ndërkaq, Uran Demiri nga Gjilani, është më i kursyer në fjalë: “Tipari kryesor që e dallon një komandant të zoti është strategjia. Këtë e kishte Komandant DRENICA! Unë isha më i riu dhe kujdesin që e ka treguar Jeta për mua është e madhërishme. Si Komandant i Kompanisë sonë, ai, disa herë më ka mbuluar me trupin e tij kur na granatonin...”.

Shpëtim Agushi, i pandashmi i tij deri në plagosje, shprehet: "Zinxhiri komandues i Rrustem Berishës, Fadil Hadërgjonajt, tek komandant Drenica (Jetullah Gashi), ka qenë aq i mirë edhe kemi pasur sukses në beteja. Jetullah Gashin deri jam plagosur unë asnjë moment nuk jemi ndarë, kemi qenë gjithë bashkë dhe për atë arsye kemi pas suksese në beteja kundër armikut. Aq kemi qenë afër me pozicionet serbe që edhe jemi sha me ta, le që kemi bë luftë po edhe jemi sha, kemi qenë shumë afër. Fati ka qenë plagosja më ka nda nga Jetullah Gashi".

Për strategun dhe luftëtarin dragua të Rrasës së Padeshit, Komanadant DRENICA, fjalë miradie kanë edhe eprorët e asaj Zone luftarake.

Fadil Hadërgjonaj: “Rrasa e Koshares ishte jetike për të dyja palët ndërluftuese, pasi që ai që kontrollonte Rrasën kontrollonte tërë frontin e Koshares. Dhe, kur arrita aty, pyeta: Kush komandon këtë njësi? Komandant Drenica dhe komandant Lika,- më thanë. I takova dhe nga pamja e tyre pashë burra të vendosur, fisnik, të përkushtuar dhe fizikisht shumë të zotë. Nga kjo ditë në Rrasë të Koshares u luftua për jetë a vdekje. Çdo ditë luftime, çdo ditë humbje nga të dyja palët, plagosje të luftëtarëve, por trimat e Jetës nuk u lëkundën. Ai që qëndron 1 minutë më gjatë e fiton betejën. Lufta vazhdojë deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës. Misioni i Agimit, Salihut, Abazit, e të gjithë 113 dëshmorëve e mbi 300 të plagosurve në këtë betejë u përmbush. Pra, Jeta me bashkëluftëtarët e vet i dha shpresë e jetë Kosovës, i dha lirinë".

Duke folur për këto luftime, gjeneral Kadusi Lama, pos tjerash, thotë:“Në luftimet e Koshares deri në përfundim të luftës, u angazhuan rreth 1700 luftëtarë, ndërsa në Pashtrik mbi 2200 forca ushtarake të UÇK-së...Sa i përketë operacionit “Shigjeta”, potenciali i armatimit dhe i municioneve, që u përdorën, ia dhanë atij vlerat e një operacioni të mirëfilltë klasik luftarak. U përdorën 100 granatahedhës kundërtank, dhjetëra topa kundërtank 75 mm, dhjetëra mortaja 60 mm, 82 mm dhe 160 mm, si dhe topa deri 122 mm.

Rrustem Berisha, komandant brigade: “Ai që vërejta te Jetullahu ishte morali i tij i fortë dhe besimi në fitore. Në fakt atë e kam takuar vetëm dy herë, por vlerat e tij heroike e luftarake i kam mësuar nga hiriarkia ushtarake, përmes raportimeve që më vinin nga terreni.”

Ndërkaq, kolonel Kemail Shaqiri, pjesëmarrës i kësaj beteje dhe jëri nga udhëheqësit e saj, në kujtimet e tij shton:

Beteja e Koshares është produkt i përgatitjeve 7 mujore nga të gjitha aspektet,- nis rrëfimin Kemail Shaqiri, për të vazhduar me zbërthimin e shumë dilemave që kohëve të fundit u krijuan rreth saj. Pas ofensivës së gushtit 1998, në Junik dhe rrethinë, u krijuan situata të reja në vijat e frontit. Erdhi deri të një tërheqje të forcave të UÇK-së, matanë kufirit dhe gati të gjithë këta oficerë u gjenden në Shqipëri. Andaj, stafi komandues i operacionit ishte mjaft i përgatitur dhe profesionist: Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Anton Quni,  Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Hisen Berisha, Xhafer Gashi, Adem Dahri, Skënder Ahmetgjekaj, Fadil Hadërxhonaj, Afrim Beka dhe të gjithë akterët tjerë radhazi...

Pas një marrëveshjeje në mes stafit, kjo njësi u emërua  GOP-3  (Grupi Operativ numër 3) që simbolizonte shumësinë e njësive edhe si një pasardhëse e tri brigadave që ishin nga fillimi, në qershor 1998, kur kishin kaluar në Kosovë. Njësia kishte në krye tre komandantë: Tahir Zemajn, Kemail Shaqirin dhe Rrustem Berishën..”..

Duke folur për operacionin më të suksesshëm të kësaj lufte, ai shton: “Operacioni “Shigjeta” dhe njësitet e saja nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm, janë dëshmia më e fuqishme për çlirimin e vendit në kuadër të UÇK-së. Vetë operacioni ka qenë i përgatitur në mënyrë profesionale dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm, ku kanë qenë të përfshirë mijëra ushtarë të UÇK-së, nga te gjitha trojet shqiptare. E terë vija e frontit në këtë operacion ka qenë rreth 80 km, respektivisht nga Rrasa e Koshares e deri në Juglindje të zonës kufitare, me pikën kufitare Vërmicë. Trajnimet e ushtarëve janë zhvilluar për më shumë se tre muaj rresht nga shumë oficerë e ushtarakë te karrierës te të dy vendeve dhe, më një eksperiencë shumëvjeçare ushtarake. Operacioni “Shigjeta” ishte gjithëpërfshirës dhe heterogjen, më një organizim dhe strukturë të mirëfilltë ushtarake karshi kushteve dhe rrethanave vepruese”.

Dhe, djaloshi, i përgatitur mirë, shpirtërisht e fizikisht, me trupin prej atleti, ia ngjeshi armët krahut dhe para se të hynte në front qe betuar: “DERI NE SAKRIFICËN Ë  SUBLIME DO TË DIJMË TË BËJMË DETYRËN E LUFTËTARIT, DO TË NDEROJMË FLAMURIN, GJUHËN E GJAKUN TONË, DO TË NGRISIM VLERAT TONA LUFTARAKE TË FRYMËZUAR NGA AKTI I KOMANDANTIT LEGJENDAR ADEM JASHARI”!

Se Komandant DRENICA nuk kishte luftuar për grada e ofiqe, tregon fakti se ai, pasi u çmall me LIRINË e fituar me gjak e shumë sakrifica, iu rikthye punës së tij në Gjermani, ku më 16 gusht 2007, mortja tinëzare e mori dhe e shpiu në amshueshmëri!

Rivarrimi, nderimi dhe dekorimi

Në 20-vjetorin e Betejës së Koshares, trupi i Jetullah Gashit nga Varrezat e Dëshmorëve në Polac, rivarroset aty ku i flinte shpirti dhe ku e kishte fituar përjetësinë, tek bashkëluftëtarët e tij, në Kompleksin Memorial në Koshare!

Këtij akti të gjithë, bashkëluftëtarët dhe familjarët, iu gëzuan. I vëllai, Musa, shprehet: Jam i lumtur që vëllai im u kthye tek shokët e vet!

Ndërkaq, Arian Gashi shton: Komandant Jeta ishte vetë jeta e Koshares!

Në vitin 2019, konkretisht më 16 gusht 2019, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me vendimin nr. 138/2019 e dekoroi me titullin “Hero i Kosovës”, me motivacion: PËR TRIMËRI DHE SAKRIFICË PËR LIRINË E KOSOVËS.

Lavdi për jetë e mot Jetullah Gashit, komandantit të Kompanis I, të Bataliot II të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në Rrasë të Koshares, i njohur më shumë si Komandant DRENICA, gjegjësisht Komandant JETA!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora