| E diele, 16.08.2020, 07:20 PM |
Përvjetor
JETULLAH RIFAT GASHI- KOMANDANT “DRENICA”
Origjinaliteti
nuk përbëhet nga ajo që të thuash diçka që nuk
e ka thënë askush, por që të thuash saktësisht atë që mendon.
(Xhems Stefan)
Nga
Bedri TAHIRI
Gjatë luftës sonë të fundit çlirimtare, që e zhvilluan
trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
pati ngjarje dhe data, të cilat janë ngulitur thellë në kujtesën tonë
historike. Një e tillë, e skalitur me shkronja gjaku, mbetën edhe betejat e
panumërta në Rrasë të Kosharës, ku u shqua për heroizëm e strategji trimi
drenicas Jetullah Rifat Gashi (1974-2007), i njohur me nofkën Komandant
DRENICA, gjegjësisht Komandant JETA!
Jetullah Gashi u lind në Kryshefc të Skënderjat më 10 janar
1974. Ishte sugari i bashkëshortëve, Rifatit (veterinar i njohur në komunën e
Skënderajt) e Zojës (bijë e Ramajve të Klinës së Ultë), të cilët rritën dhe
edukuan mirë e mbarë fëmijët: Musën, Zelën, Sherën,
Isanë, Arifen, Sefën dhe Jetullahun.
Pra, sugari tyre, Jetullahu ishte më
i veçanti e më dalluari. Mbase edhe pse e donin më së shumti, ngase trashëgonte
një emër të nderuar familjar, emrin e gjyshit, i cili kishte bërë emër në
Drenicë e më gjerë. Jetullah Gashi i vjetër kishte qenë njeri me autoritet, që
shquhej për bujari, burrëri, pasuri e mbi të gjitha për mençuri. Shtatë
fëmijët: Zejnullahun (u vra në Srem), Habibin, Rifatin, Enverin, Hamiden, Havën
dhe Hatën), i rriti dhe i edukoi mirë e mbarë. Kulla e tij qe shndërruar në odë
kuvendesh. Aty, para se dilte hapur kundër sllavokomunistëve serbë, kishte qenë
edhe vetë Shaban Polluzha dhe sikur e kishte marrë edhe bekimin e të zotit të
saj për formimin e Brigadës së Drenicës...
“Ditën e dytë të
Bajramit (nuk i kujtohet data), disa burra u gjenden në kullën e Jetullahut.
Pos tjerash aty u hap biseda edhe për formimin e Brigadës së Drenicës. Aty pat
qëlluar edhe hoxha, Mulla Brahimi, i cili ta
se 8 burrat e caktuar te Kryshefcit, të nesërmen, në orën 14 duhet të
dalin të “Lisat e Polacit”, se aty vjen
Shaban Polluzha për t’ju thënë diçka rreth formimit të
Brigadës...Kështu, vetëm nga Kryshefci kësaj Brigade iu bashkëngjitën jo më pak
se 54 veta...”.
Prandaj, jo rastësisht, ky burrë me
nam, qe në shënjestër të barbarisë serbe dhe bashkë me mulla Brahim e Polacit,
Osman Kryshefcin etj., u goditën të parët nga pushteti antipopullor, duke u
burgosur e konfiskuar gjithë pasuria.
Trung i lashtë
atdhetar
Djaloshi kureshtar me emrin Jetullah,
mësimet e para, me sukses të shkëlqyeshëm,
i mori në Polac, ndërkaq ato të mesmet, në drejtimin e teknologjisë, në
Skënderaj. Ishte i urtë, i sjellshëm, kureshtar e lexues i pasionuar i veprave
me peshë kombëtare, sidomos ato të ndaluara. Mirëpo, para tyre, kishte marrë
një edukatë të shëndoshë familjare, duke u brumosur me atdhedashuri e ndjenjën
e zjarrtë të patriotizmit. Nga derë e tyre kishin dalë edhe pishtarët e parë të
dijës e shkencës: mësimdhënësit Ali Gashi, Habib Gashi, pastaj dr. Ramadan
Gashi etj.
Në formimin e këtij personaliteti
ndikim të veçantë kishin pasur edhe dajallarët e tij atdhetarë nga Klina e
Ultë. Veprimtaria e suksesshme e Rrahim e Sadik Ramës në ilegalitet, qe e
bujshme. Rrahimi, i angazhuar në organizatat e ndryshme çlirimtare, pastaj në
Partinë e Luftës, la gjurmë të pashlyera tek nipat sypatrembur Isa e Jetullah
Gashi, të cilët edhe e ndoqën me veprime konkrete atë rrugë...
Mirëpo, gjendja dhe rrethanat
politike veçse po keqësoheshin në Kosovë. Çdo ditë dhunë e reprezalje. Çdo ditë
edhe aksione e kundërshtime. Rinia shqiptare ishte vënë në lëvizje, me parulla,
me pamflete e me demonstrata. E në ballë të tyre, përherë edhe Jetullahu
sypatrembur.
Mirëpo, hienat tinëzare po i ndiqnin
me qiri e me pishë veprimtarët e çështjes kombëtare. Dhe, një ditë prilli 1991,
edhe Jetullahu u detyrua t’i lëshoi trojet stërgjyshore. Vajti në Gjermani, në
rrethinën e Hamburgut. Por, as atje, shpirti i tij luftarak nuk gjente qetësi.
Fill u angazhua në grupet, që natë e ditë mendjen e kishin në Kosovë. Qysh
gjatë viteve 1993-94 arriti të grumbullonte para për vajzën e vetme të
kryetrimit Azem Galica, për Azeminën, e cila atëbotë jetonte te dajallarët e
tij, në Klinë të Skënderajt.
Edhe më vonë ai u bë shtylla kryesore
në organizimet e mërgatës, sidomos në Vendlindja thërret. Ishte
edhe sportist i dalluar dhe kishte trup atleti. Mirëpo, lufta në Kosovë po
merrte përmasa tragjike dhe zemra e djaloshit nuk kënaqej me ndihmën materiale
që po bënte. Kur u dha kushtrimi nga SHP, ai i la të gjitha mënjanë dhe me një
grup shokësh të idealit u nis drejt zjarrit të luftës për liri a vdekje!
“Nënë, nuk dua të të shohë të
mërrolur. Ti vetë duhet të më thuash shko në Kosovë. Jo nuk jam mërrolur, veç
edhe këtu po kontribuon mjaft. Jo, jo, pa shkue atje në vijat e frontit zemra
ime nuk shëndoshet!- i kishte thënë së ëmës, Zojë Gashit, para se të
nisej për në Kosovë.
Rrahim Rama, daja i tij, një veprimtar i shuqar i atdhetarizmit,
duke folur për Jetullahun, pos tjerash thotë: “Jeta posa erdhi në perëndim u
kyq në lëvizjet atdhetare që vepronin në mërgatë, konkretisht në rrithin ku ai
u vendos. Mirëpo, e veçanta e tij ishte se ai më shumë i donte veprimet
konkrete, ishte njeri i aksioneve dhe, si mahitar që ishte, me atë buzëqeshjene
tij karakteristike thoshte: Ka përfunduar koha e llafeve, ne duhet t’i kapim
armët!
Isa Gashi, i vëllai i dëshmorit, shprehet: “Ishte djali më i
vogël i familjes me u nis për në rrugën e fronteve, por vendimi i tij ishte i
prerë. Kur i përcollëm, dolëm gra, burra e fëmijë dhe të gjitha ata të rinj
ndjeheshin krenarë që po e merrnin atë rrugë të nderit. Më të mërzitur e me
emocione ndjeheshin ne që i përcillnim”.
Nga mërgimi në
zjarrin e luftës çlirimtare
Ky grup vullnetarësh, posa zbret në
tokën shqiptare, regjistrohen në qendrën e mobilizimit, në hotel DRENICA
të Durrësit, pronë e vëllezërve Kapiti dhe nisen për në kufi.
“Para ngrehinës “Drenica” tashmë
ishin krijuar radhë pritësish, por mbahej rend, pikërisht sipas normave që
quheshin disipilnë ushtarake. Identifikimi, prezantimi dhe regjistrimi nuk
vononte, meqë formularët qenë përgatitur me kohë.
-Jam Jetullah Gashi
nga Krysheci i Skënderajt. Vij nga Gjermania, ku jam me punë të përkohshme...
-Të faleminderit, po
ti nuk und të rekrutohesh. Ti je me
letra të rregulluara pune dhe ke paguar të gjitha detyrimet e kontributet e
nevojshme,- i tha zyrtari.
Jetës padashur i
shkuan sytë tek emblema e tjetrit “UÇK” në krahun e majtë të xhaketës pastaj
foli mundimshëm, por vendosmërisht.
-Dëgjo,- i tha atij,
detyrimet dhe kontributet e mia
materiale nuk ndërpriten as këtej e tutje. Atje janë vëëlezërit e mi që
punojnë. Këtu jam unë. Është hsija ime dhe nuk ka bir nëne që më ndalon.
Zyrtari i rekrutimet
e mobilizimit nuk ia mori për keq. E pa se fytyra e përskuqur e Jetës
rrezatonte vendosmëri. Reagime të tilla ai kishte provuar shpesh kohëve të fundit.
-Dakord!,- i tha
shkurt, v[re këtu nënshkrimin!”.
Pak ditë ushtrohen në Kalimash,
kalojnë nëpër Babinë dhe fill për në Padesh. Gjatë stërvitjeve ushtarake ishte
përzgjedhur si grupi më i përgatitur për fronte, andaj, me bekimin e ushtarakut
shqiptar, Azem Parllaku, e në përcjellje të Avni Imerit nga Vushtrria shkojnë
deri në pikën strategjike, prej së cilës varej fati i gjithë Koshares, pra në
Rrasë të Koshares.
Duke folur për Jetullah Gashin,
ushtaraku Parllaku thotë: “Jo rastësisht dhe pa qëllim ai dëshmoi tek
eprorët dhe bashkëluftëtarët e tij, karakteristikat e lartpërmendura dhe
pikërisht për këtë iu ngarkua atij detyra e rëndësishme e Komandantit të
Kompanisë, me bindjen që “Komandant Drenica” e meritoi dhe kreu me nder këtë
detyrë, duke nderuar jo vetëm vëllezërit dhe familjen e Tij, por dhe të gjithë
neve që e njohëm dhe bashkëpunuam me të, pikërisht për këtë Jetullah Gashit i
jemi mirënjohës. Kur Jetulla Gashi u nis për në front mbaj mend se u betua që,
do të ishte shpirti dhe shembulli frymëzues për vartësit e tij, ndërkohë që unë
dhe bashkëpunëtorët e mi e kishim krijuar këtë bindje. Kur Gjenerali i Luftës Kudusi
Lama, ose “Babushi” siç e thërrisnin ndryshe bashkëluftëtarët e
Jetullah Gashit erdhi një ditë të inspektonte kampin tonë të stërvitjes, teksa
po përshëndetej me të gjithë ndër të tjera u tha luftëtarëve “Populli i
Kosovës, u ka besuar Ju si dritës së diellit, e si ajrit pa të cilët nuk mund
të ketë jetë”.
Komandant i drejtpërdrejtë i tyre në
vijën e zjarrit ishte vetë Jetullah Gashi, tashmë i njohur si Komandant
DRENICA, gjegjësisht Komandant JETA! Ai me të drejtë, nga bashkëluftëtarët dhe
nga eprorët, është konsideruar Jeta e Koshares! Ashtu, edhe ishte, sepse
që nga vendosja e tyre në atë pikë të vdekjes, më 14 prill 1999 e deri më 20
qershor 1999, për asnjë minutë nuk ka munguar nga arenat luftuese.
Mund të më vrisni a
me u kthye jo!
Ky nëntitull është thënë nga vetë
Jeta në restorant DRENICA të Durrësi, gjatë regjistrimit dhe mobilizimit, kur i
kërkuan të kthehej sërish në mërgatë (e tregoi Selaman Kajtazi)
Strategjinë luftarake dhe trimërinë e pashoqe të
Komandant DRNICËS më së mirë e shpërfaqin ata që ishin me të:
Selman Kajtazi nga Smrekonica e Vushtrrisë, i njohur me nofkën
Komandant LIKA, i cili, bashkë me të vëllain, Sakipin
u kthyen nga Gjermania, pos tjerash thotë: "Sot, edhe 20 vjet mbrapa, nuk është e vështirë
ta kujtojmë luftën që e kemi bërë me komandant Jetën. Komandant Jeta ka qenë
një strateg, një luftëtar i cili nuk diti kurrë të ndahet prej shokëve, ishte
gjithmonë në vijën e parë të frontit i cili luftonte krahas me neve sikur me
ushtarë, sikur me komandantë gjithë kohën ka qenë me neve...Aty, jo që u luftua
çdo ditë, por nga dy-tri herë brenda ditës, kështu që betejat janë të
panumërta. Mjafton të përkujtohet ajo e datës 11 maj 1999, kur në pozicionet
tona depërtoi edhe një tank M-84. Ne me Jetën ishin në pikë, e në anën tjetër
ata të Abaz Thaçit, të cilit vajta për t’i ndihmuar. Sakaq më thërret Daja
(Xhevdet Ahmeti) që kishte parë
këmbësorinë serbe që po na afroheshin. U ktheva me vrap dhe filluam
luftën, e cila zgjati mbi një orë e gjysmë. Aty ishte edhe komandant Fadil
Hadërgjonaj. Kërkuam ndihmë nga DELTA dhe i zmbrapsëm serbët. Tanku shkoi në
anën tjetër dhe kaloi mbi bunkerin e Abaz Thaçit. Andej vrapoi si era trimi
Jetullah Gashi, duke qëlluar tankun, por kot. Na kanë ndihmuar shumë edhe Naim
Loshi me Shkëlzen Shehun, duke sulmuar pandërprerë me minahedhës...Jetullahu ishte komandant që thoshte ejani pas meje dhe
vetë futej i pari në front.
Bashkëluftëtari tjetër, Xhevdet
Ahmeti-DAJA (nga Rosinovci), për trimin e paepur
Komandant JETËN shton: “S’ka fjalë
që mund ta përshkruaj heroizmin e Jetës! Me të kemi qenë të pandashëm që nga
kthimi prej Gjermanisë. Ama qëndrimi për javë të tëra në Rrasë të Koshares na
bëri më shumë së vëllezër. Aty, edhe të ftohtit e patëm armik të përbetuar!
Por, komandanti ynë, DRENICA, e mbajti gjallë frymën e luftës. Kemi pasur
aksione të përditshme. Unë po e përkujtoj ditën e 27 prillit 1999, kur i
sulmuam bunkerët e ushtrisë serbe. U ndamë në dy grupe: Jeta, Jashar Dobra, Selman Kajtazi dhe
unë, Xhevdeti, në njërën anë, e në anën tjetër Milazim Mavraj- ÇEÇENI. Gjatë
një orë e gjysmë luftimesh, u vranë shumë serbë dhe u siguruan shumë armë.
Mjerisht, atë ditë ra dëshmor edhe Milazim Mavraj-ÇEÇENI...”.
Ndërkaq, Uran Demiri
nga Gjilani, është më i kursyer në fjalë: “Tipari kryesor që e dallon një
komandant të zoti është strategjia. Këtë e kishte Komandant DRENICA! Unë isha
më i riu dhe kujdesin që e ka treguar Jeta për mua është e madhërishme. Si
Komandant i Kompanisë sonë, ai, disa herë më ka mbuluar me trupin e tij kur na
granatonin...”.
Shpëtim Agushi, i
pandashmi i tij deri në plagosje, shprehet: "Zinxhiri komandues i
Rrustem Berishës, Fadil Hadërgjonajt, tek komandant Drenica (Jetullah Gashi),
ka qenë aq i mirë edhe kemi pasur sukses në beteja. Jetullah Gashin deri jam
plagosur unë asnjë moment nuk jemi ndarë, kemi qenë gjithë bashkë dhe për atë
arsye kemi pas suksese në beteja kundër armikut. Aq kemi qenë afër me
pozicionet serbe që edhe jemi sha me ta, le që kemi bë luftë po edhe jemi sha,
kemi qenë shumë afër. Fati ka qenë plagosja më ka nda nga Jetullah Gashi".
Për strategun dhe luftëtarin dragua
të Rrasës së Padeshit, Komanadant DRENICA, fjalë miradie kanë edhe eprorët e
asaj Zone luftarake.
Fadil Hadërgjonaj: “Rrasa
e Koshares ishte jetike për të dyja palët ndërluftuese, pasi që ai që
kontrollonte Rrasën kontrollonte tërë frontin e Koshares. Dhe, kur arrita aty,
pyeta: Kush komandon këtë njësi? Komandant Drenica dhe komandant Lika,-
më thanë. I takova dhe nga pamja e tyre pashë burra të vendosur, fisnik, të
përkushtuar dhe fizikisht shumë të zotë. Nga kjo ditë në Rrasë të Koshares u
luftua për jetë a vdekje. Çdo ditë luftime, çdo ditë humbje nga të dyja palët,
plagosje të luftëtarëve, por trimat e Jetës nuk u lëkundën. Ai që qëndron 1
minutë më gjatë e fiton betejën. Lufta vazhdojë deri në çlirimin përfundimtar
të Kosovës. Misioni i Agimit, Salihut, Abazit, e të gjithë 113 dëshmorëve e mbi
300 të plagosurve në këtë betejë u përmbush. Pra, Jeta me bashkëluftëtarët e
vet i dha shpresë e jetë Kosovës,
i dha lirinë".
Duke folur për këto luftime, gjeneral
Kadusi Lama, pos tjerash, thotë:“Në luftimet e Koshares deri në përfundim të
luftës, u angazhuan rreth 1700 luftëtarë, ndërsa në Pashtrik mbi 2200 forca
ushtarake të UÇK-së...Sa i përketë operacionit “Shigjeta”, potenciali i
armatimit dhe i municioneve, që u përdorën, ia dhanë atij vlerat e një
operacioni të mirëfilltë klasik luftarak. U përdorën 100 granatahedhës
kundërtank, dhjetëra topa kundërtank 75 mm, dhjetëra mortaja 60 mm, 82 mm dhe
160 mm, si dhe topa deri 122 mm.
Rrustem Berisha, komandant brigade: “Ai që vërejta te Jetullahu ishte
morali i tij i fortë dhe besimi në fitore. Në fakt atë e kam takuar vetëm dy
herë, por vlerat e tij heroike e luftarake i kam mësuar nga hiriarkia
ushtarake, përmes raportimeve që më vinin nga terreni.”
Ndërkaq, kolonel Kemail Shaqiri,
pjesëmarrës i kësaj beteje dhe jëri nga udhëheqësit e saj, në kujtimet e tij
shton:
“Beteja e
Koshares është produkt i përgatitjeve 7 mujore nga të gjitha aspektet,- nis
rrëfimin Kemail Shaqiri, për të vazhduar me zbërthimin e shumë dilemave që
kohëve të fundit u krijuan rreth saj. Pas ofensivës së gushtit 1998, në Junik
dhe rrethinë, u krijuan situata të reja në vijat e frontit. Erdhi deri të një
tërheqje të forcave të UÇK-së, matanë kufirit dhe gati të gjithë këta oficerë u
gjenden në Shqipëri. Andaj, stafi komandues i operacionit ishte mjaft i
përgatitur dhe profesionist: Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Anton Quni, Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Hisen Berisha, Xhafer
Gashi, Adem Dahri, Skënder Ahmetgjekaj, Fadil Hadërxhonaj, Afrim Beka dhe të
gjithë akterët tjerë radhazi...
Pas një marrëveshjeje në mes stafit, kjo njësi u emërua GOP-3
(Grupi Operativ numër 3) që simbolizonte shumësinë e njësive edhe si një
pasardhëse e tri brigadave që ishin nga fillimi, në qershor 1998, kur kishin
kaluar në Kosovë. Njësia kishte në krye tre komandantë: Tahir Zemajn, Kemail
Shaqirin dhe Rrustem Berishën..”..
Duke folur për
operacionin më të suksesshëm të kësaj lufte, ai shton: “Operacioni “Shigjeta”
dhe njësitet e saja nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm, janë dëshmia më e
fuqishme për çlirimin e vendit në kuadër të UÇK-së. Vetë operacioni ka qenë i
përgatitur në mënyrë profesionale dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm, ku kanë
qenë të përfshirë mijëra ushtarë të UÇK-së, nga te gjitha trojet shqiptare. E
terë vija e frontit në këtë operacion ka qenë rreth 80 km, respektivisht nga Rrasa
e Koshares e deri në Juglindje të zonës kufitare, me pikën kufitare Vërmicë.
Trajnimet e ushtarëve janë zhvilluar për më shumë se tre muaj rresht nga shumë
oficerë e ushtarakë te karrierës te të dy vendeve dhe, më një eksperiencë
shumëvjeçare ushtarake. Operacioni “Shigjeta” ishte gjithëpërfshirës dhe
heterogjen, më një organizim dhe strukturë të mirëfilltë ushtarake karshi
kushteve dhe rrethanave vepruese”.
Dhe, djaloshi, i përgatitur mirë,
shpirtërisht e fizikisht, me trupin prej atleti, ia ngjeshi armët krahut dhe
para se të hynte në front qe betuar: “DERI
NE SAKRIFICËN Ë SUBLIME DO TË DIJMË TË
BËJMË DETYRËN E LUFTËTARIT, DO TË NDEROJMË FLAMURIN, GJUHËN E GJAKUN TONË, DO
TË NGRISIM VLERAT TONA LUFTARAKE TË FRYMËZUAR NGA AKTI I KOMANDANTIT LEGJENDAR
ADEM JASHARI”!
Se Komandant DRENICA nuk kishte
luftuar për grada e ofiqe, tregon fakti se ai, pasi u çmall me LIRINË e fituar
me gjak e shumë sakrifica, iu rikthye punës së tij në Gjermani, ku më 16 gusht
2007, mortja tinëzare e mori dhe e shpiu në amshueshmëri!
Rivarrimi, nderimi
dhe dekorimi
Në 20-vjetorin e Betejës së Koshares,
trupi i Jetullah Gashit nga Varrezat e Dëshmorëve në Polac, rivarroset aty ku i
flinte shpirti dhe ku e kishte fituar përjetësinë, tek bashkëluftëtarët e tij,
në Kompleksin Memorial në Koshare!
Këtij akti të gjithë,
bashkëluftëtarët dhe familjarët, iu gëzuan. I vëllai, Musa, shprehet: Jam i lumtur që vëllai im u kthye tek
shokët e vet!
Ndërkaq, Arian Gashi shton: Komandant
Jeta ishte vetë jeta e Koshares!
Në vitin 2019, konkretisht më 16
gusht 2019, Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me vendimin
nr. 138/2019 e dekoroi me titullin “Hero i Kosovës”, me motivacion: PËR
TRIMËRI DHE SAKRIFICË PËR LIRINË E KOSOVËS.
Lavdi për jetë e mot Jetullah Gashit,
komandantit të Kompanis I, të Bataliot II të Brigadës 138 “Agim Ramadani”,
në Rrasë të Koshares, i njohur më shumë si Komandant DRENICA,
gjegjësisht Komandant JETA!