E premte, 27.11.2020, 12:55 AM (GMT)

Reportazh

Blerim Rrecaj: Mbresa të bardha nga Shëngjini

E diele, 09.08.2020, 08:10 PM


Mbresa të bardha nga Shëngjini

Nga Blerim Rrecaj

Nisemi me autobusin e agjencisë turistike që mban emrin e një ngjyre që i përket detit e qiellit dhe jo vetëm. Drejt Shëngjinit për të parën herë. Çdo gjë ecën mirë. Në pikat e kota e të pakuptimta kufitare mes shqiptarëve, me plot vetura e autobusë as që na kontrollon kush. Dalngadalë e mbërrijmë. Gjejmë një strehëz. Dhe dita e parë, kohë për t'u çmall me plazh e det dhe me një perëndim të mrekullueshëm dielli me pak distancë, andej ku mbaron porti i kësaj qyteze bregdetare.

Në ditën vijuese, një ecje mëngjes-hershme vijës ku valët e detit puthen me rërën e plazhës, në drejtim të portit. Te dhiarja gurëhedhur seç takohemi me ca luleverdha, të bukura ku enden dhe ca bletë, te mbishkrimi ende në këmbë emri i këtij vendi, mes zemrës qëndisur me thupra është kacavarur dielli që sapo ka lindur. Dhe një foto e shkrepur të vetëdijëson se kemi të bëjmë me një copë zemrushe atdheu. Anës tjetër të vijës së plazhit udha është më e gjatë dhe pas një orë udhëtimi do kthehemi se kushedi sa mund të zgjasë e sa larg mund të na shpie...

Në mbrëmje, pas një shëtije në shëtitoren që mban emrin e kryetarit amerikan Wilson, hedhim sytë e këmbët te plazhi që e ka mbërthyer nata, për të parë këtë hënë shkëlqimhedhëse e cila pikturon një lum mbi det. Dhe kur kthehemi shëtitores pllakështruar pos bustit të amerikanit dashamirës, takohemi dhe me shtatoren e At Zef Pllumit...

Pas natës në strehëz, dita e mirë nis në mëngjes, me këta trumcakë që mbledhin thërime nëpër rërë, me ca pëllumba, me ca gaforre sa një pëllëmbë dore që kanë hedhur dallgët në breg. Te gurët pranë detit nën ujin e qetë bredhin ca peshq nëpër alga e barishte si formë kërpudhash. Notojnë, ushqehen, lodrojnë e maskohen...Ndërkohë njerëzit lahen e mrizojnë nën çadra, tregtarët-plazhistë ofrojnë gjëra të lloj-llojshme, më së shumti fruta pemësh: fiq, rrush, dardha, nektarina... Të popullarizuara mbeten petullat e çastit e misrat e pjekur.Enden grupe muzikantësh me def, harmonikë, klarinetë dhe melodinë e tyre tekstin paksa ua ndryshojmë: Hajde ta vallzojna vallen e distancës, deri ku po mbetet kufiri i shqiptarëve. Ndërsa ka dhe ndonjë pushues të rrallë që kalon me maskë. Kalojnë dhe dy të veshur njëri si Mickey Mouse e tjetri si Spider-Man me shoqëruesin e tyre fotograf që joshin fëmijët për një shkrepje si kujtim. Ka disa që lexojnë e njëri librabartës ndalet tek të interesuarit për këtë mall.

Shumë malle, mallëra e halle përzihen si peshqit në fëltere nëpër plazhin e madh.

Vendosim dhe pas propozimit që na vije nga një vendali, ndërrojmë vend, ndërrojmë plazh, duke u "hedhur" te Rana e Hedhun. Me atë që na dërgon bisedojmë rrugës jo më të gjatë se tri-katër kilometërshe. Lezha e Shëngjini janë vende stresi, thotë taksisti. Pse, mos jemi ndryshe ne them unë. Deri vonë ky vend ka qenë i lejuar vetëm për politikanët tregon lezhjani, ndërsa tash po e vizitojnë politikanët tuaj, vazhdon ai. Oh, ishalla s'i takojmë se përsëri do futemi në zonë stresi, vazhdojmë bisedën duke mos ditur se cilët nga politikanët tanë janë më zemërgur e më zemërvrugët. Sidoqoftë mbërrijnë te Rana e Hedhun, vend i cili të bë për vete, shenjat e emërtimit të këtij vendi janë të dukshme e të prekshme, edhe kur ngjitemi kodrinës ranore, edhe pse siç duket nuk dihet koha kur dallgët e kanë "kryer" këtë veprim. Sa bukur këtej det, këtej mal, ballpërballë këto dy mrekulli të Zotit. Ajo që habit jo pak janë dhe këto lule të bardha që qenkan rritur e paskan lulëzuar nëpër këtë plazh. Ca pika shiu veç ia shtojnë freskinë e bukurinë kësaj dite me valë-dallgë të bardha borë...

E dielli ngadalë ngadalë perëndon duke lënë shenja të këndshme, madhështore...

Nata në qiell ndriçohet nga shkrepëtima rrufeshë të purpurta pa zhurmë e për së kthjellti si thonë të moshuarit.

Mëngjesi tregon shenjat e tij me rërën e lagur si farë sherbeti kur u hidhet ëmbëlsirave. Bie shi, rigon, fryen erë, dhe dielli rrezon butësisht e fortësisht kur zbulohet nga retë...

Ecja e zakonshme deri në afërsi të afron te ata dy peshkatarë që të lënë që me peshqit e tyre të bësh ndonjë selfije si kujtim i këtyre çasteve me vranësi e shi...

Rrugës së kthimit kënaqësi me pa këto re të bardha, këto pulëbardha e dallëndyshe gushëbardha por edhe valë të bardha që po lundrojnë kaq bukurisht nëpër kaltërsi qielli e deti që të bëjnë të harrosh të gjitha qoftë edhe për ca minuta...

Kalon edhe një ditë, edhe një natë me erë e shi...

Lufta me vranësisë dhe kthjelltësisë përfundon me fitoren e kësaj të dytës dhe qielli kaltërohet ngazëllyeshëm, malet e pishat përreth shkëlqejnë gjelbërueshëm.

Dita e tjetër me larje në det, me ecje, me shijim të çasteve që na kanë mbetur nga ëmbëlsia shëngjinase ku mbushëm shportat nga të mirat e tij...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora