E premte, 26.04.2024, 08:33 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Blerim Rrecaj: Kalim i këndshëm kohe, jo fort larg shtëpisë

E enjte, 30.07.2020, 09:46 PM


Kalim i këndshëm kohe, jo fort larg shtëpisë

Nga Blerim Rrecaj

Në këtë mesditë udhën marrim për te vendi që ka kohë që po e quajmë "Te fushat ".  Unë me fëmijët përdore. Gjatë fillimit të periudhës së koronavirusit ky vend u pat shndrruar në një lloj shëtitoreje, në një lloj azili, ku shfrytëzoheshin periudhat e orareve me numra letërnjoftimi. Kishte shumë nga ata që dilnin e thonin, po vend i mirë, e hapësirë çlodhëse për të ecur e kaluar kohën. Këndej s'dukeshin policë, e s'i nënshtroheshe farë kontrolli.

Ka vite që dal këtej, sidomos verës, me fëmijët e vëllezërve, djalin e motrës e fëmijët e mi, herë bashkarisht e herë ndaras. Tashmë "boemët e pandemisë" këtej paksa janë pakësuar.

Kroit që ndodhet, jo fort larg kodrinave të hirit të hedhur të termoelektranave, tash mund t'i afrohet edhe ndonjë punëtor arash, ndonjë mbikëqyrësh parcelash, mbjellur me trupa e fidane pemësh, ndonjë zog, pilivesë...

Nëpër këto "vise" ndodhet dhe një kënetë, një kotec pëllumbash ca punëtori të firmave ndërtimore dhe ngrehina e lënë tashmë sa kohë ashtu, si një magazinë e madhe çatimbuluar e muregjysmëzhveshur prej llamarine. Këtej, në këtë tampon zone të gjelbër ku në njëren anë duket kryeqyteti e në tjetrën kryeqyteza, po vazhdojmë të dalim ndonjëherë. Sot morëm këtë udhë pas mëdyshjeve: po nisemi, po për kah... Harruam maskat por po vazhdojmë hapat. Derisa  shpesh çadrat e kam zakon t'i harroj pasi të kem dalur me to jashtë shtëpisë, nëpër kafene, autobusë, taksivetura, maskën po e harroj e po më bie në mend për të kur po dal prej shtëpie, e kur po has njerëzit tjerë me to. Herë po kthehem ta marr e herë jo, dhe ende se di se ky harrim a paraqet farë vepre penale a jo, bile po përtoj të informohem për këtë problem. Po, hajt se mësohesh dhe me këtë, tha dikush. Sikur kot mundohesh të gjesh përgjigje në vet-pyetjen: ç'është ky dembel-llëk, e ky vullnet-vakët nëpër qenien tënde!  E me na ndal policia, do na dënojnë thotë i vogli për të na shtyer në debatin "rrugaç" (që s'ngjan, e është i tjetër niveli me tv-debatet) mua dhe djalin e madh.

Sido që të mund të na ndodh vazhdojmë rrugën dalngadalë duke hyrë rrugës mes ndërtesave bllokkuqe e të palyera e dritare veshura e zhveshura. Punëtorët vazhdojnë punën, një tufë dërrasash i tërheq për litari njëri vinç që kushedi se nga kush komandohet në këto çaste. Kalojmë rrugën hekurudhore, me telefonin që nxjerr nga xhepi zë një pamje jo dhe aq të qartë fluturimin bukurosh të një harabeli mbi liqenin me grurë kallinjartë. Si gjë të çmuar, si çdoherë me vete kam telefonin, shokun tim të mençur, të cilin e ngopa  mirë e mirë me ushqim-infuzioni elektrik. Dhe sikurse ndonjë piktor që ia mësyen peisazheve natyrore me këmbëza druri, pëlhurë, penel e ngjyra edhe unë mundohem ta shfrytëzoj iPhone-in 5, për të fotografuar e për të shkruar. Të paktën, një udhë e dy punë.

Dielli është i fortë e djeg, ndërkohë dhe fëmijët mund të ta humbin qetësinë ndonjëherë, që siç tha dikush, nëse të bie të kalosh kohë të gjatë me ta s'të duhen kurrfarë ushtrimesh gjimnastikore a farë fitnesi. Nganjëherë tekat e tyre të lodhin shumë psiko-fizikisht. Jo vetëm mosha po e bëka të veten.

Hedh ca rreshta brenda "kutisë magjike" që nxjerr nga xhepi, për t'u lidhur papritur me një fije kujtimi të fëmijërisë sonë, me  atë filmin vizatimor "Sport Billi", që  nxirrte çantën e tij të mrekullirave, si për të dashur me thënë se po shkruaj, a raportoj nga vendi i ngjarjes  ku po qëndroj me ara gruri e misri, me copra livadhesh të kositura a të pakositura, me fusha dedelinash që majave janë të qëndisura kaltërsisht e me ngjyrë të jargovantë ku për bukuri enden ca flutura pikaloshe të kaltra. Rreth e përqark edhe lloje fluturash tjera krahëverdha, krahëportokallta, krahëbardha, e pikaloshe bardhezeza që fluturojnë e pushojnë,  harabelë, insekte, lule kamomili, ca luledielli, re të bardha të zhytura në këtë kaltësi qielli që pakashumë është mozaiku ku po lundrojmë.

Kalon treni rrugës së tij, pasi është pak minuta pas orës dy, i cili  tremb trumcakët e shkurreve me therra skajeve të binarëve. Si këta zogj marrim një rrugë kthimi duke u ndalur te mustaqet ngjyrë  ari e diku dhe të një kuqrremteje, dhe bëhemi musteqoshë për ca çaste.

Shenjat e variantet e shumta në këtë hapësirë shumëhektarëshe shfaqen gjatë hapave që hedhim, duke lënë gjurmë në kujtesën tonë. E kujtesa mund të kthejë te ara e peisazhe nga vendlindja, a nga fshatra të afërmish, ku kemi qëndruar për vizita a kohë pushimesh. Tash seç më erdhi në mend ky element kujtese, kur përtypnin kokrra të pjekura druri dhe ato u shndrronin në çamçakëz, që i përtypnin, paksa të habitur nga ky zbulim.

Ecim kujtimeve, vrojtojmë.

I afrohem një lulekuqeje të vetme që rri mes një are me grurë që e shoh nga largësia, afrohem te kufiri i arës me grurë, duke qenë larg saj rreth dhjetë metra. Ndalem pak për ta vështruar dhe u përgjigjem pozitivisht thirrjes së fëmijëve: "Hajde, a po shkojmë ma..." Dhe kthehemi. Nëpër këto rreze dielli të forta e me njëfarë lloj energjie që morëm jashtë mureve që po na presin me mall që të kthehemi tek to...

...Dhe në mbrëmjen e sontme dolëm andej kah "fushat". Me vëllaun këtë herë. Tashmë shumica e arave me grurë ishin korrur, kështu që më pëlqente të hyja sërrnishtave, duke shkelur mbi kallinjtë e kositur dhe të dëgjoja zhurmërimën që krijoja me hapat e mi. Një fluturim i vrullshëm thëllëzash përsëri më bën të mbetem me gishta në gojë, a në maskë më saktë, pa "ngrirë" pamjen e tyre. Më tej, i  afrohem një luledielli dhe gjithë shkëlqimin që ia dhuronte ky diell që po udhëtonte drejt perëndimit, m'u duk se luledielli ma dhuronte mua. E unë kujt do ia dhuroj se... Këso përjetimesh pata  dhe pas vështrimit të lulekamomileve në disa vende. Pas lodrimit sa këtu e sa atje, loza dhe pak me fjalë kësisoj: fort po rrezojnë këto lule për diellin e tyre. Dhe kah kthehemi rrugës shohim mjaft njerëz që kanë dal si këta dy fëmijë që ngasin biçikletat e mbrapa të mëdhenjtë që vijnë pas tyre. Marrim rrugë kthimi, rrugës takojmë një shok tonin që e kemi edhe fqinj, e unë vendos ta zgjas ndejën këtyre anëve me të. Rrugës furnizohemi me kokrra kajsishë, te dy trupa të tyre, njëri themi se qenkan bio e tjetri gjysëm bio, dhe duke shijuar ato, mbërrijmë te një hamullore e djegur, ku dy minj me të shpejtë ikin e strehohen në vrimat që kanë hapur vetë... Aty marrim dhe ca kallinj që kanë mbetur dhe zjarri i ka pjekur dhe pasi i provoj më ngjajnë me shijen e kokrrave të shtalbave. Vazhdojmë rrugën, ngjitemi kodrinës së hirit, mbuluar me barishte të gjata e therrishta për të parë tashmë kryeqytetin e qytezën si në shuplakë dore, e dritëndezura. Ngjitemi dhe më lart, te kjo pjesë e rrafshët dhe e kositur dhe pamja që shohim nga këtu vërtet mbresëlënëse dhe e bukur. Me të purpurtën magjike andej kah perëndimi. Rreth e rreth male e ne dukemi se jemi në qendër të tokës. Vështrojmë rreth e rrotull kah Prishtina e kah Gërmia, për të dalur në Çyqavicë, në Golesh e në Lypeten.  Në qiellin e hapur shndrit hëna me ca yje. Marrim rrugë kthimi dhe shohim një dritë xixëllonje dhe ndalemi për të parë këtë mrekulli që ka kohë që s'e kemi parë. Ecim nëpër këtë qetësi të këndshme nate me fëshkëllimë gjinkallash. Dhe hyjmë në tollovinë e qytezës. Zëmë vend në njëren prej bijave të saj, nën ca kalaveshë të gjelbër rrushi të kësaj kafeneje. E shtyjmë ndejën me të qeshura, është nata e parë kur ka ndryshuar orari i ndalimqarkullimit...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora