E premte, 26.04.2024, 04:56 AM (GMT+1)

Mendime

Ruzhdi Ushaku: Vështrime prej studiusi me mangësi metodologjike- shkencore

E shtune, 08.11.2008, 12:04 PM


Në vend të sqarimit

 

VËSHTRIME PREJ STUDIUESI  ME MANGËSI METODOLOGJIKE- SHKENCORE

 

Nga Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku

 

Në lidhje me shkrimin «Shkumbini dhe Ulqini-rrjedhoja të së njëjtës paradigmë» të Abdullah Konushevcit, botuar në «Zëri», 14 tetor 06.,f.29.

 

Intelektuali dhe studiuesi ynë i zellshëm Abdullah Konushevci, krahas punës së tij të frytshme dhe të spikatur prej literati, këto vitet e fundit na ka befasuar për të mirë edhe me ndonjë vepër nga fusha e gjuhësisë  shqiptare (gramatologji) si dhe me punime apo artikuj të dobishëm që prekin çështje etimologjike të shqipes në përgjithësi nga onomastika e hapësirës etnogjeografike shqiptare dhe më gjerë.

Falë informacionit të lakmueshëm, sidomos përmes internetit, kulturës së gjerë, njohjes solide të gjuhës shqipe, njohjes, apo përdorimit të disa gjuhëve të huaja, përfshirë këtu edhe gjuhën latine, ky studiues po zë gjithnjë e më shumë vënd të dukshëm edhe prej etimologu bukur të suksesshëm.

Kjo punë e tij më gëzon sinqerisht dhe, aq sa jam i informuar për shkrimet e tij në shtypin tonë, në mënyrë të tërthortë edhe për ato nga interneti(në gjuhën shqipe e angleze), ai ka arritur të provokojë në të mirë të dijes ,gjuhës dhe kulturës sonë, edhe indoevropeistë me të cilët komunikon dhe përballet sidomos në internet. Besoj se nuk gaboj nëse them se të rrallë janë albanistët apo albanologët e gjeneratës së tij, pse jo edhe të gjeneratave para tij,që mund t’i kenë prirjet dhe nivelet e  individualitetit të tij prej krijuesi e studiuesi.

Shkrimi i tij për librin tim më të ri, objekt vlerësimi pozitiv por edhe vërejtjesh, i botuar në  gazetën « Zëri » cituar më lart, meriton vëmendjen e lexuesve të interesuar,   e sidomos të atyre që merren me këtë fushë, përkatësisht me çështjet e diskutuara apo të diskutueshme nga  libri im e pse jo edhe nga shkrimi i cekur më lart.

 

Vështrime përgjithësisht korrekte me ndonjë vërejtje të pranueshme

 

A. Konushevci,albanist-albanolog i çmuar,  me vetëdije të plotë prej studiuesi, me korrektësi, i cek vlerat e veprës, formimin tim prej romanisti si një ndër kushtet për rrekjen me  çështje përkatëse, por sigurisht se është i informuar edhe për formimin tim edhe nga gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane sikur edhe ajogjuhëve romane, por edhe nga metodologjia e punës shkencore dhe gjuhësia e përgjithshme për të cilat kam dhënë provimet përkatëse me gojë por edhe me shkrim gjatë studimeve pasuniversitare, gjë që sadopak  janë një lloj garancie , të paktën relative, për përgjegjësi dhe probabilitet të marrjes me kompetencë edhe me çështje serioze jo vetëm si romanist.

Në vërejtjet e para të nxjerra nga fragmenti i cituar, A. Konushevci dyshon, me të drejtë, në inkuadrimin ilustrativ përkatës, jo relevant për tezën time boshtore, por kjo nuk më shkarkon nga përgjegjësia dhe pamaturia ime e pjesërishme. I shtyrë më tepër nga një inercion, e kam përmendur edhe ojkonimin Vukovar krahas atyre Bjelovar dhe Varazhdin, i pari i shpjeguar shumë më herët edhe në një burim enciklopedik ashtu siç e thotë edhe autori i shkrimit të cekur. Këtë ndërfutje të Vukovar-it e pranoj gabim timin. Ndërkaq, vlenë të theksohet se, i njëjti burim, për dy ojkonimet e fundit nuk jep shpjegimet etimologjike për të cilat A. Konushevci, mendoj me të drejtë, përkrah dhe mbështet rezultatet më të reja të onomastikës kroate, të pranueshme edhe për mua.

Sa i takon  varosh-it transparent që  ndeshet edhe te Buzuku e te varosh-at e e cekur me varosh-icat, varosh-ankat, NovaVarosh  aq të njohura e deri te Varshava, nuk ka aq nevojë të ngarohet lexuesi.

Në këtë kontekst, megjithatë, shoh një lloj mangësie metodologjike të artikullshkruesit i cili përkrah, përkatësisht citon dhe duket se edhe mbështet zbërthimin apo shpjegimin e ojkonimit përkatës edhe si Var-azhdin edhe si *varasd, *varasdon..

 

 

 

Paradigma Ulqin-Shkumbin nuk ka bazë diakronike, strukturore-  fjalëformuese

 

Që nga trajta ColchINIum e deri më sot formanti IN(I) shënohet në vazhdimësi në të gjitha variantet e ojkonimit Ulqin prej antike, kah mesjeta e deri në ditët tona, gjë që nuk mund të thuhet për emërlumin Shkumbini.

Kur T. Livi shënon OlcINium, ai, sikur edhe Cesari përmendin emërlumin Genesis. Kur në Hartën e Ptolemeut shënohet UlkINion, kemi ojkonimin  përkatës Scampeis, kur në Tabula Peuntingeriana për ojkonimin Ulqin kemi  VicINium krahas tij shënohet ai Scampia. Në vazhdimësi, ojkonimi Ulqin, del me  trajta Licini (v. 743), Ulcini(v. 1022), Ulcinio (v. 1279), Vlcinio (1280) e kështu me radhë, deri te variantet italiane a veneciane Dulcinio, Dulcini, pra rregullisht  me praninë e formantit IN(I). 

Fakti se emërlumi Shkumbin, i cili dëshmohet më herët si Genus-us ,apo Genuis apo Genesis flumen përkatësisht si toponim Scampia e Scampis, Hiscampis, Skampeis, ku, në dallim prej emërvendit Ulqin, mungon formanti IN(i), nuk mund të anashkalohet kronologjia, madje as shpjegimi më i plotë i strukturave fjalëformuese i këtyre trajtave. Andaj, paradigma Shkumbini - Ulqini, për të dëshmuar praninë e prapashtesës -in(i) është metodologjikisht e paqëndrueshme përball dëshmive të rregullta diakronike të trajtave Colch-IN-ium, Olc-IN-ium, Ulk-IN-ionDulc-IN-ium, të cekura, dhe ato në vazhdim, deri te Ulqin sot, me  formantin IN(I), e pse jo edhe nga aspekti  territorial e gjuhësor, nga të dhënat gjeografike, historike, shoqërore, administrative me nuanca specifike, në dallim prej emërlumit, Scombinus si trajtë e ndërfutur.

Prapashtesën –IN(I) e kam pasur parasysh në punimin tim, të cilën prapashtesë më herët e kanë cekur pararendësit, por kam gjetur e kërkuar mundësi të mendohet ndryshe. Mendimi i autorit të cekur, që emërlumi Shkumbin mund të lidhet me një *(s)kamp, paraqet vështirësi të arsyetimit më të argumentuar të paravendosjes së mundshme të nistores (s), me çka do të plotësohej kriteri i motivimit të pranueshëm semantik-konceptual. Ndërkaq, në këtë kontekst, nuk më duket aq i krahasueshëm me atë këmbë/kámë të Mann-it, kur kihet parasysh si emërtim motivues që një lumë aq i gjatë atëbotë mund të krahasohej me këmbë.

Si asociacion  nuk përjashtohet a priori, por mund të jetë më kompatibil për ndonjë përrockë, konfiguracion morfogjeografik të ndonjë kodrine, mali të kapshëm me shikim syri, kur dihet se kemi fjalëformime  të inkuadrueshme në sistem si degë ,grykë (lumi), bisht, majë, rrëzë, varg, grykë, qafë (mali, kodre) e ndonjë tjetër.

 

Shpjegim i pjesërishëm dhe i njëanshëm i emërvendit Dragobi

Lidhur me emërvendin Dragobi ka vend për diskutim, dhe shpjegimet e rregullave fonetike të autorit Konushevci janë bindëse sa i takon gjymtyrës bi, përkatësisht  asaj bilë apo vilë por edhe këtu shihet një mangësi metodologjike e tij, duke mos marrë  parasysh gjymtyrën e parë Drago- të cilën duket se nuk e kundërshton, e cila gjymtyrë, bashkë me atë villa>vilë do të kishte një motivim jo të zakontë si *Shtëpia e Dragoit apo *Qyteti i Dragoit, kur dihet se ka dëshmi kompatibiliteti motivues si  Qafa eDragonit,  Lugu i Dragoit apo Liqeni i Drakofolesë (Konicë- lexo : Liqeni i Çerdhes së Dragoit) e të ngjashme me to. Rikujtoj Monte Dragone, Dragoni Vallibus (te Vlora, dëshmi nga viti 1272).

Mangësi metodologjike të këtij lloji, ku potencohet njëra gjymtyrë e harrohet tjetra, njëri nivel gjuhësor e harrohet tjetri, do të shihen edhe në vazhdim, gjë që shpesh  ndodh  me shumë studiues pararendës, por edhe të sodit.

Është kjo mungesë metodologjike e qasjes interdisiplinare, abstrahim i kontekstit më të gjerë gjuhësor, mungesës së qasjes së diakronisë së dokumentuar dhe inkuadrimit të dukurisë në sisteme përkatëse të kohës dhe hapësirës. Harrohet madje edhe roli i një logjike matematikore (edhe pse gjuhësia nuk është matematikë në kuptimin e ngushtë të fjalës) të ekuacionit me një të panjohur apo më pak të njohur,ku duhet të merret për bazë një e njohur (apo më e sigurtë) për të zbërthyer, shpjeguar sa më drejt të panjohurën (ose më pak të njohurën).

 

Vështrime të njëanëshme me mangësi të qasjes interdisiplinare dhe multidisiplinare

 

Edhe mendimi i autorit për ta zbërthyer hidronimin Valbona me një bazë të pretenduar Valb-ona, vuan nga e njëjta mungesë metodologjike, ku injorohet koha e dëshmisë së parë për të cilën dimë deri më sot në formë të shkruar, e cila trajtë përputheh në diakroni dhe në arealin përkatës dhe më gjerë në sistemet fjalëformuese të kohës, me motivime të caktuara emërtuese, për të cilat ofrohen aq argumente e fakte në punimin tim përkatës. Andaj gjymtyra Valb-, pa bazë kronologjike, jashtë sistemit të kohës dhe hapësirës, me shembujt krahasues që i jep artikullshkruesi, dëshmon për një mangësi të dukshme metodologjike, dhe nuk mund të inkuadrohet në sistemin e emërvendeve të prejardhura që i cek Konushevci.Për rrënjën *wel, të cilën e potencon autori,duke iu referuar edhe Pokorny-t, rikujtoj se kjo  wel-,apo -wel-w- e i.e.,në një kategori të reflekseve morfosemantike ka dhënë lat. valles,is, prej nga ang. vale, valley, sp. it. valle, përkatësisht vallone me kuptim lug, luginë, grykë, madje edhe në gjuhën frënge foljen avaler nga v. 1080, me kuptimin rrokulis, përbij, gëlltis e tutje në shek.XII, me kuptim “bëj të zbret në gurmaz” (lexo: përbij, gëlltis).

Shpjegimet e A, Konushevcit për Valdanosin vënë në dukje, veç tjerash, mangësinë e qasjes multidisiplinare dhe, në rastin konkret, mosnjohjen e faktorit gjeo-morfologjik. Lugu i Nokës është një mikrotoponim i Mendrës që me Mavrianin formojnë gjirin e Valdanosit, lima i madh dhe më i sigurtë për anije se ai i Ulqinit i njohur që nga mesjeta e këtej.

Mikrotoponimi Vudinoç (për mendimin tim Vu-di-Noç) me strukturë fjalëformuese shqipe e romane, që del vetëm njëherë, i identifikuar në punimin tim si Lugu i Nokës, nuk mund të shërbejë bazë për emrin Valdanos dhe për të nuk nevoiten aq shpjegime  dhe sforcime për evoluimin fonetik. Ai nuk mund të barazohet me dëshmitë nga hartat detare italiane të cilat disa herë, që nga shekulli XIV,emërtojnë, në variantet e cekura në punimin përkatës, gjirin e madh dhe të rëndësishëm të Valdanosit pra as me konkordancën toponimike edhe me një Valdanus  tjetër i dëshmuar edhe  më gjerë.

Në këtë kontekst, nuk mund të qëndrojë supozimi i Konushevcit për ndikimin e një mikrotoponimi Lugu i Nokës në emërtimin e një gjiri aq të madh e të rëndësishëm që brenda një intervali të shkurtër kohor të merrte emrin e një njeriu, kur dihet se mikrotoponimet e këtij lloji në këtë hapësirë janë të dukshme, të cekura në punimin tim përkatës.

Fjala nuse prej se mbahet mend, nga mesjeta e këtej , është shkruar dhe shqiptuar shkurt e shqip nuse.  Ndeshet edhe te Buzuku nuseja (të dalë dhandëri n kamëret së vet, e nuseja nshtratit së saj /Meshari XLI/), te F.Bardhi nuse, për nupta, sposa lat. ,pa marrë parasysh a rrjedh fjala nuse e shqipes nga njëri a  tjetri burim. Referimin e Konushevcit në burimet e cekura në internet ,të cilave nuk ka arsye të mos u besoj, janë irelevante për çështjen e shtruar këtu për toponimin Valdanos të dëshmuar në formë të shkruar në variantet e cekura që nga shekulli XIV, të shkoqitur me qasje interdisiplinare si strukturë motivuese fjalëformuese dhe leksiko-semantike e të inkuadrueshme në diakroni dhe në arealin përkatës në sisteme të caktuara fjalëformuese edhe në kultura e gjuhë të tjera.

Kjo vlenë edhe për Valkalin, ku ka vend për diskutime, por shpjegimi im duket se inkuadrohet  në sistemet zoonimike fjalëformuese të këtij lloji në pajtim me kronologjinë dhe gjeografinë që këtu nuk ka vend t’i përsëris, por vetëm do ta plotësoja me një të dhënë e cila mund t’i shërbejë sadopak autorit Konushevci, qoftë si informacion plotësues, se në të folmen e Ulqinit ,prej se mbahet në mend, shumësi i emrit kalë është kolë (kr. pjesë të përrallës ku përmenden «shtatë kolë hamshorë …» si dhe shprehjen «me çu (dikend) ku pje... kolët » me kuptim «çoj dikend në pranga, në burg».

 

 Anashkalim i dukurive gjuhësore dhe dëshmive të shumta në diakroni

Për kalimin, apo alternimin e formantit –at me –ak, më duket se kam dhënë shembuj të tepërt madje,  të dëshmuar në diakroni, madje edhe me disa data të sakta. Realiteti gjuhësor është dëshmuar me shkrim dhe ai nuk mund të mohohet, të paktën në mbështetje të dukurisë së analogjisë por edhe të atraksionit apo asimilimit të mundshëm (Olkiniat>Ulkinak), edhe pse ndikimet e jashtme shpesh nuk i njohin ato.

Si rregullat ashtu edhe përjashtimet  janë  pasojë e realitetit gjuhësor dominues ose jo, i cili për fat të mirë apo të keq, shpesh varet edhe nga faktorët e jashtëm siç janë rrethanat historiko-shoqërore, etnogjeografike, psikolinguistike, kulturore, administrative, të cilat edhe si ndikime apo presione të jashtme, sidomos në onomastikë, nuk pyesin fort për rregulla apo zhvillime të brendshme të gjuhës së cekur por vendosin rregullat e veta ose parregullsinë e dhunshme e jo të natyrshme.

Për të mos i lodhur më tej lexuesit, të cilët mund ta gjejnë librin në shitje apo biblioteka, që të lexojnë me vëmendje, të shohin metodën e qasjes, kontekstin më të gjerë dhe qëllimin bosht të secilit punim, po shtoj edhe si vijon:

E çmoj me satisfaksion edhe  përfundimin  e artikullit të Konushevcit me sugjerimet qëllimmira. Edhe stili është pjesë e individualitetit të njeriut dhe jam i vetëdijshëm për disa vështirësi që krijojnë periudhat, fjalitë e mia të gjata, por përpiqem që ato të jenë të logjikshme dhe të kuptueshme. 

Këshilla për t’ iu rrekur romanit mesjetar Florimont me ndonjë vepër është shumë e sinqertë, dashamirëse dhe kuptimplote, dhe do të ishte kjo dëshirë ime e flakët, jo vetëm lidhur me romanin Florimont, për të cilin mund të shkruhen disa doktorate.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora