E shtune, 26.11.2022, 04:47 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Dy Anna

E marte, 26.05.2020, 08:53 AM


Dy Anna

Nga Edison Ypi

Të lumtë për dorheqjen o Anna Shkrepi. O me Hyun o me Djallin. Nuk mund të vazhdoje edhe Drejtoreshë e Muzeut të Hyut për të promuovuar Artin, edhe pjesëmarrëse në demonstrimet e Djallit për përjetësimin e barrakes propagandistike të krimit.

Ti Anna Shkrepi, Ti që nuk je një kreaturë dosido por Bijë Pasioni ngjizur me Frymë Arkitekti dhe Shpirt gjuhëtareje, Ti pra që je një çelik që nuk ndryshkesh, mur që nuk shembesh, lumë që nuk ndalesh, nuk mund t'ja lejoje vetes lojën e dyfishtë. Ti nuk mund të kesh Destin të turbullt. Ti nuk mund të jesh edhe me Lirinë edhe me Diktaturën, edhe me Spaçin edhe me Sigurimin, edhe me Qiellin edhe me qenefin.

Kur Anna tjetër, Anna e burgjeve, Anna e internimeve, Anna e gulagëve, Anna Ahmatova e Rusisë, ka marrë vesh se Ti Anna Shkrepi e Shqipërisë u bëre Drejtoreshë e Muzeut të Hyut të Letërsisë botërore, nga kënaqësia ka lëvizur në varr, ka hapur sytë në errësirë, ka ndez një cigare, ka rrufit një kafe, ndoshta dhe të ka dedikuar disa vargje.

Anna, Hyut të Muzeut që punoi me dhjetra vite rrethuar nga djaj, kur i thoshin hesht, fliste. Tani që po ata dreqër i thonë fol, ai hesht. Hyu nuk bën si duan dreqërit. Hyu bën si di vet.

Korifejtë e karrakatinës, luajtjen në skenë e kanë konsideruar qëllim në vetvete, stacion fundor. Aq dinë. Aq ndjejnë. Ata nuk flasin për më tepër. Për qëllimin final të Artit, që është Njeriu, përsosja e pandalur e Tij.

Le se ç'thonë. Ata nuk bëjnë nja dy a tre gabime dhe nuk kanë nja tre a katër mungesa. Ata i bëjnë të tëra gabimet dhe i kanë të gjitha mungesat.

Prandaj, që e shembën kolerën, jo thjesht bënë një mrekulli, por pas shembjes duhet ta djegin edhe nja katër a pesë herë të tjera të mos ngrihet lugat.

Anna, barraka ishte plaga, ata ishin qelbi.

Përveç vetes së vet dhe lumpenit, llumit injorant, askush nuk i donte, askujt nuk i binte në men se ekzistonin. Ata vetë ishin kazani me intriga, prapaskena, thashetheme.

E dinë por nuk e thonë se ishin të vetmit. Nuk kishin asgjë përballë. Nuk kishin alternativë. Nuk kishte konkurrencë. Nuk kishte skenë tjetër apo film tjetër. Nga mëngjezi në mbrëmje nga mbrëmja në mëngjez, dit' e natë e natë e ditë me vite e vite pa u ndalur asnjë çast, po ata filma të pështirë, po ato çfaqje të kërrupta, po ata aktorë si robota, po ato batuta të neveritëshme që u mbajtën ment me detyrim, që u imponuan për shkak të mungesës së alternativës.

Ndryshimi mes Hyut të Muzeut dhe vampirave të barrakës së zbrazjes së truve nuk ishte dhe as është kaq apo aq, minimal, maksimal, kolosal, apo abisal. Ishin dy botë, dy universe totalisht të ndryshme.

Ç'ësht' e vërteta o Anna Shkrepi, Shqipërisë tënde të kësaj periudhe, asaj me qen e mace në Fejsbuk dhe ca adoleshente anemike që bëjnë sikur komentojnë Hyun me zë inekzistent, aq e ngjajshme me Shqipërinë e portaleve, i mungon Shqipëria reale, Puka, Mirdita, Skrapari, Vjosa, Drini, malet, detet, dallgët, sidomos dallgët. Por s'ka problem. Nuk është ndonjë hata'. Koha plotëson dhe ndreq gjithçka. Nuk mund të jenë të gjithë si Hyu që Kryeveprën e vet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur e shkroi kur qe 24, dhe as si Ajnshtajni i cili Teorinë e Relativitetit e formuloi kur ishte 25.

Ndoshta je ngutur dhe për një moment ke kujtuar se te gërmadha propagandistike që u shemb është bërë Kulturë. Jo Anna Shkrepi jo. Atje brenda nuk u bë asnjë kulturë, e as Art kurrsesi. Atje brenda u kryen vetëm krime.

Nuk ishte vend meditimi, ishte mur pushkatimi.

Nuk ishte teqe, ishte hale.

Nuk ishte xhami, ishte karamanjollë.

Nuk ishte tempull, ishte varr.

Gjoja nami i mirë për të cilin flasin sot qyqarët, nuk ka ekzistuar kurrë. Njerëzit nuk kishin asnjë ide çfarë broçkullisnin ata. Unë, për shembull, dhe plot të tjerë si unë, atje brenda nuk qemë kurrë. Aq e vërtetë qe neveria që shqiptarët kishin për këllirën propagandistike, sa nga Vermoshi në Konispol dhe nga Divjaka në Devoll, njerëzit thoshin nën zë; "Na janë bërë "korifejt" e skenës si robt e shtëpisë". Se laj-thaj televizori ata nxirrte. Dhe deshën-s'deshën, shqiptarët mbajtën ment batutat e neveritëshme të filmave dhe pjesëve teatrale me komunista syshkaba, spiuna, sabotatorë, diversanta katila. S'kishin nga t'ja mbanin. S'kishte alternativë. Dhe sot, për ti rritur namin vetes, zbrazjen e truve dhe mungesën e alternativës po përdorin, krimin e kahershëm po shfrytëzojnë. Dhe bëjnë sikur s'e dinë se nuk ka kurrkund në botë karamanjollë, mur pushkatimi, laborator kavjesh, në mes të kryeqytetit.

Anna Shkrepi, Shqipëria nuk ka shumë si Ty. U bë ç'u bë, rifitoje lavdinë që të përket. Mos lejo të modelojë bota Ty. Bëje Botën si veten; Trime dhe shkrepëtintare. Jo me zigzage. Me sulm. Nxirr shpatën nga milli dhe zbrit përsëri në arenë, e vrit e prit majtas e djathtas sa të ha dora e sa të arrin mendja.

Kthehu Anna. Kthehu te Hyu. Kthehu te Muzeu. Kthehu te Anna tjetër, ktheu te adashja jote, te Qiejt e Saj, te vullneti i saj i pafundëm. Kthehu ku të duash. Vetëm tek vendi i krimit mos u kthe kurrën e kurrës. Po u ktheve ku duhet, s'është çudi andej nga jugu të ngrenë këngë; Dy Anna ka Bota, Anna Shkrepin nga Shqipëria, Anna Ahmatovën nga Rusia. Po u ktheve ku qe, ballet e bronxëta të shtatoreve të Naimit, Fishtës, Lasgushit, do mbushem me bulëza djerse nga lumnimi.

Po nuk u ktheve, ah në këtë kombinacion fatkeq, përgjigjen do ta japi Anna tjetër, Anna e largët, Anna e vdekur, kur nga varri të gulçojë;

"Jo nuk jam unë, një tjetër është që heq.

Unë nuk do të duroja. Sa ka ngjarë,

le ta mbulojnë qefinët e zes,

Fenerët, le të sjellin,

Natë".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora