E hene, 09.12.2019, 02:19 AM (GMT)

Personalitete

Agim Deva: Bedri Dedja, baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë

E enjte, 21.11.2019, 08:00 PM


"Bedri Dedja, baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë" - Kujtesë…

Baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë

Bedri Dedjen (1930-2004) do ta nderojmë për kohe të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe…

Nga Agim Deva, Prishtinë

Kam përshtypjen se prof. Bedri Dedjes, këtij kolosi të kulturës sonë, i kemi mbetur borxh të gjithë nga pak : edhe kohërat që i kishte kaluar me të gjitha ngjyrimet e mundshme, edhe organet dhe institucionet social-kulturore, edhe rrjedhat e reja që hynin pamëshirshëm në gërshërë me ato të vjetrat, e ku prof. Dedja si rrallëkush realizonte intelektin e vet në mënyrën më dinjitoze : i kemi mbetur borxh prof. Bedri Dedjes edhe ne këtu në Kosovë, edhe për së gjalli, por edhe pas vdekjes së tij.

Mos ndoshta, të gjitha këto borxhe ndaj këtij bardi të kulturës sonë, na shpiejnë në fjalët e Tolstojit të madh kur thotë se « ndërgjegja është zëri i shpirtit.. » ?

Shfletoj librin me kujtime « Nëpër ravat e jetës » (Tiranë 2001), ku Bedri Dedja qysh në hyrje të tij, midis të tjerash, jep një sqarim të shkurtër, por esencialisht domethënës dhe simbolik : « …Fjala ravë ka kuptimin e rrugëve të dhive në mal, ose të gjurmëve në dëborë. Më është dukur se rrugët e mia të jetës ngjasojnë më shumë me ravat.. »

Dhe po të rrëshqasim, qoftë edhe shumë përciptazi nëpër jetën e prof. Bedriut (gjë që ai nuk e meriton një qasje të këtillë sipërfaqësore), do të shohim se nga viti 1930 kur erdhi në jetë e deri më 2004, kur ma dërgoi romanin e tij « Sikuriada », që realisht ishte pjesa e tretë e romanit « Kalamajtë e pallatit tim » (roman i një lloji të ri – roman manifest), dhe iku nga kjo botë, duke marrë me vete shumëçka, që po të na linte në një formë apo në një tjetër, do të kishim një dobi shoqërore shumë më karakterogjene, se tani kur gjëndemi pa të.

Autoriteti i tij qe ndërtuar gjithnjë me sakrifica natyrash të ndryshme. Vetë prezenca e tij në një konsultë, program kulturor, simpozium, mbledhje, etj. e kishte peshën e vet dhe karakteri i tij, gjithnjë stabël, të imponohej me një qetësi impozante, me një urtësi antike, me një kriter të formësuar e të shumë kohezional, që ishte rezultat i dijes, i përvojës së tij shumëvjeçare në shumë fusha të artit, të kulturës, të arsimit, të shkencës.  Këtë përshtypje e kisha edhe në vitin 1973, kur për here të pare u takova me të në Tiranën “misterioze”, dhe qysh atëherë më duket se kisha takuar një njeri, që kishte lindur nja tridhjetë vjet më herët, sepse vetë shkalla e tij e inteligjencës, fjalori i komunikimit, horizonti i tij kulturor që gravitonte nga Europa, qetësia me të cilën të dëgjonte dhe këshillat e tij assesi të imponuara si domosdoshmëri, mirësjellja e tij në interpretime shkencore, kishin tipare të një pedagogu e psikologu me experience, prej të cilit mund të mësonim shumë të gjithë ne, që kishim fatin të rrinim me të. Një tip recent, një mëndje e ndritur, që herë-herë m’i  përkujtonte rilindasit tanë. Korçari sharmant, studenti i dalluar i Universitetit të Moskës, pedagog shumëvjeçar në Universitetin e Tiranës, shkencëtar i dalluar, sidomos në fushat e psikologjisë, letërsisë për fëmijë dhe pedagogjisë, organizator i shumë simpoziumeve të ndryshme, krijues i një numri të madh veprash letrare (poezi, tregime, përralla, novela, poema, romane, legjenda, fabuka, përralla mbi kafshët, kujtime, etj.); pastaj, themelues i mendimit teorik-kritik mbi çështjet e ndryshme të letërsisë për fëmijë, autor i veprave letrare kapitale, me të cilat janë rritur gjenerata të tëra fëmijësh e të rinjësh tanë si: “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kapiteni i shtrëngatës”, “Kalamajtë e pallatit tim”(1,2,3), “Republika e 1100 çudirave”, “Nëpër korridoret e thella të Jonit”, “Qyteti me tri kështjella”, “Përralla njëmbëdhjetëkatëshe”, si edhe dhjetra e dhjetra vepra të tjera, që na bëjnë ta perceptojmë realisht formatin e madh të akademik Bedri Dedjes, pena e të cilit gjurmonte modalitete të reja të shprehjes, deri në ditët e fundit të jetës.

Është vërtet e dhëmbshme kur nëpër mbledhjet komemorative ngrihemi në këmbë për të mbajtur një minute heshtje për kolosët, siç ishte në këtë rast, Bedri Dedja. Një minute heshtje. Më besoni: kurrë nuk kam mundur ta kuptoj domethënien e këtij minuti, sado që edhe vetë jam ngritur shumë here në këmbë për këtë qëllim, për miqtë dhe dashamirët që na ikin – secili në mënyrë të vet. E shpjegojnë si nderim të fundit, që i bëjnë të ndjerit.

Bedri Dedjen do ta nderojmë për kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha: është baba i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë. Prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe, se edhe të vegjlit janë të detyruar të na kuptojnë edhe atëherë qartë e drejtë. Në botën e librit tone ka sjellë përvoja e modele të reja kreacionale, duke përkthyer vepra të rëndësishme nga letërsitë e huaja. Vetëm ata që e duan njeriun, mbeten të pavdekshëm. Akademik Bedri Dedja ishte prej atyre që ka rrezatuar me energji positive kudo që ka qënë i pranishëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT