E premte, 26.04.2024, 03:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Fran Gjoka: Gëzim Tushi - Probleme dhe dilema sociale

E diele, 27.10.2019, 03:51 PM


“SHOQËRIA SHQIPTARE NË VORBULLËN E PROBLEMEVE DHE DILEMAVE SOCIALE”

-Mendime rreth librit “Probleme dhe dilema sociale”-

Nga Fran Gjoka

Libri i sociologut Gëzim Tushi, “Mjeshtër i Madh”, me titull “Probleme dhe dilema sociale”, është produkt i një pune intensive dhe të vazhduar hulumtuese, studimore e praktike të autorit. Ai përbën një kontribut me vlera në fushën e mendimit sociologjik, por dhe për përmirësimin e strukturave dhe praktikave më të mira të shërbimit social. Është një nga librat e kolanës së Gëzim TushiT, korpusi i të cilit tashmë përbëhet nga 20 vëllime. Ky është libri në të cilin është realizuar mjaft mirë pikëprerja e intelektualit, profesionistit dhe qytetarit të shqetësuar për problemet e shoqërisë shqiptare të ditëve tona.

Që shoqëria jonë ka kohë që është e mbushur me probleme individuale e dilema sociale të panjohura më parë, askush nuk ka më dyshim. Gëzim Tushi i bën një rontgenoskopi të zgjeruar këtyre dukurive, duke treguar se pse shoqëria e ditëve tona ka shumë dilema dhe për pasojë "funksionon" keq. Kjo është një e vërtetë për të cilën askush nuk ka dyshim. Autori mendon dhe argumenton se kjo situatë ka shkaqet dhe arsyet e veta.

Njerëzit janë të shoqërisht të shqetësuar dhe individualisht të turbulluar, nga që janë përballë një procesi kompleks të përkeqësimit evident të treguesve urbanë, moralë dhe komponentëve të nevojshëm komunitarë, që kanë ndikime të forta përkeqësuese të situatës sociale që zhvillohet në shoqërinë tone. Në instancë të fundit, sipas autorit, realiteti ynë social tregon se ka shumë komponentë ekonomiko-politikë dhe socio-kulturorë, që tregojnë se "shëndeti i shoqërisë" shqiptare jo vetëm nuk është mirë, por prognozat sociale dëshmojnë se ai mund të vazhdojë të përkeqësohet akoma më shumë në të ardhmen.

Gëzim Tushi, si sociolog, evidenton të vërtetën, sipas të cilës arsyet e këtyre dukurive janë të shumta dhe të shumëllojta. Historike e kontekstuale, politike dhe ekonomike, sociale e kulturore, që determinojnë këtë tipologji pak të veçantë të problematikave sociale që preokupojnë njerëzit tanë dhe shoqërinë tonë në tërësi. Në të vërtetë, në se shoqëria shqiptare e ditëve tona është kaq dilematike, kaotike, disfunksionuese, me tronditje të thella ekzistenciale, Kjo është e lidhur para së gjithash me ndryshimin radikal të tipologjisë së shoqërisë në procesin e kalimit nga një "shoqëri e mbyllur" në "shoqëri të lirë dhe të hapur", pa shumë kufizime e determinantë socialë.

Autori i kushton në mënyrë sistematike vëmendjen e duhur analizës së realitetit, e lëviz panoptikonin sociologjik në të gjithë anët dhe këndet e jetës sociale, ndërhyn në mënyrë “kirurgjikale” atje ku janë patologjitë kripto-sociale, që ose nuk duken, ose nuk dallohen me shikim të sipërfaqshëm. Një nga analizat që Gëzim Tushi i kushton një kapitull janë sëmundjet e pasionit dhe përhapja e përdorimi i zgjeruar i lëndëve psikotrope, që kanë filluar të bëhen “helm social”, që po turbullon ndërgjegjen dhe vetëdijen e njerëzve tanë. Sidomos të adoleshentëve dhe të rinjve.

Por nuk mund t’i shpëtonin syrit të sociologut problemet që kanë të bëjnë me plakjen e popullsisë dhe nevojat për të ndërtuar një “shoqëri pa moshë” dhe me kujdes të shtuar për të moshuarit. Bashkët me to, autori analizon në mënyrë të hollësishme problematikat që kanë të bëjnë me situatën dhe pozitën sociale e familjare të gruas shqiptare dhe të fëmijëve, të cilët sipas autorit përbëjnë dy grupe me rrezik të veçantë dhe me status të cënuar brenda familjes shqiptare, e cila akoma ka shfaqje të diskriminimit moshor dhe gjinor.

Sigurisht një vend qëndror në librin “Probleme dhe dilema sociale” e zënë problematikat e shoqërisë moderne shqiptare, fenomenet e tjetërsimit të njeriut postmodern, të ndikimit social të medias, shoqërisë civile, etj.

Sipas autorit, në shoqërinë shqiptare shumë anomali të jetës sociale janë të lidhura ngushtë me faktin që zgjerimi i lirisë individuale u shoqërua dhe vazhdon të shoqërohet me keqpërdorimin e "kufijve" të saj nga mënyra si sillen njerëzit ekcentrikë, mungesa e vullnetit qytetar, nevojës së domosdoshme të vetëpërmbajtjes civile e humane. Kjo ka bërë që të ndihemi sikur jemi në rrugë pa krye. Ky perceptim i vërtetë i realitetit të shoqërisë tonë ka  bërë që të tronditen thellë jo vetëm familja, por dhe të gjithë strukturat e tjera të organizimit të jetës sociale apo ato që përbëjnë bazamentin funksionues të shoqërisë demokratike.

Degradimi i shumë strukturave themelore të organizimit të jetës kanë ndikuar në deformimin e thellë të shoqërisë, duke i dhënë asaj një formë "getoje", ku çdo njeri bën si të dojë, vepron subjektivisht, pa pasur asnjë imperativ moral e social kategorik, që duhet të ndikojë në qëndrueshmërinë dhe funksionimin e jetës së përbashkët shoqërore.

Padyshim, është e vërtetë e paluajtshme e qytetërimit modern, që njeriu është thirrur që në suazën e kësaj shoqërie e të këtij qytetërimi, që të jetë i lirë nga determinimet e shumta sociale, sepse liria individuale në jetën shoqërore është "themeli i ekzistencës së krijuar". Në libër, autori thekson se problemi është se në shoqërinë tonë, në emër të lirisë, po shfaqet jo vetëm "qytetari i lëvizshëm" që ka bonsens dhe lëviz lirisht në hapësirat e zgjeruara të shoqërisë të ndërtuar mbi bazën e lirisë sociale dhe prerogativave të shumta që ka krijuar demokracia në Shqipëri, por krahas tij, madje mbi të po tenton të shfaqet një lloj tjetër qytetari, që në emër të "lirisë individuale" të pakufizuar po cenon rendin social, ekzistencën normale të shoqërisë. Praktikisht jemi duke u përballur me situata të rënduara sociale që qarkullojnë në gjithë strukturat e shoqërisë tonë.

Padyshim që kjo situatë ka shumë shkaqe pse është e tillë, pse ka tendencë të agravohet. Autori përdor me saktësi shumë instrumente sociologjikë, optika sociale të parë me kujdes social, për të shpjeguar dhe interpretuar drejt dukuritë dhe thelbin e problematikave dilematike. Secili qytetar, intelektual, filozof apo sociolog, duke qenë të shqetësuar përballë këtij realiteti, mundohen të bëjnë diagnoza të përgjithshme dhe të diferencuara për një varg problemesh sociale, sikurse janë niveli ende problematik i varfërisë, krimi i shtuar, dhuna e zgjeruar në jetën publike, familje e shoqëri, treguesit e lartë të vrasjeve e vetëvrasjeve, divorcet në rritje, dobësimit të rolit edukativ të familjes dhe shkollës, etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora