E premte, 26.04.2024, 03:38 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Fjala e ndaluar në Kuvendin e 9-të t LDK-së

E marte, 20.08.2019, 08:16 AM


FJALA E NDALUAR NË KUVENDIN E 9-TË TË LDK-SË

Të dashur delegatë,

Unë, Idriz Zeqiraj, jam delegat i Degës të LDK-së në Gjermani. Ju sjell përshëndetjet e dlira të kryetarit Osman Ferizi dhe të anëtarësisë tonë mërgimtare.

Dega jonë mbajti Kuvendin Zgjedhor, të cilin e monitoruan kuadrot e LDK-së Qendër: Haki Rugova dhe Sali Morina. Kuvendi zbatoi tri parimet bazë të demokracisë: debatin, konkurrencën e ndershme, votimin e fshehtë.

Nga delegatët u propozuan 4 kandidatë për kryetar të Degës. Nga votimi i fshehtë, fitoi, bindshëm, shoku i armëve i heroit Sali Çekaj, Osman Ferizi.

Kushtin 50+1, për kandidim, Kuvendi nuk e pranoi, duke e quajtur monstrum, të cilin LDK-ja Qendër, e aplikoi në Kuvendin e 8-të të saj, për ta eliminuar nga gara kundër-kandidatën potenciale, Vjosë Osmanin. Rrjedhimisht, për ta përjashtuar konkurrencën e ndershme, duke vazhduar një mandat krejt të paligjshëm e despotik.

Kryetari i zgjedhur, Osman Ferizi, drejtoi Kuvendin së bashku me Kryesinë e Punës, i cili tha se "nuk dua ta shfrytëzoj të drejtën statutare, hiç fisnike dhe shumë diskutabile, për të propozuar anëtarët e Kryesisë. Ftoj delegatët të propozojnë nga dy anëtarë për Nëndegë, sepse ju i njihni më mirë veprimtarët tuaj". Dhe, ashtu u bë, duke u provuar të gjithë me votimin e fshehtë.

Në këtë frymë demokratike, filloi e mbaroi Kuvendi ynë zgjedhor. Uroj që edhe Kuvendi i sotëm të këtë rrjedhë demokratike, duke marrë si model Kuvendin Zgjedhor në Gjermani.

Retrospektivë:

Kam qenë delegat i Kuvendit të 7-të Zgjedhor. Kryetari u zgjodh me votim të fshehtë. Delegatët u sorollatën gjithë pasditën holleve të Hotel "Grand". Në fund u lexua lista emërore e Këshillit të Përgjithshëm, u votua me aklamacion, pa kundër-kandidatë! Kryesia nuk u përmend fare. Mungoi debati, konkurrenca dhe votimi i fshehtë. LDK-ja e huqi rrugën rugoviane dhe përqafoi praktikën "zgjedhore" të partive-banda, tashmë, në koalicionin PAN, të kryesuar nga kryekriminelët Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj.

Në Kuvendin e 8-të ishim 9 delegatë nga Gjermania, prej tyre 6 ishin fëmijë, vëllezër, xhaxha, të veprimtarëve të ekzekutuar nga LPK-ja, alias, PAN-i i sotëm. Delegatët nga Gjermania dhe Zvicra, dy Degë prijetare të Mërgatës, u bllokuan, ke dera e Kuvendit, kinse për parregullësi zgjedhore! Gënjeshtër e turpshme! Arsyeja ishte eliminimi i konkurrencës, nuk e donin kryetaren Donikë Gërvalla në sallën e Kuvendit.

Pra, ne ishim të përjashtuar nga pjesëmarrja në Kuvend, ende pa u bërë zgjedhjet në Gjermani dhe Zvicër. Kemi sjellur të gjithë dokumentacionin zgjedhor, në selinë e LDK-së. Kishim caktuar terminin me Sekretarin e LDK-së. Por, as ai dhe as 23 anëtarët e Kryesisë të LDK-së Qendër, nuk treguan interes, për ta marrë në dorëzim dokumentacionin tonë! Pastaj u është dërguar me postë secilit anëtar kryesie. Megjithatë, asnjë përgjigje. "Turp e ndot", do të thoshte miku im i ilegalës dhe i burgjeve, Kadri (Os)Mani.

Kuvendi i 8-të zgjedhor, përjashtoi debatin, konkurrencën, votimin e fshehtë - tri parimet bazë të demokracisë! Për rrjedhojë, Kryetari, Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm ishin, tërësisht, të paligjshëm. Dhe, këtë e dinin, ata dhe anëtarësia. E, megjithatë, heshtnin, sikur s`ka ndodhur asgjë!? Praktikë tipike komuniste!

Heshtja në Kuvendet zgjedhore të LDK-së, madje jo vetëm në ata Qendrorë, por, edhe lokalë, dëshmon për mungesën e seriozitetit partiak, për demokrtacinë hiçe dhe frikën, për të shprehur mendimin e lirë. Kjo frikë rrjedhë nga kompetencat enorme, deri në idiotësi, të kryetarit të partisë. Sepse ai me statusin aktual të LDK-së, bëhet pronar i të drejtës, për të bërë, pothuajse, të gjitha emërimet partiake dhe pusdhtetare, nëse bëhet pjesë e qeverisë. Kjo është sa e turpshme, aq edhe kriminale dhe ka dëmtuar e degraduar LDK-në skajshëm.

Rregullorja e Këshillit të Partive Popullore Evropiane (PPE), zbatimi shabllon i saj nga partitë popullore të Ballkanit, ka rrënuar të djathtën ballkanike. Në veçanti, ka shkatërruar të djathtën shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri. Për ndryshim nga e djathta evropiane, që kryetari nuk provon humbjen e dytë, tek ne, edhe pas humbjeve serike, kryetari nuk dorëhiqet. Konkretisht, shqetësuese është oreksi i Isa Mustafës, i cili pretendon, sërishmi, vazhdimin e kryetarllëkut!!

Kryetari i PPE-së, Philip Daul, dy ditë para Kuvendit të 8-të Zgjedhor, këshillonte kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, "të zhvillonte një Kuvend të suksesshëm: dabat të hapur, konkurrencë të ndershme dhe votim të fshehtë e demokratik".

Asnjëra nga këllillat e kryetarit Daul dhe të Rregullorës të Këshillit të PPE-së, nuk u zbatuan! Mungesa e debatit, e pasuar me mungesën e konkurrencës, e kulmuar me votë të hapur aklamative, ka fshirë trashigiminë rugoviane dhe ka ngulfatur LDK-në, dikur, krenare të kryetarit Rugovë.

Megjithatë, kryetari Daul, dy ditë më vonë, uroi kryetarin e vetemëruar Mustafa, në vend që të kërkonte përsëritjen e Kuvendit Zgjedhor. Në të kundërtën, duhet të fillonte procedurën e përjashtimit të LDK-së, si pjesë e PPE-së.

LDK-ja duhet t`i lërë pazaret e pista, të mos përsërisë Kuvendet farsë, si ai i 7-i dhe i 8-i. Propozimet për kandidaturat, që nga ata për kryetar, kryesi, kryesinë e ngushtë: nënkryetarët, sekretarin, arkatarin, zëdhënësin, Këshillin e Përgjithshëm, duhet të bëhen nga delegatët në sallë dhe jo të listohen nga shefat klanorë.

Atdheun dhe demokracinë jo të gjithë e duan njësoj. Si pjesë e një familje që është përgjakur në kundërshtinë ndaj turqëve; në Serbinë e vjetër;  në Luftën e Dytë Botërore; në epokën Tito-Rankoviçiane; në luftën e Kosovës dhe pas saj; familje që ka filluar burgjet politike në vitin 1945 dhe i fundit nga familja është liruar në vitin 1992, përfshi edhe mua; si shok klase dhe mik i Ibrahim Rugovës, e përjetoj rëndë degradimin e LDK-së, me aklamacionet zgjedhore moniste, staliniste.

Tërheqja zvarrë e veprimtarës më cilësore në botë, për çështjen e Kosovës, Donikë Gërvallës, është skajmërisht kriminale. Donikë Gërvalla pëshon më rëndë se sa shefat urdhërdhënës mujëshorë. Ajo ka mendjen, guximin qytetar, vizionin largpamës, me parësi absolute, në raport me kundërshtarët e saj burracakë. Sakrifica e Donikë Gërvallës, është unike, që nuk e ka bërë asnjë kuadër e veprimtar i LDK-së, jo vetëm në këtë sallë, por edhe jashtë saj. Për LDK-në dhe Kosovën, ajo humbi një familje, të ndërtuar me bazë dashurinë e çiltër, duke qenë nënë e një fëmije.

Pyetjes së bashkëshortit, nëse është martuar me atë apo LDK-në, Kosovën?! Vajza dinjitoze e krenare e kryeheroit Jusuf Gërvalla, do t`i përgjigjej prerazi: "Për LDK-në dhe Kosovën, japë familjen dhe vetën time, jetën". Dhe, ndarja ishte paqësore, duke ruajtur gjithë respektin për ish-bashkëshortin dhe familjen e tij fisnike në Shqipëri. Dhe, me voglueshin Redon, në krojshën e tij, përshkonte, anepërtej Gjermaninë e madhe dhe Evropën mbarë, në takimet me mërgimtarët tanë dhe personalitetet gjermane e botërore. Prandaj konsiderohet si kryeveprimtarja më cilësore, për çështjen e Kosovës.

Donikë Gërvalla udhëhoqi Degën e LDK-së në Gjermani, me përkushtim e profesionalizëm të veçantë. Ishte e saktë, mendje-kthjelltë dhe dinjitoze supreme, në vendimet kolegjiale që ndërmerrte. Ajo hileqarët i frenonte me votën e fshehtë, për vendimet me peshë. "Nëse deputetët e LDK-së, e votojnë Demarkacionin, në vijën kufitare aktuale, unë nuk dua të jem pjesë e kësaj LDK-je. Sepse, gjyshi im është vrarë, pikërisht, në mbrojtje të këtyre tokave", - tha Donikë Gërvalla dhe e mbajti fjalën.

Megjithatë, Donikë Gërvalla vazhdon të jetë, përjetësisht, pjesë e LDK-së të Ibrahim Rugovës. Andaj, Kryesia e re e LDK-së, duhet ta këtë, gjithësesi, pjesë të saj. Në të kundërtën, do ta thellojë turpërimin e saj. Thirrja për unitet, do të ishte mashtruese e fiktive. Donikë Gërvalla është vlerë për LDK-në, Kosovën, Kombin. Këtë e ka dëshmuar, në të gjithë veprimtarin e saj të begatë.

Është thënë dhe përsëritur se inati në politikë është humbës. Prandaj, pikërisht, për këtë LDK-ja vazhdon agoninë e opozitarizmit të saj. Vetëm ndryshimi mund t`i japë fund përgjumjes 14 vjeçare të LDK-së. LDK-ja është shtëpi e madhe, që i zënë të gjithë. Prandaj, vetëm e bashkuar njësh, me të gjithë të bërryluarit dhe të hatëruarit, do të ngritet në fitore.

Ecejakët ogurzeza të kësaj jave, na kujtuan përpjekjen e turpshme të klanit Mustafa, për bërjen e kreut të SHIK-ut, kreut të krimit, Kadri Veselin kryeparlamentar dhe Hashim Thaçin president. Klani nuk u mjaftua me kaq. "Me Demarkacionin në vijën kufitare aktuale, të caktuar nga Mali i Zi, Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë", - thoshte Isa Mustafa! Këtu Isa ishte në një linjë me Hashimin!

Kemi paralajmëruar, me kohë, planet e errëta të klanorëve. Kinse për ta ruajtur unitetin partiak, ta mbajnë Isën aty, ku është, sepse mbajnë dhe mbrojnë edhe vetën e tyre. Orkestrimi shpiforë se Lutfi Hazirit është njeri i SHIK-ut, se do të bëjë koalicion me PDK-në, ishte bërrylimi djallëzor, për ta eliminuar nga gara.

Tendenca për ta bërë LDK-në parti mëhalle, komune, krahine, është shumë e rrezikshme. Kjo do ta nivelizonte LDK-në, me partitë-banda të PAN-it kriminal. Klani brenda partisë, brenda Kryesisë, futë frymën klandestine, të fshehtë, në parti. Jua kujtojmë klanorëve, se edhe Presidentit Rugova, është provuar të shantazhohet nga disa klanorë mujëshorë, të pranishëm në këtë sallë.

LDK-ja është parti nacionale, kombëtare. Kujtoni urtakun Rugovë, një polic e kishte nga fisi. Ishin llapjanët oborrtarë, shtëpiakë të Rugovës, siç ishin drenicarët roje e përafërt fizike, edhe pse ishte më së paku i votuar në Drenicë. Madje, halabakët e LPK-së, paradoksalisht, nga kjo trevë trimërie, donin kokën e Tij, ashtu siç prenë kokat e bashkëpunëtorëve.

Presionit të klanorëve nuk i shpëtuan as kryetarët e komunave. Qëllimi është që ata të bëjnë presion te delegatët e Degëve të tyre komunale, për ta votuar - Konsensuesin - që Kryesia kukullë ka arritur. I gjithë ky kalkulim e manipulim, sa i dëmshëm, aq edhe i turpshëm, që çdekurajon e pasivizon anëtarësinë e LDK-së dhe favorizon patitë-banda të PAN-it. Opionistët e PAN-it, nuk e fshehen kënaqësinë, që në udhëheqje të LDK-së, po mbesin njerëzit e SHIK-ut.

Ftoj delegatët të mos e pranojnë këtë maskaradë moniste. Sepse janë pikërisht ata, të cilët do të përballën me anëtarësinë dhe elektoratin, në kërkim të votës për LDK-në. Delegatët duhet të ngulmojnë për më shumë se një kandidaturë. Ta mbrojnë votën e fshehtë demokratike.

Bëni kujdes edhe për zgjedhjen e Këshillit të Përgjithshëm, sepse ata zgjedhin Kryesinë Qendrore. Renditja në listën për votim, të jetë sipas renditjes alfabetike. Është domosdo futja në votën e fshehtë demokratike të kandidatëve, me kundër-kandidatë, për anëtarë të Kryesisë Qendrore. Kryesia e ngushtë del nga më të votuarit e Kryesisë ose me votim të veçantë, gjithnjë me kundër-kandidatë dhe votë të fshehtë. Përndyshe, ata do të bëhen pjesë e klanit, duke e konsideruar vetën e tyre si kuadër të kryetarit të partisë dhe jo të LDK-së, njësoj siç ka menduar e vepruar klani i deri tashëm, brenda Kryesisë Qendrore.

Është regres, kthim prapa, braktisja e votës së fshehtë dhe zëvendësimi me aklamacion, ngritje dore, kur 30 vjetë më parë, demokracia ishte më e avancuar dhe vota e fshehtë ishte parësore, në përzgjedhjen e kuadrit partiak. Kjo lehtësonte edhe vet kryetarin e partisë, sepse nuk kishte vend për hatërmbetje, nepotizëm, lokalizëm dhe pisllëqe të ngjashme

Angazhimi i Kryesisë në largim, për zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm, është i paligjshëm, është i turpshëm, sepse për këtë janë zgjedhur delegatët dhe ata duhet të vendosin me votën e tyre të fshehtë. Është një pjesë e kësaj Kryesie, të cilët me presion të klanorëve, u bënë pjesë e vendimeve fatale për Kosovën, duke dëmtuar shumë edhe imazhin e tyre, deri në refuzimin e anëtarësisë, për t`i votuar si deputetë, por, edhe të LDK-së, në sy të shqiptarëve.

Sepse shtrohet pyetja, pse janë zgjedhur delegatët?! Për t`u bërë argat të klanorëve batakçinj, argat të dreqit! Kini mendjen, se në udhëheqje po rizgjidhni humbësit e mëdhenj në disa zgjedhje, më asnjë fitore. Me këtë klan, harrojeni përrallën e Kryeministrit! Ky klan ka bërë jo vetëm gabime, por edhe faje të rënda. Dhe, për këtë, LDK-ja duhet të bëjë analizë të thellë, reflektim me reforma, duke marrë përgjegjësitë përkatëse.

Kuvendi i 9-të Zgjedhor i LDK-së, nuk duhet të përsërisë gabimet, më saktë, fajësitë e qëllimshme, të "Kuvendeve" 7 dhe 8. Qysh në nismë të punimeve kuvendore, të bëjë ndryshime statutare, të neneve të pista, që favorizuan klanin fatal, egoist e karrierist, për ta sunduar e provokuar anëtarësinë e LDK-së, pë 9 (nëntë) vite radhazi:

1) Debati i lirë në Kuvend, të jetë përcaktues, për propozimet e kandidatëve, për strukturat e partisë;

2) Konkurrenca me shumë kandidatë;

3) Votimi i fshehtë e demokratik, për të gjitha strukturat e partisë;

4) Të hiqet kushtëzimi monstrum klanor, për kandidaturën për kryetar të LDK-së, 50+1, sepse ai është kusht i klanit Mustafa, për ta varrosur konkurrencën zgjedhore, me qëllim të vazhdimit të sundimit të dhunshëm, pa konkurrencë, pa hyrë fare në votimin garues;

5) Të hiqen kompetencat mbretërore të kryetarit të partisë, për propozimin e numrit të kandidatëve për Këshillin e Përgjithshëm; për Kryesinë; për Kryesinë e ngushtë; për deputetët; për pushtetarët, në rast të qeverisjes dhe të çfarëdo strukture tjetër partiake e shtetërore;

6) Të afatizohet mandati i kryetarit, së shumti, me të drejtë zgjedhjeje në dy mandate;

7) Të krijohet Institucioni i Përgjegjësisë. Ky Institucion do ta përcillte veprimtarinë e drejtuesëve dhe të kuadrit të lartë partiak. Në rast të gabimeve, do të këshillonte për reflektim e përmirësim. Në rast të fajeve, do t`i shkarkonte, përfshi edhe kreun e partisë, madje, në çdo kohë të mandatit të tyre. Në këtë mënyrë, shantazhet dhe frika e ndarjes, do të ishin iluzive e fiktive.

Lidhja Demokratike e Kosovës është parti intelektuale, kadrovike, akademike. Ndërkohë që klanorët e trajtojnë si parti bujqish e barinjësh, duke e konsideruar vetën si të pazëvendësueshëm. Ata taktikojnë, kalkulojnë, manipulojnë, përdorin hile e stratagjëma, duke shpikur edhe nene e norma linçuese, si 50+1, për ta vazhduar sundimin klanor, cinik, ironik, fodull, shpërfillës, seleksionues, nepotik, lokalist, deri në degradim të partisë. Me opozitarizmin e tyre të stërzgjatur, klanorët sikur duan të thonë: Të dhjerë, por krenarë!

LDK-ja i ka të gjitha mundësitë intelektuale e njerëzore. Ka anëtarësinë krejt të veçantë, e cila është stoike, qendresëtare, për të pritur, që klanorët karrieristë, të thonë se ka ardhur koha të punojmë së bashku, për prosperimin, përparimin e LDK-së dhe të Kosovës, ashtu siç vepronte e drejtonte shtetbërësi i Kosovës, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Uroj për suksese e mbarësi, Kuvendit të 9-të Zgjedhor të LDK-së!

Shpresoj dhe besoj në mirëkuptimin Tuaj!

Idriz Zeqiraj, delegat i Degës të LDK-së, në Gjermani



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora