Mendime
Ibrahim Kabili: Ilir Shaqiri, figurë emblematike e kombit
E shtune, 10.08.2019, 08:42 PM
Ilir
Shaqiri, figurë emblematike e kombit
Nga Ibrahim Kabili
Motiv për të shkruar për këngëtarin, shkrimtarin dhe kompozitorin Ilir Shaqiri u bë krijimi i tij; Batalioni Atlantiku.Të shkruash për jetën dhe veprimtarinë letrare dhe artistike të intelektualit, shkrimtarit, kompozitorit dhe këngëtarit emblematik Ilir Shaqiri është një privilegj. Kam rënë në kontakt me këngët e tij në vitev '80 dhe vazhdoj ti ndjek me shumë kënaqësi. Krijimtaria e Ilirit është e gjerë dhe e larmishme. Ajoi ngjan një oqeani të gjerë e të thellë, që sado që të shfrytëzohet nuk shteron kurrë. Eshtë e pa mundur që në këtë shkrim të përshkruash gjithë këtë veprimtari të larmishme të shtrirë në kohë. Në skenë ka dalë për herë të parë në vitin 1978 dhe vazhdon të krijojë dhe interpretojë dhe tani. Krijimi i tij më i fundit në fillim të vitit 2019 Batalioni Atlantiku.
Në
përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut,
Shaqiri vjen me një krijim të ri të titulluar "Kalorësi i
lirisë". Vargjet e këngës janë lapidare, teksti i saj i shkruar nga Iliri
është shkruar me një mjeshtëri të lartë artistike. Eshtë i mbështetur tërësisht
në historinë tonë kombëtare, duke evokuar veprën e heroit tonë kombëtar Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut. Stili i të shkruajturit, kombinimi i vargjeve dhe
interpretimi nga vetë Iliri, Arif Vladi dhe Nikoll Nikprela, me orkestrim të
Edmond Zhulalit, qe një produkt muzikor mjaft i mirë.
Lart në qiell rri lavdia
Krenaria jonë ti je
Kur më pyesin nëpër botë
Jam
shqiptar-Skënderbe!...
Ilir
Shaqiri nëpërmjet mjeshtërisë së penës,
bukurisë së artit dhe forcës magjike të këngës së tijë, është vënë totalisht në
shërbim të popullit, në shërbim të kombit të vet. Për brezin e ri dhe lexuesin
e gjerë po sjellim në vemendje një pjesë të shkurtër nga jeta dhe krijimtaria e
shkrimtarit dhe artistit Shaqiri.
Ai
u lind në Burojë të Drenicës më 6.12.1960.
Arsimin fillor e ka kryer në Turiqec, ndërsa shkollën e mesme për
farmaci në Prizren. Arsimin e lartë në degën gjuhë dhe letërsi shqipe e ka
filluar në Prizren dhe mbaruar në Prishtinë me rezultate shumë të mira. Në
vitin 1983, në Drenicë në festivalin "Rapsodët këndojnë" merr çmimin
e parë. Në vitin 1984 me Shoqërinë Kulturore të Mitrovicës vlerësohet si
interpretues i shkëlqyeshëm. Bashkë me Hamëz Jasharin në vitin 1985 formuan
ansamblin folklorik "Drenica" të cilin e drejtuan deri më 1990.
Ansambli,
nën drejtimin e tyre, krijoi një repertor të pasur artistik dhe u bë i njohur
në Kosovë e më gjerë. Në këtë kohë krijimtaria artistike e Ilirit dhe
interpretimi si këngëtarë ishin në rritje. Ai tani ishte i afirmuar si një
artist i kompletuar dhe ishte bërë shumë i dashur për publikun e gjërë. Këtë e
vërteton më së miri krijimtaria e tijë, pritjet në skenë, mbështetja e publikut
dhe çmimet që atij i akordoheshin vit pas viti.
Gjatë
kësaj periudhe kohore është vlerësuar më 1992 në "Festarb" në Shkup
me çmimin e parë të publikut. Më 1994 në festivalin ndërkombëtar "Folkmoot
USA" në Karolinën e Veriut me çmim special. Më 1995 në festivalin
"Kënga shqiptare" në Prishtinë merr çmimet e para, atë të jurisë dhe
të publikut.
Kohët
që po përjetonte Kosova në këtë periudhë po bëheshin gjithnjë e më të vështira,
gjithnjë e më shumë dramatike. Me ardhjen në pushtet të Millosheviçit gjenocidi
ndaj shqiptarëve të Kosovës arriti kulmin. Gjendja nuk durohej më. Në skenë
doli UÇK-ja. Hamzë Jashari, bashkëpuntori i dikurshëm i Ilirit në skenë, tani
radhitet në radhët e UÇK-së përkrah komandantit legjendar Adem Jashari. Pas një
qëndrese të fortë bien heroikisht në mars 1998 në mbrojtje të familjes,
Prekazit, në mbrojtje të Kosovës; Shaban, Adem dhe Hamzë Jashari së bashku 53
pjestarë të tjerë të fisit të tijë. Këtë e përjeton rëndë Kosova, e përjeton
rëndë Shqipëria, e përjeton rëndë e gjithë shqiptaria. Pa gjak nuk fitohet
liria! Pikërisht te ky akt heroik dhe të tjera si to, e merr forcën Iliri,
frymëzohet, krijon vargje dhe këndon këngë.
Në
vitin 1998 botoi albumin "Këtu shkëlqen plisi" dhe së bashku me shumë
këngëtar të tjerë mbajti 109 koncerte në përkrahje të UÇK-së si në Kosovë,
Shqipëri, M.Zi, Maqedoni dhe shumë vende të botës. Këto koncerte i frymëzuan
shqiptaret kudo që ndodheshin për të marrë pjesë në radhet e UÇK-së. Me të
ardhurat e tyre ndihmohej e financohej lufta në Kosovë. Shumë shqiptarë në
perëndim lanë familjet e tyre atje dhe morën pjesë masivisht në luftë. Një
pjesë e tyre dhanë jetën për liri. Pikërisht me këto këngë të Ilirit dhe
këngëtarëve të tjerë, në vitet e luftës
u ringjallej ndjenja kombëtare, u paralajmërua liria dhe pavarësia e
Kosovës. Disa luftuan me armë, të tjerët me magjinë e fjalës!
Iliri
pothuajse ka krijuar dhe kënduar këngë për pjesën më të madhe të dëshmorëvë të
UÇK-së. Duke evokuar veprën e shokut të tijë, në vitin 2017 realizon këngën
"Pyet Drenica":
...M'ka marrë malli
Hamzë me të pa
Si përpiqen vllau me
vlla
Ndash n'Prekaz e ndash
n'Burojë
Veç dy fjalë ti flas me
gojë...
Vargje
tepër domethënëse, interpretim me nivel të lartë artistik, përjetësim i pa
vdekshëm i veprës së heronjëvë. Dashuri dhe mall për vendlindjen. Mall për
shokun e tijë, Hamzën, tanimë dëshmor i
kombit.Me shumë të drejtë thuhet se këngët për dëshmorët janë
"monopol"i interpretimit të Ilirit. Nga viti në vit krijimtaria e
tijë artistike ka ardhur në rritje si nga ana sasiore po ashtu dhe nga ajo
cilësore. Iliri ka kënduar dhe këndon këngë historike, epike dhe lirike.
Gjatë
karrierës së tijë të gjatë si artist ai u ka kënduar me pasion, dashuri,
respekt dhe gjithë fuqinë e shpirtit të tijë figurave të shquara të kombit si:
Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Azem e Shote Galicës, Hasan
Prishtinës, Shaban, Adem e Hamzë Jasharit dhe dëshmorëve të tjerë të lirisë.
Iliri
i ka qarë këngët epike, ai është ustai i
tyre. Në pamje të parë të jep përshtypjen e këngëtarit epik. Por
"jo", në intervista të tijë ai shprehet: "Unë për këngën epike
ndjej obligim, ndërsa këngën lirike e kam pasion, ashtu si dhe baladat i kam
pasion". Sa më shumë kalojnë vitet aq më tepër rritet repertori i këngëve
të Ilirit. Këto këngë janë të larmishme dhe rrokin të gjithë trevat shqiptare e
mërgatën.
Ndër
të tjera këngë, të interpretuara nga
Iliri janë dhe: "Djem petrita ka rrit Drenica", "Luma e Kuqe ka
lidh besë", "Falë të qoftë gjaku Kosovë", "Fjalët e
Qiririt", "Plisat udhëtojnë kah dielli", "Këngë e
rrallë", "Këtu kam folenë", "Liri", "Zëri i
Atdheut", "Udhët e mia", "Tingujt e zjarrtë",
"Jam Evropë", " Çlirimtari", "Garda e Kosovës",
"Këngët e përngritjes", "Bota e rinisë",
"Pavarësia"etj.
Në
vitin 1999 në koncertin ndërkombëtar të organizuar në Bruksel është vlerësuar
si këngëtari Emblematik i Ballkanit. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë se
Shqipërisë boton albumin me 100 këngët më të zgjedhura. Vitet e fundit ka bërë
këngë për Teki Voglin rënë me forcat paqeruajtëse në Kandahar.
Ka
krijuar e kënduar këngë për Skerdilajt Llagamin, luftëtarin e UÇK-së, UÇPMB dhe
UÇK ku ra dhe dëshmor. Pasi i kërkuam këngën për Shpendin, në bisedë e sipër në
Prishtinë te RTK-ja me të, dhe babain e Shpendit, ai
shprehet:"Faleminderit që më keni zgjedhur mua, me shumë kënaqësi do e bëj
këngën, pa asnjë shpërblim, sa të jemë gjallë e të kemë jetë dhe zë do t'ju
këndoj me gjithë fuqinë e shpirtit dhe pa para dëshmorëve të kombit". Ikëm
me përshtypjet më të mira .Të nesërmen në mëngjes, pasi kishte punuar deri në
agim, më dërgon tekstin e këngës për Skerdin. Ishte një baladë drithëruese. E
kompozuar nga Zhulali u këndua në Tiranë më 5 maj 2018 me rastin e promovimit
të poemës Adem Jashari. Teksti i këngës " Balada Shpendi" e realizuar
mjeshtërisht nga Ilir Shaqiri përjetëson në altarin e lirisë dhe në histori jetën dhe veprën e
Skerdilajt Llagamit që mori pjesë në tre luftërat e fundit dhe ra, atje në
Bogovi, pranë Sharrit, për mos me vdekur kurrë.
... Kush e pa e nuk e
tha
Ballin me serma
Trimit me dy emra
Kosovë i th'rret zemra
Ngjallesh e ringjallesh
Shpendi me dy krerë
Flaka t'rri mbi vetull
Një cop diell nën
sqetull...
Siç
përmendëm dhe më sipër Iliri merret me ngjarje
dhe tema të mëdha të Kombit. Ai është i pandalshëm në përshkrimin dhe
trajtimin e tyre. Në përvjetorin e 20 të luftës së UÇK-së dhe të krijimit të
Batalionit Atlantiku në Nju Jork, Iliri krijon një këngë për Batalionin dhe
ushtaret e tijë.Megjithëse një pjesë e tyre ishin të lindur e rritur në Amerikë, ata rrokën armët erdhën në dheun e
tyre.U bënë pjesë e UÇK-së dhe luftuan për liri. Nga ky batalion ranë dëshmorë
tre vëllezërit Bytyçi.Janë këto motivet e mëdha që çuan në këtë bashkëpunim
midis Arben Krasniqit dhe Ilirit për këtë realizim të madh, të këngës Batalioni
Atlantiku.Gjatë intervistës në RTK ata suksesin e arritur në këtë krijim, modestisht ja identikojnë njëri
tjetrit.Vargjet, muzika, orkestrimi dhe interpretimi janë harmonike dhe
përjetësojnë luftën heroike të djemve e vajzave mërgimtare në mbrojtje të tokës
arbnore:
Larg, Atdheut një këngë
shqiptare
Këngë lirie, n'djep e
nisur
Zjarr Kosove në mes
t'Nju Jorkut
Thrrasin trimat
brohoritur
Dardani o tokë arbnore
Zemër zjarr, llav çeliku
Oqeani po vjen përmbi re
Batalioni Atlantiku
Kjo stuhi e dalë nga
shpirti
Eshtë besëlidhja jonë e
re
Nuk ka n'bot asgja ma
t'bukur
Se kur rrahin, zemrat
për Atdhe
Iliri
ka dhe një veprimtari të çmuar edhe në fushën e letërsisë. Ai ndër të tjera ka
botuar: Romanin "Tan Temali"më
2014, romanin "Lemza e dheut" më 2016 dhe poemën"Adem
Jashari" më 2018. Për këto vepra ka marrë vlerësimet më të mira nga
specialistët e fushës përkatëse dhe kritika letrare. Falë punës dhe kontributit
të dhënë për luftën, është nderuar me "Mirënjohje"nga UÇK-ja dhe
shoqatat e dala nga lufta e saj. Në vitin 2011 është nderuar dhe nga Presidenti
i Republikës së Shqipërisë me çmimin "Naim Frashëri i Artë".
Natyrisht në punën e tij të vështirë ai ka bashkëpunuar me poetë, kompozitor,
artistë, orkestrantë, të cilët e kanë ndihmuar në punën e tij.
Në
këtë shkrim përshkruam një pjesë të vogël të arritjeve të këngëtarit e
krijuesit Ilir Shaqiri. Krijimtaria e tij artistike, është një vlerë e
pashterëshme kombëtare...
Tiranë më 04.08.2019