Mendime
Adil Fetahu: Sa dhe si po investon Serbia në Kosovë?
E diele, 04.08.2019, 09:00 PM
SA
DHE SI PO INVESTON SERBIA NË KOSOVË?
Në periudhën maj 2013 – maj 2019,Serbia ka investuar mesatarisht
nga 560 deri 570 miliona euro në vit, për mbajtjen e qëndrueshme dhe
kthimin (ardhjen) e serbëve në Kosovë
A janë këto investime në funksion të rikolonizimit të serbëve në Kosovë
Plaçkitja “patriotike” e serbëve të
Kosovës
Nga
Adil Fetahu
Raporti
përplot gënjeshtra e lavdata
Në Raportin për Kosovën
(99 faqe tekst e fotografi) për periudhën
maj 2013- maj 2019, të cilin e shqyrtoi dhe miratoi Kuvendi i Serbisë në
mbledhjen e posaçme të mbajtur më 27 maj të këtij viti, ishin dhënë shënime
precize, madje me decimale, për
investimet që ka bërë Qeveria e Serbisë, me qëllim të mbajtjes së qëndrueshme dhe kthimit të serbëve në
Kosovë, të cilën ata gjithnjë e quajnë “krahina jugore e Serbisë”! Në atë
mbledhje të posaçme të Kuvendit të Serbisë kushtuar, sipas tyre, “Kosovë e
Metohisë”, kryetari i Serbisë mbajti fjalim afro tri orë, në të cilin foli për të gjitha problemet dhe interesat që ka Serbia në
Kosovë, nga aspekti: kombëtar e ndërkombëtar, politik e diplomatik, ekonomik e
social dhe të sigurisë. Si në tërë diskursin e politikës serbe, fjalimi i
Vuçiqit dhe raporti i “Zyrës për Kosovë e Metohi”, gëlonin përplot
gënjeshtra, gjysëm të vërteta, insinuata dhe ankesa për pozitën e rëndë dhe
padrejtësitë që po përjetojnë serbët në Kosovë, si dhe lavdata për punën e madhe e të suksesshme të
regjimit aktual të Serbisë që po bënë për mbrojtjen e tyre dhe të integritetit
të Serbisë. Në fjalimin e tij Vuçiq theksoi problemet me të cilat është
ballafaquar Serbia gjatë kësaj periudhe në procesin e dialogut,siç janë:
presioni i bashkësisë ndërkombëtare; njohja e pavarësisë së Kosovës; dobësimi i
rolit t UNMIK-ut; kalimi i procesit të dialogut nga korniza e OKB-së, nën
patronatin e BE-së; vendimi (mendimi) i
Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; marrja e disa kompetencave të UNMIK-ut
nga EULEX-i; forcimi i kapaciteteve të, siç i quajnë ata, institucioneve të
përkohëshme të vetëqeverisjes së Kosovës; fuqizimi i kontrollit të kufirit me
Serbinë; kushtëzimi i procesit të integrimit të Serbisë në BE me arritjen e
marrëveshjes për normalizimin e
marrëdhënieve me Kosovën, etj, etj.
Për të ilustruar “bindshëm”
pozitën e vështirë dhe “padrejtësitë që po u bëhën” serbëve në Kosovë, në
raport jepen shifra “precize”, se në periudhën 2014-2018, kundër serbëve janë
kryer 465 sulme me motive etnike; 150 plaçkitje të pasurisë; 45 sulme mbi objektet kulturo-historike, fetare dhe
varrezave; janë sulmuar fizikisht 62 viktima; janë gjuajtur me gurë 30 shtëpi,
automjete ose individë,etj.
Serbia ka investuar në Kosovë 560 deri 570 milionë euro në vit
Pjesa dominuese e raportit
për Kosovën ka të bëjë me investimet të
cilat Republika e Serbisë i ka bërë gjatë periudhës gjashtëvjeçare (maj 2013
– maj 2019), për të ndihmuar mbajtjen e qëndrueshme dhe kthimin
(ardhjen) e serbëve në Kosovë.
Për këtë qëllim strategjik, Serbia ka investua në ndërtimin e shtëpive dhe banesave, në
infrastrukturë, rrugë, kanalizime, ujësjellës; në arsim, shëndetësi,
kisha, kulturë; në bujqësi; në paga “ me shtesën për Kosovën”
punëtorëve dhe paga minimale për të papunët; në ndihma sociale; në
administratën lokale; në ndërmarrjet publike; në strukturat paralele dhe ato të
mbrojtjes civile, etj,etj.
Gjatë debateve të zhvilluara
në kuadër të “Dialogut të brendshëm” në Serbi, kryetari Vuçiq në një
tryezë (mars 2018) tha se, në forma të ndryshme, Serbia ndanë mjete për Kosovë
e Metohi mesatarisht nga 560 deri 570
miliona euro në vit, apo 1,45 milion
euro në ditë. Me atë rast Vuçiqi pranoi se ka pasur (edhe) keqpërdorime në shfrytëzimin e atyre
mjeteve, për shkak se Serbia nuk ka mund t’i kontrollojë shpenzimet në terren,
prandaj nga keqpërdorimi i tyre, disa individë janë pasurua shumë, e një pjesë
e mjeteve nuk kanë arritur atje për ku janë destinuar.
Mjete të konsiderueshme janë
investuar edhe për destinime të caktuara, të cilat nuk mund të bëhën
transparente, sepse nuk do t’i lejonte bashkësia ndërkombëtare dhe
institucionet e Kosovës, ka thenë Vuçiq.
(Nënkuptohet se kjo ka të bëjë me bandat kriminale të strukturave ilegale të policies, ushtrisë dhe organeve të sigurimit të Serbisë, të
cilat veprojnë në enklavat serbe, e veçmas në veri të Mitrovicës, v.j.).
Projektet
dhe shumat e investuara
Për investimet transparente
nga mjetet e buxhetit të Serbisë, jepen shënime precize deri në decimale, në shuma dhe në emër të lëmive, projekteve
dhe objekteve për të cilat janë destinuar. Kështu bie fjala, në lëmin e
mbrojtjes së kishave dhe të pasurisë kulturore, në periudhën maj 2014-maj 2019,
në 56 projekte më të rëndësishme, janë
investuar 417.275.000 dinarë*), thuhet në raportin me shkrim dhe në fjalimin e
Vuçiqit.
Në lëmin e sigurimit (ndërtimit,
blerjes dhe meremetimit) të shtëpive e banesave dhe të infrastrukturës, në të njëjtën periudhë,
nga buxheti i Serbisë janë investuar 1.445.678.021,80 dinarë. Me këtë shumë
janë siguruar 1613 njësi banimi, për
personat e shpërngulur intern, kryesisht prej pjesëve tjera të Kosovës në
pjesën veriore, për të kthyerit dhe për familjet dhe personat socialë. Në këtë
shumë hyjnë edhe ndihma që u është dhënë në material ndërtimor 2284 familjeve;
ndërtimi i kompleksit rekreativ-shëndetësor “Rajska banja”, afër Zveçanit;
ndërtimi dhe rikonstruimi i rrugëve, urave, mbikalimeve, deponive, rrjetit të
kanalizimit, tereneve sportive, etj. Në ndërtimin e objekteve të banimit për të
kthyerit, janë investuar mjete të shumta
edhe nga institucionet e Kosovës dhe
organizatat humanitare e donatorë të huaj, veçse për ato nuk jepen shënime në
raport. Megjithatë, efekti i gjithë
atyre investimeve është i paknaqshëm sa i përket kthimit të serbëve të
shpërngulur (ikur) nga Kosova. Prej vitit 2000 deri në maj të 2019-es, janë
kthyer gjithsejt 27.286 veta, dhe ata nuk janë të gjithë serbë, por ka edhe të
komunitetit rom, ashkali dhe egjiptianë. Për shembëll, në vitin 2015
prej 802 personave të kthyer vetëm 429 kanë qenë serbë, në vitin 2016
prej 582 të kthyerëve serbë ishin 299,
precizon raporti. Serbët e shpërngulur (ikur) janë të dy kategorive: ata që
janë shpërngulur jashtë Kosovës,
refugjatë që jetojnë në Serbi ose jashtë saj, dhe kategoria tjetër – të
shpërngulurit “intern”, brënda Kosovës, të cilët jetojnë në pjesën veriore të
Mitrovicës, e që në vitin 2016 të tillë ishin 16.577 veta.
Sipas mendimit tonë, janë dy
shkaqe përse nuk ka kthim më të madh të serbëve në Kosovë. Shkaku i parë është
pasiguria e tyre, ngase e dijnë ata se
çfarë krime kanë bërë ndaj shqiptarëve gjatë luftës (1999), dhe shkaku i dytë
është papunësia e madhe në Kosovë. Kthehën kryesisht të moshuarit, pensionistë,
të cilët marrin pensione edhe nga Serbia edhe nga Kosova! Të rinjët nuk vijnë,
sepse nuk mund të gjejnë punë. Për kthimin e serbëve janë ndërtuar fshatra të
tëra me shtëpi të reja, por ato rrijnë të zbrazta; në fshatin Dragolame të
komunës së Istogut u janë ndërtuar 60 shtëpi dhe vetëm në 6 prej tyre ka
banorë, në Bablak dhe Babush të Ferizajt dhe në Opterushë të Rahovecit janë
fshatra me qindra shtëpi të reja, që
rrijnë të zbrazta. Ka raste kur vijnë, regjistrohen si të kthyer, i marrin
grantet nga 2500 euro, dhe përsëri kthehen në Serbi. Shteti i Serbisë dhe
donatorë të jashtëm, po edhe institucionet e Kosovës janë përpjekur të ndihmojnë
familjet bujqësore me ndihma të ndryshme për të zhvilluar bujqësinë dhe
siguruar ekzistencën materiale. Për
ndihmat që ata kanë marrë nga institucionet e Kosovës dhe nga donatorët e
jashtëm, raporti nuk jep shënime, ngase
ai bënë fjalë vetëm për investimet nga buxheti i Serbië.
Në kuadër të programit të
ndihmës 1300 familjeve bujqësore,
nga buxheti i Serbisë janë investuar 899.682.022,00
dinarë, me të cilat janë blerë 1.200.000 fidane cilësore të pemëve; 500 mjete
të imta e të mëdha të mekanizmit bujqësor;
50 frymë kafshë të trasha; janë ndërtuar shtalla dhe blerë pajime për prodhimet
e qumështit. Për realizimin e të mbjellave vjeshtore dhe atyre pranverore, familjet bujqësore anekand Kosovës janë ndihmuar me material
riprodhues në shumë 183.426.015,oo dinarë. Janë ndërtuar dy fabrika të birrës
në territorin e komunës së Zveçanit; për 105 familje të varfëra janë blerë 79
mëshqerra, 359 dele, 22 dhi, 5 traktorë dhe mjete tjera bujqësore.
Në mjetet për investimet në
bujqësi dhe zhvillimin rural në komunat dhe vendbanimet serbe, institucionet e
Kosovës, në periudhën 2014-2018, kanë
investuar 3.820.262,73 euro, që janë barabar me afro 7 miliardë
dinarë të Serbisë. Po, sa mjete u kanë dhënë serbëve në Kosovë organizatat dhe
donatorët e vendeve tjera, për këtë nuk bëhet fjalë në raport.
Në projektin e vendbanimit
për të kthyerit, “Sunçana dollina” (Lugina e Diellit), që shtrihet në një vend
strategjik afër Zveçanit, janë investuar 1.433.894.399,00 dinarë. Projekti
përmbanë 135 objekte banimi, për 350 familje, që shpresohet se do ketë së paku
1200 deri 1500 banorë, me infrastrukturë të rregulluar dhe ojbekte përcjellëse:
shkollën, kishën, tregun, terenet
sportive, çerdhe për fëmijë. Është investuar në modernizimin dhe digjitalizimin
e infrastrukturës dhe rrjetit të telekomunikacionit fiks, atij mobil dhe të
mediave 22.425.511.47 dinarë.
Shuma të konsiderueshme të
mjeteve janë investuar në lëmin e gjyqësorit,
për ndihmë juridike në mbrojtjën
e pronës së individëve, të subjekteve
ekonomike, të kishës ortodokse dhe
të vetëqeverisjes lokale në “KeM”.
Investimet në shërbimet
publike: arsim, shëndetësi, kulturë zënë vendin më të rëndësishëm në investimet e përgjithshme
në periudhën raportuese. Sot në tërë Kosovën ekzistojnë 103 shkolla serbe (68
fillore dhe 35 të mesme), në të cilat i
vijojnë mësimet 16826 nxënës (11482 në shkollat fillore dhe 5344 në ato të
mesme). Në 10 fakultete dhe 2 shkolla të larta të Universitetit serb që
funksionon në Mitrovicë, studjojnë 7500 studentë, jo vetëm nga Kosova, por edhe
nga Serbia dhe Mali Zi, diplomat e të cilëve ua njeh Ministria e Arsimit e
Kosovës, me ndërmjetësimin e Qendrës Europiane për Çështjet e Pakicave (ECMI),
në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.
Janë 17 institucione parashkollore, të cilat i vijojnë 3239 fëmijë. Të gjitha ato punojnë sipas sistemit arsimor të Serbisë
dhe kurrësesi nuk duan të integrohen në sistemin arsimor të Kosovës, pavarësisht
se Kosova ka investuar në objektet,
pajimet dhe pagat e personelit që punojnë në ato shkolla të ciklit fillor dhe
të mesëm. Shumë punonjës arsimor të atyre shkollave, kanë marrë paga edhe nga
buxheti i Kosovës edhe nga buxheti i
Serbisë, bile nga buxheti i Serbisë kanë
marrë paga të rritura 150%, me shtesën “për Kosovë”, në krahasim me pagat
mesatare të kolegëve të tyre në Serbi. Investime të mëdha në lëmin e arsimit
për serbët e Kosovës kanë bërë edhe organizatat humanitare dhe donatorët e
huaj; për shembëll, vetëm Organizata Humanitare e Solidaritetit (franceze) ka
investuar 800.000 euro, për renovimin dhe pajimin e shkollave serbe në Kosovë.
Po, sa e sa organizata e fondacione tjera kombëtare e ndërkombëtare u japin
donacione për arsimin, shëndetësinë, mediat dhe pushtetin lokal të komunave dhe
vendbanimeve serbe, dhe ato bëhën pa
ndonjë koordinim apo kontrollë nga institucionet e Kosovës!
Në Kosovë funksionojnë dy qendra klinike serbe: në Mitrovicë dhe në Graçanicë, me disa qendra
shëndetësore dhe 26 ambulanta, të cilat veprojnë në kuadër të sistemit
shëndetësor të Serbisë, e në të cilat punojnë 4224 punonjës shëndetësorë, që
marrin paga nga buxheti i Serbisë dhe
nga donatorë të ndryshëm, ndërsa 599 të
tjerë që nuk punojnë marrin paga minimale (8000 dinarë në muaj). Disa punonjës
shëndetësorë marrin paga edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga Serbia. Në Kosovë funksionojnë 5 televizione dhe disa radiostacione, të
lidhura në një ndërmarrje publike që quhet “Most” (Ura), me seli në Mitrovicë
(veri). Sipas deklaratës së kryetarit të Serbisë, vetëm për paga për serbët e
Kosovës, të cilët janë të angazhuar në punë, buxheti i Serbisë ndanë 71 milionë
euro në vit.
Përveç ndihmave e
donacioneve tjera, nga buxheti i Serbisë ka marrë para në shumë 116.382.990
dinarë, Dioçeza Rashkë-Prizren, me seli
në Kosovë, për kuzhinat popullore që organizon për të varfërit, ndërsa 23
organizata komunale të kryqit të kuq kanë marrë 227.902.360,00 dinarë, kurse
për stimulimin e politikës popullative, nënave serbe në Kosovë u janë paguar
54.100.000,00 dinarë, për 5410 fëmijë të lindur. Për objektet dhe manifestimet
kulturore janë investuar 193.930.000,00 dinarë, kurse për ndihma 545 familjeve të varfër janë investuar
202.496.340,00 dinarë. Janë këto shifra
të investimeve, me të cilat kryetari i Serbisë lavdërohet për punën që po bënë,
dhe premton se për këtë qëllim strategjik kombëtar, Serbia do të investojë në
të ardhmën edhe më tepër, sepse ekonomia
e saj tash është më e fortë dhe ka mundësi të investojë për serbët në Kosovë.
Gjithë këto investime e
ndërtime të shtëpive, fshatra të tëra të
ndërtuara për serbë, edhe aty ku nuk ka pasur serb, ose nuk ka pasur fare
vendbanime serbe, siç është rasti me “Sunçana dolina”, “Rajska banja” e shumë të tjera, janë në funksion të një
rikolonizimi të ri të serbëve në Kosovë, sado që aktualisht nuk po ka sukses,
për shkaqe dhe arsye të ndryshme. Dhe në këtë rikolonizim po marrin pjesë, me
mjete dhe me përkrahje tjetër, edhe bashkësia ndërkombëtare edhe institucionet
e Kosovës!
Shqipëria
dhe Kosova në 5 vjet, 150.000 euro për shqiptarët në Serbi e Mal të
Zi !
Është një thënie popullore:
“Më mirë qen i pasanikut, se djalë i fukarasë”! Shqipëria dhe Kosova e varfër
nuk kanë mundësi, por as gadishmëri e
kurajo për t’i ndihmuar “djemtë” e tyre në Luginën e Preshevës dhe në Mal të
Zi, dhe ata nga varfëria janë të detyruar t’i lëshojnë vendet e tyre e të
migrojnë në shtetet e Perëndimit. Trojet shqiptare në Mal të Zi gadi kanë
mbetur pa njerëz, sikurse që edhe nga Medvegja e Serbisë janë shpërngulur ose
kanë emigruar pothuajse të gjithë shqiptarët. Kur diskriminimit, presionit dhe
represionit shtetëror i shtohet edhe papunësia dhe varfëria, atëherë jeta bëhet
e padurueshme dhe njerëzit detyrohen të kërkojnë vend ku do të mund të jetojnë
më qetë e më mirë. Shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, të varfëra
ekonomikisht e të hallakatura politikisht, nuk janë në gjendje as mendojnë për
t’iu ndihmuar shqiptarëve të cilët jetojnë në trojet e veta jashtë kufijve të
shtetit të tyre. Janë nënçmuese dhe qesharake “ndihmat” dhe “investimet” që
Shqipëria dhe Kosova u kanë dhënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre
në Malsinë e Madhe (në Mal të Zi). Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, në
mbledhjen e parë të përbashkët, të mbajtur në Prizren në vitin 2014, patën
marrë vendim të formojnë një fond të përbashkët për Luginën e Preshevës.
Atëbotë, ndanë 100.000 euro për Maternitetin e Preshevës. Dhe më pastaj u
harrua ai vendim e ai zotim. Tek pas pesë vjetëve, Qeveria e Shqipërisë, me
buxhetin e vitit 2019, ka ndarë nga 25.000 euro për ndihmë Këshillit Kombëtar
të Shqiptarëve në Serbi (Bujanovc) dhe atij në Mal të Zi (Plavë). Sa ndihmohet komuniteti shqiptar në ato dy
shtete me kaq pak mjete, nuk do koment, ndërsa krahasimi me investimet që bënë
Serbia për serbët në Kosovë, është i pakuptimt: ajo investon për serbët në
Kosovë afro 1,5 milion euro në ditë, ndërsa dy shtetet shqiptare – për 5 vjet
investuan 150.000 eruo për shqiptarët jashtë shtetit!
Keqpërdorimet
apo “plaçka patriotike serbe”
Raporti i analizuar më sipër
është për periudhën 2013-2019, prej kur ka ardhur në pushtet partia e Vuçiqit
dhe vet Vuçiqi ishte nënkryetar, pastaj kryetar i Qeverisë , ndërsa tash është
kryetar i Serbisë. Po për serbët e Kosovës kanë investuar edhe
regjimet e tjera, para këtij të Vuçiqit.
Dhe si rendom, regjimi i ri hulumton të gjejë dobësitë e regjimit paraprak, që
ta denigrojë atë dhe të ndërmerr masa kundër bartësve të keqpërdorimeve.
Kështu, për shpenzimet buxhetore dhe investimet e regjimit paraprak, në
periudhën midis vitit 2000 deri 2012, Kuvendi i Serbisë më 8 prill 2013, formoi një Këshill Anketues, të përbërë prej 14
deputetëve të partive të ndryshme, me detyrë për të vërtetuar faktet dhe gjendjen mbi shpenzimin e mjeteve të
buxhetit të Serbisë në “Kosovë e Metohi” në periudhën e viteve 2000 deri 2012.
Këshilli Anketues kishte për detyrë të vërtetojë: a) a është bërë shpenzimi i
mjeteve në pajtim me aktet ligjore dhe nënligjore; b) a janë shpenzuar mjetet për destinimet e caktuara dhe në
kushte të njëjta për të gjithë shfrytëzuesit; c) a janë shfrytëzuar mjetet
sipas planeve dhe projekteve të caktuara; d) si është bërë kontrolli i
qarkullimit të mallrave që vijnë nga Serbia në Kosovë, të cilat ishin
të liruara nga tatimi në vlerën e
shtuar; e) a janë bërë furnizimet me mallra dhe kryerja e punimeve në pajtim me
ligjet; f) a është tjetërsuar pasuria të cilën e kanë pasur “ndërmarrjet
shtetërore”; g) sa mjete ka ndarë buxheti i Serbisë në periudhën e viteteve
2000 deri 2012, për “Kosovë e Metohi”, për çfarë destinimesh dhe kujt i janë
dhënë ato.
Pas punës njëvjeçare që ka
kryer Këshilli Anketues, ka hartuar raport detaj (68 faqe) dhe e ka miratua më
24 prill 2014, në të cilin në mënyrë shumë të detajuar ka paraqitur shifra e
fakte për shumat e investuara, projektet, shpenzimet dhe keqpërdorimet e
konstatuara. Kundër atij raporti ishte vetëm ultranacionalisti Millan Ivanoviq, nga
Mitrovica, me arsyetimin se raporti po i poshtëron dhe paraqet serbët e Kosovës
si hajna dhe keqpërdorues të mjeteve të
buxhetit të Serbisë. Dhe vërtetë, raporti ka përmendur me emër e mbiemër shumë
kepërdorues dhe fajtorë tjerë të keqpërdorimit të mjeteve të investuara, jo
vetëm nga radhët e serbëve të Kosovës, por edhe përgjegjës të qeverisë së
Serbisë, dhe ka rekomanduar ndërmarrjen e hetimeve dhe masave ligjore kundër
keqpëdoruesve.
Në raportin e Këshillit
Anketues, është vërtetuar se në periudhën e viteteve 2000 deri 2012, nga
buxheti i Republikës së Serbisë janë investuar në Kosovë 229.402.814.198,00
dinarë, apo 2.834.887,345,14 euro. Ato mjete janë ndarë:
-për sanimin e pasojave të
termetit që ndodhi në Anamoravën e Gjilanit (14 prill 2002),
-për blerjen ose ndërtimin e
shtëpive dhe banesave për kuadro dhe për të shpërngulurit intern në rrethin e
Mitrovicës,
-për ndërtimin e objekteve
të infrastrukturës,
-për ndërtimin e objekteve
për kthimin e qëndrueshëm të personave të shpërngulur,
- për veprimtaritë publike:
arsim, shëndetësi, kulturë, vetëqeverisje lokale dhe ndërmarrjet publike.
Mjetet buxhetore të
investuara në Kosovë kanë shkuar përmes
ministrive të caktuara, përmes fondeve dhe përmes Qendrës Koordinuese për “Kosovë e Metohi”. Në
të gjitha linjat e shpenzimit të mjeteve janë konstatuar paligjshmëri dhe keqpërdorime të mëdha në forma e mënyra të ndryshme dhe në
shuma të mëdha. Përgjithësisht llogaritet se janë keqpërdorur më se 300.000.000,00 euro, në lëmi, në projekte dhe
në objekte të ndryshme. Raporti ka precizuar shumat e mjeteteve të keqpërdorura
në të gjitha veprimtaritë dhe në të gjitha projektet dhe objektet për të cilat
janë ndarë mjete. Ato keqpërdorime janë bërë në mënyra të ndryshme. Bie fjala,
nga mjetet për sanimin e pasojave të termetit në Anamoravë, u janë ndërtuar
shtëpi (edhe) personave në vendbanime të
pa goditura nga termeti, apo personave të cilët nuk jetojnë fare në Kosovë. Është
abuzuar me kategorizimin e shkallës së dëmtimit të objekteve, me çmimet fiktive
për material ndërtimor, me rritjen e çmimit të ndërtimit për meter katror. Nga
200 familje të goditura nga termeti, është rritur numri në 1900 i shtëpive për rekonstruim dhe ndërtim të ri të
objekteve.
Për blerjen, ndërtimin, rikonstruimin
dhe adaptimin e shtëpive dhe banesave në Mitrovicë, për të shpërngulurit
intern janë shpenzuar 370.426.224,00 (rreth 15 milionë euro), duke keqpërdorur
në mënyra të ndryshme: përmes ndërmjetësimit në shitblerje (prej shqiptarëve),
në rritjen e çmimit për meter katror; 16 shtëpi
të blera as që kanë ekzistuar në terren, ndërsa për 5 lamela, me 80
banesa, ësht[ shtruar vetëm pllaka e themelit, që tash iu shërben fëmijëve për
të lozur fotball!
Keqpërdorimet më të mëdha
janë bërë në lëmin e shëndetësisë, arsimit dhe pushtetit lokal. Në shëndetësi
kanë marrë paga të dyfishta, edhe nga
buxheti i Serbisë, paga me
shtesën për Kosovë, edhe nga buxheti i Kosovës. Madje, 727 punëtorë
shëndetësorë që nuk kanë punuar në Kosovë, por në Serbi, kanë marrë pagat e
rritura me shtesën për Kosovë. Kishte 1288 punëtorë shëndetësorë në Kosovë të
paangazhuar në punë, që merrnin paga minimale (11.083,00 dinarë në muaj), nga
ana tjetër punësoheshin të tjerë, qoftë në bazë të mitos, apo sipas parimit: “Ti
mua, unë ty”. Më se 112 punëtorë shëndetësorë, me në krye dr Stojan Sekuliq,
punonin në dy-tre vende pune: në Qendrën Mjekësore dhe në Fakultetin e
Mjekësisë në Mitrovicë, merrni nga dy-tri paga, me shtesën për Kosovë, iu
paguheshin kontributet për sigurim pensional
nga dy institucionet, e kur kanë dalur në pension, kontributet e njenit
burim i kanë marrë të gatshme, përnjëherë! Në Qendrën Mjekësore në Mitrovicë,në
periudhën 2009-2013, janë punësuar 157 punëtorë, të cilët kurrë nuk kanë punuar
në shëndetësi (ata mund të jenë caktuara
në detyra të ndryshme ilegale e kriminale, si roja të urës, barrikadistë, e çka
jot jetër, v.j.). Në Shtëpinë e Shëndetit në Graçanicë, ku Rada Trajkoviq ishte
u.d. së drejtorit, janë keqpërdorur 2.045.680,00 dinarë, për punët e
mikrobiologjisë, dhe 21.309.544,26 dinarë të dedikuara për paga nënave në pushm
të lindjes. Në shëndetësi janë
keqpërdorë mjete në bazë të rritjes së çmimeve të barnave dhe materialeve.
Këshlli Anketues ka konstatuar dhe evidentuar keqpërdorim të mjeteve në të
gjitha institucionet shëndetësore serbe,
të cilat janë financuar edhe nga buxheti i Serbisë edhe nga ai i
Kosovës.
Edhe në lëmin e arsimit janë
keqpërdorë mjete të shumta të destinuara për
ndërtim, adaptim, pajisje, paga. Përveç shkollimit të lartë, edukimi
parashkollor dhe arsimi fillor dhe i mesëm është financuar edhe nga buxheti i
Serbisë edhe nga buxheti i Kosovës, ndërsa për ndërtimin, adaptimin dhe
pajisjet, mjete të shumta kanë dhënë edhe fondacione e donatorë të vendeve
të ndryshme dhe aso ndërkombëtare. Poashtu, keqpërdorim të mjeteve ka
pasur në ndërtimin e infrastrukturës: rrugë, kanalizime, ura, mbikalime,
etj, pastaj në 14 institucione të kulturës, të cilat tash e
kanë selinë në Serbi, dhe kanë vetëm nga një drejtor, janë shpenzuar mjete të
konsiderueshme pa kryer kurrëfar funksioni as veprimtarie. Në vetëqeverisjen
lokale janë financuar organet e përkohëshme ekzekutive, fiktive, edhe për ato
komuna ku nuk ka asnjë serb, si psh.në Kaçanik, Skënderaj, Gllogovc, Suharekë,
Deçan, Shtimje, ndërsa evidentohen nga 6 të punësuar në to dhe marrin paga me
shtesën për Kosovë!
Nga keqpërdorimi i mjeteve
të investuara, qoftë nga buxheti i Serbisë apo ai i Kosovës, janë financuar
veprimtari ilegale e kriminale të strukturave banditeske serbe të cilat kanë
vepruar dhe veprojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, por edhe në enklaavat dhe
në kishat e manastiret në pjesët e tjera të Kosovës; janë pasuruar një numër i
caktuar i njerëzve, të cilët tash zhvillojnë biznese dhe contrabandë, qoftë në kufirin
Kosovë-Serbi, apo brenda Kosovës dhe brenda Serbisë. Ato banda kriminale e ata
“plaçkitës patriotë” sot udhëheqin politikën destruktive e kriminale të serbëve
të Kosovës, në bashkëveprim me strukturat shtetërore të Serbisë, e kundër
Kosovës. Keqpërdorimi i gjithë atyre mjeteve nuk ka mund të bëhet pa dijen dhe
pjesëmarrjen edhe të profileve të larta nga strukturat e shtetit të Serbisë,
dhe natyrisht se në tërë atë masë, mund të ketë
marrë pjesë edhe ndonjë shqiptar i prirur për kontrabandë dhe krim të
organizuar.
____
*)Kursi mesatar i dinarit ndaj gjatë periudhës raportuese ka pasur ndryshme,
por jo aq të mëdha: 2014, 1 euro= 117
dinarë; 2015, 1: 120,73; 2015 = 1:123,
12; 2016 = 1:123,12; 2017 = 120,5; 2018=1;119, dhe 2019=1:118 din.).