Editorial
Enver Bytyçi: Pse diktatura Rama dhe Veliaj i ngriti memorial dhunës së presidentit Erdogan?!
E marte, 13.08.2019, 08:58 PM
Pse diktatura Rama dhe Veliaj i ngriti memorial dhunës së presidentit Erdogan?!
Nga Enver Bytyçi
Debat
i madh për memorialin turk te Kodrat e Liqenit artificial të Tiranës, me të
cilin Edi Rama dhe Erion Veliaj nderojnë ‘fitoren e madhe të Rechep Tayp
Erdogan kundër puçistëve të 15 korrikut 2016 në Turqi’.
Që
ky memorial është antihistorik, antikombëtar, alogjik, për këtë është folur
shumë. Në fakt ishte gjest vasaliteti i kryeministrit të Shqipërisë përballë
presidentit të Turqisë. Ishte gjithashtu akt i paprecedent. Në praktikën
ndërkombëtare kurrë nuk ndodh që një vend të memoralizojë ngjarjet e grushtit
të shtetit në një vend tjetër. Vetëm diktaturat, për arsye ideologjike,
memoralizojnë ngjarjet e brendshme të ashtuquajtura revolucionare në vendet e
tjera, me qëllim që diktatorët ta aplikojnë si model ngjarjen e vendit mik ose
vëlla. Kishte ndodhur kjo me Shqipërinë komuniste psh me imitimin që iu bë
Revolucionit Kulturor Proletar Kinez, ose me aplikimin e politikave staliniste
tek ne.
Ndërsa
në debatin për rastin e fundit dëgjoj interpretime të tilla, sipas të cilave,
‘Rama dhe Veliaj janë të kapur ose të shitur te presidenti turk, Erdogan’. Edhe
kjo logjikë funksionon. Por memoriali i ngritur në përkujtim të fuqisë
erdoaniste të pushtetit ka një domethënie më të madhe. Ashtu si diktatorët edhe
sorosistët e Tiranës duan që të kopjojnë modelin turk e rus, si dhe t’u japin
shqiptarëve mesazhin se ushtria është e gatshme të ndërhyjë në çdo rast kur
rrezikohet pushteti i dyshes Rama-Veliaj! Dhe jo vetëm kaq! Dy pushtetmbajtësit
absolutë në Shqipëri duan t’i japin vlerë shtypjes dhe jo revoltës e ta
paraqesin dhunën shtypëse si të legjitimuar përballë revoltës së qytetarëve.
Mesa
duket i gjithëpushtetshmi Edi Rama e ndjen kërcënimin që i vjen prej valës së
protestave të vjeshtës dhe për pasojë paralajmëron se protestuesit shqiptarë të
vjeshtës së ardhshme do të kenë fatin e të implikuarve në grushtin ushtarak të
shtetit në Turqinë e para tri viteve. Modeli Erdogan do të thotë burgime të
përjetshme, dënime të rënda, largime me lista të akademikëve, artistëve dhe çdo
kundërshtari e protestuesi nga puna! Të gjithë do të konsiderohen puçistë, siç
u konsideruan 2500 dekanë universitetesh në Turqinë e Erdoganit në korrik 2016!
Mbetet
që kryeministri i Shqipërisë t’i ngrejë monument të gjitha diktaturave që janë
mbrojtur nga revolucionet, me qëllim që të përligjë dhunën e tij të strukturuar
në tru, kundër proceseve demokratike të pashmangshme në Shqipëri, procese që
çojnë e duhet të çojnë në rrëzimin e diktaturës sorosiste Rama-Veliaj!
Sigurisht
që ai memorial është krejt i pakuptimtë, sepse mban anë në zhvillimet e
brendshme në një vend të tretë, madje në kundërshtim me qëndrimet evropiane dhe
amerikane. Nëse e zbërthejmë kuptimin e këtij memoriali, atëherë do të duhet që
të shohim qartë çfarë rreziku u kërcënohet gylenistëve në vendin tonë! E në
këtë aspekt ndoshta duhet ta ketë kapur mesazhin përkatës ish-ministri i
Jashtëm, Ditmir Bushati!
Prej
ditës dhe orës kur u përurua memoriali i fitores së Erdogan në Ankara e në
Stamboll, prej atij momenti qytetarët turq në Shqipëri, qofshin dhe me
pasaportë shqiptare ose me prejardhje shqiptare, edhe pse nuk kanë asnjë lidhje
me grushtin e shtetit në vendin e tyre, janë dhe do të jenë të kërcënuar, me
fatin e 6 gylenistëve që Hashim Thaçi i paketoi në mënyrë të kundërligjshme për
t’i çuar në Ankara.
Ky
akt anti-perendimor i presidentit të Kosovës është kritikuar ashpër, ashtu siç
po gjen kundërshtinë e medieve amerikane dhe evropiane akti i turpshëm e
poshtërues i ngritjes së memorialit për Erdoganin në Tiranë. Bota amerikane e
mbron fuqishëm liderin e lëvizjes ‘Hyzmet’, Fethullah Gylen, ndërkohë që asnjë
vend anëtar i Bashkimit Europian nuk ka pranuar që të zbatojë urdhër-arrestet
që lidhen me ngjarjen e të ashtuquajturit grusht shteti kundër Erdogan në
Turqi. Memoriali i Edi Ramës dhe Erion Veliajt shkon në drejtimin e kundërt të
qëndrimeve perendimore!
Sa
më shumë kohë kalon, aq më shumë kuptojmë se veprimet dhe politikat e brendshme
dhe ato që kanë të bëjnë me ngjarje si memoriali në fjalë, synojnë dhe çojnë në
konsolidimin e diktaturës mafioze të Edi Ramës në Shqipëri! Edi Rama me këtë
memorial u tha shqiptarëve se ‘forca, dhuna, është në dorën e tij, ndërsa
demokracia e liria janë e do të jetë e pafuqishme përballë kësaj force e kësaj
dhune’! Ndaj shpalli si aleat të çimentuar në beton e mermer presidentin
autokrat të Republikës turke!
Tiranë, më 12.08.2019