Editorial
Alfred Papuçiu: I madhi Ismail Kadare i përket jo vetëm Shqipërisë, por mbarë njerëzimit
E merkure, 24.07.2019, 10:27 PM
I madhi Ismail Kadare i përket jo vetëm Shqipërisë, por mbarë njerëzimit
Nga
Alfred Papuçiu
Isha
i ftuar , pas kthimit tim nga Shqipëria, nga profesori i shquar zviceran, mik i
shqiptarëve, Jean-Philippe Assal. Në bisedë e sipër i thashë i entuziazmuar se
pata fatin të takohem dhe të bisedoj edhe me shkrimtarin Ismail Kadare.
Profesori i nderuar më foli me dashamirësi për shkrimtarin tonë mbarëkombëtar
që e kishte takuar gjatë vizitës së tij, para disa vitesh në Shqipëri. Më pyeti
si është me shëndet ? Ju përgjigja që m’u duk tepër mirë, megjithë ngarkesën e
madhe që përballon. Vetëm gjatë qëndrimit tim prej gjysëm ore, u bënë disa
telefonata dhe bashkëbiseduesve të shumtë, ai u përgjigjej me respekt e
dashuri. Kishte marrë çmimin e Princit të Asturias për letërsinë. Cmim që
shpërblen gjithë veprën e tij. Ky çmim i jepet çdo vit që nga 1981 një njeriu «
puna krijuese e të cilit përbën një kontribut të rëndësishëm për kulturën
universale, në fushat e letërsisë ose të linguistikës ».Pak më parë kishte
marrë edhe titullin « Doctor Honoris Causa » nga Universiteti i Palermos.
Gazeta franceze “Le Monde” e cilëson veprën e tij në 100 më të mirat në botë.
Shkrimtar i përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës. Ismail Kadare « i ka kapërcyer kufijtë për t’u bërë një zë
universal kundër totalitarizmit ». Ai është cilësuar nga shkrimtarë të sërës së
tij të njohur në botë si : “krijues i një universi të rallë letrar”,
“illuminist dhe humanist, njeri i lirë dhe një demokrat i flaktë”, “transmetues
i mendimit, ideologjisë, dëshirës për liri”. Në 2005, ai laurohet me
prestigjiozen « Man Booker International ». Më tej, ai ka marrë edhe çmime të
tjera.
Isha
para një njeriu të madh dhe të them të drejtën e ndjeja veten pak ngushtë, pasi
më dukej se po i merrja nga koha e tij e çmuar. Por ai me fjalët e tij të
përzemërta më bënte të përgjigjesha, pak me ndrojtje. Me autografin e tij
karakteristik, më dhuroi dy libra të tij të rinj. I dhashë edhe unë dy libra të
mij, në të cilat kam shkruar edhe për të dhe më falenderoi. Por duke i parë ato
në dy gjuhë, m’u drejtua ashtu thjesht : « Është punë e madhe, Alfred, të
shkruash në dy gjuhë ». Ju përgjigja se e bëj që fëmijët shqiptarë në diasporë
të mos harrojnë gjuhën amtare. Nuk po zgjatem në hollësitë e bisedës sonë, pasi
ajo lidhet me botimet, botuesit, vendin e letërsisë sonë në Shqipëri, por dhe
jashtë saj. Me dashamirësi, për shkrimtarët bashkëkohës të vendit të tij, por
edhe të huaj.
Ndërkohë,
bie zilja tek dera e apartamentit të Ismailit, ai shkon vetë atje të hapë derën
dhe hyjnë dy zonja. Më kërkoi falje disa minuta, por gjithmonë unë isha pranë
tij. Biseda me to kaloi tek realizimi i një filmi për fisnikun tonë Ismail
Kadare. Me shumë modesti, ai u përgjigj se ai është akoma në fazat e para.
Megjithëse po atë ditë ai po përgatitej të shkonte për pushime, e vazhdoi
bisedën me dy zonjat dhe dëshirës së tyre për të realizuar një intervistë, ai
ju përgjigj pozitivisht, natyrisht pas mbarimit të pushimeve. Pas ikjes së
tyre, e vazhduam bisedën në tavolinën e tij të madhe, ku nuk kishte asnjë
sekretar që ta ndihmonte në morinë e gjithë atyre letrave që ai kishte marrë
nga dashamirët e shumtë shqiptarë, por edhe të huaj. E vetmja “sekretare” e
tij, është bashkëshortja Helena, e cila, i qëndron gjithmonë. U ndamë sikur të
ishim miq të vjetër, megjithëse unë e kam takuar vetëm disa herë, kur ka ardhur
në Zvicër. Më kujtohet takimi i ngrohtë me shkrimtarin Ismail Kadare, nga fundi
i vitit 1994, në Universitetin e Gjenevës, kur më dha me autograf një nga
librat e tij që e mbaj me kujdes, me veprat e tjera të tij, në pjesën ballore
të Bibliotekës sime. Më kujtohen gjithashtu takimet e rralla me të, tek Panairi
i Librit në Palekspo të Gjenevës dhe jam tepër i gëzuar kur shoh se në
libraritë më të mëdha edhe në bibliotekat e shumta jo vetëm në Gjenevë, por
edhe në qytete të tjerë, si në bibliotekat e organizatave ndërkombëtare, ku kam
punuar, emri i Ismail Kadaresë zë një vend të veçantë. Në Bibliotekën
madhështore të Pallatit të Kombeve në Gjenevë, ku kam patur fatin të punoj në
fillimet e viteve 90, kërkoheshin dhe lexoheshin me kënaqësi veprat e
shkrimtarit Ismail Kadare. Dhe unë isha krenar që vija nga « vendi i Kadaresë
».
E
bëra këtë hyrje, të dashur lexues, jo për t’ju përgjigjur polemikës boshe të
ndonjë pene shqiptare që “do të vrasë larg”. Duam a s’duam ne, Ismail Kadare
nuk i përket vetëm Kombit tonë, por botës letrare europiane dhe ndërkombëtare.
Ai i përket mbarë njerëzimit. Është pararendës i njohjes së letërsisë shqiptare
në botë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe veprat e tjera të tij, hyjnë në
fondin e artë të letërsisë botërore. Qysh i ri ishte ambicioz dhe energjik dhe
me penën e tij shumë shpejt u imponua për të rezatuar letërsia shqiptare në
Europë, megjithë censurën e diktaturës enveriane. Gazetarë të shquar, veteranë
të televizionit zviceran, si Pjer Bardë, që ka realizuar me qindra e qindra
emisione përfshirë edhe për etruskët, në bibliotekën e tij të pasur, ka
radhitur në një vend ballor, të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në
frëngjisht, por gjithashtu edhe në gjuhë të tjera të huaja. Enkas, në udhëtimet
që kam patur fat të bëj në botë, si rezultat kryesisht i punës me organizatat
ndërkombëtare, “gërmoj” në libraritë dhe bibliotekat e këtyre vendeve dhe shoh
se librat e Ismail Kadaresë zenë një vend nderi në raftet e tyre. Shpesh pyes
për aksh libër të Ismailit që nuk ndodhet aty dhe librashitësja thotë me
dashamirësi se tanimë është blerë. Deri më sot nuk kam gjetur asnjë libër te
Kadaresë në kioskat apo tezgat e shumta të librave tashmë të lexuar e
stërlexuar, pasi ato ruhen në bibliotekat e njerëzve të thjeshtë, të atyre të
kulturës, të artit, por edhe të personaliteteve më të larta të vendeve të
botës.
Askush
nuk mund ta përlyejë figurën madhore të Ismail Kadaresë dhe të letërsisë
shqiptare. Për Ismail Kadarenë nuk mjaftojnë as disa qindra faqe të tëra për të
shkruar për veprën e tij, për jetën e vrullshme, për karakterin tepër njerëzor,
maturinë, pjekurinë, inteligjencën dhe bonsensin e tij. Ato i gjen të shkruara
në qindra e qindra botime kudo në botë. Kemi fat që një "Doctor honoris
causa" është shqiptar, kemi fat që vepra e tij ndodhet kudo: në Kongresin
amerikan, në Bibliotekën më të vjetër të botës, themeluar në shekullin e XII-të
në Oksford të Anglisë, në Universitetin Jale (SHBA), tek "Payot",
"FNAC". Një akademik francez ka thënë për Ismailin tonë:
"Toujours vous porterez l'Albanie et toujours l'Albanie vous portera"
(Ju do të mbani gjithmonë Shqipërinë dhe Shqipëria do t'u mbajë). Shqiptarët,
siç është shprehur vetë shkrimtari ynë, "e humbën Europën" dy herë,
në radhë të parë në shekullin e XV-të, si popujt e tjerë nga zgjedha otomane;
radhën e dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur ranë nën thundrën komuniste;
herën e tretë, megjithëse jetojnë akoma
nën "ankthin" se mos e shohin akoma veten jashtë Europës,
Ismail Kadare, ithtar europian i shqiptarëve dhe ata që e pasojnë, do ta vënë
në jetë aspiratën e bashkëkombasve të tyre, me veprat e tyre, për ta parë edhe
Kombin tonë në Brukselin e të 27-tëve. Japonezët, Norvegjezët, Baskët,
Italianët, Britanikët, Grekët, Amerikanët, Portugezët, Zviceranët dhe natyrisht
Francezët kanë qënë lexuesit e parë të Ismailit tonë dhe janë besnikë ndaj tij,
do apo s'do ndonjë Akademik shqiptarofolës, apo ata që për dy kacidhe hedhin
anatema ndaj tij. Lexuesit e shumtë të veprës së Ismailit në botë janë mësuar
të deshifrojnë qysh në kohën e diktaturës së E.H., mesazhet që përmbanin veprat
madhore të Ismail Kadaresë. Francezi i
shquar Moris Dryon (Maurice Druon) ka deklaruar për Ismailin fisnik:
"dëshmitar i Shqipërisë për Shqipërinë, ju u kthyet në universal"
(botëror). Ismail Kadareja ka bërë shumë edhe për Kosovën. Mjafton të përmendim
letrën që i ka dërguar para disa vitesh ish Presidentit Francez, lidhur me
masakrat e serbomëdhenjve. Ai shkroi aq bukur parathënien e librit të Ibrahim
Rugovës “Ceshtja e Kosovës” që u botua nga shtëpia botuese me prestigj
“Fayard”. Anatemat kundër Ismail Kadaresë godasin indirekt dhe çdo shqiptar të
ndershëm kudo qoftë. Kadareja nuk i përket vetem kombit tonë, por edhe kombeve
të tjerë, ku ai ka fituar zemrat e miliona njerëzve me shkrimet e tij për
Shqipërinë dhe shqiptarët. Midis të tjerëve mund të përmendim lexuesit e veprës
së Kadaresë, etnologët e huaj, veçanërisht francezë, të cilët janë magjepsur
nga romanet e tij, në të cilat ata kanë gjetur tema që për ta janë të
shtrenjta: nderi dhe fjala e dhënë, mikriptja, martesa, por gjithashtu
identiteti kombëtar, transmetimi gojor, epopeja. Vepra e tij shpesh duket, për
këtë arsye, si një dritare mbi një shoqëri dhe një kulture që më parë ishin të
mbyllura për etnologët e huaj, deri në 1990 dhe që për shkak të “hermetizmit”
të shoqërisë shqiptare deri atëhere, ishin të panjohura në krahasim me vendet e
tjera të rajonit. Ismail Kadare është cilësuar me të drejtë nga studjuesit e
letërsisë botërore si “antikonformist”, “rezistues i heshtur”, “një kundërshtar
i heshtur i regjimit”, deri sa u kthye në një aktivist i palodhur kundër
tiranisë. Ai është një shkrimtar gjeni, vepra e të cilit u kthye në një simbol
shprese. Veprat e Kadaresë tanimë janë bërë pjesë përbërëse e shpirtit të të
rinjve, të atyre mësuesve atje në fshatrat e thella dhe në malet tona që
lexonin veprat e tij dhe mësonin gjuhë të huaj, në vend që të ktheheshin në saharoshë
kafenesh. Ismaili ishte simbol i emancipimit dhe formimit të tyre kulturor. Ai
u kthye në një idhull për një numër krijuesish të rinj që guxonin të shprehnin
disa mendime antikonformiste në veprat e tyre. Ismail Kadaresë ju desh të
përballojë me dinjitet thëniet kërcënuese: “Dëgjo Ismail! Partia dhe populli të
ngritën në Olimp. Në rast se ti nuk qëndron besnik idealeve tona, ata do të të
hedhin në humnerë”. Kërcënim i hapur në praninë e gruas së Diktatorit. Por
Ismail Kadare nuk ishte më një shkrimtar modest i viteve 60-të dhe veprat e tij
tanimë ishin botuar jo vetëm në Francë, por edhe në vende të tjera.
Inteligjenca dhe pena e tij e mprehtë ishin mbi diktaturën, o ju kritizerë
qaramanë që shpini pa dashur ujë tek mulliri i serbomëdhenjve dhe atyre që duan
të na denigrojnë me “mashat” tona mjerane!
Nuk
dua të përmend akoma më tepër titujt që ka marrë Kadareja në Francë apo gjetiu,
përveç atyre që përmendëm më sipër, apo sa kryetarë shtetesh njohin më mirë
Ismail Kadarene dhe veprën e tij, se sa
një president republike të çdo vendi qoftë. Duam a nuk duam ne, ai nuk ka
nevojë per ne, ne kemi nevojë për të, për gjithçka ai do të shkruajë edhe tani
edhe në të ardhmen për kombin e tij të lashtë.
Për
respekt të atyre që e vlerësojnë letërsinë shqipe dhe Ismail Kadarenë, po ju
jap lexuesve vetëm disa pasazhe të vlerësimeve që ju bënë atij, më 28 tetor
1996, kur ai u pranua si anëtar
bashkëpunëtor i huaj i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ismail Kadare zuri atëhere vendin e filozofit
dhe moralistit të madh Karl Popper. Presidenti i asaj Akademie Zoti Alain
Plantey, ndër të tjera përmendi tiparet kryesore të personalitetit të Ismail
Kadaresë dhe të veprës së tij, cilësitë e të cilave vlerësohen kudo. “Në rast
se ju jeni në mënyrë të pakundërshtueshme një shkrimtar, tha ai, veprat tuaja
kanë, në gjithë botën, një kuptim të fuqishëm…Duke ju zgjedhur juve, ne
caktojmë natyrisht një Europian të një soji të veçantë, një Ballkanik, që për
më tepër është shqiptar, përfaqësues i shquar i një prej Kombeve dhe prej
kulturave më autentike ballkanike. Në rast se sot, si për shumë në Europën
Qëndrore dhe Ballkanike, Shqipëria sheh drejt Perëndimit liberal, ky Perëndim,
nga i cili në të vërtetë komunizmi kishte frikë, kjo është pikërisht në sajë
tuajën. Ju keni treguar fuqinë etike dhe politike të mesazhit letrar, kur ai
mbështetet në kurajon dhe talentin. Vendi juaj është ashtu si duket midis nesh.
Pastaj,
ai ja dha fjalën anëtarit të Akademisë, Zotit Henri Amouroux, i cili ndër të
tjera theksoi:
“Cilin
po pranojmë ne sot: romancierin Ismail Kadare, njërin nga më të mëdhejtë të
kohës sonë…Por në 1989, Ismail Kadare ka qënë zgjedhur anëtar korespondent i
seksionit të historisë dhe gjeografisë të Akademisë sonë. Një romancier në
seksionin tonë të historisë dhe gjeografisë?
Më kujtohet atëhere, Ismail, se u thashë kolegëve të mij, i bindur
menjëherë se e gjithë vepra juaj ishte e pandarë nga gjeografia e një vendi që
Ptolemeu, i pari, e quajti Albanoï, emër që mendohet se ai i referohej në këtë
mënyrë maleve, këtyre maleve, që zënë dy të tretat e territorit, që ishin
strehë jo vetëm e të gjitha rezistencave ndaj të gjithë pushtuesve, por
gjithashtu e muzikës, valleve, kostumeve, dhe ajo që është kryesorja e gjuhës
shqipe”.
Mjafton
kaq për të respektuar Ismail Kadarenë, i cilësuar „fenonem“, një shqiptar
bashkëbesëlidhës i yni, pasi duam as nuk duam, ai është i respektuar nga njerëz modestë,
letrarë, shkrimtarë, historianë, shkencëtarë, por edhe Presidentë të botës
mbarë.
Të
heq Kapelen miku im i mirë, modest, por penë artë, Ismail dhe ty Helenë që ke
qëndruar gjithmonë pranë tij në Shqipëri, Francë e gjetiu, ku ju kanë shpënë
rrugët e jetës, si në Guernessey për
Hygoin ka qënë Zhulieta dhe për Soljeniçinin ka qënë Matriona. Ju keni qënë për
të "një mbështetje edhe në çastet më të errëta të vetmisë dhe të
braktisjes", por edhe në çastet dhuratë të lavdisë së tij të merituar të
sotme. Së bashku ne do bëjmë çmos dhe do ndikojmë që Njeriu ynë i Madh, Ismail
Kadare të marrë faktikisht çmimin "Nobël" që e ka merituar prej
kohësh.
Gjenevë, më 22 korrik
2019