Mendime
Enver Bytyçi: Ursula von der Leyen pritet të jetë presidentja më e suksesshme e KE-së!
E diele, 21.07.2019, 03:37 PM
Me votat minimale të PE-së Ursula von der Leyen pritet të jetë presidentja më e suksesshme e KE-së!
Nga
Enver Bytyçi
Ursula
von der Leyen është prej ditës së djeshme presidente e Komisionit Europian. Ajo
mori gjithsej 383 vota nga 374 të nevojshme, d.m.th 9 vota më shumë, një numër
i ulët mbi pragun. Sikur të votonin pro eurodeputetët konservatorë, liberalë
dhe socialdemokratë, pra eurooptimistët, Von der Leyen do të duhej të merrte së
paku 444 vota. Por nuk ndodhi kështu. Shumë socialdemokratë gjermanë nuk e
votuan, edhe pse ata bashkëqeverisin me CDU-në në Gjermani. Nuk e votuan në
shumicë as deputetët francezë dhe ata të vendeve të Beneluksit, megjithëse ajo
kishte lindur në Bruksel dhe u rrit në Gjermani. Nuk e votuan gjithashtu disa
eurodeputetë bashkëpartiakë, si ata të CSU-së, për shkak se ata prisnin që në
krye të Komisionit Europian të vinte kandidati i tyre, Manfred Weber.
Ursula
von der Leyen erdhi në skenë si kandidate për postin e kreut të ekzekutivit të
BE-së gati krejt papritur. E vërteta është se atë e imponuan disa vende të
lindjes evropiane ish-komuniste. E imponuan kryesisht polakët dhe hungarezët,
të cilët njiheshin në Bruksel si fëmijët kryeneçë të kontinentit. Ata nuk
deshën që në krye të KE-së të vinte ndonjë përfaqësues i Sorosit. Kryeministri
i Polonisë, Mateusz Morawiecki, dhe ai i Hungarisë, Viktor Orban, e
përshëndetën zgjedhjen e Ursula von der Leyen në postin e lartpërmendur e madje
falenderuan të gjithë ata eurodeputetë të vendeve të tyre, të cilët dhanë votën
pro saj. Ndërkaq pro ish-ministres gjermane votuan eurodeputetët italianë.
Është
interesant se ndërsa shefat e ekzekutivit të Polonisë, Italisë dhe Hungarisë
konsiderohen si euroskeptikë, ata insistuan dhe dërguan në krye të BE-së një
idhtare të fuqishme të Bashkimit Europian. Kjo do të thotë se as Morawiecki, as
Orban, as Liga Nord në Itali nuk janë kundër Bashkimit Europian si koncept, si
projekt dhe si vision. Ata dëshmuan në këtë rast se janë kundër ndikimeve të jashtme
në Europë. Praktikisht janë kundër ndikimit të Georg Sorosit, të cilin e shohin
si rrezik për Europën dhe vendet e tyre, ndaj dhe kundërshtojnë përfaqësuesit e
këtij filantropi dashakeq në strukturat europiane. Sepse strukturat e ndikuara
nga Soros sjellin edhe politika në favor të tij nga ana e Komisionit Europian.
Ursula
von der Leyen, përveçse vullnet i Angela Merkel, është produkt i besueshmërisë
së Lindjes Europiane dhe i vullnetit politik të saj. Kjo duhet konsideruar si
arritje shumë e madhe. Madje duhet konsideruar si një kthesë në politikat e
BE-së ndaj këtyre vendeve. Shefja e Brukselit mori vetëm 9 vota më shumë sesa
asaj i duheshin për t’u zgjedhur në krye të KE-së. Ky numër votash është më i
ulëti në historinë e votimit të Parlamentit Europian për këtë post. Por edhe
sikur të zgjidhej me një vote plus, ajo konsiderohet të jetë legjitime.
Legjitimitetin në demokraci nuk e jep unanimiteti, por shumica e votuesve. Nuk
janë të pakta rastet kur njerëzit e zgjedhur me minimum votash bëhen më të suksesshëm
se ata që marrin vota unanime dhe me këtë bien në vetëkënaqësi e nuk garantojnë
produkt pozitiv.
Nga
e gjithë kjo analizë e ndikimeve, preferencave dhe perceptimeve në procesin
votues të Ursula von der Leyen në postin më të rëndësishëm të BE-së, duhet të
ndalemi në disa përfundime.
Së
pari, shtrohet pyetja pse ajo shihet si favorite nga vendet, qeveritë dhe
partite politike skeptike për ardhmërinë e Bashkimit Europian? Duket qartë se
në BE janë krijuar dy sfera veprimi. Nga njëra anë qëndrojnë dy vendet më të
fuqishme të Europës, Gjermania dhe Franca së bashku me disa vende të vogla. Nga
ana tjetër qëndrojnë vendet periferike, vendet që nuk e shohin veten të
përfaqësuar me dinjitet në Bruksel. Por si shpjegohet që vendet periferike
preferuan një minister të vendit më të fuqishëm europian? Kjo meritë i takon
vetë zonjës von der Leyen, e cila ka si atribut aspektin social, mjedisor e
feminist të saj, cilësi këto që joshën vendet e shpërfillura e skeptike për ta
mbështetur atë. Ajo me fjalën e saj në séancen parlamentare kur u zgjodh ishte
brilante, e përshtatur pikeërisht për t’i dhënë shpresë vendeve të tilla.
Në
këtë kuptim zgjedhja e Ursulës është një zhvillim shumë pozitiv për vendet
kandidate ose që aspirojnë për t’u integruar në BE. Ajo ka paralajmëruar
forcimin e Unionit dhe për pasojë kjo do të garantojë sukses në hapat e
zgjerimit. Me t’u zgjedhur kërkoi gjithashtu që në tetor të hapen bisedimet për
pranim për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.
Së
dyti, kjo zgjedhje ka nxit optimizëm në mjediset europiane të biznesit, te
sipërmarrësit dhe ato grupe interesi që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me
vrndimet e Komisionit Europian. Madje shihet me optimizëm fakti se von der
Leyen do të jetë e zonja të ndërmjetësojë me presidentin Trump çeshtjet tregtare
midis SHBA-ve dhe BE-së. Nga kjo pikëpamje ajo ka rrit shpresat për ta bërë më
funksionale punën e KE-së, duke u dhënë fund praktikave burokratike të
panevojshme si dhe rasteve të punës korruptive. Kjo do të thotë se në të
ardhmen e afërt do të duhet të kemi një BE më të fuqishme, më të strukturuar
dhe për pasojë më të aftë të marrë vendime të drejta dhe të ekuilibruara në
favor të vendeve të lindjes dhe të integrimit të Ballkanit Perendimor.
Së
treti, eksperienca e gruas së fuqishme me cilsësi sociale të admirueshme, si
Ursula von der Leyen, shton kapacitetet e Komisionit Europian për t’i dhënë
fund konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë permes një zgjidhjeje sipas
realpolitikës, në funksion të paqes e stabilitetit rajonal e europian, d.m.th
jashtë skemave për ndryshimin e kufijve midis të dy vendeve.
Ndonëse
gjermanja von der Leyen mori minimumin e votave të eurodeputetëve në Strasburg,
ndonëse e para grua në postin e presidentes së KE-së, pritet që ajo të jetë
shefja më e suksesshme e ekzekutivit të BE-së. Së paku ky mëngjes i saj në
Bruksel, dëshmon se do të ketë një mot të mire në kontinentin europian dhe
temperaturat normale në BE do të ndikojnë te vendet e rajonit tonë për një
ritëm më të shpejtë të proceseve integruese.