Mendime
Nikë Gashaj: Ballkani dhe pozita gjeopolitike
E diele, 14.07.2019, 01:32 PM
Ballkani
dhe pozita gjeopolitike
Nga
Nikë Gashaj
Ballkani
sipas pozitës së vet gjeografike dhe zhvillimit historik dhe qytetërues,
paraqet kërthizën dhe djepin e Evropës, një derë e madhe ndaj Lindjes dhe
Perendimit, Veriut dhe Jugut të Evropës. Kështu, pra, për ballkanin me të
drejtë flitet si "hallkë botërore", urë dhe kufi e takimeve dhe
qytetërimeve të ndryshme, si njëfarë "kryqëzimi apo nyje
gjeopolitike".
Ballkani
në kuptimin gjeokulturor është hapësirë në të cilën takohen dhe kryqëzohen
harqet e civilizimit të religjioneve më të mëdha botërore (katolike, ortodokse
dhe islame). Në kuptimin etnografik është zonë e "koktejit etnik", në
pikëpamje të trafikut-është urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Veriut e
Jugut. Në kuptimin politiko historik dhe sociologjik është një hapësirë e
flaktë e ndarjeve të popujve dhe shteteve, ballkanizmit, e konflikteve,
migracioneve, tranzicioneve të përhershme dhe dyndjeve të popujve. Po ashtu
hapësira ballkanike vuan nga "historia e tepërt" e cila tragjikisht
përsëritet.
Në
"Enciklopedinë e Jugosllavisë" (1985) Ballkani përkufizohet si
"hapësirë e Evropës Juglindore, ndërmjet Detit të Zi, Detit Marmara, Detit
Egje, Jonit dhe Adriatikut, çka do të thotë se kufirin e tij verior e përbën
vija e tërhequr nga gjiri i Triestes deri tek Deti i Zi, dmth prej Triestes deri
në Odesa".
Mu
për këtë arsye të pozitës antropogjeografike të Ballkanit, disa mendimtarë kanë
konstatuar se është "ndërtuar shtëpia midis rrugës". Në atë kuptim
Ballkani paraqet derën dhe pragun e Evropës, fortësen e saj, por edhe urën
përkrye së cilës dhe në të cilën janë konfrontuar qytetërimet e ndryshme dhe
formacionet ushtarake të fuqive të mëdha në marshimet dhe ekspeditat e tyre për
pushtimin e botës.
Një
pozitë e tillë gjeografike e ballkanit, me pasuri të llojllojshme të xeheve dhe
përbërja e përzier etnike, kanë ngacmuar luftra dhe intervenime luftarake, si
dhe ndërhyrjen permanente të Fuqive të Mëdha.
Andaj,
e ashtuquajtura " Çështja e Lindjes" është mbajtur si e hapur për një
kohë të gjatë, ndërsa Ballkani është prezantuar si "vilajet i errët"
i konflikteve dhe i urrejtjeve si "fuçi baruti".
Në
qoftëse bëhët një vështrim i shkurtër i historisë bashkëkohore të Ballkanit, do
të vërehët se pikërisht në atë hapësirë është luftuar më së shumti në shekullin
XX dhe se janë bërë gjenocidet më të mëdha në dy luftrat botërorë, por edhe në
historinë më të re, në veçanti në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë. Në atë
aspekt, shprehjet "Ballkan", "Ballkanik",
"Ballkanizëm" janë përdorur si theksim i përqeshjes, talljes dhe
ironimit të zonave më të rrezikuara, në të cilat dominojnë dhuna dhe kaosi,
ndarjet dhe konfliktet.
Hulumtuesit
kur flasin për "Homo-ballkanikusin" dhe "ballkanizmin"
nënkuptojnë primitivizmin, një të keqe, hapësirën e urrejtjeve, shtete dhe
popuj të ngatërruar ndërmjet veti, në konflikte të të cilëve gjithmonë ndërhyjnë të mëdhenjtë dhe të
fuqishmit, të cilët, për interesa të tyre gjeostrategjike ata i ndajnë dhe i
konfrontojnë edhe më tepër në mes veti.
Fatkeqësisht,
një seri procesesh lidhur me progresin teknologjik-shkencor dhe të modernizmit
të botës në shkullin XX dhe në fillim të shekullit XXI, të cilat e kanë
ndërruar fizionominë ekonomiko-politike të Ballkanit, ende nuk e kanë ndërruar
dukshëm shpirtin e tij, dmth psikologjinë kolektive të popujve ballkanikë.
Në
atë drejtim tregon edhe fakti se popujt ballkanikë nuk shfaqin interesimin e
duhur për bashkëpunim dhe integrim. Për shembull, në fushën e tregtisë se
jashtme, partnerët e tyre për bashkëpunim më shpesh janë popujt e tjerë sesa
ato fqinjë. Kjo, ndër të tjera, flet mbi paragjykime të fuqishme dhe ngarkimet
nga koha e kaluar historike, të cilat akoma janë të pranishme në psikologjinë e
popujve ballkanikë.
Në
Ballkan, si hapësirë e "koktejit etnik", gjatë historisë së
mëparshme, por edhe në kohën
bashkëkohore koekzistojnë, por edhe konfrontohen, qytetërime dhe kultura të
ndryshme, duke e ilustruar në atë mënyrë tezën e mendimtarit të njohur,
Hantington, mbi të ashtuquajturin konflikt të identitetit, i cili sipas
vlerësimeve të tij, do të vijë veçanërisht në shprehje në shekullin XXI, në
hapësirën e ashtuquajtur "kufinjtë politikë të papërsosur". Në
Ballkan në fund të shekullit XX një pjesë e popujve ballkanikë përsëri u
konfrontuan. Nxitës, shkaktarë dhe intermediatorë i përleshjeve në fjalë ka
qenë, kryesisht, udhëheqësja politike e Serbisë. Ndërkaq, në anen tjetër në
këto konflikte ballkanike interesin e vet e kanë shprehur dhe manifestuar
Fuqitë e Mëdha dhe forcat e tjera botërore. Në atë pikëpamje në përgjithësi
mund të flitet për tri koncepte gjeopolitike dhe gjeostrategjike të sferave të
interesit:
1)Koncepti
evroatlantik i forcave të rendit të ri botëror në krye me SHBA-të;
2)Koncepti
evrocentrik, i mishëruar në interesin e megakapitalit të Bashkësisë Evropiane
dhe 3) Koncepti evroaziatik, i cili profilohet dhe artikulohet ngadalë, por si
tendencë ekziston.
Të
gjitha këto tendenca gjeopolitike dhe gjeostrategjike konfrontohen në hapësirën
ballkanike. Megjithëse kanë aktorë të llojllojshëm dhe manifestohen në mënyra
të ndryshme, analiza kritike e këtyre tendencave, në prapavijën e vet
ideologjike dhe politike mund të zbulojë konfliktin ndërmjet qendrës dhe
periferisë, të të fortëve dhe të dobtëve, të pasurve dhe të varfërve, rreth
lëndëve të para, rreth rrugëve dhe trafikut, me fjalë të tjera rreth hapësirës
dhe resurseve, në funksion të ndarjes së re të fuqisë shoqërore, ekonomike dhe
politike në botën bashkëkohore dhe synimeve për dominim planetar.
Dhe
më në fund duhet të themi se rajoni ballkanik, të cilin e përbën shumica e
shteteve ekonomikisht më të varfëra, politikisht më jostabile në Evropë, në
pikëpamje sociologjike paraqet periferinë evropiane, pjesën integrale të
shoqërive të varura të jugut evropian dhe botëror. Shumica e shteteve të këtij
rajoni për një kohë mjaftë të gjatë gjendet në procesin e transicionit. Disa
prej atyre shteteve kanë qenë të preokupuar
me konflikte etnike dhe fragmentacione politike, me luftë ose me
sanksione ndërkombëtare.
Politika
shtetërore aktuale e Serbisë, akoma nuk është spastrua nga politika e vjetër
nacionaliste serbe për formimin e “Serbisë së Madhe”në dëm të popujëve të
tjerë, në veçanti të shqiptarëve në
Kosovë, çka paraqet rrezik për stabilitet dhe paqë rajonale.
Ndërkaq
ardhmëria e Ballkanit nuk qëndron në konflikte, as në politikën hegjemoniste
dhe të dominimit të një populli ndaj të tjerëve, por në një bashkëpunim aktiv,
demokratik dhe të barabartë të popujve ballkanikë dhe shteteve të tyre si
dhe në integrimin e tyre me botën. Në
radhë të parë bashkëpunimi rajonal në fusha të ndryshme i vendeve ballkanike
është imperative i kohës bashkëkohore.
Ajo
është jo vetëm racionale dhe e mundshme, por edhe parakusht i domosdoshëm i zhvillimit dhe i përparimit ekonomik dhe shoqëror të
këtij rajoni dhe alternativë e kapërcimit të konflikteve dhe faktor i paqes dhe
stabilitetit ballkanik.