Mendime
Enver Bytyçi: Pse erdhi zoti Eliot Engel në Serbi dhe në Kosovë?
E diele, 07.07.2019, 03:20 PM
Pse
erdhi zoti Eliot Engel në Serbi dhe në Kosovë?
Nga
Enver Bytyçi
Kryetari
i Komitetit të Jashtëm, Eliot Engel, sot është në Prishtinë. Po sot ai ishte në
Preshevë, ndërsa dje pati një takim në Beograd me presidentin e Serbisë,
Aleksandër Vuçiq. Ky turne faktmbledhës i zotit Engel vjen në një kohë shumë të
vështirë për Kosovën, kur dialogu me Serbinë është bllokuar, kur marrëdhëniet
midis Prishtinës dhe Beogradit kanë pësuar një plasaritje, kur ende mbahet
gjallë fantazma e ndarjes dhe rrënimit të shtetit të Kosovës, pra kur paqja dhe
stabiliteti në rajon është e rrezikuar për shkak të politikave nacionaliste të
Serbisë së Madhe. Por vizita e tij erdhi gjithashtu në një kohë kur, siç ai
vetë përmendi, angazhimi amerikan në rajon është dobësuar, ndaj dhe kjo
prezencë merr një domethënie të veçantë.
Eliot
Engel në deklarimet e tij u dha përgjigje shumë enigmave, të cilat lidhen me të
sotmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe vetë këtyre dy
vendeve.
Së
pari, ai shkoi në Preshevë për t’u thënë shqiptarëve dhe liderëve të tyre atje
se nuk duhet të besojnë në përrallën e Hashim Thaçit për bashkimin e Luginës me
Kosovën. Ai e di se kjo është një përrallë e presidentit të Kosovës, e cila
lidhet në spirancën e anijes së Beogradit. Prania e zotit Engel në Luginën e
Preshevës ndoshta ishte sinjali më i qartë për të rivënë në vend disa çështje,
të cilat treshja Vuçiq-Rama-Thaçi i kanë hapur për interesat e tyre të
pushtetit në dy vitet e fundit.
Së
dyti, kryetari i Komitetit të Jashtëm i Kongresit Amerikan ishte në Beograd e
në Prishtinë gjithashtu për të bërë të qartë se loja me kufijtë në Ballkan
është një lojë e rrezikshme, e cila, siç i tha ai Radios Evropa e Lirë, ‘hap
kutinë e pandorës’. Eliot Engel e njeh Ballkanin. I njeh marrëdhëniet
shqiptaro-serbe, sidomos ato midis Kosovës dhe Serbisë. E njeh historinë e
trishtë të konflikteve ballkanike, konflikte të cilat janë zhvilluar të gjitha
për territore dhe janë shkaktuar nga i njëjti aktor që ka sponsorizuar ndarjen
e Kosovës, Serbia dhe Beogradi. Të gjitha këto bëhen të qarta në deklarimet e
tij. Dhe nga takimet e pohimet e zotit Engel mësojmë se ai është kategorikisht
kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Me siguri se politikani i madh
amerikan ia ka bërë këtë të qartë zotit Vuçiq, po ashtu liderëve shqiptarë të
Luginës së Preshevës të instrumentalizuar prej Thaçit, si dhe vetë autoriteteve
të Prishtinës. Ky mund të shënohet si suksesi më i madh i turneut të zotit
Engel ketë dy-tri ditë në rajonin tonë.
Së
treti, Eiot Engel bëri me dije se taksa e vendosur ndaj mallrave serbe nga ana
e qeverisë Haradinaj të Kosovës është një akt normal, i justifikuar dhe nuk bën
që kjo taksë të përdoret si alibi nga ana e Beogradit për të bllokuar procesin
e dialogut midis dy shteteve. Asnjë personalitet tjetër i SHBA-ve dhe BE-së nuk
ka dalë kaq hapur e me këto argumente në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për
t’u mbrojtur nga proteksionizmi i Serbisë, lidhur me tregtinë midis dy vendeve.
Engel e bëri të qartë edhe në Beograd se qeveria serbe ka krijuar pengesa të
palogjikshme për mallrat kosovare që hyjnë ose duhej të hynin në Serbi. Për
pasojë taksa e vendosur nga qeveria e zotit Haradinaj ishte në përgjigje të
këtij akti anti-kosovar të Serbisë. Nga ky konstatim i zotit Eliot Engel mund
të shkojmë të deduksioni se formula e zgjidhjes së këtij konflikti që buron nga
taksa mund e duhet të jetë normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis dy
vendeve, duke e pranuar njëri-tjetrin si shtete të pavarura.
Së
katërti dhe shumë e rëndësishme. Kreu i politikës së Jashtme në Kongresin
Amerikan erdhi dhe bëri me dije në Beograd se ‘Kosova është e pavarur dhe se
kjo nuk do të ndryshojë’. Duke theksuar këtë fakt ai vendosi kornizat e
dialogut midis Prishtinës dhe. Te dialogu ai shikon perspektivën e të dy
vendeve, Kosovës dhe Serbisë, për integrimet evropiane. Dhe duke theksuar këtë
fakt ai konsideron se efekti pozitiv i dialogut është në të njëjtën masë si për
Serbinë edhe për Kosovën.
Duke
e lexuar qartë këtë formulim të arsyetuar, vijmë te mendimi logjik se nuk është
e vërtetë ajo që presidenti i Kosovës ka predikuar prej gati dy vitesh, sipas
të cilit ‘Kosova është e detyruar që të bëjë lëshime të dhimbshme në dialogun e
saj me Serbinë në emër të ardhmërisë së saj’. Në të vërtetë, së paku po aq sa
Kosova, edhe Serbia ka nevojë për këtë marrëveshje në emër të integrimeve
evropiane.
Formula,
sipas së cilës ‘Beogradi dhe Serbia duhet të pajtohen me faktin se Kosova është
dhe do të jetë e pavarur’, të cilën Eliot Engel e lansoi në Beograd, në
Preshevë e në Prishtinë, është mesazhi më i rëndësishëm i kësaj vizite. Dhe
kësaj formule ai i shtoi kërkesën që Beogradi të njohë përgjegjësinë e tij për
tragjedinë që ka shkaktuar në Kosovë para 20 vitesh.
Por
jo vetëm kaq. Me rëndësi është se kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme
në Kongres, zoti Engel, ka mbledhur fakte e të dhëna, ka marrë opinionet e
duhuara dhe të gjitha këto do t’i çojë zyrtarisht te administrata e zotit
Trump. Në kushtet kur kjo administratë çështjen e konfliktit dhe dialogut
Kosovë-Serbi e ka të dorës së dytë, siç shprehet vetë ai, ky raport i zotit
Engel merr një rëndësi të veçantë për mbështetjen e këtij dialogu nga ana e
administratës amerikane. Prandaj roli i tij nuk kufizohet vetëm te mbledhja e
fakteve, por edhe te rekomandimet që ai do të japë për zgjidhjen e këtij
konflikti dhe vazhdimin e dialogut. Duhet theksuar se kjo vizitë bëhet në
kushtet kur vetë udhëheqësit e Beogradit kanë bërë thirrje për një angazhim më
të madh të SHBA-ve në dialogun e tyre me Prishtinën.
Dhe
së fundi, kreu i diplomacisë parlamentare amerikane merr pjesë në përurimin e
godinës së ambasadës amerikane në Prishtinë, sinjal ky, që dëshmon faktin se
për SHBA-të Kosova është dhe do të jetë një shtet sovran dhe i pavarur.
Për
të gjitha këto mesazhe dhe arsye shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri e kudo
gjetkë duhet t’i jenë mirënjohës zotit Eliot Engel dhe SHBA-ve, sepse pa
mbështetjen e tyre nuk do të ishte e mundur pavarësia e vendit dhe nuk do të
ruhej aq lehtë sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, sidomos në
kushtet kur vetë presidenti i saj punon ethshëm në forma të ndryshme në favor
të Serbisë së Madhe dhe për ndarjen e Kosovës!
05-07-19