Mendime
Kastriot Myftaraj: 30 qershori në Shqipëri- SHBA humbëse e vërtetë
E diele, 30.06.2019, 10:50 PM
30
qershori në Shqipëri- SHBA humbëse e vërtetë
Nga
Kastriot Myftaraj
Sot
në Shqipëri praktikisht nuk po mbahen zgjedhje vendore, por po mbahet një
plebishit (referendum), për qëndrimin e qytetarëve shqiptarë ndaj një diktature
të ngritur me licencë USA, të llojit të atyre klasike latino-amerikane, ku një
klikë politike mbështetet për të sunduar vendin në bashkëpunim me mafien. Ata
që shkuan të votojnë janë ose mbështetës të diktaturës se re, ose njerëz që
kanë qenë të shtrënguar të votojnë për shkak se ata vetë ose familjarët e tyre,
janë punonjës të shtetit dhe janë kërcënuar me largim nga puna, nëse nuk e
bëjnë këtë gjë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me punonjësit e kompanive të
oligarkëve që marrin tendera me shumicë dhe koncesione nga qeveria. E
megjithatë pjesëmarrja në votime tregoi se regjimi mbeti në pakicë në këtë referendum.
Sa
iu përket të ashtuquajturave zgjedhjeve vendore, sot në Shqipëri, zyrtarisht
palë janë nga njëra anë Partia Socialiste në pushtet, dhe në anën tjetër një
opozitë e sajuar me rastin e këtyre të ashtuquajturave zgjedhje, pasi Opozita e
vërtetë (PD, LSI) shpalli mospjesëmarrjen në zgjedhje.
Por
palët e vërteta në këto zgjedhje janë, nga njëra anë SHBA, që ka mbështetur dhe
i ka dhënë kurajë partisë në pushtet për të bërë këtë komedi politike, dhe në
anën tjetër Opozita e vërtetë, e cila nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Qëndresa
e vendosur e Opozitës së vërtetë, e cila i bëri ballë presionit të tmerrshëm të
SHBA për të marrë pjesë në zgjedhjet e rreme, përcaktoi rezultatin e garës së
vërtetë. Mosprania e opozitës sot në zgjedhjet e rreme, bëri që të regjistrohet
humbja forfeit (aforfe) e superfuqisë së botës.
SHBA,
superfuqia e botës, humbi përballë Opozitës së një vendi të vogël, e cila nuk
pranoi të luante rolin që i kishte caktuar burokracia e Departamentit të
Shtetit, si fasadë demokratike e një praktikisht diktature politiko-mafioze, me
licencë amerikane. Në fakt humbi edhe Bashkimi Europian, por humbja e tij nuk
ia vlen të përmendet sepse ai në këtë histori ka ndjekur verbërisht SHBA. Kur
historia regjistron humbjet e perandorëve, nuk iu kushton shumë vëmendje
vasalëve të tyre.
Përgjimet
kompromentuese për partinë në pushtet dhe personalisht kreun e saj, Edi Rama,
të shndërruara në lajm botëror, treguan se për herë të parë në vend ishte
ngritur një sistem i tillë i vjedhjes së votës me para të ardhura nga
veprimtari mafioze dhe korrupsioni, me të cilin ishte krejt e kotë të
ballafaqohej në zgjedhje çdo opozitë, se zgjedhje praktikisht nuk kishte fare.
Amerikanëve
u ka rënë edhe argumenti realpolitik i stabilitetit me çdo çmim, sepse
partneriteti qeveri-mafie sjell destabilitet afatgjatë në një proces që është
vështirë të çrrënjoset. Për të mos shkuar shumë larg, shembull për këtë është
Italia fqinje e kohës së Luftës së Ftohtë, e cila po / vuan ende pasojat e
kësaj politike amerikane të viteve ‘40.
Opozita
e vërtetë shqiptare (PD dhe LSI) nuk është e vetëdijshme për përmasat dhe
rëndësinë e fitores që ka pasur sot. Enver Hoxha dikur mburrej për fitore të
rreme ndaj imperializmit amerikan. Opozita e vërtetë shqiptare sot ka arritur
një fitore të vërtetë ndaj burokracisë së politikës së jashtme amerikane dhe
ndaj asaj sipërmarrjeje private që ka marrë me PPP (Partneritet Publik Privat)
politikën e SHBA ndaj Shqipërisë. E kam fjalën për Fondacionin “Soros”.
Të
gjitha qendrat vëzhguese të pranisë amerikane në botë, janë duke e ndjekur me
shumë vëmendje këtë që po ndodh në Shqipëri, si test për efektshmërinë e
projektimit të fuqisë së butë amerikane në botë. Askush më tepër se amerikanët
nuk është i vetedijshëm për këtë gjë. SHBA kërcënoi pa sukses Opozitën e një
vendi të vogël, që kundërshton të bëjë rolin e fasadës të një diktature reale.
Këtë fakt regjistruan në 30 qershor zyrat e posaçme të vëzhgimit në kryeqytetet
e botës.
Prandaj,
se çfarë do të bëjë Opozita e vërtetë shqiptare pas 30 qershorit nuk është më
një problem i saj, por është një problem i SHBA. Opozita duhet të vazhdojë të
mbajë qëndrimin se nuk njeh zgjedhje pa u çmontuar sistemi i tjetërsimit të
votës i ngritur nga PS në bashkëpunim me mafian. Çmontimi i këtij sistemi është
përgjegjësi e amerikanëve që e mbështetën krijimin e tij. Dhe këtu nuk është
fjala për lojë institucionale me Prokurori e Gjykata. Sistemet e këtij lloji
nuk shpërbëhen duke u përdorur institucionet e drejtësisë si mjete, sepse ata i
kanë instrumentuar institucionet e drejtësisë me anë të njerëzve që kanë
vendosur në to.
Aq
shumë u përqëndruan burokratët e Washingtonit në mbështetjen e diktaturës në 30
qershor, saqë me këtë rast sakrifikuan edhe të ashtuquajturën reformë në
drejtësi, të cilën na e kishin paraqitur si projekt të qeverisë amerikane për
të luftuar korrupsionin në Shqipëri. SHBA heshti zyrtarisht për përgjimet ku
dolën të dhëna të korrupsionit politik të qeveritarëve. Merret vesh,
korrupsioni në Shqipëri, nuk është dhe nuk ka qenë kurrë shqetësim i vërtetë për
amerikanët. Amerikanët i kanë përdorur mjetet e antikorrupsionit që do të
krijoheshin nga reforma në drejtësi, Strukturën e Posacme Antikorrupsion,
Byronë Kombëtare të Hetimeve, si “Shpatën e Damoklesit” që i rri mbi krye
Opozitës, për ta bërë atë që të luajë e bindur rolin e fasadës demokratike të
diktaturës së re, që i kanë caktuar.
Ironia
e madhe është se SHBA ia bënë si dhuratë neo-diktaturën Shqipërisë me anë të së
njëjtës parti, e cila ndërtoi diktaturën në 1944 dhe që nga ajo kohë ka
ndryshuar dy herë emrin, herën e fundit në 1991, në “Partia Socialiste”. Është
e njëjta parti, e cila në 1946 i provokoi SHBA për të ndërprerë marrëdhëniet.
Petro
Marko, i cili në nëntor 1946 ishte një nga ata që përcollën diplomatët e fundit
amerikanë që u larguan nga Shqipëria, e kujton kështu ngjarjen:
“Zoti
Jakobs, shefi i misionit, një burrë i mençur me autoritet, më hodhi krahun dhe
më tha: ‘Zoti Marko! Ne po largohemi se po marrin në qafë shumë shqiptarë. E
shohim se shihemi këtu si armiq. Po dua t’ ju them vetëm këtë: Ju mund të shani
Rusveltin, Ajzenhauerin e të tjerë, mua dhe gjithë autoritetet amerikane, por
jo kurrë flamurin e lavdishëm të Amerikës. Ju atë e keni poshtëruar. Amerika
këtë s’ ka për ta harruar kurrë, kurrë!’- më tha me zemërim”(Petro Marko: “Intervistë
me vetveten: retë dhe gurët”, Shtëpia botuese “OMSCA”, Tiranë 2000)
Duket
qartë se Z. Jacobs kishte vlerësim dhe ndjenjë dukshëm më të madh për flamurin
amerikan se pasardhësit e tij në Washington. Ai ka harruar të thotë se ata që
poshtëruan flamurin amerikan në atë kohë, ia nisën duke poshtëruar flamurin
kombëtar shqiptar, të cilit i ngjitën yllin sovjetik. Pasi amerikanët atëherë u
pajtuan me këtë, morën si shpërblim poshtërimin e flamurit të tyre. Të shohim
si do të përfundojë kjo histori në kohën e sotme.
30
qershori shënon ditën historike të promovimit të diktaturës së re në Shqipëri.
Se çfarë regjimi është ngritur dhe po sundon Shqipërinë kuptohet nga deklarata
zyrtare e Policisë së Shtetit për mbikqyrjen e zgjedhjeve të rreme. Sipas kësaj
deklarate, Policia e Shtetit ka trainuar 7779 policë që do të angazhohen me
detyra gjatë zgjedhjeve. Nga këta, 5876 do të angazhohen me detyra për
“ruajtjen e zgjedhjeve”(fjalët e përdorura) në të gjithë vendin. Këta do të
ruajnë 5417 qendra votimi, 90 KZAZ dhe 90 Vendnumërimi të votave. Pra, gjithsej
5597 objekte. Por, në ndërtesat ku janë vendosur qendrat e votimit, KZAZ-t dhe
VNV-t, që prej pasdites së djeshme shihen nga katër pesë policë në secilën. Që
do të thotë 22-27 mijë policë. Dhe mëngjesin e ditës së zgjedhjeve ata duhet të
ndërrohen pasi kanë bërë roje për, e shumta, 12 orë. Që do të thotë se, si
personel, duhet të jenë dyfishi i shifrës së mësipërme, pra 44-54 mijë vetë.
Policia e Shtetit ka një personel prej prej rreth 12 mijë vetësh. Edhe sikur ata
të kishin dalë të gjithë, përsëri mbetet pyetja se ku u gjetën 32-42 mijë
policë të tjerë! Merret vesh, Regjimi “Rama” e ka përforcuar Policinë e Shtetit
me militantë të veshur si policë. Shumica e këtyre mbajnë syze dielli të cilat
nuk i heqin kurrë, si tontonmakutët e dikurshëm të diktatorit Dyvalje, në
Haiti. Këta tanët nga frika se i fotografojnë. Policia e Shtetit e ka thelluar
rebelimin e saj, duke u shkrirë me milicinë politike të regjimit të Ramës.
Nuk
duhet pasur dyshim se Opozita e vërtetë shqiptare, në veprimet e saj, djegien e
mandateve parlamentare dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet vendore, nuk ka ndjekur
ndonjë imperativ moral në politikë, por e ka përcaktuar gjithçka në logjikën e
strategjisë për pushtet. Por shpesh ka ndodhur në historinë e politikës që një
lëvizje politike të ketë pasoja të ndryshme nga ato që kanë paramenduar autorët
e saj. Edhe Opozita e vërtetë shqiptare, kundër dëshirës së saj, po bën një
revolucion moral në politikën shqiptare. Është koha që amerikanët ta kuptojnë
këtë gjë, dhe ta mbështesin këtë prirje për ta shndërruar në proces të
pandalshëm.
Kjo
nuk do të thotë se mbështesin ardhjen e Opozitës së vërtetë në pushtet. Sepse
në Shqipëri asnjë parti nuk ka mbi 30% të votave në zgjedhje. Pas kësaj që
ndodhi në Shqipëri, për së paku 10 vjet duhet të përdoret modeli i tashëm
gjerman që vendin ta qeverisin dy partitë e mëdha, në koalicion. Por, pasi dy
partitë e mëdha të jenë spastruar nga të korruptuarit, jo si proces juridik,
por si proces politik, me largimin e tyre. Për këtë mund të ndihmojnë partnerët
e huaj duke bërë lista të zeza për personat e padëshiruar në politikën
shqiptare. Vetëm kështu do të sigurohet stabiliteti në vend, do të largohet
mafia nga bashkëpunimi me politikën, si dhe do të pastrohet organizmi i shtetit
nga helmi i punësimit të militantëve partiakë që punësohen në zyrat e shtetit
si shpërblim për votat e siguruara për partinë.
Historia
na tregon se diktaturat, nëse nuk arrijnë të sjellin mirëqenie, sjellin luftën
civile në vend. Diktaturat e tilla, mund ta shmangin luftën civile vetëm duke u
bërë shtypëse deri në kulm, domethënë duke shtetëzuar edhe pronën private dhe
duke u ndaluar njerëzve lëvizjen e lirë. Diktatura e Enver Hoxhës është
shembulli i kësaj. Diktatura e ngritur sot në Shqipëri nuk pritet të sjellë
mirëqenie në vend, por nuk mund të shkojë as deri në skajshmëri duke u njësuar
me atë komuniste të dikurshme. Kështu që kjo diktaturë do të na sjellë në
mënyrë të pashmangshme luftën civile.
SHBA
kanë dy rrugë pas 30 qershorit:
1)Të
mbështesin procesin e përshkruar më sipër, të revolucionit të padëshiruar (nga
klasa politike) moral në politikën shqiptare, çka në 100 vjetorin e shpëtimit
të Shqipërisë nga Presidenti Wilson (2020), do të ishte një pohim i rolit
historik të SHBA në vendin tonë.
2)Të
mbështesin diktaturën e Ramës sot, me Veliajn si pasues të tij nesër, të
krijuar prej tyre, domethënë të bëhen bashkënxitës të luftës civile në vend.
Por
amerikanët nuk duhet të befasohen kur kjo luftë, sipas ligjit të luftrave
civile, se aleati i armikut tim është armiku im, nuk do të ketë vetëm parullën
“Vdekje Diktatorit”, por edhe atë “Vdekje pushtuesve amerikanë!” Dhe, siç ndodh
në këto raste, lufta kundër diktaturës nuk do të jetë vetëm problem i Opozitës
së sotme, por i shtresave më te gjera të popullsisë. Gjithashtu, amerikanët nuk
duhet të habiten nëse pala tjetër në këtë luftë, shkon troket për ndihmë në
dyer që i ka mësuar nga historia e partisë së sotme në pushtet. Se tekefundit
koha ka treguar që me amerikanët rregullohesh përsëri, madje edhe po t’ u
poshtërosh flamurin.