Mendime
Adil Fetahu: Çka i solli Serbisë vizita e Makronit?
E merkure, 17.07.2019, 09:19 PM
ÇKA I SOLLI SERBISË VIZITA E MAKRONIT?
Nga Adil
FETAHU
Sot (16 korrik) në mesditë përfundoi vizita dyditëshe e kryetarit të
Francës, Emanuel Makron, në kryeqytetin e Serbisë. Tamam, në ora 13:35,
aeroplanin e Makronit, në hapësirën ajrore të Serbisë e përcollën tre avionë
luftarak “Mig”,të blerë nga Rusia.
Gjatë dy ditëve të vizitës së Makronit, atë e përcollën hap pas hapi më se
700 gazetarë të vendit e të huaj, duke
raportuar në mënyrë selektive dhe ngazëllyer popullin me lajkat që ia
bënin njëri-tjetrit Makroni e Vuçiqi, për miqësinë e kahershme dhe të
gjithëmonshme të të dy vendeve dhe të dy popujve. Mediat proqeveritare serbe,
më së tepërmi i theksonin disa fjalë për “dashurinë platonike” që kultivon
populli francez ndaj popullit serb, dhe ato fjalë Makroni ua paska thënë në gjuhën serbe, para
mijëra qytetarëve të tubuar në Kalemegdan: “Francuska voli Srbiju i njene
gradjane i da je Srbija u njihovim srcima danas i zauvek” (Franca e do Serbinë
dhe qytetarët e saj dhe Serbia është në zemrat e tyre sot e gjithmonë).
Mediat e quajnë këtë vizitë historike, që pas 18 vjetëve një kryetar i
Francës e viziton vetëm Serbinë dhe
asnjë vend tjetër të Ballkanit, gjë që
dëshmon për miqësinë midis dy vendeve dhe atë që Franca e konsideron Serbinë
vendin më të rëndësishëm të Ballkanit. Këtë mediat e ilustrojnë edhe me faktin,
se nga 30 minuta që ishte paraparë takimi kokë më kokë i dy presidentëve, ai
takim e ka tejkaluar shumë protokollin dhe ka zgjatur një orë e gjysëm, gjë që
nuk i ka ndodhur me asnjë president tjetër?
Në konferencën e përbashkët për media, pas takimit të djeshëm Makron-Vuçiq,
raportohet që biseda e tyre më së tepërmi i është kushtuar problemit me
Kosovën, pastaj procesit të integrimit të Serbisë në BE, çështjeve tjera
strategjike dhe ekonomike në marrëdhëniet midis dy vendeve. Vuçiq ka thënë: “E
luta Makronin të na ndihmojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe në
procesin e integrimit në BE”. Mediat thonë se nga takimi me Vuçiqin, sa i
përket problemit me Kosovën, Makroni ka dhënë porosi të qarta:
se do të angazhohet për rifillimin e dialogut,
se duhet të arrihet marrëveshje gjithpërfshirëse dhe e përhershme,
se për këtë qëllim do të mbajë takim special me udhëheqjen e Beogradit e të
Prishtinës dhe me kancelaren Angela Merkel,
se nuk ka një zgjidhje të gatshme as magjike për problemin e Kosovës, veçse
duhet të arrihet një kompromis, që do të thotë se palët në dialog nuk mund të
qëndrojnë në pozitat fillestare diametralisht të kundërta.
Këtë fjalinë e fundit, Ivica Daçiqi e ka komentuar si lëvizje pozitive të politikës së Francës kah
mirëkuptimi për kërkesat e Serbisë.
Mediat kanë transmetuar kryesisht ato që iu kanë pëlqyer nga fjalët e
Makronit, por ai ka thënë edhe diçka që i ngacmon, veçse atë asnjë nga mediat proqeveritare nuk e ka
përmendur. Kështu ato e kanë zbatuar një autocenzurë, sa i përket fjalisë së
Makronit, kur ua tha hapur: “Sipas mendimit tim, Sërbia dhe Kosova janë shtete
evropiane dhe duhet të ndihmojmë që kjo të kthehet në realitet. Franca dhe
unë do të angazhohemi muajt e ardhshëm që të arrihet dialog serioz. Gjetja e
kompromisit do të thotë të mos kemi poteza të njëanshëm jokonstruktiv nga
asnjëra palë. Ngjarjet e disa muajve të fundit na brengosin, ndërsa vendimet që
janë në kundërshtim me marrëveshjet, duhet të hiqen”. (Këtu Makroni
sigurisht e kishte fjalën për vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksat në
mallërat serbe, v.j.).
Këtë fjali të Makronit, për trajtimin “e barabart” të Serbisë dhe Kosovës
si dy shtete evropiane, e ka komentuar sot, në gazetën opozitare “Danas”, një
deputet i pavarur i Kuvendit të Serbisë, i cili ia zë për të madhe diplomacisë
serbe, që për hirë të ruajtjes së konsideratës së miqësisë, nuk deshi të
reagojë në mënyrë adekuate.
Përndryshe, thuhet se gjatë kësaj vizite janë nënshkruar 20 marrëveshje të
ndryshme, prej të cilave 5 janë të
karakterit strategjik dhe ushtarak, për blerjen e armatimit dhe pajimeve
ushtarake; sisteme radarësh dhe elektronikë, sistemin e mbrojtjes kundërajrore
“Mistral”, helikopterë për policingë, etj. Nga lëmi i ekonomisë dhe
investimeve, si projekti më i madh do të jetë angazhimi i kompanive franceze në
ndërtimin e Metros së qytetit të Beogradit.
Makroni ka zvilluar bisedime edhe me një grup studentësh dhe me disa
artistë, ndërkaq nuk e ka pranuar kërkesën e opozitës serbe për të biseduar me
ta, me arsyetimin se kërkesën e kanë paraqitur me vonesë, gjë që opozita e
demanton.
Sidoqoftë, vizita e Makronit ishte në stilin e Jul Cezarit: “Veni, Vidi,
Vici”, ndërsa udhëheqja dhe opinioni në Serbi mbetën të ngazëllyer tejmase me
disa fjalë që ua foli në “çirilicën” e tyre.