Mendime
Saimir Lolja: Shteti i njerëzve
E merkure, 19.06.2019, 09:25 PM
SHTETI I NJERËZVE
Nga Saimir Lolja
Liria e njeriut (jo e ariut) është hapësira midis të
drejtave dhe përgjegjësive të tij. Domethënë liria e njeriut ka kufi të poshtëm
e të sipërm, kurse liria e ariut nuk ka kufi të sipërm. Demokracia është liria
e njeriut (jo e ariut) për të votuar i lirë dhe shprehur mendim të lirë brenda
kufijve të lirisë së njeriut. Demokraci nuk domethënë të kesh lirinë për të ngritur
krye kundër shtetit, për të dëmtuar mjetet dhe objektet e shtetit apo cënuar
sigurinë publike. Demokraci nuk domethënë lajthitje (anarchy, ang.) politike, morale, shoqërore, publike, fetare, apo
lajthitje në ide (pëlqime) dhe heronj.
Marrëdhëniet shtetërore nuk janë marrëdhënie personale
ndërmjet personash me të drejta, përgjegjësi e liri të barabarta. Demokracia
nuk është barazi (communism, ang.).
Demokraci nuk domethënë që secili nga turma të ketë të drejtën të urdhërojë të
parin e shtetit si të veprojë. Sepse është edhe e pamundur të kryhet edhe s'ka
arsye të kryhet.
Qoftë shtet demokratik apo autokratik në të dy rastet ka
protokoll shtetëror i cili është i njëjtë. Shteti si kuptim e si makine nuk
është personal, as krijim personal. Kushtetuta dhe ligjet e shtetit nuk janë
personale. Detyrimisht të gjithë duhet ta respektojnë protokollin, mjetet dhe
objektet shtetërore dhe as të mos i cënojnë ato.
Si në shtetin demokratik ashtu edhe në atë autokratik të
gjithë urdhërohen nga shkalla më e sipërme e piramidës shtetërore si të
veprojnë e çfarë të kryejnë. I punësuari në shtet është punonjës i shtetit dhe
jo i ndonjë tufëze politike. Një vend pune shteti është detyrim shtetëror dhe
publik për t'u përmbushur. Puna e shtetit kërkon njeri të pastër, të mirësjellshëm,
profesional e të shkolluar. Shteti nuk është lopë për t’u mjelë apo lëndinë për
të kullotur. Shteti nuk është hale ku njerëzit shkojnë me qejf e largohen me
qejf. E njëjta gjë është si në një ndërmarrje private apo organizatë
vullnetare.
Pushteti është fuqia për shtetin dhe jo pushtimi i shtetit.
Pushteti është përgjegjësia e mbarëvajtjes së shtetit dhe qytetarëve. Shteti
nuk është fusha ku tufëzat politike luajnë top me këmbë për tifozët. Shteti nuk
është vendi ku piratët ndajnë plaçkën e grabitur.
Për ngjashmëri loja e topit-me-këmbë (football, ang.) bashkë me objektet dhe rregullat e saj që e
krijojnë atë lojë nuk janë pronë e ndokujt. Të gjithë detyrimisht e respektojnë
atë, qofshin tifozë, lojtarë apo stërvitës. Ajo ka kushtet dhe luhet sipas
rregullave të saja, përndryshe nuk është më lojë topi-me-këmbë. Bie fjala, ajo
nuk luhet pa porta ose duke qenë tifozët në fushë. Ato që kanë lidhje me lojën
e topit-me-këmbë - lojtarë, kapitenë, portierë, stërvitës, mjekë, shërbyes,
financierë, tifozë - nuk janë të barabartë midis tyre. Secili ka vendin e tij,
domethënë hapësirën brenda gardheve përkatëse
të mendimit e veprimit. Bie fjala kapiteni i ekipit nuk mund të
urdhërohet nga lojtarët e aq më shumë nga tifozët se si të luajë apo udhëheqë
ekipin.
Shtet i qetë domethënë se për çdo njeri ka një vend e çdo
njeri është në vendin e vet, dhe çdo njeri e nuhat, e sheh, e prek, e dëgjon
dhe e shijon mirë këtë. Shteti i njerëzve është shtet i mirë-organizuar ku
secili rëndon në vendin e vet, domethënë shteti ka organizim të organizuar mirë
dhe jo çorganizim të organizuar mirë. Shtet cilësor domethënë shtet që mbron
jetët, pasuritë, pronat e qytetareve, arshivat dhe të fshehtat shtetërore,
trashëgiminë kombëtarë kulturore të tij, si dhe shton pasuritë e tij.
Shteti i njerëzve është i domosdoshëm për shkak të arsyes
kombëtare të cilës i përket. Ai përdor arsyen shtetërore dhe arsyen kombëtare
për të qenë i shëndetshëm, i siguruar, i qetë, i mbrojtur, i pastër dhe
cilësor. Shtet i mbrojtur domethënë që shtetarët e tij të kenë qenë më parë
ushtarë të ushtrisë së shtetit. Shtet i sigurtë domethënë shtet që ka vendosur
vijat e bardha kudo dhe i var medaljen e duhur atyre që i shkelin. Shtet i
shëndetshëm domethënë pastrim krundesh dhe njëtrajtësim brumi. Shqipëri pa
shtet nuk ka. Bashkim kombëtar pa shtet të bashkuar shqiptar nuk ka.
(Pasthënie - Ka shqiptarë që për mërinë, domethënë emocionin
e urrejtjes, ndaj një marinari ose brohorasin si tifozë ose e djegin tërë
anijen me mall e njerëz për të djegur atë marinar që ato urrejnë. Çfarë ka
ndodhur në këto raste pastaj? Mbesin vetëm anijet e armiqve. Përfitimi i kujt
ka qenë pastaj? Vetëm i armiqve të shqiptareve).