Mendime
Prend Buzhala: Magjistarët a mashtruesit e fjalimeve publike
E merkure, 05.06.2019, 10:25 AM
MAGJISTARËT A MASHTRUESIT E FJALIMEVE PUBLIKE
(Nga
ligjërimet për të vërtetën)
Nga
Prend BUZHALA
Është
interesant: mbi bazën e fjalës SOFIA krijohet fjala filozofia (dashuria ndaj
urtisë, mençurisë). Sofia ishte Perëndesha e Urtisë. Porse greqisht fjala
sophisma ka edhe një domethënie tjetër: atë të dinakërisë, mashtrimit. Sofizmi,
fillimisht, kishte kuptimin e diçkaje që thuhet me dinakëri, po edhe me urti.
Ata ishin dhe themelues të retorikës. Porse Sokrati, më vonë edhe Aristoteli e
Ciceroni, e kritikojnë retorikën sofiste.
Mirëpo,
sofizmi u parapëlqye tejet shumë në fjalimet politike të botës moderne, në
fjalime gjyqësore ambiguitive (t'i kujtojmë shpejt e shpejt avokatët që marrin
përsipër mbrojtjen në gjyqe të vrasësve e keqbërësve të ndryshëm).
1.
Në
tekstet retorike, ku ka art të të shprehurit bukur, megjithatë, në secilën kohë
njerëzit kanë dalluar edhe karakteret njerëzore: ata që dinë të flasin bukur,
por që nuk u përputhen fjalët me veprat, kanë dalluar premtimet boshe me anë të
përbetimeve të rreme, apo dhe sofistët politikë modernë: ata që nxjerrin përfundime
jo të sakta, të rreme.
Na
bie të lexojmë shpesh e shpesh shkrime autorësh që e shpallin veten iluministë,
debatues, dhe i vështrojnë të tjerët (të ndryshmit), nga lartësia e rreme
olimpike, ku e vendosin veten. Ata duket sikur e kanë një përgjigje të gatshme
për gjithçka e për çdo gjë... në trajtën e një sofizme me veshje të jashtme që
shfaqet e drejtë, por që në brendi ngërthen përfundime false, përplot
paragjykime; që arsyetojnë të keqen, kurse e relativizojnë të mirën, e
zbukurojnë gënjeshtrën dhe e shtrembërojnë të vërtetën.
Të
tillët do t'i hasim sidomos në jetën politike e në fjalimet e politikanëve të
shquar botërorë: ku shpesh e vërteta mjegullohet, kurse e pavërteta paraqitet
si e vërtetë. Kemi një palë politikanësh që e paraqesin gjendjen vetëm zi, një
palë intelektualësh që flasin e ligjërojnë vetëm për dëshpërimin, gjithçka
relativizojnë, dhe gjithçka mohojnë.
2.
Si
do t'ua gjejmë emërtuesin e përbashkët atyre politikanëve që mbajnë
"fjalime të zjarrta", nga njëra anë, dhe jo pak intelektualëve që na
e paraqesin gjendjen tepër zi, jo të saktë, me anë shprehjesh të zgjedhura, të
veshura me intelekt e dije!?
Si
t'i quajmë këtë soj njerëzish, kur për çdo gjë e për gjithçka sjellin
përfundime të pasakta?
Si
do t'i dallojmë të parët e jetës institucionale, që mbajnë fjalime nëpër
gjykata, parlamente, para një mase nejrëzish a në tubime përkujtimore tek të
cilët karakterizohet mospërputhja mes veprave e fjalëve?
Ka
sot mjaft klerofashistë që flasin në emër të vlerave hyjnore dhe mohojnë vlerat
njerëzore të tjetrit; politikanë gjakatarë e shovinistë të shteteve përreth që
paraqiten në emër të mbrojtjes së bashkësive të tyre etnike dhe shndërrohen në
propagandues të dhunës ndaj tjetrit, të mohimit të qenies së tjetrit (madje
duke vënë në këtë shërbim edhe akademi apo “grupe ekspertësh”, grupe polItike
nga jashtë forume polItike etj etj).
Qytetari
ynë i ka provuar në kurrizin e tij fjalimet histerike të regjimeve shtypëse,
por po i provon edhe fjalimet mashtruese të politikës së sotme, që nga “politika
e lartë” e krerëve botërorë e deri te politikanët tanë. Kemi mjaft fjalime
përbetuese në emër të "vlerave demokratike", të "vlerave të
luftës" e, në fakt, ata vetë janë përmbytësit e vlerave të tilla!
Vetëm
le të shihet se çka kërkojnë, çka imponojnë, çka përsëritin e përsëritin me
kakofoni shprehjesh, për të na bindur se po e thonë të vërtetën, për shembull:
për të mos na lejuar të kemi liberalizim të vizave, shpiken njëqind pretekste,
nesër mund të shpikin të tjera për të mos u integruar dhe për ta zvarritur
problemin pafundësisht.
Nëse
në diktaturë fjalimet drejtoheshin kundër "armikut të brendshëm” për ta
bindur popullin se kush është armik i shtetit; në kohën e sotme, “në
demokraci”, krijohen situata zvarritëse “ngreh e mos këput”... situata ku fjalimet
arsyetojnë gjendjen e zvarritjes e të moszgjidhjes së problemeve...
3.
Dikush
mund t'i quajë Magjistarë Dinakë të Fjalës, dmth që me qëllim përdorin një truk
arsyetimi për qëllime vetjake. Këto sofizma a truke mashtruese, bëhen për
qëllime të realizimit të interesave joshoqërore në emër të interesave politike
të vendit. Te ta nuk ka sinqeritet: ata, duke e prezantuar veten si njerëz me
qëndrim kritik ndaj realitetit, në fakt, përdorin përmbysjen e të vërtetës...
Dhe kjo përmbysje e gjërave, e fakteve, bëhet me qëllim: e vërteta fyhet e
shahet, përdhoset gjithnjë e më shumë.
Ciceroni
i moçëm, kur kritikonte sofistët, kishte parasysh që oratori (te Fjala e folur
dhe e Shkruar për t'u shqiptuar para publikut, senatit etj), duhet ta posedojë
artin e bindjes, ta theksojë të vërtetën dhe ta nxjerrë në pah të mirën. Ka,
ndër oratorë (e folës para publikut), që bëjnë gara se kush flet më zëshëm më
bukur (fenomen i përhapur që nga antika e këndej): ndërkohë që të vërtetën e vë
në plan të dytë.
Pikërisht
pse sofistët u morën vetëm me shprehjen e bukur e jo edhe me të vërtetën, e
shtyri Aristotelin të theksonte se "retorika është prirja e ballafaqimit
të vetive thelbësore dhe parësore që mund ta bindë tjetrin, veti që e ngërthen
brenda vetes secili objekt a fenomen."
(Prend Buzhala, 4 maj
2017)