Kulturë
Albert Zholi: Mina Çaushi - Liqeni i luleshtrydheve
E diele, 05.05.2019, 10:36 AM
“Liqeni i luleshtrydheve” libri poetik romantik i Mina Çaushit
Nga
Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
E
kush i ka parë dhe shijuar luleshtrydhet dhe nuk ka parë dhe ndjerë një
kënaqësi tepër të veçantë?! Të bukura për të parë, të shkëlqyera për të ngrënë
dhe të mira për shëndetin e bukurinë, luleshtrydhet janë ëmbëlsia më e lumtur e
pranverës. Forma e tyre si zemër dhe ngjyra e gjallë, kënaqin syrin dhe nxisin
nepsin. Edhe pse kanë një shije të ëmbël, luleshtrydhet përmbajnë pak kalori
dhe janë me të vërtetë ideale për një dietë dobësimi. Ato janë të pasura me
cilësi të shëndetshme dhe përdoren edhe në kozmetikën e bërë vetë. dhe në qoftë
se, nga pikëpamja ushqyese, ato konsiderohen një frutë, luleshtrydhet në terma
strikte botanike janë një tufë lulesh. Sipas legjendës, luleshtrydhet kanë
lindur nga lotët e Venusit, perëndeshë e bukurisë dhe dashurisë, e pikëlluar
nga vdekja e Adonis-it të dashur. Lotët, duke rënë në tokë janë kthyer në zemra
të vogla të kuqe, në luleshtrydhe.
Ndoshta i është përmbajtur kësaj legjendë-ideje dhe vlerësimeve për këtë
bimë kaq të bukur, që autorja Mina Çaushi e ka titulluar “Liqeni i
luleshtrydheve” këtë libër poetik me këtë titull kaq elegant. Në bërthamë të
titullit qëndron luleshtrydhja, por më tej autorja e metaforizon bimën duke e
krahasuar bukurinë, cilësitë, ngjyrën me një liqen që vetë nga emri është po
kaq i bukur, po kaq specifik, po kaq intrigues dhe befasues pasi, sa herë që
përmendet emri liqen mendon për një bukuri natyrore të rrallë. Në vargjet e
këtij vëllimi gjejmë brishtësinë e të shkruarit, gjejmë imazhet e bukura që
flenë mes ëndrrave, por edhe ashpërsinë e trishtimit dhe të zhgënjimeve që e
shoqërojnë njeriun në çdo hap të jetës. Dashuria, problemet sociale, grindjet,
pabesitë, dyfytyrësitë, arritjet, zhgënjimet, janë pjesë e poezive ku autorja
përcjell shumë bukur ëndrrat e njerëzve, që shumë herë mbeten ëndrra pa arritur
të gjendet lumturia e vërtetë. Natyrshëm lind pyetja: A ka lumturi absolute tek
njerëz të veçantë? A arrin e paarritshmja të jetë pjesë e njerëzve apo
individëve të spikatur në jetë dhe shoqëri? Jo! Nuk ka lumturi perfekte, pasi
ajo është e lidhur me një dhimbje, me një shqetësim, me një problem, me një
disfatë, me një mosrealizim, me një vonesë etj…
Në këto poezi ndryshe nga librat e tjerë me poezi, Mina i ka rrokur të
gjitha llojet e vargjeve dhe të strofave, që nga vargu klasik tetërrokësh dhe
strofa katër vargëshe e deri tek vargu i lirë,
duke përcjellë tek lexuesi një gjuhë të bukur artistike dhe një fjalor
të pasur dhe plot elasticitet estetik. Në tërë poezitë lexon dhe merr me vete
imazhe rinore që kujtojnë rininë e saj dhe dëshirat e moshës, ku disa dëshira
janë të fshehura, diku fshihet një
zhgënjim diku mbahet një shpresë, por duhet thënë se në çdo poezi ka një
realitet dhe jo trillim. Metafora origjinale, hiperbola lakonike, krahasimet e
zhdërvjellëta i japin muzikalitet, harmoni, çiltërsi vargjeve plot ndjenjë. Në tërësinë e vargëzimeve nuk gjejmë vargun e
zakonshëm, as përsëritje, por një tendencë të brendshme për të përcjellë
bukurinë e poezisë ashtu të brishtë brenda magjisë së saj. Ajo që dua të veçoj është bukuria estetike e
vargut që gjallon, frymëzon dhe të ndez kureshtjen për të lexuar më tej, për të
gjetur mesazhin e fortë jetësor: Jeta është sa e bukur po aq dhe e vështirë, të
dyja janë pjesë të një medaljeje dhe pse janë afërisht në një trup nuk takohen
kurrë. Jetojeni jetën ashtu siç vjen, pa sforcime që nuk sjellin dobi. Këto
mesazhe vijnë të lëmuara mes vargjeve dhe figurave letrare kuptimplote që nuk
kanë asnjë keqkuptim, por shërbejnë si shtysa që njeriu të jetë më paqësor, më
i sinqertë, më vizionar dhe zemërgjerë.
Ribotimi i përmirësuar i vëllimit “Liqeni i luleshtrydheve” është një
nga dhuratat më të bukura që Mina i sjell lexuesit ashtu siç të magjepsin me
bukurinë e tyre luleshtrydhet dhe liqenet. Mes këtyre poezive, liqeni të
pushton në largësi, mjafton t’i dëgjosh valët dhe të shikosh kaltërsinë e
pafund për të rënë në dashuri me të.
Unë, Ti & Djalli...
U
putha me djallin nëpër nat',
nga
malli për ty që je larg' ,
shushurimë
gjethesh mëngjesi më la,
ç'bëre
moj, ç'bëre kështu më tha..!