E merkure, 24.04.2024, 12:38 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Halil Rrustemaj: Akademi p?r Kolonel Ahmet Krasniqin

E merkure, 24.09.2008, 07:12 PM


Me një Akademi përkujtimore ,bashkatdhetarët me qëndrim në Gjermani, përkujtuan  dhjetëvjetorin e vrasjes së ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonelit Ahmet Krasniqi ,tashmë “Hero i Popullit”.

Shkruan: Halil Rrustemaj

Në Örlinghausen afër Bielifeld-it të Gjermanisë, organizuar nga Kryesia e Nëndegëve të LDD-së në Landin gjerman të Westfalisë së Rinit Veriorë (WRV-NRW), dhe në bashkëpunim me kolegët e kolonelit , ish pjestarë të formacioneve ushtarake nga shtabi suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës është  mbajtur akademi përkujtimore  në përvjetorin e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, ish ministër  i mbrojtjes së Kosovës .
  Në akademinë ku morën pjesë qindra bashkatdhetarë u përkujtua  10-vjetori i vrasjes,  tanimë të heroit të popullit Ahmet Krasniqi, i cili dha jetën për çlirimin e Kosovës.

Nikoqirë të Akademisë për kolonelin Ahmet Krasniqi, kësaj here ishin  Nëndegët e LDD-së nga Bielefeld-i, Stukenbrock-u dhe Bünden-i , në bashkëpunim me kolegët e kolonelit , ish pjestarë të formacioneve ushtarake nga shtabi suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) , me qëndrim në Diasporë. 
 Në akademinë për kolonelin  Ahmet Krasniqi, krahas aktivistëve të LDD-së nga  Gjermania , kolegëve të kolonelit , ish pjestarë të formacioneve ushtarake, morën pjesë edhe përfaqësues të partive kosovare që veprojnë në Evropë dhe të rinjë  e të moshuar me qëndrim në Gjermani si dhe familjarë të familjes Krasniqi të rinjët; Hajriz Krasniqi dhe Besart Krasniqi.

Pas intonimit të himnit kombëtar , himnit të Dardanisë dhe atij të Kosovës , akademinë e shpalli të hapur aktivisti, Sali Berisha, nëkryetar i nëndegës së LDD-së për WRV.I cili
tha se përmes akademisë mëtojmë ta vëjmë në spikamë atë ngjarje makabër, sepse për një kohë u përmbysën ëndërrat, idealet dhe shpresat e shqiptarëve të Kosovës për ngritjen e një ushtrie moderne e profesionale e cila më së miri do t’u përgjigjej nevojave të luftës çlirimtare.

Muharrem Maliqi, kryetar i Nëndegve të LDD-së për Bielefeld, Stockenbruck dhe Bünden, në fjalën përshëndetëse në emër të nikoqirit, ka thënë: Kur në njëren nga Demonstratat e shumta që mbaheshin në Bon ,mësuam nga ish Kryeministri i Kosovës Bujar Bukoshi, se kishte emruar ministrin e mbrojtjes ne u gëzuam shumë , sepse kishim shpresen se Kosova do të çlirohej shpejtë, por lajmi për vrasjen e tin na pat piklluar shumë !

Në fjalën e rastit, Hilmi Gashi, kryetar i kryesive të Nëndegëve të LDD-së në Westfalinë e Rinit Veriorë (NRW), dhe ish epror ushtarak në Ministrinë e Mbrojtes të Republikës së Kosovës, pasi iu dëshiroi mirëseardhje pjesëmarrësve në akademi,  ka theksuar:
U bënë dhjet vite, kur dora e zezë e tinzare i mori jetën, Ministrit, dhe strategut të artit ushtarak, kolonel Ahmet Krasniqit, dhe la familjen Krasniqi pa vëllanë, nipin, xhaxhain dhe babanë e dashur, la ushtarakët dhe kolegët pa Komandantin dhe udhëheqësin e tyre, la Kosovën dhe popullin shqiptar, pa një Shtatmadhor, dhe pa një Kolonel me aftësi dhe trimëri që rrallë kush mund ta kishte si Ahmet Krasniqi. Plumbi i drejtuar në drejtim të trupit të Kolonel Ahmet Krasniqit, nga dora e zezë e tradhëtare, ndërpreu dëshirën  dhe vullnetin  e Kolonelit për forcimin e mëtejmë të forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dhe lirimin e Kosovës, nga pushtuesi serbosllav. Ndërpreu udhëheqjen Komanduese dhe disciplinën në shtabin  e përgjithëshëm  të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Ndërpreu rrugën e nisur qysh moti për lirimin e Kosovës, nga i pa harruari Aziz Zhilivoda, xhaxhai i Kolonel  Ahmet Krasniqit, e që me siguri i kishte  lënë edhe amanet që të vazhdojë, realizimin e aspiratave shekullore të popullit shqiptar, respektivisht popullit Kosovar. Familje me traditë që dha gjithmonë kontribut, dhe gjak për Kosovën tonë të dashur e të respektuar.Dora e zezë tinzare, i mori jetën Ahmet Krasniqi, i ndërpreu dëshiren që kishte për realizimin dhe përmbushjen e misionit të tij për Kosoven, dhe popullin e saj, por nuk mundi ta shuajë jetën dhe veprën e strategut të luftës kolonelit Krasniqi.  Prandaj ne përkulemi me respekt para veprës dhe familjes së kolonel Krasniqit, dhe para të gjithë atyre që luftuan dhe ranë në altarin e lirisë ;  si ,  Sali Çekaj e Agim Ramadani e shumë të tjerë.

Nga kjo Akademi përkujtimore kushtuar ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikes së Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi,  iu drejtohemi edhe një herë organeve Shtetërore të Republikës së Kosovës; Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaqi,  që me ceremoni Shtetërore të barten eshtrat e kolonelit Ahmet Krasniqit, dhe të bëhet rivarrimi i tij në tokën që aq shumë e deshti për të cilën dha edhe jetën e tij. Njëherit nga organet Shtetërore të Republikes së Shqipërisë, Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha, kërkojmë  zbardhjen e rastit, dhe kërkojmë që aktorët e atij krimi të shëmtuar të marrin dënimin e merituar“ .

Sami Kutllovci,kryetar i Forumit Rinor të LDD-së, në WRV- duke folur rreth jetës së  ish Ministrit Ahmet Krasniqi, ka thënë :
“Kolonel Ahmet Krasniqi ,u lind më 15 Janar 1948 në Zhilivodë, në kohën kur familja e tij ishin të internuar në Vushtrri. U lind nga një familje me tradita të qëndresës kundër pushtuesit serbosllav. Jeta e Kolonel Krasniqit dhe familjes së tij ishte e rëndë, por krenaria Kombëtare ishte e madhe. Shkollen fillore e kreu në vendlidje, duke vazhduar në shkollen e mesme Teknike „19 Nëntori”, në Prishtinë. Frymëzimi për patriotizëm dhe atdhedashuri i Ahmetit ishte lufta e xhaxhait të tij Aziz Zhilivodës, si dhe vuajtjet që përjetoi Familja e tij nga dhuna dhe diktatura e sistemit jugosllav.Kolonel Ahmet Krasniqi, si nxënës i shkollës së mesme teknike, mori pjesë aktive në demostratat e zhvilluara në vititn 1968 në Prishtinë.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, vendosë të regjistrojë akademinë ushtarake, që një ditë të jetë i përgaditur të ndihmojë çlirimin e Kosovës si një strateg i artit ushtarak.                                                                                                                                                       Kolonel Ahmet Krasniqi ishte autor i shumë punimeve dhe studimeve shkencore në lëmin e artit ushtarak.Karriera në armatën jugosllave ishte përplot barriera dhe pengesa, Nençmimi i aftësive të tij profesionale dhe degradimi që përjetoi iu bënë vetëm pse ishte shqiptar, si dhe për shkak të pjesëmarrjes në demostratat e vitit 1981, të vëllaut të tij Bexhet Krasniqi. Kolonel Ahmet Krasniqi punoi më përkushtim të madh për të koordinuar aktivitetin e eprorëve me qeverinë e Republikës së Kosovës që nga viti 1993 e sidomos me emrimin e tij Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Kolonel Ahmet Krasniqi në vitin 1998 me profesionalizëm filloi ngritjen dhe forcimin e bazave ushtarake të Republikës së Kosovës, gjë e cila do ti ipte grusht dhe goditje të fortë, forcave serbe. Kolonel Ahmet Krasniqi, si Ministër i Mbrojtjes dhe Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së kosovës, punoi me përkushtim për institucionalizimin e ushtrisë dhe unifikimin e faktorit ushtarak dhe atij politik. Rezultatet e punës së Kolonel Ahmet Krasniqit, aftësia, guximi, vendosshmëria për Kosovën dhe profesionalizimi i UÇK-së, i sollën vdekjen nga dora tinzare, me datën 21 shtator 1998 pikërisht në mesin e Tiranës, para Kryeministrisë së Shqipërisë dhe afër Sheshit qendror.
Kolonel Krasniqi, gjatë veprimtarisë së tij në Shqipëri, ballafaqohej me shumë vështirësi, duke u kontrolluar dhe penguar disa herë nga organet e rendit shqiptar, si në Tirane, Tropojë e Kukës, ashtu edhe në vende tjera. Kolonel Krasniqi të gjitha pengesat që kishte i përballonte dhe i tejkalonte me shpresë se një dite do të kanalizohen gjërat dhe do të futen në një binar, por fatkeqsisht dora tinzare ia mori jetën dhe dëshira e tij, për ate që punoi, nuk u realizua. Pra 1. formimi i një Ushtrie Çlirimtare të Kosovës me një Shtab e një Komandë dhe me një disciplinë ushtarake siç i ka hije një Ushtrie të një Shteti, 2. Çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb,  dhe,  3.  formimin e Shtetit të Kosovës” .

Telegrame përshëndetëse akademisë i kanë arritur nga Hafiz Gagica Kryetar i kryesisë së LDD-së në Gjermani dhe anëtar i kryesisë qendrore të LDD-së, si dhe Agim Mehmeti ish zëvendës i Minstrit të Mbrojtjes së Kosovës.

- - - - - - - - - -

Aktivisti, Sali Berisha, ka lexuar telegramin nga  Agim Mehmeti ku thuhet:
“Kolonel Ahmet Krasniqi – ky kolos i kombit ! U bënë plot dhjetë vite që kur plumbat e tradhëtisë u zbrazën në trupin e atdhetarit, ushtarakut dhe Kolonelit Ahmet Krasniqi. Kosova mbeti pa Ministrin e parë të Mbrojtjes, ne mbetëm pa shokun dhe kolegun tonë të shtrenjtë, familja e tij pa më të dashurin e vet. Kolonel Ahmet Krasniqi, për shumicën e shqiptarëve, është një figurë historike e kalibrit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut.
Strateg dhe vizionar i pashoq i artit ushtarak, i lindur në kohët më të vështira në të cilat kalonte kombi, në një familje shumë të shquar të Zhilivodës patriotike, i rritur me sakrifica dhe varfëri, i përndjekur dhe i përbuzur, ia doli të kryente shkollat më të larta në armatën jugosllave. Kur flakët e luftës e përfshinë Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnën, ai e ndihmoi Kroacinë në ngritjen e ushtrisë së saj, pa u inkuadruar në majat e pushtetit dhe ushtrisë kroate, sepse synim e kishte popullin e vet dhe Kosovën. Në atë pritje, atij iu desh që të mbijetonte. Kreu punë të vështira nëpër Kroaci, si punëtor krahu, duke u përkujdesur për familjen, në veçanti për shkollimin e fëmijëve Teutës dhe Florentit. Kur flakët e luftës iu afruan Kosovës, ai nuk u hamend dhe pa asnjë hezitim iu përvesh punës në organizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.
Me fillimin e shpartallimit të Jugosllavisë, pjesa e ndërgjegjshme e oficerëve shqiptarë, braktisi armatën jugosllave. Pjesa dërmuese e tyre u strehua në Zvicër dhe Gjermani. Prej vitit 1991, edhepse në rrethana të vështira, herë me mbështetje nga Qeveria në egzil, e më shpesh pa mbështetjen e saj, me një ndërgjegje dhe përkushtim të pamohueshëm, oficerët shqiptarë në këto shtete, me mbeshtetje edhe nga kolegët e tyre në shtet tjera, iu përveshën punës në organizimin e Sistemit të Mbrojtjes së Kosovës. Përkundër kushteve të vështira të veprimit, u bë një punë e mirë dhe me fillimin e rezistencës së armatosur në Kosovë, erdhi momenti i shumëpritur që të kryheshin veprimet e para taktiko-operative në terren. Me kalimin në shkallë më të lartë të veprimeve, duke i studiuar dhe vlerësuar rrethanat e përgjithshme, posaqërisht duke vlerësuar realisht potencialin e armikut, vendosëm që detyrën e ushtarakut më të lartë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës t´ia besonim Kolonel Ahmet Krasniqit, gjithnjë duke u bazuar në përgaditjen e tij profesionale, të kaluarën patriotike të tij, dhe të familjes së tij, e në veçanti përkushtimit të tij për të luftuar deri në sakrificë. Vlerësimi dhe vendimi ynë ishte me vend dhe shumë i qëlluar. Ishim të bindur se me Kolonel Ahmet Krasniqin do të ndërtonim një ushtri moderne çfarë i nevojitej Kosovës.
Në pranverën e vitit 1998, Kolonel Ahmet Krasniqi, së bashku me shumicën e bashkëpunëtorëve, kaloi në Shqipëri me qëllim fuqizimin e Forcave të Armatosura. Vështirësitë që haseshin në Shqipëri nga grupe të llojllojshme, sabotimet e përditshme dhe sistematike që bëheshin, nuk na trembnin. Por, siç dëshmoi koha më vonë, përkunder përpjekjeve sistematike të Kreut të Shtabit të Ministrisë së Mbrojtjes për sistemimin dhe unifikimin e rezistencës ushtarake, gjërat me kalimin e kohës morën rrugë jo të mbarë. Shantazhet, sabotimet, shpifjet, pengesat, kërcnimet me likuidime, na u bënë përditshmëri. Në ato kushte dhe rrethana, qe bërë i pamundur kalimi në faza më teë larta të organizimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Vetëm vullneti i madh, obligimi dhe dashuria ndaj popullit dhe atdheut, na shtynin pandërprerë që të bënim lëshime dhe sakrifica, të cilat asnjë ushtarak i shkolluar, i asnjë ushtrie në botë, as në rrethana lufte e as në rrethana paqeje nuk do t´i bënte. Përkundër lëshimeve të shumta, të cilat bëheshin me qëllim unifikimi dhe ndergjegjesimi të njerëzve, pasi ishim para rrezikut të çfarosjes totale të qenies sonë biologjike, një pjesë jo e ndërgjegjshme e njerëzve, tentonin dhe vepronin parreshtur në shkatrrimin e Institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim të dominimit të tyre në skenën politike dhe ushtarake. Kur gjitha ato trysni nuk bënë punë,  ndaj stafit udhëheqës të Ministrisë së Mbrojtjes u aplikuan planet vrastare antikombëtare, e në veçanti ndaj Kolonelit tonë Ahmet Krasniqi. Fatkeqësisht, ato plane ogurzeza të përpiluara në kuzhinat më antikombëtare, dreqi e merr vesh prej sa e sa shërbimeve, u realizuan me ekzekutimin e Kolonel Ahmet Krasniqit, para 10 viteve, më 21 nëntorë të vitit 1998, në zemër të Tiranes, para syve të Shërbimit Intelegjent të Qeverisë shqiptare.
Me vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit u zvoglua mundësia për ngritje në nivel të lartë të një force moderne ushtarake të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, me vrasjen e tij shumë gjëra morën tatëpjetën. Kaluan dhjetë vite. Ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e ekzekutimit të Ahmet Krasniqit nuk u zbuluan për t´u gjykuar dhe për të marrë dënimin meritor. Shumë gjëra kanë mbetur pezull. Një nxjerje para drejtësisë të kriminelëve. Shkruarja e drejtë e historisë, do të lehtësonte sadopak dhembjen për humbjen e Kolonel Ahmet Krasniqit. Shpresojmë se drejtësia e shtetit shqiptar do të nisë procedurën për zgjidhjen e kësaj vrasje të kryer nga tradhëtarët e kombit. Me një gjykim të drejtë, shumë gjëra, shumë paturpësi, shumë tradhëti, do të dalin në siperfaqe dhe populli do të ketë një pasqyrë të vërtetë të rrjedhave të përgjithshme të kohës së luftës, sepse historia me gënjeshtra, mashtrime e krime nuk shkruhet. Emri dhe vepra e Kolonel Ahmet Krasniqit do të shkruhen me shkronja të arta në historinë e popullit shqiptar ».

- - - - - - - -

Për të pranishmit në fund u shfaq një film ekskluziv dokumentar nga fjala  përshëndetëse e Ahmet Krasniqi si kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Rovinj, në festat e Nëntorit , organizuar nga bashkatdhetarët  me qëndrim në  Rovinj në vitin 1996 , përgatitur nga  “ Studio Rini “ në Bon .

Sami Kutllovci

Prezent ne Sallë

Hilmi Gashi

Muharrem Maliqi

Pamje nga Filmi
Prezent ne Sallë
Sali Berisha


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora