E shtune, 27.04.2024, 12:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: 'Vrasja' e një Missi

E enjte, 05.04.2018, 06:20 PM


"Vrasja" e një MISSI

Tregim

Nga Përparim Hysi

Aso kohe as që flitej për MISS! Nëse po e quaj kështu, mos kujtoni se po shpejtohem apo jam pak  i njëanshëm. Sado që kjo ka ndodhur aty nga vera e vitit 1957-të, unë them jo vetëm e kam njohur atë MISS, por kam parë me sytë e mi se si e "vranë". E vranë barbarisht: mu para syve të mi. Unë,atëherë, qeshë student në Institut dhe,ngaqë më pëlqente folklori, isha dërguar enkas nga i ndjeri,Profesor Zihni SAKO, për të vëzhguar një ceremoni dasme apo qoftë dhe fejese    një nga fshatrat malorë të juglindjes. Kisha shkuar atje bashkë me Asllanin, dhe ky student për biokimi. Asllani qe, pothuaj, i familjes dhe ky më mori në atë shtëpi. Pra qeshë mik i Asllanit dhe,ngaqë në fshatra të tillë ta japin shpirtin në dorë, mua më dukej se nuk qeshë mik,por si  i shtëpisë. Them i shtëpisë,se atje qendrova 10 ditë dhe kurrë nuk e harroj  jo vetëm pritjen e ngrohtë,por dhe trajtimin po aq të ngrohtë. Ç'njerëz babaxhanë! Ende në atë zonë malore nuk kish rënë "cunami i kolektivizimit" dhe,përgjithësisht, njerëzit rronin ku e ku më mirë,krahasuar me ato fshatra ku kolektivizimi e kish"vyshkur" atë pak gëzim të  njerëzve të lirë.

*     *    *

Asllani, kur më njohu me njerëzit e tij, tha:- Ky  është Arturi,shoku im, dhe shkurtimisht e thërresim Turi. Kaq mjaftoi që burrat e shtëpisë të më  përqafonin dhe gratë, si qenkej zakoni atyre anëve, më puthën në  të dy faqet. Kjo puthje në faqe, njësoj siç bën dhe me Asllanin, qe si një"cartabiankë" sigurie që më thoshte: Artur apo Turi,sa do qëndrosh këtu, je po aq i afërt siç është Asllani. Dhe kaq nuk qe pak. Pas njohjes, ne, burrat, hymë në odën e pritjes. Oda e pritjes qe  goxha e madhe: me dysheme dërrase dhe tavan po prej dërrase. Dërrasa  që vetëtinin nga një lloj vaji që nuk e humbte shkëlqimin dhe jo vetëm kaq: mu në mes të tavanit një ornament me gdhëndjeje prej një dorë mjeshtëri që i jepte krejt odës një prezencë të veçantë ,sidomos, kur e shihje për herë të parë siç ndodhte dhe me mua. Mu në krye, pothuaj në qendër të krejt asaj ode të madhe, qe vatra e madhe dhe një oxhak,edhe ky i derdhur me ornamente. Asllani,ngaqë pa "humbjen e pusullës sime", pas këtyre punimeve kaq artistike, më shpjegoi:- Ç'sheh me sy në këtë odë, është dorë e mjeshtrave nga Opari. Aty,ndërsa nga njëra anë e oxhakut u ul i zoti i shtëpisë, nga ana tjetër apo kundruall tij, u ula unë si mik dhe, fill pas nesh, sipas moshës,u ulën katër burra të tjerë që ishin ose nipoj apo  dhe ndonjë i afrëm tjetër.

I zoti i shtëpisë apo BABEU,siç i thërrisnin të gjithë, qe aty mbi moshën 50-vjeç, i mbajtur mirë dhe i pavrarë nga puna.

Qe i madhi dhe,siç thoshte, hallemadhi. Ai ishte për pritje e përcjellje miqësh dhe,sado që nuk zinte punë me dorë, kishte jo vetëm qesenë e shtëpisë, por qe ai që jepte urdhëra dhe, të tjerët, me gra e burra,qenë si "skllevërit idulgjentë të tij", do t'i zbatonin këto urdhëra pa gëk e mëk. Siç e gjykova, sa qeshë atje, nuk qe burrë i keq, por i pëlqente të kapërdisej (ndonjëherë, si maçoku në thekër) dhe,sikur bënte paradë force,kur demonstronte para meje forcën e urdhërave të tij. Nuk di pse krejt atë familje të madhe e mendova si një repart ushtarak dhe BABEUN si Komandant që jepte urdhëra. Jo vetëm jepte urdhëra,por,siç më shpjegonte Asllani, kurrë nuk kish ndodhur që dikush ta thyente këtë urdhër: as nga burrat dhe,sa për gratë,këto as llogariteshin si të gjalla. Mua dhe Asllanit të gjitha vaktet na shërbeheshin tek oda e pritjes. Burrat me BABEUN në krye darkën e hanin tok me ne. Si mbaronte darka, vinin gratë dhe qoftë dhe njëra prej tyre, na shtronte për të fjetur. Nuk kish krevat,por mbi dyshekët me lesh, hapeshin çaraçafët dritë dhe mbi ta jorganë të mbushur me lesh. Sa gjumë të rehatshëm që flinim! Flinim, kur thonë blegtorët, si ata shelegët që ka zënë gërshëra:për  7-qejfe!

*       *    *

Qe, me sa më kujtohet, nata e tretë. Burrat nuk erdhën për darkë dhe BABEU, si "hallemadhi" që qe, se ku kish shkuar për mik. Kish ndodhur ai"çlirimi  i qenit nga zinxhiri": e lëshon dhe nuk i zënë putrat e këmbëve mbi supe. Mbeta unë e Asllani. Darkën e solli një nga nuset e shtëpisë dhe,kur do na shtronin, nusja kish marrë me vete një nga çupat e BABEUT. Kur hynë, ajo,ngaqë dhe me Asllanin nuk qe parë atë ditë, u shkëput dhe e puthi në dy faqet. Pastaj, pa ia bërë syri tërr, si një rit që do ta bënte me domosdo, erdhi dhe të njëjtën gjë bëri dhe  me mua.

Moj Merushe,- tha Asllani,- po kam dy ditë që nuk  të shoh. Dhe unë fiksova:kjo që më puthi mua qenka Merushja!  Jo, po hamendësoja,nuk është Merushja, por Bukurushja! Nën dritën e fortë të  llambës së madhe,ajo qe si një dritë llamburitëse. Tek qeshte me Asllanin krejt pafajësisht, në sytë e mi u shfaq si një pafajësi e bukur apo si një  mrekulli. Aq e bukur qe, sa unë u vura  në ngasje që ta illustroja,sado pak këtë bukuri, me vargje nga këngët popullore, por gjithmonë më dukej se qeshë larg në analogjinë time dhe,tek e vështroja, pak me droje, sigurisht, doja të bërtisja:- O ZOT, vallë edhe ti punon  me hile?! Përfytyroni një trup fidan dhe një fytyrë trëndafili, me ca buzë të trasha (unë i përfytyroja tërë lëng) dhe pa guxuar t'i hedh sytë mbi gjoksin e bëshëm, që femrat e atyre anëve dinë si ta shtrëngojnë e mbyllin si në kafaz. U skuq,sikur kish bërë turp dhe, tek u mat t'i kthente përgjigje Asllanit, foli nusja:- Epo Merushja ka"halle" të tjera tani. Pasnesër vinë krushqit! Kaq u desh dhe Merushja, u bë zog fluturak dhe iku nga oda. Asllani u befasua,kurse unë qeshë ca më keq: qeshë duke përjetuar një çast të bukur dhe,befas, dikush sikur ma rrëmbeu çastin dhe e ndjeva veten si më të humburin e frymorëve. Nuk di nëse Asllani e vuri re trishtimin tim, por, tek u  shtrimë për të fjetur, unë e hapa prapë muhabetin. Asllani qe  aq i paditur sa unë ,por më kujtohet që tha:- Merushja është njëra nga çupat e shtëpisë dhe ka  radhën e fejesës. Vetëm për një gjë lus,- tha ai,- ishalla mos e marrë më qafë Babeu. Nëse Babeu i ka dhënë fjalën dikujt, atëherë fati i Merushes është përcaktuar. Sot është  e martë,- tha Asllani,- krushqia vjen të enjten. Të enjten bëhet gostia (i vihet vula vendimit të  Babeut) dhe ti,-më tha,- hap tefeterët i mbushi plot që të kënaqësh Profesor Zihninë. Kështu më tha, por unë aq e kisha humbur nga bukuria e Merushes, sa isha në atë gjendjen e atij që këndoi:" Bie të fle/gjumi s'më zë/ halli si t'i bënetë?". Të enjten,- thosha me vete,-ç'bujashka do bjerë lumi? Si do ta ketë fatin BUKURUSHJA? Vonë, shumë vonë më zuri gjumi. Copëra herësh sikur isha me Merushen. Si thashë, Merushen? Jo isha me BUKURUSHEN. E vërteta është që po vuaja atë  sindromën e Xhaferrit që humbi simiten. E merrja portretin e BUKURUSHES dhe e ktheja mbarë e  prapë:-Bobo,- thosha,- sikur ta ketë marrë më qafë Babeu!  Tek  mendoja,vetëm anën e keqe,qeshë gati që t'i hidhesha mu mbi kokë Babeut dhe t'ia shkulja ato mustaqet "spic" që, sado po e merrja inat, ke parë  që i shkonin .

*    *   *

Tek prisja të enjten, natën e të mërkurës as që mbylla sy. Mbaja veten me gajret dhe thosha:- Nuk  do fle! Kështu si unë sot nuk po fle dhe BUKURUSHJA! Tërë natën pothuaj se e  thava detin me filxhan. Një i ri ëndrrimtar që bukuria e një MISSI të këtyre anëve e ka goditur mu në kokë dhe, nga një student pasionat pas nomeve popullore, ka katandisur në një Don Kishot që po lufton  me"mullinjtë e erës".

Pothuaj se nuk e preka mëgjesin dhe,ndoshta nuk më ka tradhtuar çehreja, se nga shpirti jam zeher. Ndërkaq, një çunak bërtiti:- Po vinë krushqit! Kjo klithmë gëzimi,për mua qe si një thikë që dikush ma nguli: krushqit për mua qenë"exheli"që do binte mbi BUKURUSHEN!

BABEU doli në krye dhe, sakaq,"reparti" qe rreshtuar. Gratë ndiqnin diku, si fshehur, ardhje e krushqëve. Qenë gjithësej 7 krushq, të gjithë të veshur me shajake. Mundohesha që,mes tyre, të dalloja dhëndërrin. Krushqit sikur i kish prerë një metro: rroba njësoj, qylafët njësoj dhe,vetëm kur u ulën ballë nesh, munda ta dalloja atë "rivalin" tim.

BABE,- mallkova me vete,- t'u bëftë në grykë,kur asaj BUKURUSHES i ke zgjedhur këtë short. Këtyre anëve thonë:- Dardhën e qullur e  ha breshka. Analogjia ime ishte pak e çalë se ku BUKURUSHJA dhe ky,"rivali im", një leshraqen që njëherë nuk ka krehur flokët, do hajë një dardhë aq të ëmbël si BUKURUSHJA. Filluan dollitë e shëndetet, këngët e vallet sa tundej dhoma dhe,ndërsa atomsfera u ndez e mori zjarr, unë përjetoja njëlloj si BUKURUSHJA atë dhimbje shpirtërore të saj që do binte në kthetrat e këtij skifteri. E urreja,sado që ai qe i pafaj.

*    *   *

Por sado që"reparti i Babeut" qe i disiplinuar, kishte dhe ndonjë "ushtar të moshuar" që nuk ia kishte as për pesë Babeut. Ky"ushtari" qe as më pak dhe as  më shumë,por një nga plakat e moshuara të shtëpisë. U ngjit me"nënrepartin e grave të tjera", mori gotën me raki dhe,pasi uroi krushqit, shtiri sytë nga dhëndëri dhe,sa e pa, tha:- Moj gra, do ia them një kënge,po hajde dhe ma mbani: "  Bëra poshtë, moj, bëra poshtë/bëra poshtë nga Larushku/ edhe pashë, moj, edhe pashë/më i madh qe dhëndërri/ se sa krushku/. Kjo nuk qe këngë,por qe si rrufe që bie së kthjellti. Babeut i lëvizi musteqja, por  Hanko XHIXHIA kish  "status" të veçantë dhe i bënte hij komandantit. Të them të drejtën, mal m'u bë zemra nga kënga e Hanko XHIXHISË dhe qeshë gati ta merrja në krahë. Me mendja qeshë nga BUKURUSHJA që atje, si një fshesë që lëmë pas derës, vajtonte fatin e keq. Krushqit,sado që u sëmbuan, të dielën mbrritën dhe e morën BUKURUSHËN dhe,tek ikte bashkë me kujen e saj, mua sikur m' ua hap një plagë në shpirt. Tri ditë pas ikjes së BUKURUSHËS,edhe unë u largova për Tiranë. Ia dorëzova fletoren PROFESORIT tim aq të dashur dhe, tek po i tregoja për këngën e HANKO XHIXHISË dhe ai nuk e mbajti të qeshurit. Më kujtohet që më tha:- Ç'minierë e pasur është tarshëgimia popullore!Ç'xehërorë që fshihen në të! Një nga këta "xehërorë" e ke zbuluar ti me  këngën e HANKO XHIXHISË. Të lumtë! I miri PROFESORI i ndjerë,i ëmbëli ZIHNI SAKO! Dhe gjithmonë MISS BUKURUSHJA, për disa kohë, jetonte me  mua. Vallë, si i shkoi jeta me atë skifterin leshrapakrehur?!

*     *    *

Pas 50 e ca vjetësh,bie ndesh me një mik që njihte BABEUN me gjithë "repartin" e tij. Pyetja e parë imja qe:- More, si i shkoi jeta asaj, Merushes? Aha,-tha ai,- e paske njohur atë? - Isha në dasëm,- i thashë

Flamë e shkuar flamës i shkoi. E la burrin e parë (kaq m'u hodh zemra) , por me të dytin e kanë goditur fatkeqësi njëra pas tjetrës që, dhe,po ta shohësh, nuk e  njeh më. Është mbledhur si në shportë nga dhimbja dhe nuk shkon gjëkundi. Njdeva po atë dhimbje të dikurshme. Po si mos ndjesh dhimbje ,kur para syve,vrasin një bukuri?Vrasin një MISS! Dhe miku sikur ma lexoi dhimbjen në fytyrë, më tha:- A  e sheh atë çupën e bëshme atje? Është një nga çupat e Merushes,- më tha.

E thërret dot që të vijë këtu? -Po si nuk e thërres,- tha. E thirri dhe, tek po vinte drejt nesh, m'u bë sikur po vinte vet BUKURUSHJA. Na njohu dhe unë fola:- Si është mamaja? -Ka rënë shumë,- më tha. Nxora nga xhepi një dhjetëmijë lekësh dhe i thashë:- Do shkosh t'ia japsësh mamasë. Nga Turi,- i thuaj. Nguroi,po miku që na njohu qe njeriu i saj dhe i tha :merri! -Të faleminderit zotëri,në emër tim dhe të mamasë,- tha vajza e Bukurushes. Tek u largova nga ai takim, m'u bë i afër ai fat mizor që goditi atë MISS bukurie që e"vranë"për së gjalli.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora