E marte, 06.05.2025, 03:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: La pas gjurmët e mirësisë

E premte, 30.03.2018, 04:07 PM


La pas gjurmët e mirësisë

Të prëmten e fundit të muajit mars 2018, përcillet për në banesën e fundit Hazbi Veliko Mateli. Hazbiu u lind në fshatin Mazhan të rrethit të Përmetit, aty ku shtrihet skaji verilindor i malit Trebeshinë, aty ku historia ka shënuar disa nga ngjarjet  më të rëndësishme të vendit tonë, aty ku disa ushtri pushtuese janë dorëzuar para armëve të popullit tonë, ku kontribues janë dhe banorët e të dy anëve të malit Trebeshinë. Hazbiu u lind më 6 janar të vitit 1930, në një familje dëshnicare, e pasur në tradita dhe zakone që shprehin shpirtin liridashës e punëtor të shqiptarit.

Lufta Nacional Çlirimtare, që ishte dhe mbetet një ngjarje e shënuar në historinë e Shqipërisë, edhe pse në moshë të vogël, e rreshtoi Hazbiun në formacionet e saj. Pas Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, Hazbiu largohet nga Mazhani dhe shkon për të punuar në minierën e Memaliajt. Aty formoi personalitetin e tij, aty u rrit dhe krijoi një rreth të gjerë me miq dhe shokë me të cilët ndante shqetësimet dhe gëzimet e tij. Qyteti i Memaliajt ruan gjurmët e tij e duarve të tij. Vetë ishte në pararojë të brigadës së minatorëve, gjithmonë i palodhur dhe i përkushtuar. Punoi aty deri në vitin 1980, kohë dhe kur doli në pension.

Hazbiu u martua me Behije Velaj nga fshati Komorak i rrethit të Përmetit, i cili kufizohet me Mazhanin. Ndërtoi një famile ku mbizotëronte harmonia dhe familja e tij shumohej vazhdimisht jo vetëm me djem dhe vajza, por dhe me nipër e mbesa. Përkushtimi i Hazbiut shkonte deri në sakrificë. Jetën e ndau midis qytetit të Memaliajt ku punonte dhe Mazhanit ku banonte familja e tij. Ka qenë modeli i njeriut punëtor dhe i familjarit të mirë, i prindit shembullor që rriti dhe edukoi fëmijët e vet me virtytet më të larta. Velikua dhe Petriti, Xhevahirja, Florija dhe Dallandyshja ecën në gjurmët e prindërve të tyre në krijimin e familjeve model ku mbizotëron mirësia, bujaria, mikpritja dhe dashuria.

Pas viteve 1990 Hazbiu u vendos në qytetin e Kamzës bashkë me fëmijët e tij. Aty lidhi miqësi të reja me moshatarët e tij. Edhe në Kamëz admirimi për të ka qenë i madh. I tillë ishte Hazbiu. Linte gjurmët e mirësisë kudo që shkonte.

Erdhi dhe çasti, kur Hazbiu ndahet nga kjo jetë, në një ditë të shënuar për besimtarët bektashian. Ishte dita e Sulltan Nevruzit, ishte 22 marsi i bekuar nga vetë Perëndia. Dhimbja për të është e madhe, sepse përmasa e dashurisë që ai krijoi për njerëzit që njohu ishte e tillë. Iku duke lënë në hidhërim djemtë dhe nuset e tij, vajzat dhe bashkëshortët e tyre, nipërit dhe mbesat, të afërmit, por dhe gjithë ata që i njohu dhe e njohën gjatë gjithë jetës së tij, sidomos në Përmet, Memaliaj dhe Kamëz.

Kujtim Mateli



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx