E marte, 06.05.2025, 07:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Mercedes Gega: Zigzag psherëtimash

E hene, 26.03.2018, 07:21 PM


Mercedes Gega

 

Zigzag psherëtimash

 

Ajër i akullt mbështjell këtë moment

me një qetësi drithëruese deri në agoni

Kakofoni nervash ky trafik frymëmarrjesh vesh,

ndërsa nën një zigzag psherëtimash

Pritja...

nis...

Vjen!

6.01.2018

 

 

Vetëburgosje idesh

 

Përfundimisht,

pa skaj është pafundësia

e të athtës që lë pas në vetëdije,

tkurrja e pafuqisë së pamundësisë të së sotmes,

që i injektojmë në venat e ideve,

nga vetvetja, po vetes tonë,

shtyrë nga frika që sjell mania e bërit saktësisht

në mënyrë perfekte dukjen e përmbajtjes tonë,

në një kohë, kur kohës tonë

Joperfekte,

kemi harruar se si ia kemi lidhur duart

me prangat e ngurrimit,

për të provuar të pranojmë

se të jesh vetvetja

është një hap më afër

i të qënit paqësisht i lirë,

E po në të njëjtën kohë ku,

serviren jo pak burgjengurtësi vetpranimi,

në modele të gatshme

korniza idesh!

 

4.02.2018

 

 

Qetësi drithëruese

 

Dita mbledh e hutuar

dhe plaçkat e fundit...

Është për rrugë.

Si përherë në këtë kohë,

veçse sot më duket pak më herët!

E zbehtë drita në sytë e tulatur,

shtrirë mbi një qetësi drithëruese,

e cila mbulonte këtë mbrëmje në ardhje...

E dija se jo çdo qetësi është përfundimisht e qetë!

Ka stuhi që ziejnë qetësisht deri në të çarën më të parë

që ju krijohet mbi lëkurë,

nga kureshtarët e patakt,

nxitur për t'i gjetur me patjetër një sepse, çdo pse-je,

në kryqëzimet e mendimeve që hasin në vajtje – ardhjet

e këtij trafiku të ngarkuar idesh në qarkullim,

herë-herë sporadike

e herë të tjera qëllimisht të kërkuara...

Një stuhi në horizont?!

Dukja nuk është përherë përmbajtje,

për më tepër kur kemi nivele të cekëta vetëbesimi në pranim!

-Gjithësesi,- i them vetëvetes,

stuhitë, në dimra botëkuptimesh,

janë nga më normalet e anormaleve përditshmëri!

7.02.2018

 

 

SOS

 

Kisha ca kohë që s'më kish rënë  rruga,

A ndoshta thellë thellë

këtë mund'...zgjodha?!

Vështrimi yt më kish' prangosur

Degdisur në të tjera kohëra...

Përballë.

I vetëm!

I pambrojtur!

Një mëngjesdremituri metropoli,

që shekujsh pret zgjim perëndimi

Se vetëvetes kurrë s'i besoi!

I gjori!

Rëndon...

Përkulur nga peshë e kohës,

që fati i tij i la në duar,

një dhimbje e vjetër që pëshpërit:

SOS!

Pas dritareve të kësaj dite

posmodernizmi xhammjegulluar!

Nuk di si ishte jeta jote,

nuk dite, s'munde, a detyruan?!

Unë shoh buzë bregut veç një varkë të thyer,

një jetë që:

-Njerëz duhet ndihmuar!

17.03.2018

 

 

Surprizë!

 

Surprizë!

Kjo mbrëmje kishte vendosur të më priste...

NDRYSHE!

Mbi tavane...

Nëpër mure...

Mbi llambadarë...

Mbi mobilje...

Mbi dysheme...

Kudo...

Ngado...

Madje dhe mbi shtrat...

Nën çarçafë...

Zvarriteshin,

Kryqëzoheshin,

bashkoheshin dhe ndaheshin,

bulëzonin e buzëqeshnin,

tinguj që lëshonin petalet e panumërta

të luleve mbrëmësore!

Mbi pentagramet e minutave,

mbështetur në pistën e ajërt,

mbi të cilën frymëmarrjet e mia filluan të vallëzonin

një tango ritmike nervash,

pritja kërciste gishtat,

teksa cepi i buzës pyeste dhëmbët

nëse donin të ndërronin vend për një çast ?!

Intrigues,

Magjepsës,

i pakrahasueshëm,

emocioni i pritjes

së një tingëllimi shprese!

18.03.2018

 

 

Lëre pranverën të vijë

 

Ta dija se ç'thonë me vete

dy sytë e tu blu

që kur kalojnë pranë meje

çapiten kuturu?!

 

Të mundja ah të mundja

në një fragment të dritës

me gishtat e buzëve të të fshija

çdo hije nga perdet e ditës!

 

Dielli lëkundet mes pemëve

në shilarësin e këtij ajri pranveror

vetëm nga parvaz i buzëqeshjes tënde

pak dimër i topitur pikon...

 

Lëre pranverën të vijë

dhe nëse pa mua, po të jetë

zemra ka të drejtë të jetojë

çdo stinë,

vetëm lëre të lirë, të zgjedh! 

24.03.2018



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx