E shtune, 27.04.2024, 10:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Ese për Lefter Talon

E diele, 01.04.2018, 09:47 AM


ESE PËR LEFTER TALON, PËR RREZATIMIN E VLERAVE TË JETËS DHE VEPRËS SË TIJ HEROIKE

Nga Bardhyl Maliqi

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj date përkujtimore, të respektuar veteranë, ju shokë të idealeve dhe llogoreve të Luftës, bashkëvëllezër shpirtërorë dhe bashkëvendas të Heroit të Popullit Lefter Talo, të dashur familjarë, miq e të ftuar, përfaqësues të brezit të ri, ju të gjithë e dini se këtu na ka mbledhur së bashku përkujtimi i 60 vjetorit të rënies heroike të Lefterit.

Obligimet e mia krijuese dhe qytetare më japin sot rastin të flas për rrezatimin e vlerave dhe mësimeve që dalin prej  jetës dhe veprës së tij heroike. Unë jam i vetëdijshëm se këto tipe takimesh kanë diçka rutinore, ceremoniale dhe formale. Ndoshta për njerëzit impulsivë dhe një ndjenjë bezdie që buron prej të folurit monoton në to, ca përkujtimore të vitpasvitshme që në vend ta rifreskojnë duket sikur e zhbëjnë, e zhytin në një harresë mospërfillëse atë që na ka mbledhur këtu, emrin dhe veprën e heroit. Mendoj se ka ardhur koha që ne të mësohemi të flasim dhe veprojmë ndryshe, ndaj po ndërmarr rriskun për ta bërë këtë, vendosa që për Lefterin të flas përmes një esesje argumentuese, ku jeta dhe vepra e tij të shërbejë si një shkas dhe si një argument për refleksione. Ftesën e Familjes së Heroit, të shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe të Organizatës së Veteranëve të Luftës e pranova me kënaqësi, pasi me Lefterin më bashkojnë veçanërisht tre gjëra. Lefteri ishte mësues ashtu si unë, Lefteri ishte krijues ashtu si unë, Lefteri punoi e luftoi në krahinën time të Konispolit, dhe ra në kalanë e Margëllëçit në të njejtën llogore me patriotin tim Damin Korro, në luftë me bishën naziste.  Por ka dhe diçka tjetër që më imponon të flas. Nuk ka krijues sarandit, veçanërisht ata që me shkrimet e tyre përfaqësojnë tharmin poetik dhe zërin krijues të minoritetit grek, që të mos kenë shkruar një poezi, skicë, kujtim apo artikull gazete për Lefter Talon. Nëse këtë e bëjnë mirë, kjo u shton vlera vetë atyre. Para viteve ’90 ka pasur një prirje, këto lloj shkrimesh kanë synuar fshehtas të përfitonin nga lavdia e heroit, ndërsa pas viteve ’90 ka pasur edhe shkrime asnjanëse, edhe deheroizuese e denigruese, autorët e të cilave kujtuan se mali u gremis. Jo zotërinj, ju mund të përdhosni monumentet dhe pjedistalet, mund të përgojoni veprat dhe emrat, po malet nuk gremisen kurrë! E pra, Lefter Talua, me jetën dhe veprën e tij është si një mal. Më thoni ju, a nuk ishte kjo një arsye më shumë për të folur sot?

Të nderuar miq, ju e dini se ka njerëz, që gjithë jetën struken pas emrit të babait apo mbiemrit të vet duke e përdorur atë si librezë kursimi, apo si hambar pasurie, veçanërisht kjo ndodh me njerëzit që marrin për mbiemër emrin e vendlindjes së vet, këta janë përfituesit më të paskrupullt të lavdisë së saj. E kundërta e tyre është Lefteri, i cili një fshati të humbur me 20 kasolle të minoritetit, i dha emrin e tij dhe emrin e lirisë njëkohësisht. Ashtu siç i dha emrin e tij një njësie të madhe administrative, të ish kooperativës bujqësore si dhe një institucioni arsimor që mishëron idealin dhe profesionin e tij, shkollës së mesme të bashkuar të Livadhjasë. Kjo është një vlerë e vërtetë dhe konkrete. Dhe ju e dini se vlerat janë tiparet më të qëndrueshme të personalitetit njerëzor. Ato janë si bërthamat që rrezatojnë.

Lefteri i fliste, i shkruante dhe i përdorte mirë të dyja gjuhët si mjete efikase komunikimi. Greqishten si gjuhë e një djaloshi të lindur minoritar i etnisë greke dhe shqipen si shtetas shqiptar dhe njeri i integruar në shoqërinë e kohës, si mësues dhe si luftëtar. Vendet ku u shkollua Lefteri, ishin përgjithësisht treva bilinge, ku dygjuhësia është pasuri dhe kulturë dhe jo cënim lirie. Delvina, si trevat ku ai u shkollua për së pari, gjimnazi i Filatit dhe shkolla pedagogjike normale e Janinës kanë qenë të tilla. Ka shumë dokumenta të kohës dhe kujtime të gjalla që vërtetojnë se Lefteri kombinonte sipas terrenit dhe misionit të folurin dhe të shkruarin shqip dhe greqisht, kjo mbasi zotëronte dhe një aftësi shprehësie letrare dhe oratorike të lindur. Komunikimi i tij ishte emocional, mbresëlënës, bindës dhe i besueshëm. Kjo aftësi buronte prej thelbit të temperamentit të tij kolerik dhe impulsiv, por dhe prej personalitetit ekstravert, të hapur dhe befasues. Ndaj më duken aq miopike dhe të pakuptimta nga pikpamja e vizionit dhe ngushtësisht të indoktrinuara me ultranacionalizëm përpjekjet për ta zhbërë të folurin dhe shkrimin shqip nga minoriteti. Ka qenë një ethe e keqe e fillimeve të demokracisë, e kryer prej atyre misionarëve, që fisnikërisht duhet të bënin të kundërtën, të mbillnin pemën e miqësisë mes popujve, të dashurisë dhe të paqes, fatkeqësisht ka qenë pra një ethe e keqe e politikanëve, priftërinjve dhe mësuesve, një prej keqkuptimeve të mëdha të hapsirës demokratike që vendos liria e fjalës. Kjo do të thotë praktikisht të mos e kuptosh thelbin bashkëkohor dhe vizionin evropian të integrimit, t’u biesh ndesh prirjeve bashkëkohore për bashkëjetesë shumëetnike dhe multikulturore, të çon drejt praktikave izoluese, përçarëse dhe luftënxitëse. Fatkeqësisht kjo përkon edhe me përçudnimin e bustit të Lefter Talos në Livadhja, me thashemnajën ogurkeqe dhe ndjellaligë se atë e paskan vrarë pas shpine në kalanë e Margëllëçit. Dua vetëm t’iu kujtoj se bashkë me Lefterin në luftime kundër gjermanëve në atë kala ranë heroikisht edhe Mustafa Matohiti e Meleq Gostinishti, si dhe Damin Korrua, shok idealesh dhe lufte me Lefterin që nga formimi i çetës “Çamëria” dhe batalioni partizan “Thoma Lula” e deri në Brigadën VI sulmuese.

Përpjekjet deheroizuese kryhen prej misionarëve shovenistë zervisto-ballist dhe synojnë ta rivrasin atë në mënyrën më banale dhe të ligë. Janë po ata që deshën sa herë ta vrisnin gjatë  luftës, kudo ku ai i demaskoi, në Kerë, Memoraq, Hustovë, Glinë e Dropull. Reaksionit nuk i pëlqente vizioni i tij përparimtar, bindjet që e pranëvinin me fshatarësinë e varfër, bir i së cilës ishte dhe që e largonin prej bejlerëve dhe klerikëve. Po, Lefter Taloja ishte ateist. Të jesh ateist do të thotë të kesh po aq të drejtë sa të jesh edhe teist. Janë dy pikpamje binjake që kanë lindur dhe janë zhvillur paralelisht. Në fund të fundit është e drejta e gjithësecilit të besojë ose jo, po aq sa është detyra e secilit të respektojë besimin dhe pikëpamjet e të tjerëve. Kjo është humane dhe demokratike. Në pajtim me këtë vijë jetoi dhe veproi Lefteri dhe kjo është njëherësh edhe një nga mësimet dhe vlerat më të çmuara të veprës së tij.

Kultura dhe vizioni i tij progresist duken në të gjitha shënimet, ditaret, letrat e dërguara në Qarkor gjatë luftës, kudo. Mjafton t’iu kujtoj se hidrocentrali i Bistricës dhe ëndrra për ta parë Vurgun dhe Dropullin të ndriçuar u bënë realitet pikërisht atje ku e projektonte Lefteri, tharje e moçaleve dhe kënetave u krye ashtu siç dëshironte Lefteri, shkollat u hapën kudo ku i kishte projektuar dëshira e tij e zjarrtë për arsim dhe kulturë. Lefteri kishte një ndjenjë adhurimi për profesionin e tij. Ai ishte i bindur se misionet fisnike të mësuesisë dhe prindërimit janë po aq jetike dhe të dobishme për njeriun si uji për barin dhe lulet. Ndaj me violinën në krahë, me çantën e librave dhe fletoreve në dorë, me  aq shumë përkushtim dhe devocion ai shtegëtonte nga vendlindja e tij për në Çukë, Pepel e Dropull, rrugë pa rrugë, ditën dhe natën për të qenë pranë nxënësve të tij. Aq shumë e dashuronte profesionin e tij Lefteri sa që shumë herë e pati shprehur se menjëherë do të kthehej në mësuesi pas luftës. Le t’i obligojë ky qëndrim moral i Lefterit  të gjithë mësuesit tanë, shqiptarë e minoritarë, që të motivohen për të punuar më shumë dhe më mirë, për ta gjetur të ardhmen dhe kënaqësinë në profesionin e vet e të mos ndodhë si në shkollën e mesme Livadhja, ku nga 6 mësues matematike vendas, me arsim të lartë, sot nuk punon asnjë, pasi ata kanë preferuar meskinitetin mikroborgjez të mirëqenies personale, përballë kërkesave atdhetare të vendlindjes së vet, paçka se në Greqi nuk punojnë mësues po argatë dhe punëtorë me mëditje. Le të shërbejë dashuria dhe respekti i Lefterit për arsimin si motivim edhe për ata mësues që janë këtu, po kanë vite që bëjnë sikur punojnë, pasi nxënësve të minoritetit dhe atyre shqiparë, nuk u mësojnë mirë as shqipen, as greqishten, as shkencat humane dhe as ato të natyrës. Kjo spjegon edhe frekuentimin e ulët ndër shkolla, edhe mungesën e përgatitjes së nxënësve, edhe mungesën e fitoreve në konkurse dhe olimpiada, edhe mungesën e interesimit për arsimin e lartë. Si rezultat kemi edhe më pak prurje burimesh njerëzore për arsimin në zonën e minoritetit. Kjo është shqetësuese ndaj them se qëndrimi pozitiv i Lefterit ndaj shkollës është një thirrje për refleksion. Veçanërisht shkolla e mesme e bashkuar e Livadhjasë që mban emrin e “Heroit të Popullit” Lefter Talo, duhet të ndjehet veçanërisht krenare dhe e motivuar. Ky emër është një pasuri e rrallë që sjell obligime dhe detyrime qytetare që duhen respektuar.

Po ju kujtoj se vendlindja ime, Konispoli ka ish partizanë dhe dëshmorë të atdheut më shumë se çdo krahinë tjetër e Sarandës, po nuk ka asnjë Hero të Popullit, kur i tillë fare mirë mund të qe Bido Sejkua, emrin e të cilit e mban sot shkolla e mesme e Konispolit, që ishte mësues si Lefteri dhe u vra barbarisht gjatë luftës prej bashkëpuntorëve të gjermanëve; mund të qenë Damin Korrua që u vra në të njejtën ditë dhe në të njejtën llogore me Lefterin, apo Qemal Kuçuku që ra po në 29 mars të ’44-ës në luftë për çlirimin e Konispolit apo trimi i pashok, Sejko Garbiu që ra heroikisht në luftë me gjermanët në ish-Jugosllavi.  E pra, asnjë shenjë xhelozie primitive nuk kam vërejtur unë prej bashkëvendasve të mi për këtë fakt, pasi edhe ata kanë vlerësuar tek Lefteri  ato tipare të kerekterit dhe ato vlera të qëndrueshme të personalitetit që mbeten thelbësore për njeriun, që rrojnë edhe pas vdekjes së tij fizike. Më lart unë ju thashë se Lefteri ishte një personalitet i hapur, ekstravert. Po i kthehem edhe njëherë kësaj çështje për të dhënë disa argumenta që rrëzojnë shpifjen se Lefteri ishte më shqiptar nga ç’duhet. Jo zotërinj, Lefter Talua ishte po aq shqiptar sa ishte edhe grek, dhe po aq grek sa ishte edhe internacionalist. Kur vinte puna për të demaskuar egoizmin dhe tradhëtinë ai nuk kurseu as Haki Rushitin dhe as Jorgo Zoton, kur vinte puna për të vlerësuar njeriun ai vlerësonte Thoma Lulën që i dha emrin e vet batalionit partizan, ashtu siç vlerësonte Shefqet Peçin, apo Mustafa Matohitin, që e kërkonte për komisar në situata të vështira, ai luftoi njësoj si në zonën e Konispolit apo Mallakastrës, ashtu edhe në Vurg e në Dropull; ai shpëtoi prej represionit gjerman qindra kuadro të partisë komuniste greke të dala nga burgjet e Korfuzit, ashtu siç u lidh me forcat e Eamit për të bashkërenduar veprimet e çetave partizane kundër veprimeve të forcave gjermane dhe atyre të Easit dhe Ballit si bashkëpunëtor të gjermanëve. Pseudonimin “Muzhiku” ai e zgjodhi vetë,  për të afishuar bindjet dhe qëndrimet e tij internacionaliste,  për të treguar origjinën e tij fshatare dhe adhurimin për popullin e shumëvuajtur rus. Ashtu si zgjidhte kalanë e Lëkurësit për një drekë shoqërore dhe një koncert me violinë, sikur ta dinte se pas 60 vjetësh Lëkurësi do të bëhej një pikë e bukur turistike, ku do të zhvilloheshin koncerte të vërteta dhe spektakle bukurie.

Të nderuar veteranë, gjej rastin që në këtë takim juve t’iu drejtohem veçanërisht. Unë e di se ç’ndodh me ju veteranët. Ju tani jeni në moshën kur jetoni procesin e rivlerësimit të jetës dhe veprës suaj. Tani është koha kur ju bëni bilancet e asaj ç’ka arritët me jetën, me luftën dhe punën tuaj. Shumë gjëra i keni bërë mirë. Veprat energjitike, rrugët, spitalet e shkollat janë pjesë e ndihmesës suaj të ndjeshme. Shumë momente të jetës suaj kanë solemnitetin e të qenit krenarë, dinjitetin e të qenit njerëzor, një qenie e ndjeshme dhe humane. Ju e dini mirë se vepra e Lefterit rron, ashtu siç do të rrojë një pjesë e rendësishme e veprës suaj. Ajo quhet traditë, është trualli ku mbillen bimët e reja. Pa këtë truall nuk ka lulëzim. Ndaj them me bindje se në emrin e lirisë  rron Lefteri, në emrin e shkollës përjetësohet Lefteri, në emrin e të ardhmes ka hedhur rrënjët Lefteri. Tani ju drejtohem juve të rinjve. Sot që Lefterin e kenë më pranë, e njihni më mirë, e ndjeni më shumë, përgjigjuni pyetjes së sinqertë, në emër të së cilës bëhet kjo përkujtesë: - A, nuk ka mbetur diçka prej Lefterit në shpirtin tuaj? Nëse po, kjo ligjëratë, ia ka arritur qëllimit të saj fisnik.

Faleminderit për vëmendjen!

Sarandë, e diel, më 28 mars 2004

* E përgatitur si ligjëratë në 60 vjetorin e rënies së heroit me porosi të Shoqatëss së Familjeve të Dëshmorëve



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora