E premte, 26.04.2024, 01:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Mes dashurisë dhe dhimbjes

E hene, 13.03.2017, 08:18 PM


MES DASHURISË DHE DHIMBJES

Nga Kujtim Mateli

Libri më i ri i poetit të talentuar Mihal Gjergji, “Zoti mban shënim”, shënon një tjetër sukses në udhën e tij poetike dhe letërsisë sonë i shtohet një tjetër vepër dinjitoze. Ai i gëzohet gjithçkaje që e bën këtë botë më të bukur dhe trishtohet deri në pikëllim, kur shikon se ajo nuk ecën në drejtimin e duhur. Vargu i tij përcjell tek lexuesi, këtë shpirt të ndjeshëm dhe vjen si jehonë e një thirrjeje të vazhdueshme që të parët tanë ia lanë njëri-tjetrit në mungesë të një dëshmie shkrimore, kur na i shqyenin trojet dhe na i përtypnin alfabetet që të mos merrej vesh tragjedia, që krimineli të humbiste gjurmët dhe të fajësohej viktima.

Mihal Gjergji vjen nga një trevë ku kënga është e rregjistruar në shiritin e kujtesës të më shumë se 100 brezave. Ajo nuk ruhet e mbrohet vetëm nga trevat të cilat e prodhuan atë, ajo tashmë ka hyrë si pjesë e trashëgimisë popullore dhe mbrohet nga UNESKO. Në këtë pasuri me përmasa botërore u rrit dhe formoi profilin e tij poetik Mihal Gjergji. Pasurisë materiale dhe shpirtërore të këtyre trevave, poeti u ka shtuar dhe përmasën e tretë që i ushqen ato dhe e ka bërë njeriun të bukur në shpirt e të fortë para fakeqësive: kjo është përmasa qiellore prej nga na vjen drita dhe dashuria hyjnore.

Tek poezia “Pema e tharë” nëpërmjet disa detajeve konkrete, dalin disa përfundime të thella filozofike mbi jetën dhe botën që na rrethon. Poezia e Mihal Gjergjit mbart mesazhin se duhet ta zvogëlojmë e ta mundim hapësirën e së keqes, që ajo të vdesë e të mos ketë vend në jetët tona.

Poezia “Xhanania” na shpalos realitetin ku jetojmë. “ ku gëlojnë xhambazë, hajdutë e mjeranë..., ku gjenden zyrtarët me fronet e ngritur”. Poezia e Mihal Gjergjit është e lidhur ngushtë me fatet e brezit të tij. Me atë brez që nuk iu nda vendlindjes dhe atdheut, që jetoi për të dhe do të vdesë për të. Poezia është ndërtuar mbi themelet e shëndosha të trashëgimisë popullore. Vargu është i ngjeshur në mendime dhe në pak rreshta jepen tablo poetike ku ndërthuren epoka të tëra historike dhe hapësira gjeografike.

E konkretizojmë me një katërvargësh marrë nga poezia “Njerka ime”: “E prapë ca lisa i kam mbjellë/ Për djepe edhe plagë dheu,/ Mos merr nga greku arkivolë,/ Se mund të zgjohet Odiseu”. Katër vargje që të kujtojnë profetët e vendlindjes së tij. Dy vargjet e parë na flasin për lisa, për djepe dhe plagë dheu. Plagë dheu?! Lisat e mbjellë kanë lidhje me plagët që na janë shkaktuar në të shkuarën dhe këto plagë janë mbyllur me rrënjë lisash apo bëhet fjalë për të nesërmen?! Vargje ku realja është futur në guaskën e mistikes. Çfarë profecie na përcillet nëpërmjet tyre? Po ashtu si në orakujt e vjetër: dy vargjet e parë profeci shoqërohen me dy vargjet e tjerë që janë këshillë. Që të mos ndodhë profecia, duhet të zbatohet këshilla. Dhe këshilla është: “Mos merr nga greku arkivolë/ Se mund të zgjohet Odiseu”. Dy vargjet e fundit janë të qartë dhe konkret. Kujdes në marrëdhëniet me fqinjët. Odiseu dhe kali i drunjtë janë të lidhur pazgjidhshmërisht jo vetëm midis tyre, por dhe me hapësirën gjeografike, të cilën e kthyen në gërmadha. Kali i drunjtë përpara mureve të Trojës, është zëvendësuar me arkivole që kërkojnë të mbjellin trojeve tona dhe që presin të pranohen apo të legalizohen siç thuhet në gjuhën juridike. Kujdes se historia mund të përsëritet! Ky është mesazhi poetik që del nga këto katër vargje.

Tek poezia “Zoti mban shënim” gërshetohet hyjnorja me tokësoren. Bota nuk do të ishte e plotë, nëse këto të dyja nuk nuk do të plotësonin njëra-tjetrën. Botën e mban në këmbë dashuria dhe jo urrejtja; botën e mban në këmbë mirësia dhe jo ligësia; botën e mban në këmbë bamirësia dhe jo leko-mania. Po cilët janë ata njerëz që nuk e lejojnë këtë botë të rrokulliset në të tatëpjetën e vet? Janë ata që e ngjitën mbi shpatullat e tyre dhe e sollën deri në ditët e sotme, të cilët vazhdojnë ta përsosin vazhdimisht. Kjo botë ka gardianët e vet që e ruajnë dhe që: “Globin mos shëmbet në greminë,/ E mban tek loti një lypsar”. Objekt i poezisë së tij bëhet dhe Cigania. Një marrëdhënie misterioze midis poetit dhe ciganes ka bërë që të realizohet një nga poezitë më të bukura të këtij vëllimi, porteti i së cilës është pikturuar me nuanca qiellore, të cilat përcaktojnë dhe portretin e saj shpirtëror: “Me shpirt dhe zemër qelibar”. Mihal Gjergji e përdor mjeshtërisht fjalën për të depërtuar në ndërgjegjen njerëzore. Kur i duhet, fjala e tij është e ashpër dhe e pakompromis’ me ata që i quan “Mjeranë, që luksin keni shtrojë, / Idiotë kolltukësh-sundimtarë”, por kur i drejtohet njeriut të sakrificës, fjala e tij është e butë dhe vargjet të kujtojnë shiun pranveror që ushqen stinën e begatë…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora