E marte, 30.04.2024, 02:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Engjëll Koliqi: Unë...

E merkure, 27.08.2008, 07:53 PM


Engjëll Koliqi
Unë...

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Unë, që në këtë botë jam moti – nëpër shumë shekuj dëshmitar i gjallë, i shumë ngjarjeve, deri në tragjedi të rënda, nuk dorëzohem kurrë. Jam këtu të dëshmoj në histori. Jam këtu, edhe të jetoj si një protagonist tipik traditash arbërore. Marr guximin të them se jam këtu edhe si përfaqësues i përhershëm i juai, madje edhe si ligjvënës dhe zbatues i denjë i kushtetutës së dashurisë.

Unë, në shekujt e antikës vulosa aktet e para ligjore. Me vulën time, që nga atëherë i dhash jetë të mirëfilltës dhe të bekuarës demokraci njerëzore. Me vulën time të njerëzimit kam lënë gjurmë të pashlyeshme – kudo nëpër botë dhe në mbarë gjithësinë – në të gjithë shekujt e antikës dhe në vazhdim, deri në ditët e sotme. Nëpër gjurmët e mia janë vendosur dhe janë gjetur shumë akte historike të dashurisë së mirëfilltë njerëzore. Nëpër këto gjurmë, ku kanë kaluar hapat vendimtarë të shumë ngjarjeve, shtjellohet një histori e tërë e kësaj bote.

Unë, në të gjithë shekujt e mesjetës këtu isha – i palëkundshëm, edhepse i shtypur, i shtyrë dhe i pështyrë. I pashmangshëm në këtë tokë të shtypur dhe të larë me gjak, unë jam ndodhur, i sprovuar, brenda të gjitha sfidave, gjatë gjithë atyre shekujve. Dashtas e padashtas jam ndeshur me shumë ngjarje, që kanë rënduar mbi këtë tokë dhe mbi supet e mia e mbi kurrizin tim. Kam përjetuar shumëçka, që edhe historia vështirë i ka pranuar. Janë shumë mite të rreme, pjellë e atyre shekujve, që janë sajuar për shtrembërime dhe falsfikime në histori dhe që kryesisht kanë qenë dhe janë në shërbim destruktiv kundër meje, respektivisht kundër qenies dhe farës arbërore. Megjithë problemet dhe vështirësitë e mëdha që më kanë përcjellur deri në vuajtje dhe me plot rreziqe – madje deri në stom të varrit, unë vetë midis gjithë atyre miteve dhe skandaleve të të gjithë shekujve të mesjetës, ia kam dalë të mbetem i patjetërsueshëm dhe, me dritë dashurie, të shembëllej në shekujt vijues, deri më tash dhe të siguroj edhe garancinë e jetës së amshuar, për shekuj të pakufijhsëm.

Edhe në shekujt e historisë së re, unë vetë kam qenë protagonist i parë i ngjarjeve më të rëndësishme. Sikurse në shekujt mesjetarë, edhe në këta të tjerët në vijim, kam hasur në shumë vështirësi dhe në shumë probleme. Telashet më kanë shpjerë deri në çaste kritike e madje edhe të përgjakshme. Të gjitha luftërat e këtyre shekujve të historisë së re më janë imponuar, në trojet e mia. Prandaj, unë kam qenë protagonist i pashmangshëm i luftërave, respektivisht i ngjarjeve të përgjakshme. Sidoqoftë, kam shpëtuar i paprekshëm dhe i patjetërsueshëm. Prandaj, unë vetë edhe në këta shekuj të historisë së re e edhe ndërmjet tyre kam depërtuar kudo – me fuqi mrekullie, për të mbijetuar dhe për të marshuar me krenari, deri në cak – në Fronin e Perandorisë së Dashurisë.

Unë vetë, edhe në këtë bashkëkohësi, jam protagonist i parë  i jetës dhe timonieri kryesor në Fronin e Perandorisë së Dashurisë. Ndërmjet rrezeve të dashurisë, me fuqi mrekullie marshoj dhe fluturoj kudo nëpër botë, duke pushtuar madje edhe gjithësinë mbarë. Ja pra, unë vetë – ky që po më shihni, edhepse dua të mbahem i vogël dhe jo shumë i pashëm, këtu në Fronin e Perandorisë së Dashurisë - në këtë bashkëkohësi i bëj të bukurat dhe të këndshmet ligje, që nga ju kërkojnë vetëm vullnetin e mirë dhe që njerëzimit i garantojnë epokën e re – të pambarueshme të dashurisë. Kudo nëpër botë më shihni duke kënduar dhe duke vallëzuar. Në mbarë gjithësinë dëgjohet jehona e këngëve të mia. Kështu është me mua pra, i tillë jam unë në këtë basahkëkohësi dhe i tillë do të jem gjithmonë – në të gjithë shekujt dhe kudo nëpër botë, madje në mbarë gjithësinë – deri në amshim. Duhet të jem i tillë dhe do të jem gjithmonë kështu, sepse nuk ka tjetër alternativë që garanton përjetësimin dhe jetën e amshuar, me frymë dashurie. I tillë jam unë dhe i tillë do të jem – deri në amshimin e pakufijshëm – bashkë me ju, nëpër shumë shekuj.

Unë – protagonisti i parë në ngjarjet e mëdha historike të shekujve të antikës, unë protagonisti i parë i të gjitha ngjarjeve të mëdha dhe të dhembshme të të gjithë shekujve të mesjetës, unë protagonisti i parë dhe i pashmangshëm i ngjarjeve të përgjakshme të historisë së re, unë protagonisti i parë dhe timonieri i jetës në këtë bashkëkohësi, bashkë me ju do të marshoj nëpër shumë shekuj – kudo nëpër botë dhe në mbarë gjithësinë, në ardhmërinë e garantuar të dashurisë – deri në amshim. Unë, me këngët e mia – me ngjyrë dashurie, mrekullueshëm po hyj në historinë e pambaruar, për të mos dalur më kurrë, sepse koha dhe jeta ma kanë garantuar të bekuarën epokë të dashurisë, në fronin fatlum.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora