E shtune, 27.04.2024, 01:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Ky është Mjeda

E marte, 26.08.2008, 11:02 PM


Mentor Quku sjell veprën e tretë studimore kushtuar Ndre Mjedës

"Kur pashë se si ai zgjaste krahët, duke kërkuar e përshëndetur, pasi për herë të parë, pas kaq kohësh, vështruam përtej nga shkëmbijtë gëlqerorë të Malit të Zi, Liqenin e Shkodrës dhe masivet e larta e të egra të Shqipërisë Veriore, unë mendova se si ka mundësi që ai i cili e njeh me sytë e tij të gjithë Europën, ai që rrugë të largëta e kishin shpënë nëpër të gjitha vendet dhe në të gjitha qëndrat kulturore të Perëndimit, të dojë atdheun e tij, ku aq pak janë të kombinuara natyra me kulturën. Sa më gjatë pata fatin të jem në shoqërinë e tij, aq më shumë mësova ta njihja e ta kuptoja dashurinë e tij të pakufi për atdheun e tij". Kjo është vetëm një fjali që Paul Siebertz ka hedhur në kujtimet e tij për Ndre Mjedën. Por ndryshe nga Siebertz, që kërkon të rrëfejë në mënyrën e tij të gjitha impresionet e takimeve me poetin shqiptar, Mentor Quku, një nga studiuesit më të mirë të veprës së tij, kërkon të japë një dimension të plotë të Ndre Mjedës. Quku hyn deri në intimitetet e jetës së burrit që sot na shfaqet në foto me ata sytë e mëdhenj dhe ca mustaqe të gjata mbi buzë. Pas botimit të dy vëllimeve të para për jetën e Mjedës, Quku ka sjellë për lexuesin vëllimin e tretë të quajtur "Mjeda". Një studim që plotëson kërkimet e para të Qukut mbi jetën e një prej poetëve tanë të Rilindjes. Puna e Mentor Qukut është voluminoze, gati gjithë jeta e tij është një udhëtim në të fshehtat e Mjedës. Kjo dashuri e Qukut për këtë autor ka bërë që Mjeda të jetë një nga figurat më të zbërthyera në historinë e letërsisë sonë. Çdo detaj, çdo kujtim i ruajtur në mendjen e një bashkëkohësi është gjetur nga Quku për t‘ia rrëfyer lexuesve, që sot kanë një portret të plotë të poetit të "Andrrës së jetës". P.sh., Quku ndalet deri në detaje, si prejardhja e emrit të nënës së Mjedës. "Bashkohësit e kanë quajtur Lukë. Problemi është se në regjistrin e pagëzimeve, famullitari e ka pagëzuar me emrin Domenica, ndërsa në regjistrin e vdekjes, famullitari i Prizrenit e ka rregjistruar me emrin Lucjija". Të gjithë biografët që janë marrë me studime mbi Mjedën kanë shkruar se nëna e Mjedës quhej Luçe. Ndërsa Quku ka parapëlqyer ta quajë atë Luçe, por, për t‘u ndalur te ky përfundim, ai bën një analizë të prejardhjes së këtij emri, por duke shpjeguar dhe kohën kur ajo jetoi. Në hulumtimet e Qukut, njihemi dhe me Jolanda Kodrën, përkthyese që kishte një pasion të veçantë për Mjedën. Në vitin 1944, ajo bëri studimin e parë kritik rreth poemthit "Scodra", botuar në "Fryma", revistë që botohej në Shkodër nga Arshi Pipa, Myfafër Mipa me shokë. Gjithashtu e një rëndësie të veçantë paraqitet edhe parathënia që hartoi për veprën e saj "Poesie e poemi" të Ndre Mjedës, e cila nuk e pa në atë kohë dritën e botimit. Në vëllimin e tretë për Mjedën, botuar nga Quku, botohet dhe kjo parathënie e shkruar në vitin 1966 dhe e zbardhur nga e bija e Jolandës, kritikja Klara Kodra. Ja çfarë shkruan Jolanda për Mjedën: "Mjeda është paradoksalisht më klasiku dhe më moderni i poetëve shqiptarë të kohës së vet. Drita e artit të tij merr ngjyrime nga më të ndryshmit, romantizëm, realizëm, neoklasicizëm, po të gjitha këto shkrihen ashtu si ngjyrat e ylberit në bardhësinë e dritës së diellit, në një përsosmëri forme. Poezia e Mjedës i ngjan një shatërvani të mermertë nga buron përjetësisht uji i kristaltë i dashurisë për atdheun, për lirinë, për njerëzit e thjeshtë".

Vasë Gjon Miloti (1896):

E kam pasë Mjedën mësues në shkollë të Dajçit. Klasa kishte dy rreshta me stola e me banka. Kemi pasë vendin për librat, për bojën e për lapsat. Gjithsej ishim 16 nxënës. Klasën e kemi pasë poshtë në anën jugore. Mjeda ishte i rreptë. Kishte dy sy para dhe dy sy mbrapa. Shumë i mënçur. Mësojshim paradite e mbasdite në shkollë. Klasa kishte tabela dhe mjete mësimi, si tabela mbi kafshë të egra, harta i thoshim se shkronja, numëratore me kokrra, të bame nga Mjeda. Mësimi fillonte e mbaronte me zile....

Dom Gaspër Gurakuqi (1885)

Mjeda ishte famullitar në fshatin Grash. Qëlloi që nji ditë erdh Mjeda. Gjet në biblotekën time "Juvenilien". Hapi librin e filloi me lexue "I tretuni". E pashë që po i riheshin sytë me lot. E pyeta: "Kush asht i tretuni, dom Ndre?" E ai: "Vetë". E vijonte të qajë. Atëherë iu solla prap: "Po vepra jote ma e bukur?". Pa u ngurrue m‘u përgjigj: "Andrra e jetës"... Ishte poet me ndërgjegje të naltë artistike, s‘ishte krejt i kënaqur me veprat e veta. E pyetshme: Kur po e mbaron "Scodrën"? Aj më përgjigjej: "Se kam ndreqë hala".

Ndodhet edhe sot e kësaj dite (1962) dhe në gjendje të mirë, ndërtesa ku Mjeda pati dhënë mësim. Disa prindë s‘ndigjonin me i lanë fëmijët me shkue në shkollë për punë të gjaqeve. I thonin Mjedës: ‘More Dom Ndre, jena në gjak". Mjeda shkonte i merrte e, si mbaronte mësimin, i përcillte vetë fëmijët nji për nji.

Qela e Nenshatit asht ndërtue prej tij. Po ashtu dhe ajo e Kuklit. Edhe kisha. Edhe kur bante shërbimet fetare në Kodhel, pat ngritë vetë altarin, parmakllekun, etj., gjana të thjeshta por të bukura. Qelën e Dajçit, që ishte me çardak Ndre Mjeda e modernizoi, aty la një sallon për shkollë. E ka njofto vëndin se kush asht e s‘ishte kollaj me ia prishë kush. Vinte me lypë kallamboq te unë, sa herë mbeste pa gja. Unë i thoshe: "More Dom Ndre, po ti ke pasë kallamboq! E ai: Po ça dij vetë, m‘erdhne do fukara e ua dhashë, ma".

Box

Arrestimi

"Dom Ndre Mjeda, prift shekullar dhe nënshtetas otoman, i cili tani shpejt u kthye nga Hamburgu përsëri këtu, ku ai me interesimin e MPJP, e Mb kishte asistuar në Kongresin e Orientalistëve, u arrestua sot në mbrëmje këtu, pa pasur më përpara dijeni konsullata e përgjithshme P. E Mb.Valiu pretendon se ka marrë urdhër drejt prej ministrit të Brëndshëm që të arrestonte priftin në fjalë pas kthimit të tij nga jashtë, dhe që ai të mbahej nën vërejtje deri në një urdhër tjetër. Mora masat e nevojshme që i arrestuari të trajtohet sipas pozitës së tij. I lutem shkëlqesësisë suaj që të nxjerrë sa më parë anulimin e arrestimit, pasi burgosja e një prifti pa precedentë dhe shkak mund të çojë në prishje të rënda të qetësisë".

Kolë Kasneci (1924)

Ndre Mjeda ka qënë mik i ngushtë i të parit të fisit tonë, Lush Kasneci. Vinte shpeshnë shtëpinë tonë në Grash. Kur Lushi ndërtoi shtëpinë punonin pesë mjeshtra çdo ditë. Projektin e ndërtoi Dom Ndre Mjeda. Vinte shpesh me i pa punëtorët. Kur ustallarët nuk ia bashin punën mirë, i detyronte me ia prishë. Ka qënë i idhtë. Bile edhe Lushit kur thonte ndonji fjalë që nuk i shkonte për shtat i bërtiste nën hundë: "Ik Lushë! Ik!" Kur Dom Ndreu erdhi në vdekjen e Lushit, sillej si i shtëpisë. Ishte i plotë në fytyrë. Thoshin se Mjeda me Lushin, janë me opozitë. U njihte si shkrimtar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora