E premte, 26.04.2024, 05:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Kadiu: Një orë gazmore

E enjte, 08.09.2016, 06:16 PM


NJË ORË GAZMORE NË LËNDËN E STATISTIKËS

Nga Kadri Kadiu

Ishim në vitin e katërt të Fakultetit Ekonomi Agrare në Tiranë. Në Grupin tonë ishim 23 studentë, ndërmjet të cilëve kishim dy shokë me emrin Jani; njëri ishte Jani Bita nga Gjirokastra dhe tjetri, Jani Rafti nga Saranda.

Lëndën e Statistikës, leksione e seminare, na e zhvillonte një pedagog i ri, Ilia Telo, i cili në fakt ishte pedagog në Universitetin e Tiranës  por tek ne, në Institutin e Lartë Bujqësor, vinte si pedagog i jashtëm ku jepte mësim vetëm një ditë në javë, kështu që me përjashtim të ne studentëve që na jepte mësim, të tjerët në Institut pothuaj nuk e njihnin.

Ky Ilia, të cilin më vonë pata fatin ta kisha dhe koleg, ishte një djalë zotni, serioz, i përgatitur e korrekt në dhënien e mësimit, i veshur e i mbajtur mirë, por edhe humori, shakatë, romuzet e qyfyret, kur duhej, nuk i mungonin, aq më shumë që me ne studentët ishte pothuaj moshatar, me 3-4 vjet diferencë.

Lënda e Statistikës për ne studentët e Ekonomisë Agrare ishte shumë e rëndësishme pasi as që mund të mendohet puna e ekonomistit pa Statistikë. Por ajo ishte dhe goxha e vështirë pasi çdo gjë aty lidhej me Matematikën, kështu që nëse nuk kishe baza të shëndosha në Matematikë, ishe i ngelur në Statistikë.  Prandaj dhe ne studentët i kushtonim shumë vëmendje kësaj lënde. Pedagogu Ilia leksionet në fakt na i zbërthente e na i shkoqiste mirë, por edhe në seminaret që bënim ama "na shtrydhte" mirë e kur na ngrinte në dërrasë të zezë "na i merrte shpirtin" me ato ushtrimet statistikore që na jepte për të zgjidhur duke e mbushur nga 2-3 herë dërrasën e zezë me ato formulat zinxhir të statistikës.

Një ditë prej ditësh grupi ynë kishte seminar në lëndën e Statistikës të cilën e zhvillonim në katin e parë të godinës së Fakultetit, në auditorin nr. 22. Ora e mësimit kishte filluar, ne studentët ishim ulur në banka e qendronim të heshtur, kokëulur e me frikën se " cilin do ta zerë lapsi për tu ngritur në dërrasën e zezë". Pedagogu Ilia ishte ulur tek tavolina  në një podium të ngritur që ishte në krye të auditorit dhe pasi bëri apelin e studentëve pjesëmarrës në seminar, filloi të lëvizë stilografin mbi Regjistrin e Klasës për të përcaktuar se cilët studentë do të pyeste atë ditë. Ne qëndronim të gjithë kokëulur e me gjak të ngrirë dhe secili e uronte veten me dëshirën "ishallah nuk më ze lapsi i profesorit sot për të më pyetur".  Ore po asgjë nuk pipëtinte, asnjë gumëzhitje mize nuk dëgjohej në klasë, dukej sikur edhe frymë nuk po merrnim; madje edhe disa nga studentët  që ishin zhurmaxhinj e tregoheshin "ujqër" në orët e leksioneve, këtu në seminar bëheshin të urtë, "qingja".

Por kjo heshtje befas u thye, dera e auditorit u hap me vrull dhe hyri aty pedagogu i Pedologjisë Faik Bajraktari. Ky Faik Bajraktari në fakt kishte për të zhvilluar një seminar të lëndës së vet në auditorin nr. 23, por nga nxitimi, me që ishte vonuar disa minuta, u ngatërrua dhe hyri në auditorin nr.22. Sapo hyri, u drejtua për tek tavolina e podiumit, lëshoi aty çantën e dorës dhe i hapi mbi tavolinë një tufë me letra të vetat. Kur e pa se Ilia që ishte ulur aty nuk po e lëshonte tavolinën, i bërtiti gati me inat: "Ore ti djalë; ikë prej këtu, ec e ulu në bankën tënde se do të fillojmë mësimin tani".

Po edhe unë mësimin po filloj o profesor Faiku, i tha Ilia.

Ore shoku student; ta thashë njëherë, ulu në vendin tënd se përndryshe do të të nxjerr përjashta nga mësimi, morrre vesh apo jo.

O shoku Faik; po unë jam në auditorin tim dhe po zhvilloj lëndën e Statistikës.

Po pse; nuk je student i këtij grupi ti?

Jo, unë jam pedagogu i këtij grupi.

Ore po a është  auditori 23 ky?

Jo, ky është 22-shi, 23-shin e ke një derë më lart.

Heu bre- tha Faiku-, mblodhi letrat, i futi në çantë dhe doli nga dera më shpejt sesa kishte hyrë.

Ky shkodrani Faik Bajraktari ishte ndër pedagogët më të aftë në Institutin e Lartë Bujqësor, jepte lëndën e Pedologjisë dhe ishte gjithashtu Shef i Katedrs së Pedologjisë. Ishte një shkencëtar i vërtetë, kish kryer studimet në Bashkimin Sovjetik dhe me tu kthyer prej andej u bë Drejtuesi i të parës Ekspeditë Shkencore të Studimit të Tokave të Shqipërisë, duke krijuar dhe Hartën Pedologjike të Shqipërisë. Prandaj, në Institut e më gjërë Faikun e cilësonin si Babai i Pedologjisë Shqiptare.

Nejse, doli nga auditori ynë  profesor Faiku, por ky incident që ndodhi e ndryshoi krejt atmosferën e auditorit. Tani edhe pedagogu Ilia por edhe ne studentët mbanim duart në ije dhe po shkriheshim së qeshuri me situatën komike që u krijua, na iku frika e seminarit, na shkriu gjaku e për minuta të tëra kishte vetëm gaz e hare, nuk mund të zhvillohej mësimi.

Epo mirë, mjaft tani o shokë studentë,-tha pedagog Ilia-; meqenëse unë shpëtova pa më nxjerrë përjashta  profesor Faiku, tani më duhet të bëj detyrën dhe të fillojmë seminarin. Kështu që pedagog Ilia i ngriti në dërrasë të zezë nja tre studentë por ata e kaluan lehtë pasi herë pas here ne studentët i ktheheshim të qeshurave dhe Ilia gjithashtu e zbuti ca kërkesën.

Epo si shumë kishim qeshur atë ditë, kështu që kur kishin mbetur edhe nja 5-6 minuta kohë, Ilia u bë serioz e desh me bë lojë me ne studentët:    Mirë,-tha-, kemi edhe ca kohë kështu që do të ngremë në dërrasën e zezë edhe një student tjetër.

Të gjithë ne studentët ulëm kokat, as frymë nuk po merrnim dhe prisnim me ankth se cilin emër do të thërriste.

Ama edhe Ilia e dinte këtë punë dhe deshte të na torturonte edhe më shumë. Lëvizte stilografin mbi emrat tonë në Regjistrin e Klasës dhe thoshte: Të na ngrihet..., të na ngrihet..., dhe nuk përmendte ndonjë emër, gjoja sikur nuk po vendoste dot.

Ne të gjithë ishim bërë qingja, sytë i mbanim përdhe e veshët të ngrehur për të dëgjuar se cilin emër do të thërriste.

Më në fund Ilia tha: Të na ngrihet..., të na ngrihet..., kush të na ngrihet? Hë, Jani të na ngrihet!

Të gjithë ne që nuk ishim Jani, i ngritëm kokat lart, u çliruam, u gëzuam që shpëtuam e u çyledisëm. Mbetën me koka të ulura e të heshtur vetëm dy Janërat.

Ilia e kishte bërë mendjen top që do t'i mundonte akoma këta  dy fakirët prandaj, duke lëvizur stilografin mbi Regjistër, thoshte: Të na ngrihet Jani..., Jani..., ë..., cili Jani të na ngrihet? Epo mirë,- tha më në fund-, Jani Rafti të na ngrihet!

Tani e ngriti kokën dhe i qeshi buza edhe Jani Bitës, ndërsa Jani Rafti i gjorë u ngrit dalëngadalë dhe me kokën ulur shkoi tek dërrasa e zezë, mori në dorë një shkumës dhe po priste që pedagogu t'i jepte ushtrimin që do të zgjidhte.

Ndërkohë, në korridoret e Fakultetit u dëgjua tringëllima e ziles që lajmëronte mbarimin e orës së mësimit, kështu që Jani Rafti e hodhi shkumësin që mbante në dorë, i shkëlqyen sytë, i qeshi buza e i ndriti fytyra  si  ne të tjerëve.

Kështu mbaruan 90 minutat gazmore të seminarit të Statistikës atë ditë.



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora