E premte, 26.04.2024, 08:25 AM (GMT+1)

Mendime

Irakli Premti: Familja përballë të sëmurëve mendorë

E enjte, 18.08.2016, 07:11 PM


Familja përballë të sëmurëve mendorë dhe psikozave të skizofrenisë…

Nga Prof. Dr. Irakli Premti

Krimi brenda familjes po bëhet vërtet shqetësues; shfaqja e monstrave që marrin jetë njerëzish, për më tepër njerëzish brenda rrethit të tyre familjar është diçka shumë serioze dhe për të cilën nuk mund të heshtet. Rasti më i fundit në një fshat të Himarës, ku një i sëmurë mendor, skizofren, vret në mënyrë barbare nipin e tij, është pjesë e një psikoze të sëmurë, që mban peng familjen dhe po kthehet në një rrezik për shoqërinë tonë. Shqipëria po kthehet në një potencial spitali të rëndë psikiatrik, ku njerëz të sëmurë mendërisht enden lirisht dhe kryejnë lirisht çmenduritë e tyre.

Përtej këtyre veprimeve ekstreme është një realitet që zhvillohet çdo ditë me ritme të ngadalëta, me një uniformitet klithës që ne nuk e vëmë re është pikërisht kjo linjë e heshtur që parapërgatit linjën e nxehtë të krimit monstruoz i cili po godet me një egërsi brutale. Burra pijanecë, përtacë, fodullë e skizofrenë, i trajtojnë bashkëshortet dhe fëmijët e tyre si t’i kishin një pronë dhe që këtu nis konfrontimi i rëndë social i këtyre njerëzve me ambientin dhe rregullat qytetare të familjes e të krejt shoqërisë.

Ajo që po ndodh ritmikisht e me një fuqi demoniake në Shqipëri në lidhje me botën e keqbërjes, vazhdon ta mbajë peng shoqërinë shqiptare në tranzicion.

Ka njëzet e pesë vjet që shoqëria shqiptare, krahas një realiteti ndër më të trishtat postkomuniste, realiteti i krimit dhe keqbërjes, që kanë mbajtur e vazhdojnë të mbajnë peng rendin qytetar dhe të drejtat e njeriut në këtë vend, po përballet dhe me krimin brenda familjes, i shqafur më së shumti si dhunë e burrit ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve. Disa ngjarje të rënda kriminale që, siç thamë,  kanë ndodhur gjatë kohëve të fundit në Shqipëri, me vrasje në rrethana të rënduara psikologjike, e bëjnë akoma më alarmante një situatë të tillë.

Duhet thënë se, ngaqë gjatë këtyre më shumë se dy dekadave ligji dhe e drejta nuk kanë qenë në në të njëjtin krah, ka pasur shumë dëshpërim të individëve, që duke u përballur me keqbërësit janë ndier të braktisur nga shteti dhe shoqëria. Dhuna, hakmarrja dhe gjakmarrja kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një kërcënim për shqiptarët, duke bërë që liritë dhe të drejtat e të miturve, adolishentëve, të rinjëve dhe femrave, shpesh viktima të abuzimeve seksuale, trafikimit, pengmarrjes për llogari të grupeve të keqbërësve dhe trafikantëve të ndryshëm, të ndihen tejet të rrezikuar në normalitetin e jetës së tyre.

Por po kaq e trishtë, e rëndë dhe në dukje pa rrugëzgjidhje ka qenë dhe vazhdon të mbetet krimi në familje, që zakonisht shfaqet si dhunë e më të fortit ndaj më të dobëtit, e bashkëshortit, kryefamiljarit, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve.

Përveç papunësisë, varfërisë ekstreme, motiveve të dobëta si xhelozia, çështje pronësie të mbetura pezull etj,një ndër motivet që I shtyjnë meshkujt në akte dhune, të cilat ka ndodhur që të shfaqen dhe në ekstrem të tyre, janë veset si pijet alkolike, droga etj.

Sipas një investigimi të një reviste që merret me çështjet e lirive dhe të drejtave të familjes shqiptare, në dyzet përqind të rasteve dhuna në familje në vendin e shqiponjave është e motivuar nga përdorimi i drogës dhe pijave alkolike në sasira të mëdha të autorëve të këtyre krimeve.

Sot legjislacioni shqiptar, megjithë progresin e kryer dhe reformat e ndërmarra, është tepër i brishtë për mbrojtjen e familjes dhe masat e marra nga policia dhe organet e antikrimit kanë qenë e mbeten të kufizuara përballë këtij agresioni.

Shembujt kur dhuna në familje ka terrorizuar psikologjikisht gjer në trauma fëmijët dhe gratë si pjesa më e brishtë e familjes, pa llogaritur aktet e rënda të rrahjeve barbare, plagosjeve të rënda dhe vrasjeve, janë aq të shumtë, sa është e pamundur të rreshtohen në një shkrim. Por duhet veçuar një dukuri alarmante: instiutcionet e antikrimit, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë qenë gati të paralizuara, të mpira e pa vetëdije të plotë veprimi kundër këtij dimensioni agresiv që ushtrohet ndaj shoqërisë së brishtë shqiptare. Çuditërisht, sa më shumë zhvillohet teknologjia dhe sofistikohet praktika e antikrimit, aq më shumë del në pah dhe evidentohet keqbërja, vrasjet, rrëmbimet, pengmarrjet, trafikimi, rrethimi i të drejtave qytetare me ndalesa të dhushme, gjithësesi të pajustifiklara për një shoqëri të hapur, që synon të arrijë në kuotat e niveleve europiane, si në të gjitha drejtimet, edhe në atë të rendit dhe stabilitetit të jetës qytetare.

Denis Hamzai nga një lagje periferike e Durrësit, 15 vjeç, ka disa kohë që ndihet i shokuar dhe i traumatizuar piskologjikisht, për shkak se i ati, Lutfiu, i mbetur i pa punë, i është kthyer pijes dhe pasi konsumon sasira të mëdha alkooli, vjen në shtëoi i dehur dhe ushtron dhunë mbi bashkëshorten. Para një muaj, ai u kthye në shtëpi i tejdehur, i futi bashkëshortes thonjtë në fyt për të mbytur, ndërhyri I biri, Denisi, por ai e shtrin atë përtokë, e lidh me litar dhe e lë të birin tre ditë të lidhur kokë e këmbë dhe pa ngrënë. Pas kësaj Denisi ikën nga shtëpia dhe shkon për të jetuar tek disa të afërm, duke mos pranuar të kthehet në shtëpi.

Nuk mund të mohohet lufta e strukturave të mbrojtjes së rendit qytetar për të paralizuar këtë dimension agresiv; platforma poltike, ekonomike, morale dhe shpirtërore e Rilindjes, që synon të vë në efiçensë shpirtin aktiv të progresit tonë kombëtar, si në të gjitha fushat, edhe në atë të rendit publik dhe stabilitetit qytetar të këtij vendi, po bën tentativa serioze për të bllokuar botën e krimit edhe në familje, për të vrarë frikën e dobtëve, por tentakulat e të keqes janë ende të forta dhe duhet një punë e madhe, e përçdoçastshme dhe jo me fushata, për ta frenuar dhe më në fund për ta gjunjëzuar atë.

Vendi ynë, sot pas njëzet e pesë vitesh të fillimit të hapjes së madhe, për fat të keq, ende vazhdon të ndodhet në një udhëkryq të trishtë, për shkak të trashëgimisë së botës kriminale si pasojë e pandëshkueshmërisë institucionale, e mundësive të kufizuara të institucioneve të ligjit për të frenuar, bllokuar apo më së paku tkurur përmasat e krimit, që po bën kërdinë.

Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshpejtuar tempin kriminal, veçanërisht në familje, ku bota e krimit përzihet me traditën konservatore të një shoqërie maskimaliste, që I shikon gratë dhe fëmijët si “pronë” të kryefamiljarit. Familja shqiptare, për fat të keq, gjendet e zbuluar përballë të sëmurëve mendorë dhe psikozave të skizofrenisë, të cilat nuk investigohen nga psikologët dhe për pasojë janë potenciale të fshehtë që kërcënojnë në heshtje…

A nuk ka ardhur koha për një platformë shteruese antikrimi, për të mbrojtur realisht jetën dhe shëndetin fizik e psikik të të miturve, të të rinjve, të femrave, të gjithë atyre që ndihen të rrezikuar nga trafiqet, hakmarrja dhe gjakmarrja? Po kush duhet ta bëjë këtë dhe sa duhet të zgjasë kjo gjysëmheshtje dhe apati institucionale?

Botës së krimit dhe dhunës së gjithëanëshme në familje i duhet thënë “ndal” një herë e përgjithmonë. Vendi ynë i një mijë e një halleve nuk mund të ndahet nga ky tranzicion i gjatë, pa siguruar një mbrojte reale të të ngujuarve, të të ikurve dhe dëbuarve nga gjakmarrja, të të miturve, grave dhe qenieve të dobëta, pasi në Europë nuk shkohet me rrëmbime, penmgmarrje, vrasje mafioze e trafikime të gjithëfarshme, nuk shkohet me skizofreni dhe çmendurira të pakontrolluara e që gjuajnë në liri gjahun e tyre, por me rend, qetësi e stabilitet për të gjitha shtresat e shoqërisë, për të gjithë individët e kësaj shoqërie.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora