Mendime
Ramadan Asllani: Plagjiaturë
E enjte, 11.08.2016, 06:08 PM
PLAGJIATURË
Nga Ramadan Asllani
Ka katërmbëdhjetë vjet (2002), që për herë të parë më është vjedhur kopertina e pasme e monografisë “Avdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike”, Prishtinë, 1998 nga Muzeu i Kosovës, përkatësisht na autori, mr. Mehmet Gjoshaj. Ka tetë vjet (2008), që po ashtu, nga i njëjti libër më është vjedhur e njëjta kopertinë nga Adem Ajvazi. As njëri as tjetri nuk më kanë pyetur, por as cituar. Ndoshta ka edhe të tjera, por këto kam arritur t’i identifikojë. A ka emër tjetër ky veprim, pos plagjiaturë, të shohim më poshtë.
Lexues të dashur, nuk më ka mbetur hatri që m’i kanë marrë, por pse nuk më kanë cituar, sepse për këtë libër dhe për atë që shkruhet dhe shihet unë jam autori i parë, ku tre muaj pas botimit të këtij libri, për përmbajtjen e tij jam rrahur nga policia serbe deri në alivanosje. Sot ka njerëz të gjallë, që më kanë vizituar dhe i kanë thënë njëri-tjetrit: - Nuk e di ku po i rrinte ai shpirt Ramadanit!
E shkrova këtë paragraf për të treguar se në kohën kur në Kosovë kishte shpërthyer lufta, pakkush guxonte ta merrte lapsin e të shkruante, e sidomos për figura të anatemuara, si ishte “Avdyl Dura me bashkëluftëtarë...”, të cilën, i vetëdijshëm se do të jem trajtim i policisë serbe, por edhe më i vetëdijshëm për t’u flijuar për një histori të pashkruar deri atëherë.
Jo vetëm për rrethanat e kohës, kur është shkruar dhe botuar libri, por për hir të metodologjisë shkencore, duhet respektuar metoda e punës shkencore për hartimin e një vepreje, që ka bërë dikush para tij, ku natyrisht, autori mund të ketë ndonjë qëndrim tjetër, por gjithsesi duhet cituar në referencë a më shkencore në fusnotë.
Dy zotërinjtë, në liri, në dhomat e punës komode, me kushte të mira pune, pa hequr të zitë e ullirit për të mbledhur lëndën, si dhe pa e ecur terrenin dhe intervistuar njerëz për lëndën në fjalë, pa farë përgjegjësie ta marrim pjesën e veprës, që me mund dhe sakrificë është sjellë deri te botimi.
Nuk çuditem aq për z. Adem Ajvazi, se ndoshta nuk ka mësuar metodologji të punës shkencore, por më çudit institucioni shtetëror i muzeut, ku ruhen dhe mbrohen gjërat më me vlerë kombëtare, siç është Muzeu i Kosovës, përkatësisht autori, mr. Mehmet Gjoshaj, i cili në studimet pasdiplomike ka mësuar dhe ka pasur lëndë, ashtu si edhe unë, se si duhet të përdoret literatura dhe burimet e ndryshme për hartimin e një vepreje.
Pra, z. Gjoshaj në librin për ekspozitë: “Lufta e popullit shqiptar në Kosovë kundër pushtimit serbokomunist nëntor 1944 – shkurt 1945, Prishtinë, 2002, pos kopertinës së pasme të librit tim monografik: “Avdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike”, m’i vodhi edhe gjashtë fotografi të tjera, të cilat janë: Avdy Dura, f. 82 te libri im, të z. Gjoshaj, f. 31; Din Hoxha, f. 110 – Gjoshaj 31; Arif Dragomaci, f. 125 – Gjoshaj 33; Hajredin Fazliajn, f. 211 – Gjoshaj f.32; kopertina e pasme, f. 230 - Gjoshaj f. 32; Sadik Tusha, f.240 – Gjoshaj f.33.
Autori, mr. Mehmet Gjoshaj, as nuk më ka marrë leje dhe pyetur, por as nuk më ka cituar dhe shkruar në literaturën e përdorur, duke m’i vjedhur fotot e sipërpërmendura.
Rasti i dytë është i prof. Adem Ajvazit, i cili pos kopertinës së pasme, ky e fut në ballinë, marrë nga libri im i lartpërmendur, f. 230. Ai ma vjedh edhe herën e dytë, duke e botuar në faqen e katër të librit të tij: Adem Ajvazi “Partia Nacional Demokratike Shqiptare në Llap (1949-1953)”. Edhe ky as nuk më ka marrë leje, as nuk më ka cituar në literaturën e përdorur.
Për të faktuar këto që shkrova, shihni fotot dhe komentoni, se çka duhet quajtur ndryshe ky veprim, pos plagjiaturë. Do të thoshte dikush, ku është Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit?