E shtune, 27.04.2024, 07:44 PM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Shahu: Koncensioni, Turqia e Serbia

E merkure, 03.08.2016, 07:53 PM


KONCENSIONI I UDHËS SË KOMBIT TURQIA E SERBIA

NGA REXHEP SHAHU

Shqiptarët që kanë makina, që nuk janë të varfër, se s'ka edhe i varfër edhe me makinë përsonale, tash e tutje kur të shkojnë të hyjnë në oborret e shtëpive të tyre duhet të paguajnë nga 5 euro taksë hyrje minimalisht. Edhe me dalë prej shtëpie duhet paguar 5 euro. Kështu është koncensioni i Udhës së Kombit.

Udha e Kombit është aset i atillë dhe krenari e atillë kombëtare sa duhet ta mbajë gjithmonë shteti qoftë edhe me dëm, le që ajo e jep fitimin vetë dhe s'ka dëme nëse nuk vidhet taksa nga qeveritë. Duhet ta mbajë shteti në emër të gjithë shqiptarëve që kanë vdekë në murin shqiptar të Berlinit, në kufi, duke ikë prej Kosove me ardhë në Shqipëri a duke ikë prej Shqipërie për në Kosovë. Në emër të gjakut të tyre, në emër të bashkimit real fizik të kombit, për t'ia heqë të majtës shqiptare akuzën se ajo nuk e ka dashtë Kosovën qysh kur e ka krijuar Dushan Mugosha e Miladin Popoviqi. Nuk është parullë patriotike, nuk hahen parullat por është në provë dinjiteti i shtetit. Nëse nuk bën pa një pagesë, bëje simbolike një pagesë të detyrueshme për çdo mjet, 1 dollar çdo veturë në tunel kur shkon për Kosovë, 2 dollarë çdo kamion dhe autobus e po ashtu edhe në kthim kur hyjnë për në Shqipëri.

Lekë mblidhen mjaft nga taksa për rrugën që paguajnë makinat e shqiptarëve, lekë mblidhen mjaft nga makinat që hyjnë në Shqipëri, ndaj nuk ka pse u merren lekë shqiptarëve si taksë ekstra për Udhën e Kombit nga asnjë lloj koncensionari se shqiptarët e kanë paguar udhën, e kanë bërë me lekët e tyre dhe nuk e ka bërë asnjë koncension. E nëse qeveria don të japë qeverisjen me koncension, le ta japë dhe kryeministri Rama le të rrijë se nën president i kompanisë koncensionare.

Partia Demokratike thotë se është kundër dhënies me koncension të Udhës së Kombit, se i duket shtrenjtë për shqiptarët e varfër dhe se do ta anulojë këtë koncension etj etj. Kundër duhet me qenë kundër, duhet me qenë kundër jo me dy a dhjetë deklarata eksponentësh e anonimësh zë trashë e zë hollë, duhet me qenë kundër si për kauzë finale deri në qëndresë, deri në plotësim të kërkesës, deri në shembje të çdo marrëveshje, deri në protesta të pafundme, të pashkordhshme, deri në ftesë për protestë të përbashkët Shqipëri - Kosovë në sheshet e Tiranës. Por duhet me qenë kundër dhe jo me u sjellë sikur me qenë kundër, dhe nuk duhet me u marrë me asnjë asnjë asnjë problem tjetër as me vdekjen jo nëse e kë seriozisht këtë dhe e bën kauzë, këtë premtim, këtë betim, këtë dashuri për Kosovën.

Udha e Kombit nuk është ndërtuar nga ndonjë koncensionar, nuk është ndërtuar me koncension, por është ndërtuar me taksat e qytetarëve shqiptarë, me fondet e buxhetit të shtetit shqiptar, me kontributin e çdo shqiptari, edhe të atyre që e kanë dashtë atë udhë edhe të atyre që nuk e kanë dashtë atë Udhë.

Pra qytetarët e kanë paguar Udhën dhe tani ajo është e tyrja.

Qeveria don ta japë me koncension një kompanie turke. Albtelekomin ua kemi dhënë turqve, metalurgjikun e Elbasanit turqve, Bankën Tregtare kryesorja e vendit, ua kemi dhënë turqve, disa hidrocentrale në Mat e disa shumë fitimprures jo veç si hidrocentrale në Mirditën anti turke, ua kemi dhënë turqve. A jemi pjesë e Turqisë,  a jemi nda prej saj para një shekulli apo është rrenë dhe mbajmë kot mbi kokën kryeministrore Ismail Qemalin.

Pra edhe Udhën e Kombit, veprën më të rëndësishme ndërtuar në Shqipëri qysh se është bërë ky vend, ndërtuar nga shqiptarët, me lekët e shqiptarëve, nga një qeveri qëndrestare shqiptare, në luftë të ashpër kundër shumë kundërshtarëve të kësaj udhe të jashtëm e të brendshëm, duhet t'ua japim turqve të Erdoganit, vëllait të madh të Edi Ramës.

Udha e Kombit e don një mirëmbajtës. Le të jepet me koncension mirëmbajtja, por qytetarët nuk kanë pse paguajnë koncensionarin mirëmbajtës sepse kanë paguar njeherë ndërtimin e rrugës dhe e dyta, gjithë makinat e Shqipërisë paguajnë taksën e rrugës rregullisht. Qeveria që e mbledh këtë taksë le t'ia japë direkt koncensionarit mirëmbajtës dhe të mos e përdorë këtë taksë për raklama agresive me bindë vorret se kjo qeveri po punon.

Koncensionari mirëmbajtës duhet të plotësojë kriteret e jo si kompania turke që duan ta shpallin fituese që nuk ka bërë kurrë një punë të tillë sipas mediave, nuk ka CV për punë të tilla dhe nuk ka buxhet të garantuar për këtë sipërmarrje. Apo është e mjaftueshme për shqiptarët dhe logjikës turke të kryeministrit që vetëm të jesh turk dhe mund ta shkërdhesh kryeministrin në Shqipëri.

Llogaritë e përafërta thonë se kompania koncensionare do të vjelë rreth 500 milionë euro për 30 vjet. Ky është një mashtrim special qeveritar shqiptaro – turk në favor të shitësve e blerësve të koncensionit. Sepse kanë llogaritë që kështu do të jetë gjithmonë fluksi dhe popullsia.

Po pas dy-tre vitesh kur të ndërtohet për interesa të Serbisë segmenti i Udhës së Kombit shqiptar Nish - Merdare dhe qindra mijëra makina serbe e përtej serbe të derdhen në këtë udhë, sa do të fitojë koncensionari dhe shitësit e koncensionit e sa do të humbasin pronarët e udhës - shqiptarët.

Serbët do të vijnë në Shqipëri se i ka ftuar kryeministri Rama me Vucicin, por edhe se nuk do të jetojnë gjithmonë në rrethim as ato. Serbët do të vijnë se duan marrëdhenie me Tiranën, nuk është stinë lufte për ne dhe ato. Koncensionari do të fitojë më tepër se tepër. Shitësit e sotëm të koncensionit do të deshpërohen se koncensionari nuk u jep rryshfet vit për vit. Po në 30 vjet koncension kushedi se ç'mund të ndodhë në rajon.

Koncensioni i Udhës së Kombit është puna më e pamenduar. Nuk është thjeshtë tendër biznesi dhe të marrë dikush përqindjet e rryshfetit. Ajo udhë nuk është ndërtuar për deri te bahçja e domateve të ndokujt, është udhë për qindra vjet që lidh më shpejt e shkurt Italinë me Europën Qëndrore, është për ne arteria kryesore e kombit shqiptar, nuk ka shoqe të dytë, nuk mund të ndërtohet më një e dytë edhe sikur të duash se nuk ka ku të ndërtohet, vetëm duhet ndërtuar hekurudha bri saj, të cilën kjo qeveri nuk e ka as ëndërr sepse e ndejn veten si udhetarë për një stacion urbani dhe të marrë ç’mund të marrë në këtë udhëtim prej udhëtarëve.

Për 30 vjet sa e shet ti e dashur qeveri Udhën e Kombit, mund të ndërtohet dhjetë herë porti i Durrësit, i Vlorës a Shëngjinit, mund të thellohet e të bëhet 100 metër i thellë, mund të dalë ndonjë investitor strategjik, mund të hyjë në lojë biznesi amerikan. Fluksi i rrugës pastaj 100 fishohet, koncensionari vjel e vjel, qytetarët shqiptare pronarë të rrugës paguajnë për me hy te shtëpia e tyre 5 euro e për me dalë prej shtëpie 5 euro përsëri e kjo pafund, çdo ditë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora