E premte, 07.10.2022, 02:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Bashkim Saliasi: Bashkëshortja ime Angjelina

E hene, 13.06.2016, 06:16 PM


Bashkëshortja ime Angjelina

Skicë

Shkruan Bashkim Saliasi

...Biseda nisi e ngrohtë, sikur njiheshim prej vitesh edhe pse ne ishim adoleshentë. Që në fjalët e  para të njohjes, Angjelina më krijojë një përshtypje të njeriut të  thjeshtë dhe të matur në bisedë. Dinte të respektonte dhe të dëgjonte...

Ishte viti 1973.

Unë vazhdoja vitin e tretë, kurse Angjelina vitin e parë. Ishte muaji maj kur të dy ndjemë se hapat e para dhe lëvizjet e  druajtura të asaj mbrëmje vallëzimi do të ishin hapat e rrugëtimit të gjatë dhe të pafund...Ndjenjat u forcuan më shumë edhe gjatë kohës verës kur ishim larg njëri-tjetrit dhe prisnim me ankth e padurim ardhjen e shtatorit... Mësuesja ime kujdestare nuk e priti mirë këtë njohje që i kalonte dukshëm kufijtë e miqësisë...Ajo nisi të më “sulmonte” dhe të m`i vështirësonte gjërat. Po, ku pyet dashuria!

Shtatorin e kaluam në aksionin e rinisë për ndërtimin e hekurudhës Librazhd-Përrenjas, në sektorin e Qukësit. Kishim kohë të argëtoheshim, por edhe të ndjenim kënaqësinë e ndenjjes bashkë...E ndjenim se, kur të ndodheshim përsëri në mjediset e shkollës, nuk do të ishim kaq të lirshëm. Dhe, vërtetë, mësuesja kujdestare, e cila ishte tepër pedante, ndiqte me sy të dyshimtë çdo lëvizje dhe takim... Nuk po zgjatem shumë me histori. Ne ishim të vendosur në dashurinë tonë, e kishim mbledhur mendjen sido që të vinte puna. Gjithçka shkoi për bukuri. Sot që po shkruaj këto rreshta, kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo kohë. Ne kemi tre fëmijë të mrekullueshëm. Kështu do të vijojë jeta jonë, e gjatë dhe gjithnjë bashkë...

Po shkruaj diçka më shumë për Angjelinën. Ka lindur më 10 janar të vitit 1956 në fshatin Daullas të Libofshës, rrethi Fier. Rrjedh nga një familje patriotike dhe arsimdashëse, ku dy vëllezërit e saj Minai dhe Rrapi dhanë kontributin e tyre në fusha të ndryshme të arsimit në vitet që punuan. Të dy vëllezërit janë botues. Rrapi është shpallur “Qytetar nderi” i rrethit Fier për kontributin e tij në fushën e arsimit dhe krijimtarisë. Angjelina, pasi mbaroi arsimin fillor dhe 8- vjeçar në Libofshë i lind e drejta e studimit në qytetin e Fierit në vitin 1971, dega mësuesi. Pas përfundimit të arsimit të mesëm në vitin 1975, u emërua mësuese në fshatin Agim të Libofshës, ku drejtor shkolle ishte vëllai Rrapi Bardhi. Në shtator të vitit 1975 fiton të drejtën e studimit për degën Biologji-kimi në ILP Shkodër, të cilën e mbaroi përsëri me rezultate shumë të mira. U emërua mësuese në fshatin Aranitas të qytetit Ballsh në shtator të vitit 1979. Punoi aty deri në muajin dhjetor, kohë në të cilën u shkëput për arsye sepse u martua dhe shkoi nuse në Skrapar. Në 10 qershor të vitit 1980 u bë nënë, dhe në 10 shtator të po këtij viti u transferua në shkollën e bashkuar Bargullas,ku kreu detyrën e mësueses biologji-kimi.

Në vitin 1988 në shkollën e Bargullasit ushtrohet kontroll nga Ministria e Arsimit me kryetar ekipi z Neritan Babamusta dhe shkolla mori vlerësimin maksimal nga ekipi.

Në vitin shkollor 1982 -1983 u emërua drejtoreshë e shkollës, ku qëndroj në këtë detyrë deri në vitin 1989, kohë kur u transferua familjarisht në qytetin e Poliçanit. Aty punoi në shkollat 8- vjeçare dhe të mesme të qytetit deri në vitin 1996. Pas transferimit familjarisht në Tiranë dhe fillon punë si mësuese jo definitive në disa nga shkollat më me emër të Tiranës: “Sami Frashëri”, “Eqerem Çabej”, “Arben Broci” etj, në të cilat punoi me përkushtim, pasion e profesionalizëm. Drejtoritë e atyre shkollave e vlerësuan Angjelinën ndër mësueset më të mira.

Drejtoria Arsimore e qytetit të Tiranës i propozojnë të qëndroj mësuese te shkolla e mesme “Arben Broci, por Angjelina preferoi të shkonte në shkollën 9- vjeçare “Mysene Kokolari” në Kombinat në detyrën e n/drejtoreshës, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2006. Në vazhdim u emëruar mësuese e lëndëve biologji-kimi në shkollën 9-vjeçare “Gjon Buzuku” në Kinostudio, Tiranë, deri sa mbylli me sukses karrierën e saj dhe doli në pension pleqërie.

xxx

“Zemra dhe mendja janë dy gjëra që e bëjnë njeriun të përsosur, kurse arsimi i shëndoshë dhe i përsosur, përnjëherë gdhendin mendjen dhe zemrën.”

Gjatë gjithë viteve të punës mësuese Angjelina është vlerësuar vazhdimisht me vlerësimin “Shumë mirë”. Më kujtohet kur u larguam nga shkolla 8- vjeçare e Bargullasit dhe erdhëm në Poliçan, banorët e fshatit Nishovë dhe nxënësit e shkollës me të cilët kishim jetuar na përcollën me lot në sy. Gjatë kohës që Angjelina kreu detyrën e drejtoreshës në fshatin Bargullas, fëmijët që vinin nga fshati Novaj në ditët me shi, stacionin e parë e kishin në shtëpinë tonë.  Angjelina jo vetëm që i thante dhe i ndërronte, por kishte raste që i ushqente dhe për këtë ndihej shumë e lumtur dhe  nxënësit e saj nuk e harruan dhe nuk e harrojnë edhe sot e kësaj dite, por kudo që e takojnë  flasin me mjaftë respekt dhe dashuri.

Kjo gjë nuk ndodhi vetëm në shkollën e Bargullasit, por edhe në shkollat e Poliçanit dhe të Tiranës. Më kujtohet dita kur Angjelina u largua nga shkolla 9- vjeçare “Mysene Kokolari” dhe u transferua në shkollën 9-vjecarë “Gjon Buzuku”. Kur mbërriti në shtëpi dukej e prekur nga mallëngjimi.

-Duhet të ndahemi, që të shohim se sa na duan, - tha dhe më tregoi se të gjithë mësuesit dhe nxënësit e shkollës e kishin përcjellë me lot në sy...Ishin ata mësues e nxënës që edhe në vitet në vazhdim, madje edhe sot e marrin vazhdimisht në telefon, e pyesin për shëndetin e saj dhe për familjen, kujtojnë çaste të paharruara nga punë në shkollë, nga dashuria dhe respekti që ajo tregonte, nga profesionalizmi dhe dashuria prej nëne që tregonte për nxënësit e saj...

Edhe në shkollën 9-vjeçare “Gjon Buzuku” fitoi respektin dhe dashurinë e nxënësve, mësuesve dhe të prindërve të këtij komuniteti. Shkoja shpesh në fillim në takimet që organizoheshin me prindërit në shkollën “Gjon Buzuku” dhe më binte në sy se të gjithë prindërit pasi mbaronin takimin me mësueset kujdestare vinin te klasa e Angjelinës dhe jo vetëm që e përgëzonin për kujdesin që tregonte për fëmijët e tyre, por bisedonin me  dashamirësi dhe qanin hallet për mbarëvajtjen e fëmijëve jo vetëm në lëndët ku jepte mësim ajo, por edhe në lëndët e tjera.

Angjelina i dëgjonte me dashamirësi dhe i këshillonte se si duhet të vepronin me fëmijët e tyre që të përparonin në mësime.

Në një takim tjetër rastisa në klasën që Angjelina kishte në kujdestari dhe shumë prej prindërve e falënderonin dhe i tregonin” se Paola nuk të lëshon nga goja, Arjola thotë se mësuesja më e mirë që kam pasur është Angjelina etj…

Angjelina tregon:

Nga nxënësit e shkollës “Gjon Buzuku” që sot vazhdojnë UT janë Arjola, Amarilda, Ana, Griselda, Paola, Zhaku, etj, të cilat ruajnë notën 10 në UT me të cilën janë vlerësuar në klasat që unë u kam dhënë mësim dhe në çdo festë 7- marsi më kanë sjell lule dhe më vijnë e më takojnë me përzëmërsi.

Por, nuk janë vetëm nxënësit e mirë që më falenderojnë dhe më urojnë çdo shtatë mars, por edhe ata që mesi i kam kaluar si Allamani, Lulëzimi, Alesio, Majkëlli etj.

Nxënësit e klasës së VI B në një poster me rastin e 7- marsit shkruajnë:

Mësuese Angjelina!

Angjelina mësuesja jonë,

Nënë e dytë për ne je ti,

Gjithë nxënësit të adhurojnë,

E ëmbël e plotë dije,

Lule zemre të dhurojmë,

Ikja jote na trishton,

Ndër mend do të kemi gjithmonë,

Angjelina zemra jonë!

Çdo mëngjes kur futem në shkollë nxënësit afrohen grupe-grupe dhe më përqafojnë sikur ti kem fëmijët e mi. Mburrem me nxënësit që kam mësuar se ma kanë shpërblyer me ruajtjen e rezultateve dhe me mirënjohje, gjithë respekt.

Shpesh e pyes, por ajo nuk e ka zakon të flasi shumë për vete, por tregon sesi nxënësit në çdo orë mësimi i japin kënaqësi duke e dëgjuar dhe respektuar me përgjigjet e tyre të sakta.

Angjelina është bashkëpuntore e shumë shkrimeve të mija metodike dhe shkencore, redaktore e librit “Dobrusha 1700-2010” dhe shumë artikujve të tjerë shkencor publicistikë.

Shkak për këto shënime u bë dalja në pension e Angjelinës, prandaj mendova të hedh disa rreshta që besoj se pasqyrojnë emrin e një mësuese të përkushtuar, të një bashkëshorteje shembullore dhe të një nëne të dhembshur...

I uroj bashkëshortes sime të shtrenjtë Angjelinës, jetë të gjatë dhe të lumtur!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora