E merkure, 30.11.2022, 12:55 AM (GMT)

Kulturë

Viron Kona: Kjo fotografi...

E marte, 07.06.2016, 08:16 PM


Kjo fotografi...

Shkruan Viron Kona

Dionis Qirixidhi, Hiqmet Meçaj, Koço Kosta, Viron Kona, Fatos Arapi, Ferhat Çakëri, Xhevair Spahiu, Harallamb Fandi, Reshat Osmani. Tiranë 1984

Duket, kur afron mosha e tretë, gjithkujt i shtohet dëshira për t`iu rikthyer fotografive, objekteve apo sendeve që, me kalimin e kohëve, marrin vlera të çmuara, ato trokasin butë-butë në kujtesë... I shohim me vëmendje e përqendrim, përpiqemi të zhytemi në thellësitë e tyre, të shohim pjesët e padukshme që dikur i kemi përjetuar, përpiqemi të depërtojmë mjegullën dhe errësirën që i ka mbuluar...”Jeta, - thotë proverbi, - nuk janë ditët që kemi jetuar, por ditët që kanë mbetur në kujtesë”. Trokitjet bëhen më të shpeshta, më të forta, shndërrohen në kambana, e, teksa semafori ndizet me të gjelbër, në përfytyrim nisin të na vërshojnë gjithë dritë tipa njerëzish, miq, shokë, fëmijë, të rinj, të vjetër; karaktere të llojllojshëm simpatikë, antipatikë, të ndërlikuar; ngjarje, episode, aventura...

x x x

Nga fëmijëria kam pak foto, sepse atëherë fotografët numëroheshin me gishta, ndërkohë që fare pak njerëz kishin aparate fotografikë. Por edhe ato pak foto ose humbitnin apo dëmtoheshin nga lagështia në sirtarët apo dollapët e kohës, ose kalonin dorë më dorë dhe, atë që e ka njëri s`e ka tjetri. Kam mall e kënaqësi të kem qoftë edhe pak prej tyre, por, ku t`i gjesh? Boshllëkun që kam me fotografitë e fëmijërisë sime, u përpoqa ta plotësoj me fotot e shumta që u kam bërë fëmijëve të mi, familjes sime. Ndodhte që ata bezdiseshin nga këmbëngulja ime për t`u bërë doemos fotografi, por, sot, vë re se kur i shohin ato foto, më shpërblejnë me  vështrime mirënjohëse...

x x x

Kështu bëjmë edhe ne, miqtë me njëri-tjetrin: Bardhyli, Murati, Sejdoja, Kadriu, Bashkimi, Qatipi... Por, më të dalluarit, më të vlerësuarit, “të paarritshmit”, sigurisht që janë Bardhyli me Muratin. Gjithnjë të preokupuar e me merak të madh të bëjnë fotografi, do apo nuk do ti, kjo pak rëndësi ka. Ama, ia vlen, ata bëjnë fotografi shumë cilësore. S`besoj se do të vihej kush në garë t`i konkurronte. E kush do të guxonte! As për sasi, as për cilësi. Kur flas për sasi s`bëhet fjalë për dhjetëra e qindra, por për mijëra. Po për cilësi? I renditin, i përpunojnë me dashuri e finesë me “teknologjitë” e tyre moderne dhe, na i dërgojnë në CD të veçanta, të shoqëruara herë me një aerostat apo anije detare e kozmike, herë me “mjete” të tjera transporti, herë i shoqërojnë me vargje të thekur, herë me buqeta trëndafilash apo me babagjyshin e vitit të ri...Janë aq të bukura dhe befasuese, saqë neve nuk ndihemi asnjëherë keq për t`i shpërblyer ata  me komplimentet e duhura. I gjejmë ato shpejt, të bukura, herë si metafora, herë si krahasime, gjithnjë të natyrshme, të meritueshme, sepse, sepse... na burojnë nga shpirti dhe zemra.

x x x

Fotografia që kam përpara, është e thjeshtë, shoqërore, e bërë pas një çasti pushimi gjatë punimeve të një kongresi shkrimtarësh, viti 1984: Nis fotografia (nga  majta) me Dionis Qirixidhin, poetin, gazetarin e talentuar dhe të palodhur, njeriun energjik që mban të ndezur brenda gjoksit zjarrin e pasionit për gjithçka të bukur...Hiqmet Meçaj, njëri nga mendjet e ndritura poetike të Vlorës dhe të Shqipërisë, poeti që krijonte duke guxuar, e që për gëzimin tonë vazhdon të krijojë perla edhe sot... Koço Kosta, ndër romancierët dhe tregimtarët që kanë ofruar artistikisht te lexuesi lëngun jetësor dhe të vërtetat e fshehura, e që për t`i shprehur ato ai vetësakrifikohej... Kam privilegjin të ndodhem në krah të poetit Fatos Arapi, ndër më të talentuar poetë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, e që  vijon të krijojë... Ferhat Çakëri, shkrimtari i madh i fëmijëve, që gjithë energjitë dhe vrullin krijues ua kushtoi vogëlushëve, të cilëve, edhe sot që ai nuk është më fizikisht,  u ka lënë si dhurata shporta të mbushura me perla poetike... Xhevarir Spahiu, poeti  që shkreptinë me vargje vetëtimash dhe i përcjellë jehonat e tyre nëpër kohë... Harallamb Fandi, farmacisti erudit, studiuesi dhe kritiku me klasë, tregimtar dhe dramaturg, piktor me shije të hollë, bashkëbiseduesi fisnik që zbukuron dhe u jep dritë bisedave dhe çasteve miqësore. Fotoja “mbyllet” me Reshat Osmanin, muzikantin dhe këngëtarin brilant të këngës qytetare vlonjate, njeriun që, bashkë me Meliha Dodën, Kostandin Thanën dhe Pirro Cakranin, i dhanë atëherë emër e famë, kolor dhe origjinalitet këngës së Vlorës sonë të dashur...

Faleminderit fotografit të panjohur emër ndritur !

Faleminderit miqtë e mi, ju kujtoj me mall!



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora