E premte, 26.04.2024, 01:54 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: A janë shqiptarët bujarë?

E hene, 25.01.2016, 09:00 PM


A janë shqiptarët bujarë?

Nga Gëzim Hoxha

Bujaria a bamirësia është një virtyt i njerëzve me zemër të madhe. Në ditët e sotme këto dy fjalë i dëgjon rrallë, më shpesh dëgjon të flitet për filantropi por në thelb nuk ndryshon asgjë. Ashtu si e kuptoj unë,  fjala BAMIRËSI është një fjalë e përbërë nga tre fjalë:  nga infinitivi i foljes BËJ, në gegnisht (me ba), fjala  MIRË dhe prapashtesa si. Por le të kthehemi tek pyetja që shërben si titull…

Dhe vërtetë, sa bujarë janë shqiptarët? Çdo njeri mund t’ia bëjë vetes këtë pyetje dhe përgjigja është e vështirë të jepet. Disa japin nga vetja ç’të mundin sa tu kërkohet, të tjerë ndihen keq kur ti u kërkon të shuajnë urinë apo etjen e dikujt që ai as e njeh dhe as ka dëshirë ta njohë, e aq më pak për hallet e tij, se ka të tijat që i dalin dhe i teprojnë.

Si të gjithë dhe unë u preka  nga sindroma e FACE BOOK-ut dhe e hapa një adresë. Në kohë shtrirjen e profilit  tim gjen pothuajse çdo gjë: histori, tregime e thënie, reklama, budallalliqe me okë dhe pa okë, mendime të vyera, foto erotike etj, etj. Për këtë gjë mua më quajnë edhe karagjoz. Mua më pëlqen sepse jam njeri i lirë dhe nuk kam komplekse. Por shpesh aty shoh foto të njerëzve të vuajtur, fëmijë, pleq e plaka në pikë të hallit. Mua më bëjnë përshtypje komentet e personave të ndryshëm, të cilët mjaftohen duke bërë një “LIKE” dhe duke shkruar një “AMIN” kur shohin një thënie të tipit “ZOTI  E NDIHMOFTË”. Por  a mjafton një “AMIN”?

Një  vajzë që kishte qenë në jetimore dhe kishte kaluar disa orë me këta fëmijë të cilët fati i keq i tyre i kishte lënë pa prindër, e quante veten humane pasi kishte bërë ca foto me ta. Edhe pse nuk mjafton, tani po them se kam bërë gabim, kur u rrëmbeva nga çasti dhe komentova: “qenke këputur”.  Ka njerëz që nuk gjejnë as kohën, për ta bërë as këtë pak gjë.

FACE BOOK-u ka bërë mrekullira. Ai u bë pikënisja e “PRANVERËS ARABE”, dhe qëllimi i tij në thelb është komunikimi dhe jo vetëm kaq, ai është kthyer në një media të vërtetë ku njerëzit e ndryshëm shprehin para së gjithash mendimet e tyre pa më të voglën cesurë. Pyetja që më shkreptiu në tru është: a mund të bëhet FACE BOOK-u një urë lidhëse për të luftuar një të keqe të madhe si varfëria?. Përgjigja është PO, me P të madhe. Rasti i një nisme të veçantë “NJË FUNDJAVË NDRYSHE” filloi fare rastësisht kur një I ri mori ushqimet dhe shkoi të vizitonte një familje të varfër jo vetëm për ta ndarë atë me ta, por edhe për të kaluar pak kohë me ta. Pas publikimit të fotove në FACE BOOK kësaj nisme iu bashkuan shumë veta të tjerë.

“Gatuaj një pjatë më shumë” ishte një thirrje tjetër  që iu përgjigjën plot 2000 veta në Tiranë. E njëjta gjë vazdoi edhe në Elbasan. Diçka e vogël po e mirë. Po ashtu edhe një nisëm tjetër  DHURO NJË BIÇIKLETË për fëmijët e ngujuar. Këto dhe nisma të tjera të ngjashme i dëgjova në një prej emisioneve OPINION në tv klan: si psh nisma e një radioje për shpërndarjen e lodrave dhe rrobave të përdorura ose jo, për fëmijët e varfër. Një deputete që e kishte një nga dëshirat e saja më të mëdha bamirësinë, po kështu edhe një gazetare e njohur e cila merret me plotësimin e nevojave të foshnjave të braktisura.

Edhe politikanët kujtohen të bëjnë ndonjë bamirësi në kohë festash. Nuk e di se si e bëjnë këtë gjë, ndoshta nxiten nga emri i madh që ata kanë. Diçka që më kujtohet për politikanët tanë është koha që në Shqipëri mësynë kosovarët. Thirrjes së tyre, për t’iu hapur derën familjeve kosovare, iu përgjigjën me qindra familje, por ata që e bën këtë thirrje nuk mbajtën asnjë kosovar në shtëpi. Nejse kjo iu përket atyre.

Në portalin BALLKAN WEB vitin e kaluar pash një lajm që edhe më habiti por edhe nuk më habiti. Lajmi fliste për një ligj të miratuar nga deputetët tanë për  rritjen e pagave të tyre. Ai kishte shumë shifra për të cilat nuk kujtohem dhe artikullshkruesi jepte edhe koston oportune  të këtij veprimi, d.m.th se çfarë mund të bëhej me këto të ardhura sikur ato të shpenzoheshin ndryshe.

Nuk u habita se kërraba tërheq gjithmonë nga vetja dhe jo vetëm kaq por kjo është një masë shumë e mirë anti – korrupsion. U habita se ata flasin shumë herë për varfërinë dhe japin me qindra mënyra se si mund të luftohet ajo. Më pëlqeu shumë nisma e kryetarit të bashkisë së Tiranës” BIRËSO NJË ÇERDHE”. Sikur ti vente në mendje ndonjë deputeti, a ndonjë ministri a zëvendësministri, që të birësonte një familje të varfër. Të paktën 200 familje shumë të varfëra do të kishin shpëtuar. Po edhe kjo nuk e zgjidh këtë problem.

Zgjidhja do të ishte rritja e ndihmës ekonomike dhe e pensioneve, apo e çdo pagese që jepet nga shteti për  shtresat në nevojë, apo gjetja e një mekanizmi që do të shmangte  pagesat e konsumit të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm dhe të shmangte abuzimin me to. Psh një i tillë është, përcaktimi i një sasie të caktuar kilovatësh energjie apo m³ uji, aq sa i nevojiten çdo familje për të plotsuar nevojat falas dhe tejkalimi i tyre të paguhej. Me një rritje të tillë ekonomike prej 2,5% - 3% në bazë të rregullit të 72 – it shqiptarëve do t’iu duhet të presin plot 24 vjet për të dyfishuar të ardhurat e tyre. Ekonomia nuk të jep shumë zgjidhje. Por solidariteti po.

Janë plot 140 deputetë, dhe kush e di sa ministra e zëvendës ministra, kryetar bashkish, prefektë e ku ta di unë sa funksionarë të lartë me paga shumë të larta. Janë plot 54 firma    mëdha, që qarkullojnë çdo vit shuma me më tepër se 6 shifra. Sikur të krijohej një fond  i veçantë me shuma të dhuruara prej tyre, që të përdorej për të luftuar këtë varfëri të tejskajshme të një numri jo të vogël familjesh?

Sa hap e mbyll sytë do të gjendej një emër shumë i bukur  për këtë fond të veçantë. Ai mund të përdorej për strehim a rregullim shtëpish, mobilim, pajisje elektro – shtëpiake,  veshmbathje,  ushqime, ilaçe e çdo nevojë tjetër të paplotësuar.  Përveç  zbutjes së varfërisë, kjo do të hapte shumë vende të reja pune ose të paktën do të ruante ato egzistuese dhe do të rriste konsumin, pasi dihet se kjo shtresë nuk mund të mendojë për kursim se nevojat e tyre janë shumë të mëdha. Kjo e shoqëruar edhe me një rritje të çdo pagese që iu jepet atyre nga shteti, jo thjesht një indeksim të të ardhurave, gjë që bëhet nga çdo qeveri për të mbrojtur fuqinë blerëse nga gërryerja e inflacionit të çdo viti, dhe efekti do të ishte edhe më i madh. Paratë do të vinin nga një reduktim i numrit të përfituesve të këtyre pagesave (gjë që ka filluar të bëhet) si dhe nga  ulja e shpenzimeve operative qeveritare. Në këtë mënyrë ndihmojmë edhe ekonominë tonë kombëtare.

E pra shqiptarët janë bujarë. Këtë e shohim tek fëmijët e shkollave të cilët mbledhin ndihma për shokët e tyre për festat e vitit të ri, kur shkojnë në kishë dhe hedhin një monedhë apo kartëmonedhë në arkën e kishës, apo kur japin sadaka në xhami, iu përgjigjen thirrjeve të njerëzve të sëmurë që duan të kurohen jashtë shtetit, japin lëmoshë për lypsat e rrugëve, e megjithatë …

Vetëm para dy javësh Ministria e Mirëqënies dhe Rinisë filloi të justifikonte emrin e saj. Ajo me anën e një projekti punësoi njërin prej prindërve të 300 fëmijëve që lypnin rrugëve, duke iu mundësuar atyre shkollimin dhe përgatitjen për të ardhmen. Diçka shumë e mirë, por duhet bërë shumë e më shumë.

Disa prej firmave të mëdha e kanë kuptuar përgjegjësinë e tyre sociale. Ato shpërndajnë shpesh ndihma për festa të ndryshme, por duhet kuptuar se njerëzit nuk hanë vetëm për festa. Po shteti kur do ta kuptojë përgjegjësinë e vet sociale?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora